Botohet numri i ri i Revistës Shkencore “Filologji”

Këto ditë u botua numri i ri (22) i revistës shkencore “Filologji”, të cilën e boton Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Nën drejtimin e kryeredaktorit prof. dr. Sali Bashota, revista në këshillin e saj botues ka personalitete të njohura të botës albanologjike: prof. dr. Aurel Plasari (Tiranë), prof. dr. Françesko Altimari (Kozencë), dr. John Hodgson (Londër), prof. dr. Russana Hristova- Beyleri ( Sofje), si dhe anëtarët e redaksisë nga Fakulteti i Filologjisë: prof. dr. Osman Gashi, prof. asoc. dr. Muhamet Hamiti, prof. asoc. dr. Nysret Krasniqi dhe prof. asoc. dr. Rrahman Paçarizi.

Ky numër i revistës u kushtohet dy personaliteteve të shquara të botës akademike dhe botës kulturore, profesorit, poetit, studiuesit Basri Çapriqi dhe albanologut Robert Elsie, të cilët ikën në amshim. Duke nderuar dhe kujtuar jetën dhe veprën e tyre, u botuan tekste të zgjedhura. Gjithashtu, u botua shkrimi i Nysret Krasniqit (“Udha e figurimit poetik të Basri Çapriqit”) dhe shkrimi i Muhamet Hamitit (“Përkujtesë për albanologun e shquar Robert Elsie).

Numri i ri i revistës “Filologji” sjell mjaft shkrime me interes për lexuesin shqiptar e më gjerë. I përkthyer nga gjermanishtja nga prof.ass.dr. Naim Kryeziu, botohet për herë të parë në gjuhën shqipe studimi i gjatë i Maksimilian Lambercit me titullin “Zhvillimi i letërsisë shqipe”.

Në rubrikën e revistës: Studime, Trajtesa dhe Artikuj botohen shkrimet e autorëve: prof. dr. Osman Gashi (“Shekspiri dhe shekulli ynë”), prof. asoc. dr. Bujar Hoxha (“Semiotika dhe metafora e pyjeve narrative në veprën e Umerto Ekos”), Zahrie Kapllanaj, PhD cand. (“Palimpsesti në letërsi”) dhe Marjela Progni – Peci, PhD cand. (“Dimensioni erotik në poezinë e Migjenit”).

Ndërkaq, në rubrikën Kritika dhe Recensione botohen shkrimet e dr. John Hodgson (“Traumat e patriarkalizmit dhe të mërgimit”; Pajtim Statovci, “My Cat Yugoslavia”, i përkthyer prej finlandishtes nga David Hackston-i, Pantheon Books, Nju Jork, 2017), prof. asoc. dr. Dije Demiri-Frangu (“Dashuria e plotë e një lirike arbëreshe”; Zef Chiaramonte, “Vulë uji”, Marca d’acqua: poesie, Palermo: Nuova Ipsa, 2015), Meliza Krasniqi, PhD cand. (“Biografia e fiksionalizuar”; “Edmond Rugova: rrëfimet e të dielave” e Bardh Rugovës) dhe Serafina Lajçi, PhD cand. (“Mandala për letërsinë romantike arbëreshe”; Matteo Mandala, “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”, ”Naimi”, Tiranë, 2012).

Revista shkencore “Filologji” do të botohet dy herë brenda vitit dhe ka për synim kryesor afirmimin e vlerave shkencore albanologjike brenda dhe jashtë vendit./ KultPlus.com