Shko Dallëndyshe

Poezi nga Filip Shiroka.

Udha e mbarë, se erdh prendvera,
shko dallendyshe tue fluturue,
prej Misirit n’dhena tjera
fusha e male tue kërkue;
n’Shqypni shko, pra, fluturim,
shko në Shkodër, n’gjytet tim!

Shndet prej mejet të m’i falesh
saj’ shpis’ vjetër ku jam le,
me ato vende rreth t’përfalesh
ku kam shkue kohën e re;
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!

Shko n’at shkollën ku jam msue
me shokë t’mi, shokt e fmnisë,
shko n’at Kishë ku kam urue
t’parën Uratë Perendisë,
atje shko, pra, fluturim,
fal me shndet gjytetit tim!

Me ato male, me ato kodra,
me ato prronje rreth t’përfalesh;
n’ato fusha qi m’ka Shkodra,
të lulzueme, aty t’ndalesh,
tue këndue me ambëlcim:
fal me shndet gjytetit tim!

T’mujshe edh’ un me fluturue,
dojsh’ edhe un me u nisë me ty,
dojshe n’Shkodër me kalue,
m’e pa prap at vend me sy!…
Por… ti shko atje flutrim;
e ti qajma fatin tim!…

Letër e Filip Shirokës dërguar Zef Sumës

I dashtuni Zef
(në Shkodër)

Vonë po i përgjegji letrës s’ate të 29 shtatorit, por më fal fajin se plaku bahet pak pritues, sado qi zemra i hitatë (thotë) me shkrue shpesh e gjatë. Po të falem nderës, si unë ashtu djali i em për urimet e ditës së Engjëllit (ditës së emrit?). Shpresoj se shpejt ke për me më diftue fejesën e motrave t’uja e edhe tanden se zemra më dishron me ndie mirë për vajzat e për djalin e dais s’em – Zoti ma baftë nafakë me vllazën.
Prej nji letre që më dërgoi Z. Zef Duoda, u gëzova që paske gjetë një punë të mirë në Mirditë, e Zoti e ruejt edhe e ndihmoftë, për të gazmue prindërit e tij.

Po më the se më ke shkrue edhe dy letra të tjera, e po çuditem qi përgjegja ime nuk paska mrritë, ndoshta pse postat e katundit, ku gjindemi, janë porsi në kohë të Abdyl Hamidit! Kryetari i postës që kemi këtu në Hadet asht mejhanexhi, shet venë, raki, ufull, spirto e duhan, e prej postet nuk fiton vetëm një gjysë groshi për francobollo qi shet, se nuk merr asnji rrogë…
Tash nji muej e gjysmë ministri i Postave ka ba nji ndryshim, posta e Hadetit hapet në stacion të udhës së hekurit, e letrat i marrin në stacion qi asht afër shtëpisë s’onë e kështu letrat nuk i hapin.

Të lutem më dërgo në letër një derhem farë perimesh, se nuk ka këtu, ndër këto ana, as në Misir. Prej sa letrave qi më dërgojnë miqt e mi prej Shkodre, kam marrë vesht se shtëpiat e mdhaja kanë ra poshtë e sot janë çue disa qi përpara nuk u ndihej emni i tyne; sot paska në qytet tonë malcorë qi përpara ishin me opanga e gjubleta, janë vesh allafranga e po sallnisen qi me t’u knaqë zemra; mo Zot ma keq!.. Por nuk asht për t’u çuditë: edhe në Liban, edhe në Syrie, në Palestinë e njeti, mbas luftës së madhe, shtëpiat pasanike kanë ra keq e janë mkamë vogjlia, ashtu ka ra Perandoria e Rusisë, e Gjermanisë, e Austrisë dhe e Turqisë. Sepse:
Bota rrokullon, dikë çon e dike rrëxon!
Questo mondo è fatto di scale – chi precipita e chi sale.
por, sikur thotë turku:
Shashkin zan eder – Bajram gelyr!
Veç i mjeri dauleti i turkut, priti se me gjahil-llek vjen prap me lule Bajrami!
Të lutem falmeshendet zonjës nanës s’ate, zojave, motrave tuja, Zojë Roza Duoda, Zefit e gjithë atyne q’i bje ndër mend për plakun e shkretë Filip Shiroken. N’e mram po të marr ngryk e po të puthi sytë e zez me gjithë zemër. Këtu po të dërgoj nji grimë letë për Zef Duoden, nji grimë për Z. Kolë Gugen (së po di drejtimin) e nji grimë për Z. Kol Shildinë, e me ju falë shndet e m’i thuej Kolës a e more letrën me fotografinë t’eme a jo?.. M’a fal fajin, o Zefi i em, me këto 3 letra qi po mbylli.
Hadet, me 9 Dhetuer 1930
Gjith i yti,
F. Shiroka

