‘Në kërkim të Venerës’ mbyll PriFest, Krapi: Shoqëria jonë ka nevojë ta gjejë veten aty ku i takon e Venera është veç një pikënisje

Flonja Haxhaj

Filmi ‘Në kërkim të Venerës’ mbylli natën e fundit të Festivalit PriFest. Entuziazmi i publikut për ta parë këtë film vërehej në sallën e Teatrit Kombëtar, e cila u mbush plot. Kërkesa e madhe për ta parë filmin bëri që organizatorët të vendosin një projektor edhe jashtë që filmi të shfaqej në dy vende.

Pas suksesit të madh ndërkombëtar, filmi i metrazhit të gjatë ‘Në kërkim të Venerës’ me regji të regjisores kosovare, Norika Sefa dhe producent, Besnik Krapi, u soll edhe për publikun e djeshëm në PriFest.

Regjisorja Sefa  përmes këtij filmi, sjell historinë e Venerës, botën e saj të jetuar në një shtëpi diku në një fshat të Kosovës. Jetesa mes patriarkatit dhe hierarkisë se moshave në një shtëpi ku jetojnë tre gjenerata kanë bërë që Venera të mos dijë të ëndërrojë e dëshirojë përtej asaj që ia kanë servuar prindërit, shkruan KultPlus.

Rrjedha e jetës së kësaj vajze të brishtë e naive ndryshon pasi ajo fillon të shoqërohet me Dorinën, një vajzë  mendjehapur, shoqërimi me të cilën do të bëjë Venerën të fillojë të kërkojë diçka tjetër nga vetja, të shohë një Venerë tjetër jashtë mureve të shtëpisë.

Përgjatë filmit, dy shoqet paraqiten duke shkuar në një klasë mësimi të gjuhës angleze tek shtëpia e një mësuese lokale. E në rrugët vajtje-ardhje që ato bënin, Dorina i tregon Venerës për djalin me të cilin kryen marrdhënie seksuale nëpër vende të fshehta, e kështu Venera bëhet kuroioze për ta provuar vetë me një djalë.

E karakteret e tjera përveç Venerës e Dorinës e plotësojnë edhe më shumë këtë film dhe e bëjnë më të besueshëm  duke e ndërlidhur me realitetin e shoqërisë sonë.

Ky film u mirëprit shumë nga publiku i PriFest, e kjo u vërejt në duartrokitjet që zgjatën disa minuta paspërfundimit të filmit.

E pas përfundimit të filmit, regjisorja flet e emocionuar që ky projekt i saj u paraqit për publikun kosovar.

“Jam shume e emocionuar, faleminderit shume qe jeni prezentë këtu, është një moment special si per mua ashtu edhe per krejt ekipin, e kemi dëgjuar dhe e kemi parë disa herë filmin në audiencë të huaj dhe më është dukur pak e çuditshme por sonte ishte një ndjenjë komplet ndryshe. Uroj që filmi ju la diçka dhe ajo diçka do të zgjasë shumë.”- tha regjisorja Sefa

Ndërkaq në konferencën që u mbajt sot në Prishtinë, ajo tha se qëllimi i saj si regjisore në këtë film ka qenë t’i përshkruajë ato çaste të vogla të jetës , të cilat kur vijnë të papërgatitura duken shumë më të mëdha dhe shumë më absurde.

“Sa i përket gjeneratave dhe ndeshjes është shumë evidente, ndoshta asnjëherë nuk shpërthen, e kjo është më e keqja prandaj edhe filmi ka një tempo të tillë sepse jemi munduar t’i durojmë disa gjëra duke u bërë shkak traditave, hierarkisë familjare ose moralit, e të cilat janë gjera shumë personale e energji që duhet të shpërthejnë. E Venera ka gjet vendin e saj në atë që i takon, pa dashur t’i ndryshojë të tjerët”- u shpreh më tutje regjisorja.

Tutje, Norika Sefa flet edhe për karakteret e tjera në film, e të cilët ajo i cilëson si karaktere jo negative por që kanë të metat e tyre.

E producenti Besnik Krapi thotë se filmi është nisur nga problemet e ndrydhura të shoqërisë sonë që nuk kemi kohë ose nuk duam të gjejmë kohë t’i nxjerrim jashtë si Venera.

‘Kjo shoqëri ka shumë problem me këtë aspekt, ta gjejë veten aty ku i takon e Venera është veç një pikënisje edhe pse duhet akoma të punojnë njerëzit për këtë çështje’, u shpreh Krapi.

