Nis Festivali Ballkanik i Filmit, në garë 80 prodhime kinematografike

Për të 13-in vit me radhë në Pogradec zhvillohet Festivali Ballkanik i Filmit. Ndryshe nga vitet e fundit ka pasur prurje të mëdha, por juria ndërkombëtare ka qenë e detyruar edhe për arsye ekonomike të sjellë vetëm 80 filma.

Drejtori i këtij festivali, Eno Milkani, thotë se një pjesë e mirë e filmave konkurrues janë filma eksperimentalë të shkollave të ndryshme ballkanike.

“Një pjesë e këtyre filmave janë të autorëve të rinj, ashtu si pjesë e filmit janë filmat me metrazh të shkurtër por edhe të gjatë. Gjatë ditëve të këtij festivali në Odeonin e qytetit do të shfaqen edhe filmat e restauruar shqiptarë”, shprehet Milkani.

Francezja Emilie Richelle, anëtare e jurisë ndërkombëtare, u shpreh se:

“Unë kam 10 vite që e ndjek festivalin ballkanik të filmit, i cili është tejet i pasur me produkte fantastike, mendoj që është shumë interesante promovimi i këtyre filmave në Francë, që është vendi ku unë vij por dhe shtete të tjera absolutisht. Mënyra sesi ndërtohen këto filma dhe transmetojnë emocione, disa herë me heshtje, disa herë me muzikë, qoftë dhe aktorët më atë çka shfaqin, i bën këto filma shumë interesante”, thotë Richelle.

Në natën e parë është shfaqur dokumentari “Legjendat e Gjolit” bazuar në dorëshkrimet e publicistit të njohur Fatos Baxhaku, realizuar nga Eno Milkani  dhe Gerta Qurku. / KultPlus.com

“Festivali Ballkanik i Filmit” në Pogradec, për pesë ditë do të shfaqen 40 filma nga rajoni

Në Pogradec është kthyer Festivali Ballkanik i Filmit.

Për 5 ditë e radhë në qytetin liqenor do të shfaqen gjini të ndryshme filmash nga vende të ndryshme që vijnë në këtë edicion. Artistë, kineastë, producentë nga të gjitha shtetet Ballkanike janë pjese e këtij

Edicioni të 11 të Festivalit që ka nisur edhe si një homazh për artiste, miq dhe ideator të tij që nuk jetojnë më si Gjergj Xhuvani apo Fatos Baxhaku deri tek ata që humbën edhe jetën nga pandemia si Kujtim Prodani.

Pandemia e vështirësoi vënien në skenë të shfaqjeve artistike, realizimin e filmit e dokumentare e por edhe organizimin e eventeve artistike që munguan për një kohe të gjatë.

Nata e parë u çel me filmin shqiptar “Liqeni im” të Gjergj Xhuvanit ndërsa në konkurrim për 5 netë do të jenë 40 prodhime ballkanike./KultPlus.com

Fillon Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec

Në Pogradec nis të dielën edicioni i 10-të i Festivalit Ballkanik për filmin dhe kulinarinë, në kushtet e masave të mbrojtjes ndaj covid-19.

Pogradeci ka hapur dyert për të mikpritur regjisorë, producentë dhe aktorë nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Qyteti bregliqenor do të jetë për një javë nga data 13-17 shtator kryeqendra e kinematografisë ballkanike.

Eventi, i cili tashmë është kthyer në traditë, por që këtë vit do të zhvillohet në masat e respektimit të protokolleve të sigurisë ndaj covid-19, synon evidentimin e arritjeve të kinemasë bashkëkohore ballkanase si dhe krijimin e hapësirave për të ndërvepruar midis kineastëve.

Më tepër se 40 filma artistikë dhe dokumentarë, të producentëve dhe regjisorëve të afirmuar dhe të rinj do të shfaqen për publikun pogradecar dhe turistët në kinemanë e qytetit.

Ndërsa pjesë e Festivalit do të jetë edhe gatimet apo kulinaria tradicionale e Pogradecit që shquhet për shije dhe receta të veçanta. /atsh/ KultPlus.com

“Dita zë fill” i Gentian Koçit shpërblehet me çmimin e parë në Festivalin Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë

Ka përfunduar edicioni i 8-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, në Pogradec. Një festival i cili zgjati plot 7 ditë me radhë ku u shfaqen mbi 70 filma të ndryshëm artistikë, dokumentarë dhe me metrazh të shkurtër.

Me çmim të parë u nderua filmi “Dita zë fill” i Gentian Koçit , ndërsa çmimet e tjera shkuan për Bullgarinë, Slloveninë, Maqedoninë, Greqinë etj. Për organizatorin e këtij festivali Eno Milkani edhe ky vit ishte një sukses, ndërsa ka ende disa sfida për tu përmirësuar në festivalin e ardhshëm.

Ndërsa për Presidentin e Nderit të këtij festivali Viktor Zhusti ky edicion ka qenë një sukses i vërtetë, kombinimi e krijimtarisë me natyrën dhe turizmin kanë krijuar një atmosferë mjaft interesante dhe frymëzuese në Pogradec për këta krijues.

Pjesë e festivalit edhe këtë vit ishte Mish –Mash Production ku të rinj nga gjithë Ballkani prodhuan mini reportazhe për çështje të ndryshme sociale si dhuna ndaj fëmijëve apo edhe paqja .Çmimi i parë ka shkuar për “Let me Hug You” ,një mini reportazh i krijuar nga fëmijë nga Kosova e Serbia të cilët përcollën kështu mesazhin e paqes dhe dashurisë.