Filharmonia e Kosovës shënon 25-vjetorin me interpretimin madhështor të oratoriumit ‘Messiah’ në nderim të dirigjentit Bahri Çela

Era Berisha

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Filharmonisë së Kosovës – në nderim të dirigjentit të parë kosovar dhe themeluesit të Filharmonisë, Bahri Çela, Kori dhe Orkestra kanë shpalosur interpretimin e oratoriumit “Messiah”. Mbrëmë, tingujt solemnë dhe përplot madhështi të oratoriumit “Messiah” lanë një përshtypje të paharrueshme tek të pranishmit. Interpretimi i fuqishëm dhe emocional i solistëve, korit dhe orkestrës solli në jetë veprën monumentale të kompozitorit George Frideric Handel, me një ndjeshmëri të thellë dhe përkushtim artistik. Çdo pjesë – nga recitativët plot dramë deri te kori triumfues “Hallelujah” – u përjetua si një udhëtim shpirtëror, duke e kthyer koncertin në një përvojë të veçantë, që ngjalli reflektim, admirim dhe një heshtje respekti në fund, shkruan KultPlus.

Pasi vendet u mbushën njëra pas tjetrës, një qetësi e përmbajtur ra mbi sallë, si një perde e tejdukshme pritjeje. Në sfond, një murmuritje e lehtë e instrumenteve përzihej me frymëmarrjen kolektive të publikut – një paralajmërim i butë se diçka e jashtëzakonshme po afrohej. Perdet e kuqe i dhanë një hijeshi të qetë atmosferës, ndërsa reflektorët e ngrohtë ngjallën ndjesinë se koha po ngadalësohej. Ishte një natë për reflektim, për shpirt dhe tingull.

Në orën 19:40, me një lëvizje të qetë, thuajse të padukshme, dirigjenti ngriti dorën – dhe me të, u ngrit edhe heshtja, duke i lënë vend jehonës së parë të oratoriumit. Tingujt e Orkestrës së Filharmonisë u derdhën në hapësirë si një lutje e përbashkët, e pastër, që mbështolli sallën në një strofull kënaqësie.

Nën drejtimin e mjeshtrit Marcio da Silva, Filharmonia e Kosovës në bashkëpunim me ansamblin OrQuesta nga Anglia, interpretuan oratoriumin monumental Messiah, me pjesëmarrjen e një kasti të dalluar solistësh vendorë dhe ndërkombëtarë: Kaltrina Miftari – soprano, Nathan Mercieca – kontratenor, Kieran White – tenor, Jack Lawrence-Jones – bariton si dhe instrumentistët: Cédric Meyer – leut, Stephanie Gurga – çembalo dhe Lekë Salihu – organo/tastierë.

I gjithi ky koncert nuk do e kishte madhështinë prapa tij pa dhuntinë e Orkestrës që u bë një trup i vetëm, i gjallë, që merrte frymë me vetë frymën e veprës. Si një lum që del nga heshtja, tingujt e parë lëvizën ngadalë, me kujdes, si të donin të mos shqetësonin heshtjen e shenjtë që mbretëronte në sallë. Prekja e telave të parë qe si një përshëndetje hyjnore, një zë që vinte nga thellësia e kohës, duke sjellë me vete peshën e një historie të shenjtë.

Instrument pas instrumenti, orkestra u shtri si një mozaik i ndritshëm. Fijet e violave dhe violinave përshkruan qiellin, teksa oboet dhe fagotët krijuan konturet e dhembjes dhe shpresës. Ngadalë, si një lutje që rritet në zemrat e besimtarëve, u ngjitën në një harmoni që nuk fliste vetëm për muzikë, por për besim, për rilindje. Çdo hyrje ishte një akt devocioni; nuk pati zhurmë, as ngutje – vetëm një derdhje e përmbajtur shpirtërore. Orkestra nuk e shoqëroi veprën, ajo ishte vetë trupi i saj: një trup që foli me gjuhën e misterit, një gjuhë që vetëm tingulli mund ta përkthejë.

