Rifillojnë gërmimet në Finiq, projekt i përbashkët shqiptaro-italian

Në mesin e muajit shtator rifilluan sërisht gërmimet arkeologjike në parkun arkeologjik të Finiqit. Projekti i përbashkët arkeologjik shqiptaro-italian i ka përqendruar kërkimet e tij në zonën publike të qytetit antik, aty ku në periudhën Perandorake Romake mendohet të jetë zhvilluar Forumi.

Strukturat që po nxjerrin gërmimet arkeologjike dëshmojnë për godina monumentale, të cilat në zonën e pjerrët qëndronin mbi tarracime. Zona është e aksesueshme për vizitorët që zgjedhin të vizitojnë parkun arkeologjik të Finiqit. Në këtë park paralelisht me gërmimet arkeologjike, nga DRTK Vlorë janë kryer ndërhyrje restauruese, si dhe është rinovuar e gjithë infrastruktura e parkut me tabela shpjeguese e orjentuese.

DRTK Vlorë fton të apasionuarit ndaj arkeologjisë të përfitojnë nga prania e arkeologëve gjatë muajit shtator dhe të vizitojnë parkun arkeologjik të Finiqit./atsh/KultPlus.com

Zbulime të tjera në Parkun Arkeologjik të Finiqit

Misioni Arkeologjik Italo-Shqiptar ka kryer gërmime në sektorin A11, në Finiq, ku kanë dalë në dritë shumë blloqe që mbivendosen me njëri-tjetrin.

Janë ato që kanë mbetur nga një mur i periudhës romake, i shembur ndoshta për shkak të një tërmeti. Sipas specialistëve, efekti i tyre i përgjithshëm është mbresëlënës, pasi duken si gurët e një dominoje gjigante.

“Në sektorin A11 ka shumë gjëra që na kanë bërë përshtypje, si muri i tarracimit i shembur plotësisht në rrjedhën e poshtme”, shkruan në rrjetet sociale Misioni Arkeologjik.

Parku Arkeologjik i Finiqit është një destinacion gjithmonë e më i frekuentuar nga turistët vendas e të huaj, ndërkohe që i rriten vlerat me zbulimet e herëpashershme të ekspeditës italo-shqiptare.

Qyteti i lashtë i Finiqit përbën një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike, pjesë e pandarë e trashëgimisë tonë kulturore. Qyteti antik i Foinikës mori statusin Park Arkeologjik Kombëtar në vitin 2005. Që nga fillimi i viteve 2000 në Finiq gjendet Misioni Arkeologjik Italo-Shqiptar, me specialistë nga Universiteti i Bolonjës.

Parku Arkeologjik i Finiqit ndodhet në një kodër 283 m të lartë mbi nivelin e detit, 9 km në lindje të qytetit të Sarandës./ atsh / KultPlus.com

Shpella e Shën Marenës në Finiq, monument kulture me vlera historike

Shpella e Shën Marenës, e ndodhur pothuajse në majën e malit të Miles, mbi grykën e Bogazit, në bashkinë e Finiqit, është shpallur monument kulture i kategorisë së parë, nga Rektorati i Universitetit Shtetëror në 1973.

Sektori i Kulturës Kombëtare në Sarandë bën të ditur se “e gjithë shpella është e transformuar në një kishë në periudhën mesjetare dhe disa nga faqet shkëmbore të shpellës janë pikturuar me afreska. Ajo është me dy kate ku ambienti i katit të poshtëm është 6 m i gjatë, 3.50 m i gjerë dhe 7 m i lartë”.

Në ambientin e poshtëm ka patur një varr. Ajo u identifikua fillimisht në vitin 1930 nga prehistoriani italian Luigi Cardini, i cili në vitin 1939 kreu disa sondazhe brenda shpellës.

Depozitimet kulturore ishin ndarë në dy shtresa. Shtresa e parë kishte depozitime qeramike të kohëve të vona, ndërsa në shtresën e dytë u gjetën objekte litike fragmente qeramike si dhe kocka kafshësh, kryesisht gjitarësh dhe shpendësh (Ovis, Sus, Capra Ibex).

Nga objektet litike veçohen dy gërryese prej stëralli, njëra me teh të gjerë, ndërsa tjetra me teh të mprehtë. Objektet litike i përkasin paleolitit të sipërm, ndërsa qeramika i përket periudhës së neolitit.

Që nga periudha e Cardinit nuk janë bërë gërmime të reja. Autorët e mëvonshëm që e kanë vizituar shpellën dhe kanë shkruar për të, janë mbështetur në të dhënat e përftuara nga gërmimet e Cardinit./atsh/ KultPlus.com