Flutura Dedinja shfaq sfilatën e markës së saj në javën e modës në Vjenë

Nesër në muzeun ‘Quartier’ në Vjenë, dizajnerja kosovare, Flutura Dedinja do të shfaqë sfilatën e markës së saj personale, përcjell KultPlus.

Kjo sfilatë vjen me rastin e javës së modës në Vjenë.

“Më datë 17 shtator, 2022, në Museum Quartier Flutura Dedinja na nderon të gjithëve nesër me sfilatën e markës së  saj perosonale organizuar me rastin e javës së modës në Vjenë,

MQ Vienna Fashion Ëeek.

Është rasti më i mirë për të shijuar krijimet e saj ‘Made in Kosova’”, thuhet në postimin e Ambasadës së Kosovës në Austri./ KultPlus.com

Mitrovica e Jugut mbështet idenë e kreatores Flutura Dedinja

Nënkryetari i Komunës, Faruk Mujka dhe drejtori i Drejtorisë për Financa, Shukri Gashi kanë biseduar me përfaqësuesen e “UNI BB”, Sh.p.k., Flutura Dedinja, dizajnere e modës, për mundësinë e realizimit të një projekti për ofrimin e shërbimeve profesionale-kurse për rrobaqepësi.

Duke folur për projektin, Dedinja tregoi për përvoja tashmë të realizuara në komuna tjera, ku janë realizuar projekte të këtilla me shumë sukses. Ajo tha se oferta parasheh që në Mitrovicë të organizohet një kurs i tillë, në të cilin do të përfshiheshin 15 deri 20 gra, të moshave të ndryshme.

Sipas saj, kursi do të zgjas gjashtë muaj dhe për realizimin e saj kërkohet edhe mbështetja materiale e Komunës, si dhe sigurimi i një hapësira të mjaftueshme për mbajtjen e ligjëratave.

“Në bazë të përvojave të deritashme, mund të them se kandidatet që kanë përfunduar këtë kurs, e të cilat në përfundim të tij certifikohen, kanë pas sukses në punësim të menjëhershëm. Besoj se kjo do të ndodhë edhe me kandidatet e Mitrovicës”, tha Dedinja.

Nënkryetari Mujka dhe drejtori Gashi,thanë se ideja është e mirë dhe e qëlluar, andaj premtuan se Komuna do të shqyrtoj gjithanshëm ofertën dhe mundësitë e saj, në mënyrë që të sigurohen mjetet dhe hapësira, pasi që ia vlen të mbështeten projektet e këtilla që aftësojnë kandidatë për punësim, apo zgjidhjen e problemeve të punësimit./ KultPlus.com