Ndërhyn Policia, koncerti i Bregoviqit nuk ndalet përkundër gazit lotsjellës (VIDEO)

Gaz lotsjellës është hedhur në koncertin e Goran Bregoviqit në Korcë ndërkohë që është dashur edhe ndërhyrja e Policisë.

Por kjo nuk ka ndikuar që koncerti i Bregoviqit të ndalet për asnjë moment.

Ai po vazhdon koncertin e tij pa pengesa ndërkohë që disa persona edhe shihen duke u munduar të kërcejnë me këngët e tij ndonëse shihet se të pranishmit nuk kanë fare njohuri për këngët që ai këndon.

Koncerti është mbajtur nën masa të shtuara të sigurisë. Figura të shumta shqiptare kanë dalur kundër mbajtjes së këtij koncerti të Bregoviq, i cili me këngët e tij kishte motivuar ushtarët serbë të kryejnë masakra në Kosovë gjatë luftës. / KultPlus.com

Policia kontrollon detajisht pjesëmarrësit në koncertin e Bregoviqit në Korçë

Të gjithë pjesëmarrësit në Festivalin e Birrës në Korçë po i nënshtrohen deri në katër vende kontrolles nga ana e sigurimit ku sonte pritet të performojë këngëtari me origjinë serbe, Goran Bregoviq.

Disa rrugë të qytetit të Korçës janë bllokuar në përgatitje e sipër për natën e fundit të Festës së Birrës.

Në mbrëmjen e 22 gushtit, në koncertin e organizuar nga Bashkia e Korçës pritet të këndojë edhe këngëtari Goran Bregoviq,

Përveç sigurisë tokësore, Policia Shqiptare është duke e vëzhguar situatën edhe nga ndërtesat e larta, teksa tifo-grupi “Tifozat Kuq e Zi”, i kanë bërë thirrje Bashkisë së Korçës që ta tërheqin pjesëmarrjen e Bregoviq në këtë festival, sepse sipas tyre në të kundërtën do ta ndalojnë me trupat e tyre. / KultPlus.com

Bregoviq konfirmon pjesëmarrjen e tij në Korçë, pas Shqipërisë mban koncert në Moskë

Këngëtari Goran Bregoviq ka konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në Festivalin e Birrës në Korçë më 22 gusht.

Bregoviq pas Korçës do të performojë në kryeqytetin e Rusisë, Moskë më 26 gusht. Datat e koncerteve të Bregoviq janë publikuar edhe në uebfaqen e tij zyrtare.

Teksa dita e performances së tij afrohet, duket se edhe reagimi qytetar po ndizet. Kjo pasi qytetarët kanë mbuluar me ngjyrë fytyrën e këngëtarit në posterë si dhe kanë shkruar vitin 1999, kohën kur Serbia pushtoi Kosovën duke vrarë mijëra persona e dëbuar nga vendi i tyre. / KultPlus.com

Reagon tenori Lahaj: Shipërisë nuk i ka hije me bo dasëm me dajre t’çetnikëve

Tenori shqiptar Ramë Lahaj ka reaguar për pjesëmarrjen e këngëtarit Goran Bregoviq në festivalin e birrës në Korçë, shkruan KultPlus.