Ndërsa aktorja, Kosovare Krasniqi vlerëson që ngjarjet që u paraqitën në film, janë ngjarje në të cilat kalon çdo i ri në Kosovë dhe çdokush mund ta gjejë veten në rrëfimin e Venerës apo në secilin personazh të filmit.

‘Në kërkim të Venerës’ së shpejti do të jetë premierë në Lisbonë, kurse sonte do të jetë premierë në Rusi.

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Monolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. Me drejtor të fotografisë – Luis Armando Arteaga, montazhë – Stefan Stabenoë, skenografi – Arben Shala, zërim – Risto Alchinov, kostumografi – Desantila Lika, dhe grim – Lidona Berisha.

“Në kërkim të Venerës” është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Agjencia për Film e Maqedonisë së Veriut me producent Besnik Krapin i prodhuar nga Circle Pruduction dhe me bashkëproducent Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën./KultPlus.com

MKRS: Sukseset e tyre po na bëjnë krenar të gjithëve, ndërsa tregojnë potencialin që ka vendi ynë në këtë fushë

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të filmave vendorë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ka reaguar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me ç’rast ata janë shprehur se Kosova ka marrë disa prej çmimeve kryesore në këtë festival e për çka ata ndjehen mjaft krenarë, përcjellë KultPlus.

“Ne i urojmë për këto çmime dhe shpresojmë që sukseset e tyre të vazhdojnë”, ka shkruar MKRS-ja.

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të tyre:

Filmat nga Kosova marrin disa prej çmimeve kryesore në Festivalin e Filmit në Sarajevë
Sukseset e filmave kosovar në festivalet më të mëdha ndërkombëtare të filmit po vazhdojnë. Kësaj radhe në Sarajevë tre filmat e vendit tonë, “Luaneshat e kodrës”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Pa Vend” ia kanë dal të marrin disa prej çmimeve kryesore.
Aktoret Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani – që janë pjesë e filmit “Luaneshat e kodrës”, nën regjinë e Luana Bajramit kanë fituar çmimin “Zemra e Sarajevës për aktoren më të mirë”.
Filmi “Në kërkim të Venerës”, nën regjinë e Norika Sefës ka fituar çmimin “Përmendje speciale për barazi gjinore”.
Ndërsa filmi i metrazhit të shkurtë “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës është shpërblyer me çmim special në këtë festival, çmim që i është ndarë nga juria profesionale.
Sukseset e tyre po na bëjnë krenar të gjithëve, ndërsa po tregojnë potencialin që ka vendi ynë në këtë fushë.
Ne i urojmë për këto çmime dhe shpresojmë që sukseset e tyre të vazhdojnë.
Festivali i Filmit në Sarajevë vlerësohet si një prej ngjarjeve më të mëdha të filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë. / KultPlus.com

PriFest 13 do të hapet me filmin “Zgjoi” dhe do të mbyllet me “Në kërkim të Venerës”

Filmi ZGJOI/HIVE i regjisores Blerta Basholli, fitues i trefishtë në festivalin Sundance, do të jetë filmi që hap edicionin e 13-të të PriFest. Ndërsa filmi i mbylljes, një tjetër film vendor i suksesshëm, NË KËRKIM TË VENERËS/LOOKING FOR VENERA i regjisores Norika Sefa.
Shfaqjet në PriFest njëherësh do të jenë premiera kosovare të këtyre dy filmave.

Organizatorët e këtij festivali kanë dalë me një komunikatë, të cilët edhe kanë njoftuar për detajet e këtij edicioni, shkruan KultPlus.

“Jemi shumë të lumtur që për herë të parë në 13 vjet të festivalit, do të hapim dhe mbyllim festivalin me filma vendorë të metrazhit të gjatë. Dhe për më shumë, filma që tashmë vijnë me suksese të mëdha ndërkombëtare.
Jemi edhe krenarë që pikërisht këta dy filma kanë filluar rrugëtimin e vet në PriFest, duke qenë pjesëmarrës në programet e platformës sonë PriForum, qysh kur ishin në fazën e zhvillimit të projekteve” tha Vjosa Berisha, drejtore e PriFest.

Filmi ‘Zgjoi’ flet për Fahrijen, një grua burri i të cilës është zhdukur që nga lufta në Kosovë, nis një biznes të vogël bujqësor për të siguruar familjen e saj në një mjedis tradicional patriarkal ku ambicia e saj për fuqizimin nuk shihet si një gjë pozitive.