Dhe mbi këtë shtrat tingujsh të butë e të thellë, kori u ngrit si një valë dritë në mëngjesin e një shpirti të zgjuar. Fillimisht i qetë, i përmbajtur, si një psherëtimë e largët që vjen nga një tempull i harruar, Kori nisi të shpalosë fjalën – fjalën që i jep jetë notës dhe kuptim heshtjes. Zërat u endën mes tyre si fije të arta që lidhin qiellin me tokën, çdo hyrje e korit qe një dëshmi, një shpallje, një përulje.

Kori nuk këndoi thjesht; ai shpalli, predikoi, dëshmoi. Ai u bë zë i engjëjve dhe i njerëzve njëkohësisht – një zë i përbashkët që shpërtheu me një “Hallelujah” që nuk jehonte vetëm në sallë, por në vetë thellësitë e qenies.

Sopranoja Kaltrina Miftari, kontratenori Nathan Mercieca, tenori Kieran White, baritoni Jack Lawrence-Jones, u ngjitën lart si një lutje që shpon retë, qëndruan si rrënjë që mbajnë trupin e shenjtë, hapën shtigje në ajër me shpresë dhe ishin vetë toka që mbështet gjithçka. Solistët – si profetë të vetmuar që bartin mesazhe të fshehta. Secili prej tyre, një zë me dritën e vet, doli përpara jo për të dominuar, por për të dëshmuar: me përulësi, me përkushtim, me zëra që nuk kërkonin vëmendje, por që sillnin kuptim.

Dhe ndërmjet tyre – kori. Ai ndërhynte si një popull që i përgjigjet profetëve të vet, që mbështet, pohon, dhe në fund bashkohet me ta në një union që nuk është më thjesht muzikë, por shpallje hyjnore.

Duartrokitjet e zgjatura ishin përmbyllja e denjë e një mbrëmjeje muzikore që i dha Prishtinës atë çfarë i ka munguar prej kohësh. Ishin të ngrohta, të merituara dhe një shenjë mirënjohjeje për dirigjentin brilant dhe për Orkestrën me Korin, të cilët sollën një interpretim të mrekullueshëm të një programi të përzgjedhur me shumë kujdes e pasion.

Sopranoja Kaltrina Miftari për KultPlus ka thënë se pjesët solistike të kënduara kanë kërkuar përkushtim të thellë shpirtëror dhe artistik.

“Ishte një kënaqësi të interpretoja pjesët solistike nga Messiah i Handel në një koncert kaq domethënës. Vepra është një kulm i muzikës baroke dhe sidomos pjesët solistike kërkojnë përkushtim të thellë shpirtëror dhe artistik. Koncerti iu dedikua kompozitorit Bahri Çela, një figurë e dashur dhe e rëndësishme për muzikën tonë. Ky nderim për të e bëri mbrëmjen edhe më të veçantë, dhe ishte kënaqësi të ndaja këtë përvojë me një publik kaq të ndjeshëm”, thotë Miftari.

Koncert mjeshtri i Filharminisë së Kosovës, Festim Fanaj, për KultPlus ka thënë se Filharmonia ka performuar në mënyrë dinjitoze, marr parasysh vështirësitë e interpretimit të oratoriumit ‘Messiah’.

“Filharmonia e Kosovës dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës kanë performuar një koncert të bukur dhe dinjitoz duke marr parasysh vështirësinë e veprës në kohëzgjatje dhe impenjim të saj. Ishte një performancë e bukur edhe nga solistët e Filharmonisë dhe mysafirët e ftuar e në veçanti dua ta vlerësoj sopranon tonë Kaltrina Miftari, e cila me zërin e saj engjëllor dëshmoi se Kosova ka kualitete sa i përket solokëndimit. Është një nismë e bukur nga drejtori Selimaj i cili i rikujton kompozitorët e dirigjentët të cilit i kishim ndër të parët në Kosovë, e ndër ta ishte dhe rikujtimi për profesorin e ndjerë Bahri Çela, i cili ka qenë ndër dirigjentët e parë kosovarë e me të cilin dhe unë kam pasur nderin dhe kënaqësinë të performoj derisa isha student dhe si anëtar i Filharmonisë që nga fillimi”, thotë Fanaj.

Sipas tij, vepra ‘Messiah’ nga Handel është një nga veprat e mëdha që rrallëherë është performuar në Kosovë, ndërsa, në botë luhet por kërkon një masë të madhe të instrumentistëve dhe të Korit.