“Unë jam vet artist, e misioni i artistit është me ndjellë paqe përmes artit, por ky rast asht krejt ndryshe dhe ju e dini pse! E sa i përket renditjes se kush erdh i pari e kush i mrami kur Shqipninë e dridhi tërmeti, n’ ketë punë renditja asht krejt e pa ransishme!”, ka shkruar Lahaj në rrjetet sociale.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Z. Edi Rama po të drejtohem në emnin e të gjithë kosovareve, anulo Goran Bregoviqin!
Ai dhe kangët e tij që ishin himni i çetnikëve serb për të prerë fëmijët, nanat, motrat, vëllezërit e baballarët tanë nuk mund t’ jene në Shqipni për të festuar në festen e birrës. Zgjidh ke të duash nga artistet me mua në krye, ani pse nuk këndoj në festa birrash, por po të vij unë dhe gjithë koleget pa asnjë lloj detyrimi, me festu së bashku me muzikën tone të bukur shqipe. Po jo me atë që neve na i prenë fëmijët në djep . Tregohu burrë nji here në jetë e mos na lëndo ma shumë. Mos na i qit krip plagës. Unë jam vet artist, e misioni i artistit është me ndjellë paqe përmes artit, por ky rast asht krejt ndryshe dhe ju e dini pse! E sa i përket renditjes se kush erdh i pari e kush i mrami kur Shqipninë e dridhi tërmeti, n’ ketë punë renditja asht krejt e pa ransishme! Shipnija asht bo sofra e shtrati jone at‘here kur çetniket serb me kangët e Goranit na i ka permys e djegë shpiat e baballarëve. Mos i rafte kurrë Shipnisë me u provu në të keq, se t’ madh e t’ vogël aty na ka. T’ paret!
Thuaj jo Bregoviqit z. Kryeministër!
Shipnisë nuk i ka hije me bo dasem me dajre t’ çetnikëve. / KultPlus.com

Familjarët e të zhdukurve të Kosovës, thirrje Bashkisë së Korçës për anulimin e pjesëmarrjes së Bregoviqit

Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës i ka bërë thirrje Bashkisë së Korçës që ta anulojnë pjesëmarrjen e këngëtarit serb Goran Bregoviq në festivalin e organizuar nga ta.

Ata thonë se e kuptojnë artin, por që edhe duhet kuptuar dhimbja e tyre që ua shkaktoi Serbia gjatë luftës së fundit.

“E dimë që arti është përtej kufijve por e tillë duhet të jetë edhe dhimbja jonë dhe nëse ju nuk mund t’i bashkëngjitni kauzës sanë për të të ditur të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve tanë si një e drejtë elementare, të paktën respektoni dhimbjen tonë”, thuhet në kërkesë.

“Mos na lëndoni më shumë duke lejuar pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit  ose të ndonjë artisti tjetër serb, që për këto 22 vite bënë përpjekje të vazhdueshme të mohojnë krimet gjenocidiale, duke mohuar dhe mosnjohur të vërtetën tonë të dhimbshme, e mos të flasim për kërkimfalje e keqardhje dhe presionin që do të duhej të bënin si artistë në institucionet e Serbisë që të na kthejnë familjarët tanë të rrëmbyer dhe zhdukur dhunshëm”.

“E dimë që kërkesat tona të vazhdueshme për shumëkë mund të jenë të pakuptueshme, por shpresojmë që jo edhe për ju dhe korçaret që na ndihmuat aq shumë në vitet e tmerrit të luftës dhe në vazhdimësi gjatë këtyre 22 viteve, që për ne janë shekuj. Nëse koha gdhend gurin, ajo shkatërron njeriun. Vitet kalojnë, plakja si proces, nuk e shuan dhimbjen dhe kujtimin për ata që mungojnë”.

Ata thonë se janë kategoria më e goditur nga krimet serbe, duke përmendur numrin e personave të zhdukur që mungojnë nga lufta.

“Edhe sot 22 vite pas lufte, ne dhe gjithë Kosovës na mungojnë edhe 1632 familjarë, na mungojnë më të dashurit tanë. E kaluara jonë ndonëse nuk është e largët, ajo vazhdon të jetë shumë e rëndë për ne”.

“Dhunimi në kohë terrori është më lehtë i pranueshëm, sesa kur ndodhë në kohë lirie. Sot, familjet e personave të zhdukur, dhunohen në baza ditore, përkitazi me humbjen e cila iu është shkaktuar. Andaj ju lutemi mos lëndoni më shumë këto familje dhe ju kërkojmë të anuloni pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit dhe çdo këngëtari e artisti serb, që frymëzoi kryerjen e krimeve mbi popullatën shqiptare”. / KultPlus.com