Fituesi i Eurovisionit ndalon aktivitetin muzikor për shkak të shëndetit (VIDEO)

Fituesi i sivjetmë i festivalit evropian të muzikës Salvador Sobral, ka anuluar gjithë aktivitetin e tij muzikor pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Portugezi i cili u shpall fitues i festivalit duke ia sjellë Portugalisë fitoren e parë pas 50 viteve pjesëmarrje në Eurovision, ka bërë të ditur përmes një videomesazhi se ka anuluar tre koncerte dhe gjithë aktivitetin muzikor për shkak të gjendjes shëndetësore.

“Nuk është më sekret për askënd se shëndeti im është i brishtë”, thotë Sobral në videon e tij të publikuar në Youtube.

“Unë kam një problem. Për fat të keq, ka ardhur koha që trupin tim t’ia jap shkencës dhe kështu më duhet të heq dorë nga jeta muzikore e koncerteve në përgjithësi”, shprehet këngëtari.

“Do të kthehem shpejt- sa shpejt nuk e di!”, thotë në fund të videomesazhit 27 vjeçari, përcjellë Magazina.al

Salvador Sobral, ishte përfolur edhe gjatë pjesëmarrjes në Eurovision se vuan nga problemet me zemrën dhe se është në pritje për një transplant, por që asnjëherë nuk u konfirmua kjo.

Ai ka kërkuar mirëkuptim nga mediat pasi për gjendjen e tij shëndetësore është spekuluar shumë. / KultPlus.com