“Publiku i dashur i muzikës klasike e dëshmoi se sallat tona janë të vogla për interesimin që kanë për performancat e Orkestrës dhe Korit të Filharmonisë së Kosovës. Publiku ishte në numër të madh të publikut, andaj është dashur që të bëhej edhe një reprizë shtesë e këtij koncerti. Shpresojmë që së shpejti të jetësohet ëndrra e kamotshme e muzikantëve kosovarë për sallën dinjitoze që është në ndërtim e sipër”, ka thënë Fanaj.

Mezzosopranoja Fjolla Krasniqi, pjesë e Korit të Filharmonisë së Kosovës për KultPlus ka thënë se oratoriumi ‘Messiah’ ka qenë një sfidë e bukur mbresëlënëse dhe frymëzuese.

“Ka qenë një mbrëmje e veçantë ku u interpretua oratoriumi “Messiah” i kompozitorit të njohur George Frideric Handel – një kryevepër botërore që gjithmonë mbetet sfiduese për ne, por po aq mbresëlënëse dhe frymëzuese. Kjo mbrëmje u bë edhe më e veçantë për shkak të dedikimit që iu bë dirigjentit të parë kosovar dhe themeluesit të Filharmonisë së Kosovës, prof. Bahri Çela. Për mua, ky koncert ishte një përjetim i veçantë emocional, pasi kam pasur fatin dhe nderin ta njoh personalisht prof. Bahriun – një figurë kyçe në historinë e muzikës klasike në vendin tonë. Të jesh pjesë e një institucioni si Filharmonia e Kosovës, i cili jo vetëm që kultivon muzikën klasike në nivelin më të lartë artistik, por edhe nderon me dinjitet figurat që kanë dhënë kontribut jetik për themelimin dhe zhvillimin e saj, është një privilegj i madh. Kjo është një dëshmi se vlerësimi për punën, përkushtimin dhe vizionin e gjeneratave të kaluara vazhdon të jetë pjesë përbërëse e rrugëtimit tonë artistik sot”, ka thënë Krasniqi.

Koncerti reprizë do të mbahet sot, 10 maj, prej orës 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit.

Kujtojmë se dirigjenti Bahri Çela është një prej më meritorëve që vuri themelet e institucionit të Filharmonisë së Kosovës. Ai ishte edhe pedagogu që u dha hapat e parë muzikantëve që sot prezantohen në skenën kosovare. Çela konsiderohet si një prej dirigjentëve më me ndikim prej viteve ‘70 e deri pas luftës së fundit në Kosovë. Ai fillimisht drejtoi orkestrën dhe korin e Radiotelevizionit të Prishtinës, e më pastaj themeloi edhe Filarmoninë e Kosovës së bashku me një grup muzikantësh kosovar.

Studioi në Akademinë e Muzikës, Dega e Dirigjimit në Beograd, për të vazhduar më pas specializimin në Konservatorin e Shën Petërsburgut në Rusi, te pedagogu i njohur Prof. A.P. Musin dhe në Nicë (Francë) te dirigjentët e njohur francezë P. Dervaux dhe F. Quatrocchi. Pas studimeve ai do të punësohej në Radio Prishtinë si producent i asaj që asokohe quhej muzikës serioze dhe asaj për fëmijë. Çela poashtu ishte njëri ndër iniciatorët e themelimit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës në vitin 1975. Me këtë orkestër dirigjoi një kohë duke realizuar koncerte të rregullta me vepra të autorëve shqiptarë dhe botërorë. Në mesin e tyre hyjnë emra si Rexho Mulliqi, Vincent Gjini, Esat Rozvanolli, Rauf Dhomi, Akil Koci, Çesk Zadeja e të tjerë./ KultPlus.com

Kaltrina Miftari dhe Lirika Pula sollën mrekullinë e ndërlidhjes së muzikës instrumentale me atë vokale në ‘DAM Fest’

Era Berisha

Një ndjenjë paqësore e krejtësisht mbizotëruese e cila erdhi në një formë komplekse u pasua pikërisht nga ngjyrimet e guximshme të zërit të veçantë së sopranos Kaltrina Miftari, në një ndërlidhje unike me instrumentin e klaviçembalit nën interpretimin e Lirika Pulës, me ç’rast sot atmosfera në DAM Festival vallëzoi mes melodive të qeta por plot pasion e të cilat u shoqëruan me elemente diversive që gjatë tërë kohës përçonin një ndjenjë drame e tensioni, shkruan KultPlus.

