Filharmonia e Kosovës shënon 25-vjetorin me interpretimin madhështor të oratoriumit ‘Messiah’ në nderim të dirigjentit Bahri Çela

Era Berisha

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Filharmonisë së Kosovës – në nderim të dirigjentit të parë kosovar dhe themeluesit të Filharmonisë, Bahri Çela, Kori dhe Orkestra kanë shpalosur interpretimin e oratoriumit “Messiah”. Mbrëmë, tingujt solemnë dhe përplot madhështi të oratoriumit “Messiah” lanë një përshtypje të paharrueshme tek të pranishmit. Interpretimi i fuqishëm dhe emocional i solistëve, korit dhe orkestrës solli në jetë veprën monumentale të kompozitorit George Frideric Handel, me një ndjeshmëri të thellë dhe përkushtim artistik. Çdo pjesë – nga recitativët plot dramë deri te kori triumfues “Hallelujah” – u përjetua si një udhëtim shpirtëror, duke e kthyer koncertin në një përvojë të veçantë, që ngjalli reflektim, admirim dhe një heshtje respekti në fund, shkruan KultPlus.

Pasi vendet u mbushën njëra pas tjetrës, një qetësi e përmbajtur ra mbi sallë, si një perde e tejdukshme pritjeje. Në sfond, një murmuritje e lehtë e instrumenteve përzihej me frymëmarrjen kolektive të publikut – një paralajmërim i butë se diçka e jashtëzakonshme po afrohej. Perdet e kuqe i dhanë një hijeshi të qetë atmosferës, ndërsa reflektorët e ngrohtë ngjallën ndjesinë se koha po ngadalësohej. Ishte një natë për reflektim, për shpirt dhe tingull.

Në orën 19:40, me një lëvizje të qetë, thuajse të padukshme, dirigjenti ngriti dorën – dhe me të, u ngrit edhe heshtja, duke i lënë vend jehonës së parë të oratoriumit. Tingujt e Orkestrës së Filharmonisë u derdhën në hapësirë si një lutje e përbashkët, e pastër, që mbështolli sallën në një strofull kënaqësie.

Nën drejtimin e mjeshtrit Marcio da Silva, Filharmonia e Kosovës në bashkëpunim me ansamblin OrQuesta nga Anglia, interpretuan oratoriumin monumental Messiah, me pjesëmarrjen e një kasti të dalluar solistësh vendorë dhe ndërkombëtarë: Kaltrina Miftari – soprano, Nathan Mercieca – kontratenor, Kieran White – tenor, Jack Lawrence-Jones – bariton si dhe instrumentistët: Cédric Meyer – leut, Stephanie Gurga – çembalo dhe Lekë Salihu – organo/tastierë.

I gjithi ky koncert nuk do e kishte madhështinë prapa tij pa dhuntinë e Orkestrës që u bë një trup i vetëm, i gjallë, që merrte frymë me vetë frymën e veprës. Si një lum që del nga heshtja, tingujt e parë lëvizën ngadalë, me kujdes, si të donin të mos shqetësonin heshtjen e shenjtë që mbretëronte në sallë. Prekja e telave të parë qe si një përshëndetje hyjnore, një zë që vinte nga thellësia e kohës, duke sjellë me vete peshën e një historie të shenjtë.

Instrument pas instrumenti, orkestra u shtri si një mozaik i ndritshëm. Fijet e violave dhe violinave përshkruan qiellin, teksa oboet dhe fagotët krijuan konturet e dhembjes dhe shpresës. Ngadalë, si një lutje që rritet në zemrat e besimtarëve, u ngjitën në një harmoni që nuk fliste vetëm për muzikë, por për besim, për rilindje. Çdo hyrje ishte një akt devocioni; nuk pati zhurmë, as ngutje – vetëm një derdhje e përmbajtur shpirtërore. Orkestra nuk e shoqëroi veprën, ajo ishte vetë trupi i saj: një trup që foli me gjuhën e misterit, një gjuhë që vetëm tingulli mund ta përkthejë.

