“The Brave”, produksioni hollivudian shqiptaro-amerikan që sjell të guximshmit e forcës speciale RENEA

Alberina Haxhijaj

Në kinemanë Cineplexx, sonte duke filluar nga ora 20:00 vjet premiera e filmit “The Brave” i cili në fokus të tij ka luftën e policëve të Repartit të Neutralizimit të Elementit të Armatosur, kundër mafiozit Frank Pedulla dhe grupit të tij, shkruan KultPlus.

Një skuadër elitë e policisë shqiptare, Skuadra Shqiponjat, e specializuar për ndërhyrje të shpejtë ngarkohet me detyrën për të ndjekur një kriminel vendas të quajtur Ilir. Qëllimi i aksionit është të kapet Iliri në përpjekje për të luftuar prostitucionin dhe drogën që ka pllakosur kryeqytetin shqiptar. Gjithçka komplikohet papritur kur gjatë aksionit, miku më i mirë i Ilirit del që është një polic i infiltruar i Reneas, i quajtur Rei Cana, i painformuar që një repart tjetër i policisë po kryente një aksion aty. Kjo situatë bënë që Skuadra Shqiponjat të zhvendoset nën drejtimin e Agim Hoxhës tek RENEA. Kapiten Hoxha u shpjegon të rinjve se droga dhe prostitucioni të komanduara nga grupe kriminale ndërkombëtare janë një nga objektivat kryesorë të punës që i pret.

Ndërsa vendi pret të afrohet më pranë hyrjes në BE, ka një urdhër nga lart për të pastruar vendin nga korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe për të restauruar besimin popullor tek forca e ligjit. Por a do të arrijë ky ekip që të realizojë objektivat e tij duke përfshirë edhe kapjen e mafiozit Frank Pedulla. Duke operuar nga jashtë, italo-amerikani Pedulla është zemra e krimit dhe trafiqeve që kanë pushtuar
Shqipërinë dhe është në dorën e Reit dhe ekipit të tij që të zbulojnë veprimtarinë e tij e ta sjellin para drejtësisë.

Sipas producentit Mark Crawford, i cili ishte i pranishëm në konferencën e realizuar për këtë film, qëllimi i këtij filmi është që të tregohet se në Shqipëri ka njerëz të cilët janë të guximshëm dhe duan që ta luftojnë krimi.

“Kemi dashur që në film të përfshijmë sa më shumë pjesë nga Shqipëria dhe shqiptar brenda këtij filmi. Pjesërisht ne kishim mundësin për të xhiruar në Shqipëria por dëshironim që të kapnim gjithë botën pasi që ky film nuk kufizohet vetëm brenda Shqipërisë, por kap gjithë botë. Një arsyeje ishte që edhe në film të flitej anglisht pasi që kemi dashur që të përfshijmë edhe më shumë sesa të jetë një film amerikano-shqiptarë dhe për Shqipërinë. Për momentin jemi duke dhënë edhe premierën në Rusi. Kemi dashur që të promovojmë Shqipërinë si vend, produksione nga Shqipëria por edhe aktorët shqiptarë, por jo vetëm këto”, u shpreh ai duke treguar se kanë dëshirë që vendi të mos mbetet vetëm brenda Kosovë dhe Shqipërisë por të shfaqet në sa më shumë vende.

Filmi “The Brave”, është një produksion hollivudian shqiptaro-amerikan, me regji të William Kaufman. Në film luajnë aktorë të njohur Hollivudi si Armand Assante (që ka luajtur dhe te filmi “Gotti”) e Louis Mandylor (i njohur nga “My Big Greek Fat Wedding” – Martesa Ime Greke), por dhe aktorët më të famshëm rusë, Ravshana Kurkova e Yuriu Kutsenko. Në film nuk mungojnë edhe aktorët shqiptarë, Bes Kallaku, Vin Bejleri, Mensur Safqiu, Salsano Rrapi e Kleofina Pnishi.

Në këtë konferencë në Prishtinë i pranishëm ishte edhe aktori Mensur Safqiu. Ai u shpreh se është shumë mirë që aktorëve shqiptarë po u jepet mundësia që të luajnë me aktorë të njohur në Hollivud. Sipas tij e mira e këtyre bashkëpunimeve është po ashtu që Shqipëria dhe Kosova të mund të jenë qendër për xhirimin e filmave dhe për krijim e studiove filmike.

“Ishte një produksion i shkëlqyeshëm dhe me shumë profesionalizëm. Ne çdo herë kur jemi duke punuar diçka mundohemi që të jemi sa më
profesional në mënyrë që kjo të sjellë edhe bashkëpunime të tjera. E mira e kësaj është që shqiptarët në këtë film nuk trajtohet si kriminel, narkotik, pra ky film ka treguar medaljen tjetër që edhe në këtë vend ka krim por pikërisht ky vend edhe e lufton krimin”, u shpreh ai.

“The Brave“ është një film i frymëzuar nga ngjarjet e Lazaratit. Filmi “The Brave” është bashkëprodhuar nga DigitAlb, 3 Amigos, Mercury films dhe Cukali Films. Filmi do të vazhdojë që të shfaqet në kinemanë Cineplexx./ KultPlus.com