Kosovare Krasniqi dhe Rozafa Çelaj fitojnë çmimin “Aktoret më të mira” në Festivalin e Filmit Ballkanik

‘Në kërkim të Venerës’ me skenar dhe regji nga Norika Sefa, film i cili është përzgjedhur nga komiteti selektues si kandidati që propozon Kosova në garën e Akademisë së Çmimeve të Oscars për vitin 2023, po vazhdon të korr suksese në festivalet ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Kësaj radhe një lajmi mirë vjen nga Roma. Aktoret tona, Kosovare Krasniqi dhe Rozafa Çelaj, kanë fituar Çmimi për aktoren më të mirë në Festivalin e Filmit Ballkanik 2022 për rolin e tyre në filmin “Looking For Venera”.

“Për të qenë në gjendje të shpreh brishtësinë dhe forcën e dy vajzave të reja brenda shoqërisë po aq të re kosovare, të ndara mes vlerave të traditës dhe modernitetit”, është përshkrimi që i është bashkangjitur këtij çmimi.

Filmi përcjellë adoleshenten e qetë Venerën (luajtur nga Kosovare Krasniqi) që jeton në një qytet të vogël në Kosovë. Në shtëpi, ku tre breza jetojnë së bashku në një shtëpi të vogël, ajo nuk ka aspak privatësi.

Me producent Besnik Krapin, drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazha Stefan Stabenow, skenografia Arben Shala, zëri Risto Alchinov, kostumografia Desantila Lika, grimi Lidona Berisha. Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj.

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut, Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Kaçanikut. / KultPlus.com

Më 8 tetor nis Festivali i Filmit Ballkanik

“Festivali i Filmit Ballkanik”, i cili do të zhvillohet në “Casa del Cinema” në Romë në datat 8-11 Tetor, synon të sjellë publikun italian më pranë trashëgimisë së befasishme të filmit Ballkanik.

Festivali gjithashtu do të promovojë aderimin aktiv të Qendrave të Kinematografisë të Shqipërisë, Bullgarisë, Kroacisë, Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Sllovenisë, ndaj propozimeve të Mibact dhe ANICA për burimet e reja publike italiane dhe ballkanike.

Një angazhim i përbashkët dhe shumëpalësh që ushqen një perspektivë bashkëpunimesh më intensive dhe bashkëprodhime filmike, përmes proceseve të fuqishme integruese dhe cilësore me një dimension evropian.

Prodhimet kinematografike të përfshira në programin e Festivalit të Filmit Ballkanik janë një shprehje e pasurisë dhe kuptimit të veçantë.

Festivali hapet me dokumentarin nga Maqedonia e Veriut “Honeyland” të Tamara Kotevska dhe Ljubomir Stefanov, për të vazhduar me filmin grek “Defunct” nga Zacharias Mavroeidis, “The Voice” nga Ognjen Sviliçiç (bashkëprodhim Kroaci, Maqedonia e Veriut, Serbi) , “Babai” nga Kristina Grozeva dhe Petar Valchanov (Bullgari, Greqi), “Raundet” nga Stephan Komandarev (Bullgari, Francë, Serbi), “Gjinjtë” nga Marija Perović (Mali i Zi, Kroacia, Serbia), “Erased” nga Miha Mazzini dhe Dusan Joksimovic (Slloveni, Kroaci, Serbi) dhe “Portreti i papërfunduar i Clara Bellini” nga Namik Ajazi, 2019 (Shqipëri, Itali).

Festivali gjithashtu do të shfaqë jashtë programit, bashkëprodhimin italo-francez “Il Generale dell’Armata Morta”, (Gjenerali i ushtrisë së vdekur) një film nga Luciano Tovoli, mbi romanin me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë, pasuar nga një takim me regjisorin. Gjithahstu në program edhe një ngjarje speciale në kujtim të Gjergj Xhuvanit në të cilin do të paraqitet puna e tij dhe do të shfaqet filmi i tij i fundit, “Liqeni im” (bashkëprodhim nga Shqipëria, Kroacia, Kosova, Maqedonia e Veriut) dhe një moment reflektimi me temën “Kinemaja dhe shoqëria në Ballkan”.

Hyrja do të jetë falas, gjithnjë në përputhje me masat e parashikuara për shkak të urgjencës shëndetësore dhe për të siguruar mbrojtjen dhe ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë publike./diasporashqiptare/ KultPlus.com