Aktorët e vegjël që kanë lënë gjurmë në kinematografinë shqiptare, ku janë ata tani?!

Ata kanë qenë heronjtë e vegjël të kinematografisë shqiptare, madje mund të cilësohen edhe si muzë frymëzimi për shumë bashkëmoshatarë të tyre (të asaj kohe). 

“Beni ecën vetë”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Mimoza llastica”, “Taulanti kërkon një motër”, “Në shtëpinë tonë”, “Partizani i vogël Velo” e të tjera prodhime kinematografike, mbeten edhe në ditët tona filmat më të dashur. Po ku janë sot protagonistët e vegjël? A vazhdojnë ata të jenë pjesë e kinematografisë shqiptare? E zbulojmë bashkë në vijim.

Herion Mustafaraj

Ai do të ishte fëmija më i famshëm i viteve ‘80, sepse edhe rolet e tij do të ishin të shumta. “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Shoku ynë Tili”, “Sinjal dashurie”, “Rikonstruksioni”, janë disa nga filmat në të cilët Herioni ka interpretuar, por për publikun mbetet ende i dashur roli i Benit në filmin “Beni ecën vetë”, me regji të Xhanfize Kekos. Ndonëse e nisi karrierën si aktor në moshën 6-vjeçare, ky pasion i Herionit nuk vazhdoi shumë gjatë. Pas viteve ‘90 ai u largua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u mor përsëri me art, duke punuar në teatrin e vogël të fshatit ku jetonte, në Massacusetts. Ndërsa për publikun shqiptar u shfaq si prezantues i Festivalit të 41-të në RTSH. Së fundmi ai është kthyer si protagonist në artin shqiptar, me rolin në “Hotel 2XL” sezonin e shkuar, prezantimin e eventit “Netët e Klipit Shqiptar” dhe së fundmi si konkurrent në “Dance With Me”.

Eptan Lohja

A ju kujtohet ai djali bullafiq dhe trazovaç, që nuk linte dy gurë bashkë, në filmin “Në shtëpinë tonë”? Ai është Eptan Lohja. Edhe Eptani, si shumë nga kolegët e tij, nuk e vazhdoi rrugën e artit, por mori një tjetër drejtim në jetë. Studimet e larta i kreu për Inxhinieri dhe punon prej 16 vitesh si Drejtor Marketingu në “Tv Klan”. Ai është martuar dhe ka një djalë e një vajzë.

Zhaklina Dhimojani

Të gjitha vajzat e duan “Mimoza llasticën”, sepse te ky personazh e gjejnë veten më së miri. Zhaklina Dhimojani shkëlqeu duke lënë pas emrin e saj, por arti nuk do të ishte më prioritet për të. Aktualisht jeton në Bern të Zvicrës, ku ka punuar si përkthyese në Zyrën Federale të Refugjatëve, dhe ka ndërtuar atje familjen e saj. Vajza e saj Alex, është një nga modelet më të njohura në këtë qytet.

Enea Zhegu

“Tomka dhe shokët e tij” ka qenë një ndër filmat më të dashur për fëmijë i viteve ‘77. Një tjetër sukses i regjisores Xhanfize Keko, por që nxori në pah edhe aftësitë e një aktori të vogël si Enea Zhegu (Tomka). As Zhegu nuk e ka vazhduar rrugën e vështirë e të bukur të aktrimit.

Genci Mosho

Ai ishte një djalë shumë çapkën dhe ka spikatur me rolet e tij. I përkëdheluri i teta “Xhanos” (Xhanfise Kekos, – sepse regjisorja e kishte shumë për zemër dhe ai nuk mungonte në filmat e saj), Genci zgjodhi të bëhej arsimtar dhe jo aktor. Megjithatë nuk është shkëputur nga arti, sepse i ndjek me kuriozitet zhvillimet artistike në kryeqytet, ndërsa nxënësit e tij i çon shpesh pranë kinemasë së Arkivit të Filmit, për t’i njohur më mirë me kinematografinë shqiptare.

Selma Sotiriadhi

A ju kujtohet “tullumbacja” tek filmi “Beni ecën vetë”? Selma Sotiriadhi, vogëlushja që ka interpretuar edhe në filmat “Qyteti më i ri në botë”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Dollia e dasmës sime”, “Pranverë në Gjirokastër” dhe “Mësonjëtorja”, kur u rrit nuk preferoi të bëhej aktore, por të vazhdonte studimet për gjuhët e huaja.

