Ledion Halitaj fiton çmimin e parë në kategorinë ‘Junior’ në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Rumani

Nëntëvjeçari nga Kosova, Ledion Halitaj, ka fituar çmimin e parë në kategorinë “Junior” në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Transilvani të Rumanisë.

Këtë çmim ai e ka ndarë edhe me dy kandidatë të tjerë, pjesëmarrës në këtë garë.

Sipas rregullit të festivalit, kandidatët që kanë marrë më shumë se 90 pikë nga juria profesionale, janë shpallur fitues të çmimit të parë.

Në konkurrencë me Halitajn kanë qenë edhe nëntë kitaristë të tjerë.

Ledioni ka luajtur katër vepra klasike. Ai është nxënës i profesorit Erhan Mujka në Shkollën e Muzikës, Artit dhe Baletit “Beethoven” në Prishtinë.

Mujka është shprehur krenar me suksesin e nxënësit të tij.

“Ndonëse me vetëm disa muaj pune, ku pjesa më e madhe e saj ka qenë `online’ shkaku i pandemisë, Ledioni arriti jo vetëm të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar, por edhe të rrëmbej çmim në një festival tejet prestigjioz, si ky i Transilvanisë”, ka deklaruar Mujka, transmeton KultPlus.

Në edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës në Transilvani, i cili sivjet u organizua ‘online’, marrin pjesë më shumë se shtatëdhjetë kitaristë nga 13 shtete të Evropës. / KultPlus.com