/KultPlus.com

Filip Shiroka, shkodrani i dashuruar në dallëndyshe

Filip Shiroka lindi më 1859 në Shkodër dhe vdiq më 1935 në Bejrut, Liban.

Tema në veprën e poetit Filip Shiroka ishte ajo e atdhedashurisë, krenarisë kombëtare për të kaluarën dhe shpirtin liridashës të shqiptarëve.

Në poezitë “Burri”, “Gjergj Kastrioti”, “Shypnia”, Shiroka bëri thirrje hapur për çlirimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Në poezitë e tij më të mira, që i kushtohen mallit për atdhe, Shiroka mediton mbi fatin e tij dhe atë të atdheut. Poezitë më të njohura janë Shko dallëndyshe dhe Dallëndyshe eja.

DALLANDYSHE EJA!

Mirë se vjen, me krahë te letë,
Dallndryshë, tue fluturue!
Mirë se vjen! M’ket ânë te xetë
T’dheut t’Misirit me dimnue:
Eja, prá, ktu fluturim,
M’gzò me at zâ gjith âmbëlcim!

Kur jé nisë t’kam porositun
Atje larg t’shkojsh kah Shqypnija;
M’difto pra, kur ké shetitun
A t’kan ra n’mend fjalt e mija,
Me m’shkue n’Shkoder fluturim,
Me m’j’u falë gjytetit t’im?!

Atje malet n’i paç pá,
Jânë prej boret nalt zbardhue:
N’ato fushat ne paç rá,
Janë me lule lulëzue
Atje n’paç vojtë fluturim
Aty âsht gjyteti i im!

Barit t’njomë gjith atje veshen
Çuka e kodra, e atje ndinë
Tue këndue blegtoreshe
Qi kullotë rreth bagtinë;
Atje n’paç vojt fluturim,
Aty âsht gjyteti i im!

N’Shkodren t’ime të Shqypnisë
Burrat lejnë qi s’dijnë ç’âsht friga,
Çupat e bukra t’urtisë
Atje lejnë qi s’dinë ç’âsht flliga;
Atje n’pàç vojt fluturim
Aty âsht gjyteti i im!

Dishroj shum, por…nuk po dij
A kam pràp fàt t’mirë me shkue
Nji herë tjetër ne Shqypni,
N’Shkodren t’ime me kalue…
Atje dù t’shkoj fluturim,
T’vdes aty n’gjytetin t’im!

T’kam pas thânë… se n’Fushë t’Rmajit
Kam dy vorre t’dashtunisë,
Nânë e babë kàm n’at vênd vajit,
Qi m’kanë lânun t’vorfenisë;
Me zânë t’ând t’përmâllshëm shqim,
A m’ke bâ mbi’ tà vajtim?!

A u kè thânë se un t’kam çue
Prindët e dashtun me m’i qà?!

A u kè thânë sà kam lotue
Kur t’kam nisë vorrin m’e pâ?!
A e kè thânë, t’përmallshme shqim,
Kângen t’ânde gjithë vajtim?!
A u kè thânë se zêmra e ime
N’ dhenë t’hueja keq u shkri,
Se s’ka gzim, as s’ka ngushllime
Se po digjet për Shqypni?!
Me zânë t’ând t’përvajshëm shqim,
A e kè qamun fatin t’im?!

Prà dallndryshë, kah kè shetitun
Gjytetin t’im a e kè pà?!
N’ato vênde kû kè rritun,
N’mênd për mue a te kà rà,
Me m’shkue n’Shkodër fluturim,
Me m’j’u falë gjytetit t’im?