Flamingot rikthehen në liqenin e Pogradecit

Flamingot janë rikthyer edhe për këtë sezon në liqenin e Porgradecit.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau sot në rrjetet sociale momente nga qëndrimi i tyre në liqen.

“Nëse ndodheni pranë këtij liqeni, mund të keni fatin të vrojtoni nga afër rreth 40 flamingo”.

Vitet e fundit flamingot janë kthyer në një atraksion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë. Flamingot janë shpendë që migrojnë në vendet e ngrohta dhe parapëlqejnë ujëra të kripura dhe të cekëta, ku gjejnë ushqimin e tyre të zgjedhur, në vendin tonë habitati i këtij lloji është Laguna e Nartës, Karavastasë.

Prej disa vitesh tashmë, flamingot frekuentojnë edhe liqenin e Pogradecit për një periudhë të shkurtër kohore, edhe pse ai nuk përbën habitatin e tyre natyror./ atsh / KultPlus.com

Moti i dhjetorit shtyn shtegtimin e flamingove dhe pelikanëve kaçurrelë, dhurojnë spektakël në Kune-Vain

Magjepse na shfaqet laguna e Kune-Vainit në Lezhë.

Flamingot janë zogj migratorë qe vijnë në lagunë gjatë vjeshtës, por për shkak të klimës së butë dhe ushqimit të bollshëm duket se po qëndrojnë më gjatë.

Në bazë të censusit të fundit, laguna e Kune-Vainit numëron 196 lloje shpendësh.

“Laguna e Kune-Vainit ka 196 lloje shpendësh, 59 janë të përhershëm, 65 janë dimëronjës, 51 janë veronjës dhe 21 aksidental. Janë çafkat të disa llojeve, pelikanët një specie e shtuar këtë vit edhe pse jemi në kushte të vështira pandemie, natyra ka vazhduar ciklin e saj jetësor. Kemi një shtim të numrit të shpendëve, kjo është një tregues i mirë për çetësinë në lagunë e kjo vjen si rezultat jo vetëm i punës së stafit, por edhe bashkëpunimit me komunitetin”, tha Besiona Simoni përfaqësuese e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Lezhë.

“Laguna e Kune- Vainit ka një sipërfaqe prej 4393 hektarësh, është një sistem ligatinash i përbërë nga zajet, ceka, mergjani. Ajo ka dhe një rol vital në zhvillimin e cilklit të ujëkëmbimit si dhe kontribuon rëmdësishëm në rigjenerimin e mjedisit. Ne u kërkojmë qytetarëve të respektojnë ligjet e natyrës,domethënë të përdorin sa më shumë biçikletat, të mos hedhin mbeturina, po t’i marrin me vete, të mos ndezin zjarre jashtë zonave të caktuara, të vëzhgojnë por të mos shqetësojnë apo të mos krijojnë zhurma për shpendët dhe vizitorët e tjerë”, tha Simoni.

Pelikani kaçurrel është gjithashtu një shpend shtegtar që nuk ka krijuar folenizim ne Kune- Vain, por për shkak të kushteve të përshtatshme sot numërohen rreth 200 individë. Një ndikim pozitiv ka pasur edhe moratoriumi i gjuetisë. Përpos tyre gjejmë plot shpendë të tjerë si rosat, bajzat, pulzat e çafkat./ atsh/ KultPlus.com

Prestigjiozja amerikane: Flamingot po dynden drejt lagunës shqiptare

Rregullat e mbylljes në shtëpi kanë mërzitur disa njerëz në Shqipëri, por, me krahët e tyre ”të prerë” për shkak të pandemisë së koronavirusit, ata kanë lejuar që flamingot dhe zogjtë e tjerë të lulëzojnë në një lagunë bregdetare pranë detit Adriatik, shkruan gazeta prestigjioze amerikane ”The Washington Post”.

Zyrtarët lokalë dhe banorët thonë se popullsia e flamingove ka arritur deri në rreth 3 000 në Lagunën e Nartës, një habitat i rëndësishëm i shpendëve ujorë, që u kthyen në vitet e fundit pas një mungese të gjatë.

Vëzhguesit e zogjve gjithashtu kanë vërejtur më shumë pelikanë, çafka dhe specie të tjera këtë pranverë në lagunën 28 ​​kilometra katrore, që ndodhet 145 kilometra në jug të Tiranës.

“A nuk është e bukur të shohësh flamingo të patrembur përreth?”, pyet Dhimitër Konomi, pjesë e një grupi lokal që administron peshkimin tregtar në Lagunën e Nartës, ndërsa zogjtë e mëdhenj me qafë të gjatë qëndrojnë në ujërat e cekëta.

”Ndalimi i funksionimit të një kriporeje dhe ulja e aktivitetit njerëzor të të gjitha llojeve gjatë pandemisë shpjegon pse zogjtë po grumbullohen në lagunë”, thotë Nexhip Hysolokaj, një ekspert rajonal i biodiversitetit.

”Flamingot janë një specie shumë delikate dhe mospasja përreth automjete ose vizitorë u përshtatet atyre”, shton ai.

“Ata kanë gjetur ushqim dhe qetësi dhe kjo ka të ngjarë t’i ndihmojë ata të shumohen”, tha Hysolokaj.

Studiuesit planifikojnë të studiojnë flamingot për të parë nëse qetësia e krijuar nga koronavirusi është e favorshme për shndërrimin e lagunës në një vend ku mund të bëjnë fole dhe të shumohen.

Konomi thotë se një lagune e mbushur me jetë është një thesar që mund të nxisë turizmin.

Por, Hysolokaj është më pak i prirur të tërheqë turistët konvencionale në lagunën që është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me dunat rëre, ligatina, ishuj dhe plazhe që mbështesin faunën e larmishme si dhe zogjtë.

Ai e përshkruan atë si “mushkëritë” e Vlorës, qyteti më i afërt.

“Duhet të ketë një turizëm të qëndrueshëm, por alternativ. Natyrisht le të vijnë kampistë, t’i përdorim plazhet, të përdorin biçikletat apo udhëtimet edukative sepse Vlora është shumë afër”, shton ai./ atsh/ KultPlus.com