Festivali “Green Fest” gati për edicionin jubilar, këtë vit do të trajtojë çështjen e pabarazisë

Green Festival ka filluar aktivitetet për edicionin e 10-të. Ky festival multidisiplinar që përmban programe edukative, si dhe programin kulturor, ka për qëllim ndërgjegjësimin e shoqërisë për çështjet mjedisore.

Në këtë vit jubilar, përpos ndryshimit në koncept, festivali ka ndryshuar paraqitjen vizuale dhe formën e organizimit dhe transmetimit të programit. Për herë të parë, si rezultat i gjendjes pandemike, gjithçka do të zhvillohet online dhe në formë dixhitale.

Nën slloganin “The past. The present. The Change”, Green Fest sivjet trajton pabarazinë në nivele të ndryshme. Me rrënjët në të kaluarën, ndikimin në të tashmen dhe rrezikun që mund t`ia shkaktojë së ardhmes, pabarazinë e hasim çdokund, në shkollë, në shoqëri, në qytet e përditshmëri.

Festivali, këtë vit do të trajtojë çështjen e pabarazisë me anë të punëtorive, diskutimeve, aktiviteteve të ndryshme rekreative të cilat në bazë kanë përpjekjen për zvogëlimin e pabarazisë.

Aktivitetet kryesore të festivalit, zënë vend në javën e dytë të shtatorit, nga data 7 deri 13 shtator, me ç ’rast i gjithë materiali do të jetë në dispozicion në rrjetet sociale dhe nën mbulueshmëri të mediave kryesore vendore.

7 Arte, organizator i festivalit Green, me ndihmën e donatorëve, sponzorëve dhe vullnetarëve, ka arritur që edhe në një situatë të jashtëzakonshme, të ruaj traditën dhe frymën e festivalit dhe të gjithë programin e planifikuar ta përshtat me gjendjen aktuale.

Nuk do të mungoj as muzika!

Green Fest 10 është mbështetur financiarisht nga: Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë- SDC, Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe sponzori kryesor : Raiffeisen Bank Kosovo. / KultPlus.com