Dhe mbi këtë shtrat tingujsh të butë e të thellë, kori u ngrit si një valë dritë në mëngjesin e një shpirti të zgjuar. Fillimisht i qetë, i përmbajtur, si një psherëtimë e largët që vjen nga një tempull i harruar, Kori nisi të shpalosë fjalën – fjalën që i jep jetë notës dhe kuptim heshtjes. Zërat u endën mes tyre si fije të arta që lidhin qiellin me tokën, çdo hyrje e korit qe një dëshmi, një shpallje, një përulje.

Kori nuk këndoi thjesht; ai shpalli, predikoi, dëshmoi. Ai u bë zë i engjëjve dhe i njerëzve njëkohësisht – një zë i përbashkët që shpërtheu me një “Hallelujah” që nuk jehonte vetëm në sallë, por në vetë thellësitë e qenies.

Sopranoja Kaltrina Miftari, kontratenori Nathan Mercieca, tenori Kieran White, baritoni Jack Lawrence-Jones, u ngjitën lart si një lutje që shpon retë, qëndruan si rrënjë që mbajnë trupin e shenjtë, hapën shtigje në ajër me shpresë dhe ishin vetë toka që mbështet gjithçka. Solistët – si profetë të vetmuar që bartin mesazhe të fshehta. Secili prej tyre, një zë me dritën e vet, doli përpara jo për të dominuar, por për të dëshmuar: me përulësi, me përkushtim, me zëra që nuk kërkonin vëmendje, por që sillnin kuptim.

Dhe ndërmjet tyre – kori. Ai ndërhynte si një popull që i përgjigjet profetëve të vet, që mbështet, pohon, dhe në fund bashkohet me ta në një union që nuk është më thjesht muzikë, por shpallje hyjnore.

Duartrokitjet e zgjatura ishin përmbyllja e denjë e një mbrëmjeje muzikore që i dha Prishtinës atë çfarë i ka munguar prej kohësh. Ishin të ngrohta, të merituara dhe një shenjë mirënjohjeje për dirigjentin brilant dhe për Orkestrën me Korin, të cilët sollën një interpretim të mrekullueshëm të një programi të përzgjedhur me shumë kujdes e pasion.

Sopranoja Kaltrina Miftari për KultPlus ka thënë se pjesët solistike të kënduara kanë kërkuar përkushtim të thellë shpirtëror dhe artistik.

“Ishte një kënaqësi të interpretoja pjesët solistike nga Messiah i Handel në një koncert kaq domethënës. Vepra është një kulm i muzikës baroke dhe sidomos pjesët solistike kërkojnë përkushtim të thellë shpirtëror dhe artistik. Koncerti iu dedikua kompozitorit Bahri Çela, një figurë e dashur dhe e rëndësishme për muzikën tonë. Ky nderim për të e bëri mbrëmjen edhe më të veçantë, dhe ishte kënaqësi të ndaja këtë përvojë me një publik kaq të ndjeshëm”, thotë Miftari.

Koncert mjeshtri i Filharminisë së Kosovës, Festim Fanaj, për KultPlus ka thënë se Filharmonia ka performuar në mënyrë dinjitoze, marr parasysh vështirësitë e interpretimit të oratoriumit ‘Messiah’.

“Filharmonia e Kosovës dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës kanë performuar një koncert të bukur dhe dinjitoz duke marr parasysh vështirësinë e veprës në kohëzgjatje dhe impenjim të saj. Ishte një performancë e bukur edhe nga solistët e Filharmonisë dhe mysafirët e ftuar e në veçanti dua ta vlerësoj sopranon tonë Kaltrina Miftari, e cila me zërin e saj engjëllor dëshmoi se Kosova ka kualitete sa i përket solokëndimit. Është një nismë e bukur nga drejtori Selimaj i cili i rikujton kompozitorët e dirigjentët të cilit i kishim ndër të parët në Kosovë, e ndër ta ishte dhe rikujtimi për profesorin e ndjerë Bahri Çela, i cili ka qenë ndër dirigjentët e parë kosovarë e me të cilin dhe unë kam pasur nderin dhe kënaqësinë të performoj derisa isha student dhe si anëtar i Filharmonisë që nga fillimi”, thotë Fanaj.

