Mbijetesa e një poeti me poezi ngushëllimi gërshetohet në filmin e Ylljet Aliçka dhe Atina Laço

Filmi artistik “Poeti” me skenar nga Ylljet Aliçka dhe regji Atina Laço u shfaq premierë në ekranin e kinemasë. Një projekt filmik, i cili këtë herë sjell bashkëpunimin mes skenaristit të njohur Yllet Aliçka dhe regjisores Laço, në role me aktorë të njohur të filmit shqiptar.

Filmi “Poeti”, i cili është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka për subjekt fatin e një poeti të talentuar, i cili përballë vështirësive ekonomike në kushtet e reja të ekonomisë së tregut ka gjetur si mënyrë mbijetese, duke bërë poezi ngushëllimi dhe lajmërime poetike vdekjesh.
Skenaristi Ylljet Aliçka në një prononcim të tij tregon se filmi merret me peripecitë dhe aventurat e një poeti. Por në këtë realiteti poeti sipas tij provon histori dështimesh dhe suksesi, e megjithatë i duhet të shkojë edhe në varreza për të parë mbishkrimet në varre të ndryshme.

“Më konkretisht filmi merret me peripecitë dhe aventurat e poetit në gjetjen e klientelës, pra rasteve të vdekjes. Në ballafaqimin me sfidat, që i ofron ky realitet i ri poeti provon histori suksesi dhe histori dështimesh. Për të qenë më i suksesshëm me punën e re atij i duhet të përftojë nga përvoja popullore e këngëve të vdekjes, si dhe herë pas here konsultohet me poezitë e shkruara në pllakat e apo gurët e varreve”, pohon skenaristi Aliçka këtë herë për filmin më të fundit në kinema një premierë që është më skenar të shkruar prej tij.
Filmi u shfaq mbrëmë premierë në kinema Imperial, dhe në role ishin aktorët si Alfred Trebicka, Romir Zalla, etj. Por skenaristi Ylljet Aliçka shton se në vendin tonë ka aktorë që janë dhe të niveleve ndërkombëtare. “Unë kam qenë dhe jam gjithnjë i mendimit se ne kemi aktorë të niveleve ndërkombëtare. Si pata fat me Robert Ndrenikën, të njëjtën gjë them dhe për Alfred Trebickën, vërtet i ka dhënë vlerë të re skenarit. Po ashtu dhe Zana Prifti, Romir Zalla, Egla Ceno dhe “talenti i ri” Xhemal Sojli”, pohon mes të tjerave skenaristi. Puna me filmin Filmi artistik “Poeti” me financim nga QKK këtë herë sjell për publikun një tjetër histori, një realitet që e përball poetin me dështime dhe suksese.
Film mbrëmë pati premierën e tij, por disa orë para skenaristi Ylljet Aliçka u shpreh se puna për skenarin ka nisur një vit më parë mbështetur mbi një tregim të botuar disa vite më herët.
“Skenarin e kam shkruar vitin e kaluar mbështetur mbi një tregim timin, botuar disa vite më parë. Lidhja me regjisoren, thjesht ngaqë ka një përvojë e formim gjerman në këto fusha. Filmi u mbështet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në zërin film i shkurtër independent dhe shpresohet një mbështetje po modeste nga një strukturë ballkanike me qendër në Selanik”, pohon Aliçka në fjalën e tij.

Më herët Ylljet Aliçka si skenarist dhe regjisor u prezantua në festivale filmi dhe u vlerësua me “Lulet plastike”. Një film për të rigjetur ngrohtësinë njerëzore të humbur mes njerëzve, me aktorët Robert Ndrenika, Zana Prifti e të tjerë. Filmi “Lulet plastike” ka pasur një qarkullim të mirë në festivale ndërkombëtare, nisur nga HIMPFF (Hollyëood International Moving Pictures Film Festival) ku ka marrë dhe çmim të parë; New York Film Festival, Dokufest, International Film d’Aubagne etj.
Ky vit në fushën e kinemasë po vijon si me filma premierë por Ylljet Aliçka tregon se ka skenarë të shkruar që presin mbështetje financiare për realizim filmi. “Shkrimi i skenarit është një punë, që e kam me pasion, kam shkruar disa dhe natyrisht pres të gjej mbështetje financiare, ashtu si dhe kolegë të mi”, tregon skenaristi i njohur Ylljet Aliçka. Pak kohë më parë në ekranin e kinemasë u shfaq dhe premiera e filmit “Ndërkombëtarët” me skenar nga Ylljet Aliçka dhe regji nga Pluton Vasi./ Julia VRAPI/ KultPlus.com