Biznesi i saj fillon mirë pavarësisht nga bletët në kosheret e saj, të cilat duket se janë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në udhëtimin e saj për të bërë paqe me bletët, ajo fillon të bëjë edhe paqe me veten e saj, kështu që ajo mund të jetojë dhe të fuqizojë veten në një situatë të re për të përballur me një realitet shumë armiqësor.

Rolin kryesor e luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera paraqiten Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, bashkëproducentë Valon Bajgora, Agon Uka, Britta Rindelaub, Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Paskal Semini.

“Zgjoi“ me producent Yll Uka, është një bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ndërsa një film tjetër kosovarë, gjitashtu tashmë me sukses ndërkombëtarë (fitues i cmimit në Rotterdam), NË KËRKIM TË VENERËS i regjisores Norika Sefa do të jetë filmi përmbyllës i festivalit.

“Nga një takim i çuditshëm, Venera e ndrojtur nis të vë në dyshim familjen e sajë patriarkale dhe të ndjekë Dorinën mendje-hapur, qëndrimi i fortë i së cilës nxit kurreshtjen e Venerës për të eksploruar më shumë.

Derisa Venera persiatet për kuptimin e jetës, filmi gradualisht shprehë një sens absurd të jetës: Me njerëz që fshehin një botë me emocione – nga poshtërimi, faji e zhgënjimi. “Unë kurrë nuk i kam parë prindërit e mi të puthen” – thotë Venera.

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazhi Stefan Stabenoë, skenografia Arben Shala, zëri Risto Alchinov, kostumografia Desantila Lika, grimi Lidona Berisha.

“Në kërkim të Venerës” me producent Besnik Krapin, është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Të dy këta filma janë mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

PriFest do të mbajë edicionin e 13-të me datat 24-29 gusht. Programi i plotë i filmave të përzgjedhur në gjitha kategoritë e festivalit do të shpaloset në ditët në vijim./ KultPlus.com

Kosovare Krasniqi, aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Spanjë

Kosovare Krasniqi është shpallur fituese e çmimit për aktoren më të mirë, në Festivalin e Filmit në Spanjë, ”Festival Interncaional de Cine de Valencia”, përcjell KultPlus.

Krasniqi ka fituar këtë çmim për rolin e saj në filmin ”Në kërkim të Venerës”, film ky i realizuar nën regjinë e Norika Sefës.

Ndërkaq, lajmi u bë i ditur nga producenti Besnik Krapi, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, i cili sëbashku me njoftimin për çmimin e fituar, kishte shkruar: Kush tha qe s’na njeh Spanja?!. / KultPlus.com

Suksesi i radhës për kinematografinë kosovare: ‘Në kërkim të Venerës’ fiton çmim në Roterdam

“Në kërkim të Venerës” filmi debutues i Norika Sefës shpërblehet me çmimin special të Jurisë (Special Jury Award) gjatë ceremonisë së shpërndarjes së çmimeve të Festivalit të Roterdamit, përcjell KultPlus.

“Ky film mori 5 vite të jetës sime, jo pak!! Jom shumë e lumtur që e kam pasë fatin me punu me secilin që qëndron prapa këtij filmi, krejt, ama krejt, ata që i kanë dhënë kuptim edhe shumë nuanca kësaj përvoje.”

 “Ky çmim është shumë I rëndësishëm për filmin, por gjithashtu një shenjë prestigji sepse festivale si IFFR pëlqejnë të inkurajojë sfidat narrative dhe inovacionin në gjuhën e filmit. Ky është një motiv i madh për mënyrën qysh unë punoj”.

“Unë personalisht falenderoj Besnikun, bashkëpuntori më i afërt, dikush që më ka besu, shtytë e inkuraju, por edhe Luis Armando Arteaga, – duke e ditë që ky film ka pasë për qëllim me sfidu anën vizuale, unë kujtoj sa kohë energji e motivim është dashtë për me ardh deri këtu!” u shpreh regjisorja Norika Sefa përmes një video mesazhi gjatë ceremonisë së ndarjes çmimeve.

“Dua ta falenderoj Noriken fillimisht për idenë, skenarin dhe pastaj për rezultatin që ka sjellë në ekran me aq përkushtim e insistim deri në detajet më të vogla të mundshme. Jam i lumtur që bashkë arritem me perfundu një projekt me sukses.

