Është i gatshëm busti i Skënderbeut në Elbasan (VIDEO)

Në Labinot të Elbasanit tashmë ka përfunduar realizimi i bustit të Skënderbeut. Këtë bust, i cili është njëherësh edhe busti më i madh i heroit Skënderbeu në trojet shqiptare, e ka realizuar skulptori Fiqiri Kasa, shkruan KultPlus.

“Është një kënaqësi, kam marrë shumë falënderime dhe ndihem i privilegjuar që po e ndërtoj unë këtë vepër, shpresoj dhe dëshiroj që edhe në Kosovë të realizoj një vepër kaq të rëndësishme. Në Labinot të Elbasanit ku po ndërtohet Skënderbeu do të realizohen shumë vepra të tjera, ne e nisëm nga Skënderbeu, pikërisht sepse përkon me vitin e Skënderbeut”, pati thënë Fiqiri Kasa për KultPlus.

Shumica e skulpturave të cilat skulptori Fiqiri Kasa i realizon kanë lidhshmëri me trashëgiminë kulturore.

“Kryesisht bëj punime të veshjeve kombëtare, nga Medvegja, Prizreni, Gjakova e deri në Sarandë. Edhe njëra nga skulpturat e mia ‘Ushtari ilir’ ishte një ide e imja për të sjellë imazhe të historisë sonë kombëtare, pasi nga koha e Ilirisë nuk kemi shumë skulptura. Madje kam ideuar dhe ndërtuar edhe një amfiteatër dhe statujën e ‘Perëndeshës Afërditë’ në vendlindjen time, ku kam pasur edhe mbështetjen e bashkësisë”, është shprehur Kasa, për të cilin skulptura më e dashur mbetet ajo e Skënderbeut. / KultPlus.com

Fiqiri Kasa: Gati për përurimin e monumentit të Skënderbeut, ndihem i privilegjuar për këtë vepër kaq të rëndësishme

Fiqiri Kasa, skulptori shqiptar që është në realizim e sipër të monumentit të Skënderbut, në një format tjetër nga ato që jemi mësuar ti shohim deri më tashti, për KultPlus ka treguar edhe për periudhën e përurimit të këtij monumenti. Por ai ka treguar edhe për një dëshirë, për realizimin e një monumenti të tillë edhe në Kosovë.

Alberina Haxhijaj

Fiqiri Kasa kishte filluar të krijonte portrete në baltë që kur ishte 10-të vjeçar, duke mos e kuptuar atëherë se pikërisht kjo dëshirë do të ngelej talenti dhe pasioni i tij. Se është i lindur për këtë punë, bindet edhe më shumë pas zhvendosjes së tij nga Seferani i Elbasanit në Tiranë, ku edhe ka ndjekur studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë ku edhe mbaron studimet për skulpturë. Tani, ai një pjesë të punimeve të tij i bazon në elemente të trashëgimisë kulturore.

Përveç skulpturës, ai u kushton një kohë të rëndësishme edhe pikturës, gjersa shprehet për KultPlus se i pëlqen edhe arkitektura. Mirëpo tashmë duart e tij u japin skulpturave forma që kanë një histori të fuqishme prapa tyre.

“ Kryesisht bëjë punime të veshjeve kombëtare sikurse nga: Medvegja, Prizreni, Gjakova deri në Sarandë. Edhe njëra nga skulpturat e mia ‘Ushtari ilir” ishte një ide e imja për të sjellë imazhe të historisë tonë kombëtare, pasi nga koha e Ilirisë nuk kemi shumë skulptura. Madje kam ideuar dhe ndërtuar edhe një amfiteatër dhe statujën e ‘Perëndeshës Afërditë’ në vendlindjen time, ku kam pasur edhe mbështetjen e bashkësisë”, tregoi Kasa, për të cilin skulptura më e dashur mbetet ajo e Skënderbeut, në të cilën edhe është duke punuar aktualisht.

“Me vlerë më të madhe shpirtërore padyshim është monumenti që jam duke ndërtuar aktualisht, heroi jonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu . Është një kënaqësi, kam marrë shumë falënderime dhe ndihem i privilegjuar që po e ndërtoj unë këtë vepër, shpresoj dhe dëshiroj që edhe në Kosovë të realizoj një vepër kaq të rëndësishme. Në Labinot të Elbasanit ku po ndërtohet Skënderbeu do të realizohen shumë vepra të tjera, ne e nisëm nga Skënderbeu, pikërisht sepse përkon me vitin e Skënderbeut, shpresojmë që nga fillimi i muajit mars të këtij viti të mbaroj”, u shpreh ai për KultPlus duke shtuar se dëshiron që skulpturat e tij të vendosen në hapësira ku njerëzit mund ti shohin dhe jo vetëm objekte e hapësira private.

Skulptori Fiqiri Kasa i cili të shumtën e kohës së tij e kalon duke shfletuar studime historike, antropologjike dhe dokumente të tjera të cilat japin fakte dhe imazhe mbi figurat si ato të cilat ai i ka shndërruar në skulpturë, u shpreh se i mbetet historisë dhe historianëve por edhe studiuesve të artit që të vlerësojnë se sa afër origjinalit janë skulpturat e tij.

“Të gjitha figurat janë studiuar dhe bazuar në fakte dhe imazhe me dokumente të mirëfillta. Edhe pse nuk mund të them se skulpturat janë të lidhura me historinë pasi që këtë e dinë historianët dhe historia”, u shpreh ai.

Skulptori Kasa i cili ka një studio në Tiranë pranon kërkesë të ndryshme për veprat e tij gjersa njëkohësisht punon edhe për Fondin e Investimeve në Turizëm (TIFF).

“Meqenëse kryesisht punoj me porosi, një pjesë e vogël e kohës më ngelet për tu marrë me krijimtari. Prandaj edhe që pesë vite kam punuar me gdhendje guri dhe mermeri me figura historike kombëtare për një kompani private në Amadeus Palace. Mirëpo ka po ashtu pesë vite që kur kam filluar të shfaqë idetë e mia të cilat bazohen edhe në elemente të trashëgimisë sonë kulturore. Të gjitha punimet e mia janë në shitje edhe pse numri i punimeve në gjendje është i vogël”, përfundoi ai për KulPlus./KultPlus.com