Nata e katërt e Festivalit Dam në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinsë dhe Sportit ka mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm të artdashësve të muzikës klasike. Sot, skena që tashmë është e njohur për publikun, u shfaq po njëlloj por e njëjta çdo herë vë në pah lojën mjeshtërore të instrumentistëve e edhe lëvizjet e ndryshme të performuesve. Pesë drita të ngrohta të vendosura lart mbi kokën e skenës, katër reflektorë me ngjyrë të kaltër si dhe perdet e zeza e të lëshuara deri në platformë, ishin elementet kyçe që përcollën magjinë muzikore prej fillimit deri në fund.

Ndërsa, duartrokitjet e të pranishmëve që mirëpritën interpretueset në skenë dhe qetësia pasuese, ishin shenjat e fundit që nisën këtë mbrëmje të mbushur deri në kupë me stilin barok.

Hijeshia e sopranos Kaltrina Miftari dhe eleganca e instrumentistes Lirika Pula, u dallua që në momentin kur ato shkelën skenën me prezencën e tyre për të thumbuar kështu jo vetëm me dukjen e tyre delikate por edhe me gërshetimin e interpretimit të tyre. Atmosfera e ngrohtë brenda sallës u gjallërua butësisht me veprat e kompozitorëve të njohur botërorë si: John Dowland, Thomas Campion, Geroge Frederic Handel, Antonio Cesti, Jean-Philippe Rameau dhe Henry Purcell, duke sjell kështu melodi e tinguj të cilat burimin e kishin të zhytur në një fuqi të jashtëzakonshme.

Në ndërkohë, ishin veprat si: “E pur cosi in un giorno… Piangero la sorte mia” dhe “Thy hand Belinda … When I’m laid”, të cilat magjepsën të pranishmit me ndjeshmërinë e tingujve plot lezet, delikatesën e melodive të lehta klasike si dhe bukurinë e të interpretuarit të pakrahasueshëm, duke depërtuar kështu deri në misterin e fshehur brenda qenies njerëzore e çelur atë ndjenjën e mbyllur me çelës.

Pastaj veprat solo të instrumentistes Lirika Pula, si: “Sarabanda nga suita në d-mol HWV 437” dhe “Les Sauvages”, e dërguan publikun brenda portës pianistike, aty ku dominonin lëvizjet e luhatjet e vogla të tërë trupit, dinamika e shtypjes së tasteve si dhe meloditë e tingujt që ndryshonin varësisht vijës melodike që herë vendosej mbi një urtësi e herë tjera derdhej në një përdëllim të pamëshirshëm pa ndalesë.

Përgjatë pothuajse një ore, veprat si: “If my complains could passions move”, “Fine knacks for ladies”, “My love hath vowed”, “Never weather beating sail”, “Intorno all’idol moi”, “If music be the Food of Love”, dhe “Music for a while”, ishin ato të cilat po shënonin kryevepër pas kryevepre për të dëshmuar se një ndërlidhje e muzikës instrumentale dhe asaj vokale, krijon një natë madhështore e krejtësisht të shkëlqyer porsi një diamant, shkëlqimi i së cilës kaplon vëmendjen e dëshirën e çdo kujt.

E këtë e dëshmoi edhe publiku i cili me duartrokitjet e shumta dhe buqetat me lule, solli edhe një herë në skenë të dy këto interpretuese të mrekullueshme.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth koncertit dhe emocioneve pas tij, për KultPlus foli pianistja Lirika Pula.

“Mbrëmja e sotme ishte rezultati i një pune intenzive së bashku me Kaltrinën, një knaqësi e madhe të luash në klaviçembalo e të interpretosh vepra të një repertori të tillë, të zgjedhura mjeshtërisht nga Kaltrina”, thotë Pula.

