Promovohet raporti ‘Strategjitë në fushën e arsimit të lartë në Kosovë’, Rexhaj e vlerëson maksimalisht

Sot, u promovua raporti i botuar nga organizata joqeveritare Admovere, «Strategjitë në fushën e arsimit të lartë në Kosovë», me autorë Aulonë Memetin dhe Nuhi Sadikun, mbështetur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Raporti ka për qëllim që të analizojë dhe krahasojë paraqitjen e problematikave të arsimit të lartë gjatë planifikimit strategjik. Më konkretisht, hulumtimi pëqendrohet në pesë indikatorë:
transparenca dhe llogaridhënia,
puna shkencore,
gjithëpërfshirja;
ndërlidhja e programeve të studimit me tregun e punës, dhe
akreditimi.

Raporti krahason dhe shqyrton objektivat e përcaktuara dhe nivelin e përmbushjes së tyre në mes të të gjitha strategjive (dhe planeve të veprimit) të arsimit të lartë në Kosovë, të nxjerra nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), dhe në mes të strategjive (dhe raporteve vjetore) të Universitetit të Prishtinës (UP). Për nevojat e këtij hulumtimi, me theks të veçantë janë shqyrtuar Strategjia Kombëtare për Zhvillim (SKZH) dhe udhërrëfyesi për zbatimin e saj, Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë (PSAK) 2017-2021 dhe Plani i Veprimit, si dhe Planet Strategjike të UP-së 2017-2019 dhe 2020-2022.

Drejtori Ekzekutiv i organizatës Admovere dhe bashkëautori i këtij raporti, Nuhi Sadiku deklaroi se “raporti është analizë krahasimtare e dokumenteve kryesore të planifikimit strategjik për arsimin e lartë të nxjerra nga tri nivele institucionale”. Ndërsa, si konkludime përmendi se “(1) ka një hendek të madh në mes të planifikimit, monitorimit dhe zbatimit në praktikë të masave të parapara për t’u ndërmarrë; (2) niveli i transparencës në Universitetin e Prishtinës po përcjell një trend të rritjes; (3) mekanizmat për zhvillim profesional të stafit akademik nuk janë të mjaftueshme; (4) Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017 – 2021, kur përmend gjithëpërfshirjen kryesisht mendohet për nivelet më të ulëta të arsimit, e më pak për arsimin e lartë; (5) një shtysë shumë pozitive në motivimin e stafit akademik për publikime shkencore, ka qenë Rregullorja për financimin e botimeve e miratuar nga Universiteti i Prishtinës (UP)”.

Kurse, recensenti i këtij raporti, prof. Xhavit Rexhaj duke rekomanduar që ky raport të bëhet i përvitshëm ose së paku çdo dy vite, deklaroi se “planifikimi strategjik është ndër pikat më të dobëta të arsimit në Kosovë”. Z.Rexhaj, gjithashtu potencoi faktin e mungesës së të dhënave për sistemin e arsimit, duke e konsideruar këtë gjë shumë problematike. Ndërkaq, për raportin tha se “është i pari i këtij lloji në Kosovë, është bërë në kohën e duhur, ka indikatorë të përcaktuar mirë, e ruan koherencën në mes të niveleve të planifikimit strategjik dhe e ruan fokusin e trajtimit”.

Raporti përmbyllet me vlerësimin e zbatimit në praktikë të strategjive, me fokus tek indikatorët e lartpërmendur, duke shqyrtuar më hollësisht rastet e tri fakulteteve të UP-së, përkatësisht Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), Fakultetit të Edukimit dhe Fakultetit Filozofik, me dekanët e të cilave janë zhvilluar intervista nga ekipi hulumtues. /KultPlus.com