Sipas tij, vepra ‘Messiah’ nga Handel është një nga veprat e mëdha që rrallëherë është performuar në Kosovë, ndërsa, në botë luhet por kërkon një masë të madhe të instrumentistëve dhe të Korit.

“Publiku i dashur i muzikës klasike e dëshmoi se sallat tona janë të vogla për interesimin që kanë për performancat e Orkestrës dhe Korit të Filharmonisë së Kosovës. Publiku ishte në numër të madh të publikut, andaj është dashur që të bëhej edhe një reprizë shtesë e këtij koncerti. Shpresojmë që së shpejti të jetësohet ëndrra e kamotshme e muzikantëve kosovarë për sallën dinjitoze që është në ndërtim e sipër”, ka thënë Fanaj.

Mezzosopranoja Fjolla Krasniqi, pjesë e Korit të Filharmonisë së Kosovës për KultPlus ka thënë se oratoriumi ‘Messiah’ ka qenë një sfidë e bukur mbresëlënëse dhe frymëzuese.

“Ka qenë një mbrëmje e veçantë ku u interpretua oratoriumi “Messiah” i kompozitorit të njohur George Frideric Handel – një kryevepër botërore që gjithmonë mbetet sfiduese për ne, por po aq mbresëlënëse dhe frymëzuese. Kjo mbrëmje u bë edhe më e veçantë për shkak të dedikimit që iu bë dirigjentit të parë kosovar dhe themeluesit të Filharmonisë së Kosovës, prof. Bahri Çela. Për mua, ky koncert ishte një përjetim i veçantë emocional, pasi kam pasur fatin dhe nderin ta njoh personalisht prof. Bahriun – një figurë kyçe në historinë e muzikës klasike në vendin tonë. Të jesh pjesë e një institucioni si Filharmonia e Kosovës, i cili jo vetëm që kultivon muzikën klasike në nivelin më të lartë artistik, por edhe nderon me dinjitet figurat që kanë dhënë kontribut jetik për themelimin dhe zhvillimin e saj, është një privilegj i madh. Kjo është një dëshmi se vlerësimi për punën, përkushtimin dhe vizionin e gjeneratave të kaluara vazhdon të jetë pjesë përbërëse e rrugëtimit tonë artistik sot”, ka thënë Krasniqi.

Koncerti reprizë do të mbahet sot, 10 maj, prej orës 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit.

Kujtojmë se dirigjenti Bahri Çela është një prej më meritorëve që vuri themelet e institucionit të Filharmonisë së Kosovës. Ai ishte edhe pedagogu që u dha hapat e parë muzikantëve që sot prezantohen në skenën kosovare. Çela konsiderohet si një prej dirigjentëve më me ndikim prej viteve ‘70 e deri pas luftës së fundit në Kosovë. Ai fillimisht drejtoi orkestrën dhe korin e Radiotelevizionit të Prishtinës, e më pastaj themeloi edhe Filarmoninë e Kosovës së bashku me një grup muzikantësh kosovar.

Studioi në Akademinë e Muzikës, Dega e Dirigjimit në Beograd, për të vazhduar më pas specializimin në Konservatorin e Shën Petërsburgut në Rusi, te pedagogu i njohur Prof. A.P. Musin dhe në Nicë (Francë) te dirigjentët e njohur francezë P. Dervaux dhe F. Quatrocchi. Pas studimeve ai do të punësohej në Radio Prishtinë si producent i asaj që asokohe quhej muzikës serioze dhe asaj për fëmijë. Çela poashtu ishte njëri ndër iniciatorët e themelimit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës në vitin 1975. Me këtë orkestër dirigjoi një kohë duke realizuar koncerte të rregullta me vepra të autorëve shqiptarë dhe botërorë. Në mesin e tyre hyjnë emra si Rexho Mulliqi, Vincent Gjini, Esat Rozvanolli, Rauf Dhomi, Akil Koci, Çesk Zadeja e të tjerë./ KultPlus.com

Koncerti festiv i ‘Prishtina Brass’ solli këngë të vjetra shqipe për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës

Era Berisha

Ansambli i tunxhit “Prishtina Brass” me mbështetjen e Komunës së Prishtinës, sot realizoi koncertin festiv për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës, me ç’rast prezantoi një repertor të larmishëm të veprave të njohura botërore dhe shqiptare, ku tingujt dhe meloditë kapluan atmosferën në një frymë muzikore në Sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Koncerti përfshiu një kombinim të periudhave të ndryshme muzikore ku instrumentet si: trumpetë, korno, trombon dhe tubë gjallëroheshin vazhdimisht nën lojën fantastike të Avni Krasniqit, Ardit Pirës, Bledar Bujupit, Betim Krasniqit dhe Meriton Feratit, ku së bashku me mezzo-sopranon Fjolla Krasniqin, ky koncert solli momente tejet të bukura ku të pranishmit jo vetëm që luhateshin nga ritmi tundues i veprave shqiptare dhe këngëve patriotike si: ‘Por si fleta’ dhe ‘Për mëmëdhenë’, por edhe fëmijë të shumtë nga mosha të ndryshme po vallëzonin nën meloditë e krijuara e lumturia e tyre shihej në fytyrat e buzëqeshura.

Veprat e interpretuara vinin njëra pas tjetrës në një zinxhir ku herë vihej në pah madhështia e një instrumenti e herë tjetër vihej në pah zëri që buçonte ëmbëlsisht nga Krasniqi, e cila këndoi disa nga këngët më të njohura shqipe duke përmbyllur koncertin me këngën ‘O Kosovë, vendi im’, që la pas jehonën e saj ku duartrokitjet e të pranishmëve nuk pushonin së ndaluari edhe në mesin e performimit të saj.

Ndërsa, si shoqërues të këtij koncerti ishin edhe zogjtë që fluturonin në ajër e që krijonin një peizazh të bukur dhe qeni që zuri vendin afër instrumentistëve për një dëgjim rasti, u shndërruan në faktorë të veçantë që atmosferën e ngritën në një nivel më të lartë. Po ashtu, shiu i cili kishte vendosur të bëhej pjesë e këtij koncerti, nisi interpretimin e tij me piklat e vogla që binin ngadalë ku interpretimi i secilës këngë i dhuronte një ngrohtësi publikut që sa vinte e mbushej më shumë, entuziazmi i së cilëve nuk po merrte fund deri në përmbylljen e këtij koncerti festiv.

Pas përfundimit të koncertit të Prishtina Brass, të pranishmit u larguan për të respektuar kështu masat anti-covid19, duke u ndarë kështu me kujtime rastësore që shpesh dinë të ndodhin në Prishtinë.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth realizimit të këtij koncerti dhe procesin e provave, për KultPlus foli instrumentisti, Avni Krasniqi.

“Ne kemi pasur një ftesë nga Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ku Ansambli ynë ka përzgjedhur repertorin në bazë të përmbajtjes së koncertit ku kujdesi i shtuar nuk ka munguar”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, i gjithë programi është bazuar ndaj festës për ditën e çlirimit të Prishtinës por normalisht që veprat e luajtura ishin të orkestruara me kujdes dhe ato u luajtën me shumë dëshirë.

“Provat kanë zgjatur disa ditë dhe kanë shkuar shumë mirë sepse disa pjesë veçse i kemi luajtur nga koncertet e kaluara duke ndikuar që realizmi i koncertit të jetë ende më i lehtë. Prishtina Brass tash e një dekadë ka një repertor shumë të gjerë duke filluar nga muzika shqipe e deri tek ato botërore prandaj sot performimi është më i lehtë sesa para 10 viteve”, thotë Krasniqi.

Për Krasniqin, Komuna e Prishtinës është një mbështetës i përhershëm i Ansamblit ku bashkëpunimi i jashtëzakonshëm me ta ka kulmuar më së shumti këtë vit me aktivitete të ndryshme e për çka ai është shprehur falënderues.

“Ne pamë që koncertet e tilla në ambient të hapur janë pak më ndryshe dhe shumë karakteristike sepse janë mjaft sfiduese për shkak të kohës. Po ashtu, shiu filloi të binte por ne në asnjë moment nuk jemi ndalur duke përfunduar programin tonë të paraparë”, përfundon Krasniqi për KultPlus. / KultPlus.com