Festivali i Kitarës ul siparin në një mbrëmje magjike në Himarë

Në një mbrëmje magjike nën tingujt e kitarës, qyteti bregdetar i Himarës u mbush me muzikë, energji dhe emocion, duke i dhënë një mbyllje madhështore edicionit të nëntë të ‘Albania Guitar Festival’.

Agron Peni dhe trioja e tij dhuruan një performancë të jashtëzakonshme, me disa nga kompozimet më të njohura, duke sjellë në skenë virtuozitetin dhe shpirtin ballkanik të kitarës.

Trupa e baletit profesionist ndezi atmosferën me ritmet pasionante të rumbas dhe flamencos, duke krijuar një sinergji të jashtëzakonshme mes muzikës dhe vallëzimit.

Mbrëmja u përmbyll me plot energji nga këngëtari brazilian Eclesio Ramos de Souza, i cili interpretoi hitet më të njohura të muzikës latine dhe i dha skenës një atmosferë plot gëzim dhe pozitivitet.

Ritmet tropikale, bashkë me interaksionin e ngrohtë me publikun, e bënë këtë natë të bukur për të pranishmit.

Ky edicion solli në Shqipëri 16 artistë ndërkombëtarë dhe njëjtë si tetë edicionet e shkuara nën drejtimin e drejtuesit artistik Denis Bizhga, synon promovimin e muzikës së mirë dhe kulturës shqiptare.

Ky koncert u realizua nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, dhe shënoi jo vetëm përfundimin e festivalit, por edhe një promovim të jashtëzakonshëm të kulturës, traditës dhe potencialit turistik të Himarës./atsh/KultPlus.com

Edicioni i shtatë i “Festivalit të Kitarës”, personalitete botërore në program

Festivali i Kitarës ka arritur në edicionin e 7-të të tij dhe entuziazmi për këtë event tërheqës muzikor është në rritje. Edicioni i sivjetshëm vazhdon traditën e përkushtimit ndaj muzikës, si dhe mbështetjen ndaj talenteve të reja. Ky festival është i njohur për promovimin e muzikës së kitarës në të gjitha  formatet dhe stilet e saj. Nga flamenco deri tek klasike, jazz-i dhe rock-u, audienca do të ketë mundësinë të shijojë një varg performancash të talentuara nga muzikantët më të mirë të kitarës.

Drejtori Artistik i Festivalit, Dr. Denis Bizhga u shpreh se festivalet muzikore janë institucione artistike që promovojnë ngjarje artistike dhe ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e kulturës dhe një turizmi muzikor.

Pjesëmarrës në këtë edicion të festivalit do të jenë personalitete të njohura të botës së kitarës. Njëri prej tyre është Marko Battaglia, një virtuoz i kitarës nga Italia.

Battaglia do të performojë në 3 qershor në sallën “Tonin Harapi” në Tiranë.

Në 6 qershor në Krujë, duo nga Danimarka Gantriis-Zimmermann do të ofrojë një udhëtim magjepsës nëpër një hartë muzikore të botës, ku muzika popullore dhe këngët e vendeve të ndryshme riinterpretohen ose aranzhohen në atë mënyrë që të lindë muzika e re, frymëzuar nga traditat.

Nga Viena, duo Pavlova – Böhm sjell në 16 qershor në Elbasan dhe 17 qershor në sallën “Tonin Harapi” në Tiranë “Danub Impressions”.

“Danub Impressions” sjell një përvojë të rrallë muzikore, e cila shkon përtej vetëm për të dëgjuar tingujt, por edhe për të shijuar historinë, kulturën dhe lidhjet e muzikës me mjedisin ku është krijuar.

Për të mbushur festivalin me magjinë e tij,  kitaristi i famshëm Jose Maria Gallardo del Rey do të performojë në 1 korrik në sallën “Tonin Harapi” në Tiranë.

Fillon Festivali i Kitarës në Elbasan

Në qytetin e Elbasanit po mbahet festivali shqiptar i kitarës.

Përveç vlerave artistike që përcjell ky festival, ka për qëllim të promovojë edhe objektet e vjetra kulturore sikurse është kalaja e qytetit të Elbasanit, por edhe objektet e kultit sikurse është kisha e Shën Marisë që ndodhet brenda mureve të kalasë.

Mbrëmjen e djeshme në orën 19-30 është mbajtur edhe nata e parë e këtij evenimenti ku ka interpretuar kitaristi klasik, Luigi Attademo nga Italia.

Albania International Guitar Festival është një aktivitet muzikor që ka si qëllim të përhap një kulturë dhe edukatë të re muzikore për brezin e ri. Të ftuar për të performuar janë disa nga kitaristët më virtuoz të kitarës klasike.

Ky festival do të vazhdoj me të tjerë kitaristë në mbrëmjet në vazhdim dhe ku drejtori i këtij festivali për këtë vit Denis Bizhga ka premtuar jo vetëm argëtim, por edhe muzikë cilësore dhe profesionale nga artistët të cilët do të jenë të ftuar për të interpretuar. /atsh/ KultPlus.com