I falenderoj aktoret dhe ekipin e mrekullueshëm, pa përjashtim.” “Falenderim të veçantë për Qendren Kinematografike të Kosovës që ka besu te ne”, “Agjensionin e Filmit të Maqedonisë së Veriut, dhe qytetarët e Kaçanikut për një pritje, përkushtim e ndihmë të pafund gjatë xhirimit” u shpreh producenti Besnik Krapi me rastin pranimit të çmimit.

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Monolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. Me drejtor të fotografisë – Luis Armando Arteaga, montazhë – Stefan Stabenow, skenografi – Arben Shala, zërim – Risto Alchinov, kostumografi – Desantila Lika, dhe grim – Lidona Berisha.

“Në kërkim të Venerës” me producent Besnik Krapin është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i prodhuar nga Circle Pruduction dhe me bashkëproducent Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën. Filmi gjithashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

‘Në kërkim të Venerës’ nga Norika Sefa shfaq premierën në festivalin e madh të Roterdamit

Filmi debutues i Norika Sefës “Në kërkim të Venerës” shfaqi premierën në Festivalin Ndërkombëtar të Roterdamit.

Filmi i parë Kosovar të jetë pjesë e Festivalit të Roterdamit është vlerësuar lartë nga kritikët.

“Në debutimin e saj të ndjeshëm dhe delikat, Norika Sefa portretizon me hollësi karakterin e Venerës një vajzë moderne që rritet në një mjedis tradicional, hierarkik. Por si mund t’i bëjë Venera zgjedhjet e saj në një situate të tillë? Muzika e veçantë dhe kamera vëzhguese (observational camera work) i shtojnë një ndjesi dokumentari kësaj historie intime” e pëshkruan filmin në mes tjerash editoriali i festivalit të Roterdamit.

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. drejtor fotografie Luis Armando Arteaga, montazha Stefan Stabenow, skenografia Arben Shala, zëri Risto Alchinov, kostumografia Desantila Lika, grimi Lidona Berisha.

“Në kërkim të Venerës” është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i prodhuar nga Circle Pruduction me bashkëproducent Igor Popovski dhe Gazmend Nela. Filmi gjithashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Kanë përfunduar xhirimet e filmit “Në kërkim të Venerës”

Filmi i metrazhit të gjatë artisitik “Në kërkim të Venerës” i cili vjen me skenar dhe regji nga Norik Sefa si dhe producent Besnik Krapin, tashmë ka përfunduar xhirimet. Këtë e kanë bërë të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës, shkruan KultPlus.

“Në kërkim të Venerës” është një film që përcjellë përjetimin e Venerës, një vajzë e re dhe e ndrojtur, e cila fillon një rrugëtim të ri në jetën e saj pasi takon shoqen e saj të re Dorinën. Ky përjetim e bën atë të marr guximin dhe t’i revoltohet familjes së saj tradicionale.

Në këtë film luajnë aktorët si: Kosovare Krasniqi, Erjona Kakeli , që vijnë në rolet kryesore, ndërsa në rolet tjera: Basri Lushtaku, Rozafa Çelaj, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Anisa Ismaili, Sheqerie Buqaj, dhe Bleon Monolli.

Xhirimet e filmit janë realizuar kryesisht në Komunën e Kaçanikut dhe kanë zgjatur 30 ditë.

“Në kërkim të Venerës” është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë. Filmi poashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut. / KultPlus.com

“Në kërkim të Venerës” e regjisores Norika Sefa mbështetet nga SEE Cinema Network

Në takimin e asamblesë gjenerale të SEE Cinema Network që u mbajt këtë javë në Tiranë u vendos që të mbështeten 8 projekte nga vendet anëtare të rrjetit, e nga Kosova projekti fitues ishte ai i regjisores Sefa.

Filmi flet për Venerën (17), një vajzë e re dhe e ndrojtur, e cila fillon të përjetojë një rrugëtim të ri në jetën e saj pasi njofton Dorinen (17), shoqen e saj të re. Ky përjetim e shtyn që nga një vajzë e ndrojtur të kthehet në një revolte ndaj familjes së saj tradicionale”.

Ky është viti i parë që Kosova merr pjesë në këtë rrjet në të cilin është anëtarësuar vitin e kaluar në Selanik.

SEE Cinema Network e themeluar në vitin 2000, është rrjet i shteteve të Evropës Juglindore që synon zhvillimin e bashkëpunimit mes profesionistëve të filmit dhe shteteve anëtare të saj duke mbështetur zhvillimin e koproduksioneve ndërkombëtare dhe prodhimin e filmave të shkurtër./KultPlus.com