Manjola Begolli (Gjoni)

Sa herë që flitet për sportin e shahut, atë e lidhim me figurën e Rudinës në filmin “Dy herë mat”. Me regji të Bujar Kapexhiut, ai është një nga filmat komedi më të bukur, që ka mbetur në arkivin e filmave shqiptarë si një pasuri e padiskutuar. Por Manjola nuk ia kushtoi kohën e saj artit, sepse studimet i vazhdoi për Ekonomik dhe është drejtuese e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve. Ndërsa me emrin “Rudina” ka fituar një shoqe shumë të ngushtë, siç është moderatorja e suksesshme e programit të pasdites në “Tv Klan”, Rudina Magjistari.

Petro Papakosta

“Sa të çliroj Shqipërinë dhe erdha…” është batuta më e famshme e filmit “Partizani i vogël Velo”. Petro Papakosta i përket sot botës së letrave, pasi i është përkushtuar të shkruarit dhe ka nxjerrë në treg shumë botime me poezi dhe ese.

Donald Kokona

Ai nuk kërkon më një motër, por disa projekte, sepse Donald Kokona, i njohur nga të gjithë në filmin “Taulanti kërkon një motër”, është sot një arkitekt shumë i suksesshëm. Daljet e tij publike nëpër programe të ndryshme televizive i kushtohen tashmë vetëm profesionit si arkitekt dhe nuk kanë më lidhje me artin dhe filmin. Në moshën katërvjeçare ai u përzgjodh nga regjisorja Xhanfize Keko për të qenë pjesë e atij filmi për fëmijë, i cili e bëri atë fëmijën më të famshëm për kohën. Filmi i tij i fundit ishte “Shpella e piratëve”, i xhiruar në vitin 1990./urbannews.al/ KultPlus.com

Pesë filma shqiptarë konkurrojnë në ‘Eastern Neighbours Film Festival’

Pesë filma shqiptarë po konkurrojnë në Eastern Neighbours Film Festival në Hollandë, përcjellë KultPlus.

Bëhet fjalë për dy filmat premierë, “Lulet plastike” të Ylljet Aliçka si dhe filmi “Brava” i Bujar Alimanit dhe Erand Sojli që do të shfaqen në Hagë. Si dhe i ftuar special në ‘Eastern Neighbours Film Festival’ është dhe regjisori nga Kosova Dren Zherka, i cili do të prezantojë filmin ‘Eho’. Ndërsa Daniwlle Bremer do të prezantojë dokumentarin ‘Zoti i shtëpisë’ dhe Fisnik Maxhuni filmin e tij të shkurtër, ‘Lost Exile’.

Filmi “Lulet plastike” i cili vjen premierë në këtë festival e që mban firmën e Aliçkës si autor e regjisor, tregon historinë e jetës nën vetmi të një çifti të moshuar nga fshati që vijnë në Tiranë me entuziazëm në një dasmë ku janë të ftuar, dhe nga kënaqësia e madhe që do të jenë në këtë dasmë dhe do të shoqërojnë krushqit përballen me vetminë e të qenurit në një komunitet ndryshe. Por nga ky mënjanim, krahas kësaj ndjesie vetmie fillon dhe rizbulimi i njëri-tjetrit.

Filmi është bazuar në tregimin “Çifti” shkruar nga Aliçka. Ky film ka rikthyer në ekran aktorin e njohur Robert Ndrenika si dhe aktorët Zana Prifti, Gent Hazizi apo Elia Zaharia. Kjo është hera e dytë që Aliçka bashkëpunon me Ndrenikën pas filmit “Parrullat”, apo “Kronikë provinciale”.

Ndërsa filmi “Brava” me regji të Bujar Alimanit dhe Erand Sojli na çon në problemet e trazirave të reja që po përballet njerëzimi. Në qendër të filmit është Ariani, një 40 vjeçar shqiptar që shkon për të marrë sendet personale të djalit të tij, Denis, i cili ka humbur jetën në një atentat terrorist.
Rastësisht në parkingun e ndërtesës ai gjen dy refugjate siriane, Asian, dhe Lejlën, vajzën e saj 7 vjeçe. Pas kësaj Ariani vendos ti ndihmojë dhe i çon për ti strehuar në një hotel në periferi të Tiranës. Por këtu fillojnë dhe problemet. Asia dhe Lejla prezantohen me paragjykimin terrorist ndaj myslimanëve. Sportelisti nuk pranon ti strehojë edhe kundrejt pagesës.

I gjendur në këtë situatë, Arjani vendos ti marri në shtëpinë e tij. Ai i jep rrobat e gruas së tij Asias, dhe vajzës pizhamet e djalit të vrarë. Gjendja tensionohet kur në shtëpi vjen gruaja e Arianit, Flora.

Ky film trajton një temë që më parë nuk është trajtuar në kinematografinë shqiptare,frymëzuar nga ngjarjet që po ndodhin përreth me fluksin e madh të refugjateve sirianë, që ikin nga lufta në vendin e tyre e drejtohen për nga Europa. / KultPlus.com