Sipas saj, klaviçembalo si instrument është pak më i veçantë dhe pianistët e Kosovës nuk e kanë pasur fatin të njohin e të punojnë me të deri në vitet e fundit, andaj edhe koncerti është konsideruar si një eksperiencë unike. 

“Përshtypjet ishin nga më të mirat si nga ana jonë e poashtu edhe nga ana e publikut, të cilit iu dhurua një program më ndryshe nga e zakonshmja. Ishte një program i këndshëm me vepra kryesisht nga epoka baroke dhe renesanse, përcjelljet e të cilave zakonisht luhen në piano, ndërkaq për këtë koncert janë përshtatur për klaviçembalo”, përfundon Pula.

Po ashtu, sopranoja Kaltrina Miftari për koncertin i cili ishte i paraparë të mbahet në muajin shtator por për çka është dëshiruar prezenca e publikut, tregoi përshtypjet e saj për KultPlus.

“Me pianisten Lirika Kasapolli, kemi një bashkëpunim shumë të mirë tash e disa vjet. Koncerti ishte tërësisht me vepra të kohës së renesancea; barok. Mendoj se përcjellja me çembalo e ka bërë edhe më të veçantë dhe autentik”, thotë Miftari.

Sipas saj, për koncerte të tilla ata mundohen që sa ma shpesh të sjellin tek publiku i Prishtinës, bashkë me kontratenorin Safet Berisha, i cili është konsideruar i profilizuar në këtë stil shume të ndjeshëm dhe të veçantë. 

“Muzika dhe arti në përgjithësi ka nevojë të shfaqet dhe të vlerësohet. Mendoj se edhe publiku është pjesë integrale e koncertit”, përfundon Miftari.

Ndërkaq, ‘DAM Fest’ do të zgjasë deri më 26 nëntor ku publiku do të ketë mundësi të shijojë e përjetojë koncerte të artistëve të shkëlqyer nga vendi dhe Ballkani. / KultPlus.com

Kaltrina Miftari dhe Tringa Sadiku sjellin magjinë e epokës elizabetiane në ‘ReMusica’

Me titullin ‘Elizabethan Melancholy – Melankoli Elizabetiane’, mbrëmjen e djeshme, sopranoja Kaltrina Miftari dhe kitarisja, Tringa Sadiku, sollën perlat e epokës elizabetiane për publikun e festivalit ‘ReMusica’, shkruan KultPlus.

Dy artistet kosovare, koncertin e filluan me këngën ‘Greensleewes’ nga Anon, e cila është një ndër këngët më të njohura të shekullit të XX-të. Miftari dhe Sadiku përcollën emocion të pashoq teksa interpretonin këngën tradicionale angleze.

Magjinë e epokës elizabetiane, dy artistet kosovare e vazhduan edhe me këngët, ‘Come again’, ‘Can she excuse my wrongs’, ‘Fantasia n.7’, ‘Fine Knacks for ladies’, ‘I saw my lady weep’ dhe ‘The frog galliard’ nga John Dowland duke vazhduar më pas me, ‘Never weather beaten sail’ dhe ‘My love hath vowed’ nga Thomas Campion.

Këtë mbrëmje, subjekt i së cilës ishte melankolia e epokës elizabetiane, Miftari dhe Sadiku e përfunduan në mënyrën më të veçantë duke interpretuar këngë të njohura shqiptare si, ‘Dashtnuer t’u bana’, ‘Të gëzojmë se erdh pranvera’, ‘Asaman trendafil i çelës’  të kompozitorit shqiptar, Rafet Rudi.

Ndërkaq, edicioni i sivjetëm i festivalit ‘ReMusica’ do të zgjasë deri më 22 shtator,  ku edhe do të përmbyllet me koncertin  ‘The French Touch’, nga Theo Fouchenneret në piano dhe Pierre Fouchenneret në violinë, ku do të interpretohen veprat nga Schumann, Bartok dhe Faure.

Përveç kësaj, në edicionin e 20-të te festivalit ‘ReMusica’ , publiku pati mundësinë të shijojë performanca nga artistë të njohur vendorë e ndërkombëtarë si, sopranoja Elbenita Kajtazi, Asasello String Quartet nga Gjermania si dhe Merita Rexha Tërshana në piano./KultPlus.com