Familjarët e të zhdukurve të Kosovës, thirrje Bashkisë së Korçës për anulimin e pjesëmarrjes së Bregoviqit

Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës i ka bërë thirrje Bashkisë së Korçës që ta anulojnë pjesëmarrjen e këngëtarit serb Goran Bregoviq në festivalin e organizuar nga ta.

Ata thonë se e kuptojnë artin, por që edhe duhet kuptuar dhimbja e tyre që ua shkaktoi Serbia gjatë luftës së fundit.

“E dimë që arti është përtej kufijve por e tillë duhet të jetë edhe dhimbja jonë dhe nëse ju nuk mund t’i bashkëngjitni kauzës sanë për të të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve tanë si një e drejtë elementare, të paktën respektoni dhimbjen tonë”, thuhet në kërkesë.

“Mos na lëndoni më shumë duke lejuar pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit  ose të ndonjë artisti tjetër serb, që për këto 22 vite bënë përpjekje të vazhdueshme të mohojnë krimet gjenocidiale, duke mohuar dhe mosnjohur të vërtetën tonë të dhimbshme, e mos të flasim për kërkimfalje e keqardhje dhe presionin që do të duhej të bënin si artistë në institucionet e Serbisë që të na kthejnë familjarët tanë të rrëmbyer dhe zhdukur dhunshëm”.

“E dimë që kërkesat tona të vazhdueshme për shumëkë mund të jenë të pakuptueshme, por shpresojmë që jo edhe për ju dhe korçaret që na ndihmuat aq shumë në vitet e tmerrit të luftës dhe në vazhdimësi gjatë këtyre 22 viteve, që për ne janë shekuj. Nëse koha gdhend gurin, ajo shkatërron njeriun. Vitet kalojnë, plakja si proces, nuk e shuan dhimbjen dhe kujtimin për ata që mungojnë”.

Ata thonë se janë kategoria më e goditur nga krimet serbe, duke përmendur numrin e personave të zhdukur që mungojnë nga lufta.

“Edhe sot 22 vite pas lufte, ne dhe gjithë Kosovës na mungojnë edhe 1632 familjarë, na mungojnë më të dashurit tanë. E kaluara jonë ndonëse nuk është e largët, ajo vazhdon të jetë shumë e rëndë për ne”.

“Dhunimi në kohë terrori është më lehtë i pranueshëm, sesa kur ndodhë në kohë lirie. Sot, familjet e personave të zhdukur, dhunohen në baza ditore, përkitazi me humbjen e cila iu është shkaktuar. Andaj ju lutemi mos lëndoni më shumë këto familje dhe ju kërkojmë të anuloni pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit dhe çdo këngëtari e artisti serb, që frymëzoi kryerjen e krimeve mbi popullatën shqiptare”. / KultPlus.com

Publikohen çmimet e biletave për koncertin e Bregoviqit në Korçë

Tashmë është marrë vesh se Goran Bregoviq nuk do të këndoj falas për popullin shqiptar në Festën e Birrës që do të mbahet në datat 18-22 gusht.

Bileta më e lirë për të dëgjuar Goran Bregoviq do jetë 8 euro ( një mijë lekë ), që i bie në zonën poshtë skenës, ndërsa afër këngëtarit, ende nuk është bërë e ditur nga faqja ku dhe po shiten këto bileta.

Ardhja e Bregoviqit në Shqipëri është kundërshtuar nga pjesa më e madhe e artistëve por dhe njerëzve të shumtë, por që Bashkia e Korçës u shpreh se tashmë kontratat janë mbyllur të gjitha, dhe se sipas tyre në këtë rasti arti po përzihet me politikë.

Kujtojmë se Goran Bregoviq do të këndojë para shqiptarëve në natën e fundit të këtij eventi./KultPlus.com

Zv.kryetarja e Korçës thotë se shqiptarët s’janë aq trima sa të ketë incidente në koncertin e Bregoviqit

Sipas zëvendëskryetares së bashkisë së Korçës, shqiptarët nuk janë aq trima sa janë në Facebook dhe me llafe.

Prandaj, ajo nuk frikësohet se mund të ketë ndonjë incident në festivalin ku merr pjesë këngëtari serb, Goran Bregoviq, ndonëse ka shumë reagime për të, shkruan Express.

Terova në një bisedë tha se në këtë Festival do të ketë forca të shtuara të policisë që do të parandalojnë ndonjë incident të mundshëm.

Ajo foli edhe për deklaratën e reperit Noizy, se do të nxisë dhunë në rast se Bregoviç merr pjesë në këtë Festival.

Berova për Express tha se sipas informacioneve sot në policinë e Shqipërisë është bërë një denoncim ndaj këngëtarit Rigels Rajku i njohur si Noizy. .

“Nuk mendoj që do të ketë ekcese. Shqiptarët po të ishin kaq trima, në llafe dhe Facebook janë shumë, po në situatën e zjarreve që po e përfshinë Shqipërinë dhe që po i vënë vetë këta me dorën e tyre, nuk kanë forcën që të shuajnë zjarrin e shtëpisë nuk i bashkohen aty siç po bashkohen shumë artistë dhe individë zjarrfikësve që po fikin zjarret në tërë Shqipërinë, plus do të ketë prezencë të madhe policore dhe nga sa di sa kam informacione, ky këngëtari, reperi Noizy që ka nxitur një lëvizje është bërë një denoncim sot në policinë në shtetit për të pasur një ndalim të tij se nuk mund të kërcënojë ai ngrihuni dhe t’i biem me shishe të mbushura kujtdo qoftë”, ka thënë ajo.

Noizy nuk është këngëtari i vetëm që e ka kundërshtuar pjesëmarrjen e Bregoviçit në Festivalin e Birrës në Korçë. Kundër kanë dal edhe Genc Prelvukaj, Vesa Luma, Besa Kokëdhima, Unikatili e të tjerë./KultPlus.com