Më 8 nëntor 1462 shkruhej për herë të parë në gjuhën shqipe

Më 8 nëntor të vitit 1462 u shkrua në gjuhën shqipe, me alfabet latin, “Formula e pagëzimit”, që njihet si dokumenti i parë në gjuhën shqipe.

Formulën e shkroi Pal Engjëlli pas vizitës që bëri nëpër Kishat famullitare dhe viset e kryedioqezës së Durrësit.

Në mbarim të kësaj vizite Pal Engjëlli paraqet pasqyrën e gjendjes së organizimit të Kishës, situatën e vështirë të banorëve e besimtarëve, problemet e mëdha ekonomike e rreziqet që i kanoseshin aso kohe popullsisë dhe duke u lënë porosi, në rend të parë priftërinjve por edhe besimtarëve (banorëve) të pagëzonin foshnjat në rast të rrezikut të vdekjes me fjalët e Formulës së ritualit kishtar të Sakramentit te Pagëzimit…

“Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”.

Formula e Pagëzimit është një frazë shqip në mesin e një shkrimi latinisht prej 37 faqesh.

Së fundi në këtë dokument Pal Engjëlli u kërkon Eprorëve të Kishës së Romës, Selisë së Shenjtë, të ndihmojnë popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve.

Dokumenti i kryeipeshkvit shqiptar imzot Pal Engjëllit, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i afërt i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ruhet në bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe për herë të parë është gjetur nga historiani rumun Nicolae Jorga më 1915. / KultPlus.com

558 vjet nga Formula e Pagëzimit, dokumenti më i vjetër i shkruar shqip

8 nëntori shënon ditën ndërkombëtare të gjuhës shqipe.

Sot, 558 vjet më parë, më 8 nëntor të vitit 1462 janë shkruar shqip por me gërma latine fjalët ‘Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë’.

Pal Engjëlli, gjatë një vizite në Mat, vuri re çrregullime në punë të ushtrimit të fesë dhe me këtë rast, ai la me shkrim disa porosi dhe udhëzime për klerin katolik, ndër të cilat edhe formulën e mësipërme, të cilën mund ta përdornin prindërit për të pagëzuar fëmijët e tyre, në rastet kur nuk kishin mundësi t’i dërgonin në kishë, ose kur nuk kishte prift. Formula është shkruar me alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).

“Formula e pagëzimit” është gjetur në Bibliotekën Laurentiana të Firenze-s nga historiani i njohur rumun Nikolla Jorga dhe është botuar prej tij në vitin 1915 në “Notes et extraits pour servir l’histoire des croisades au XV siecle IV, 1915” / KultPlus.com

Pal Engjëlli, lajmëtar i shqipes së shkruar

Nga Behar Gjoka

Në mes të Motit të Madh, një simbolikë domethënëse e identifikimit të bëmave heroike të abnorëve dhe kryetrimit të asaj epoke Gejrgj Kastriot –Skënderbeut, ka një lidhje shumë të fortë, një lidhje unike dhe të ndërsjellë, aq sa nuk mendohet të kuptohen të shkëputura nga njëra-tjera.

Ky unitet organik, që është gdhendur, nga shekulli në shekull, në mijëra libra dhe vepra artistike në të gjithë botën, e ka skalitur të plotë figurën e heroit kombëtar, ndërsa vetë epokën e qëndresës shqiptare në shekullin e XV, e ka përveçuar si shenjën më emblematike të ekzistencës së kombit shqiptar. Megjithatë, pjesa e pandarë dhe faktike e kësaj periudhe tepër të rëndësishme historike, e përmasave të pazakonta të kohës dhe të heroit tonë janë edhe bashkëpunëtorët  më të afërt të Skënderbeut, udhëheqës dhe bashkëluftëtarë që me praninë edhe aktet e tyre, i dhanë zë kohës, shekullit të madh të qëndresës heroike të shqiptarëve, të një lufte me kaq shumë sakrifica përballë hordhive osmane.

Në mesin e tyre spikat figura e Pal Engjëllit, jo vetëm si këshilltar sipëror dhe bashkëluftuar i pandarë, por më tepër si një figurë përfaqësuese e vlerave intelektuale dhe shpirtërore, e vlerave atdhetare dhe fetare, që i zgjeruan dimensionet e qëndresës shqiptare, duke i vendosur në ndërlidhje me epokën e humanizmit, i cili përkon me Rilindjen Evropiane. Të qenët e tij kaq pranë figurës qindore të Motit të Madh, me vepra dhe kontribute të dallueshme, me një rol primar si përfaqësues i diplomacisë së Gjergj Kastriotit, por ndarazi edhe si një klerik mendjendritur, e bën të pashmangshme dhe vlerëplotë nxjerrjen në dritë të përmasave të kësaj figure unikale të periudhës në fjalë.

Data 8 nëntor 1462, së paku gjer më tani, shënon gjurmën e parë të dokumentuar të shkrimit të gjuhës shqipe, të realizuar nga ana e arbnorit Pal Engjëlli. Mbajtja e Kuvendit Kishtar në kishën e Shën Trinisë, nën drejtimin e Pal Engjëllit, Arqipeshkv i Durrësit, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut, prijatari i diplomacisë arbnore, ka vlera të jashtëzakonshme historike. Në artikullin “Leksiku historik i gjuhës shqipe”, botuar në Shkodër në vitin 1996, Kolë Ashta nënvizon: “Ndërkohë, me sa duket u muar me vizitën baritore, të cilën e vendosi në Mat, në këtë krahinë të Kastriotëve e iu vu përgaditjes që të mbledhë Kuvendin.”

Formula e Pagëzimit, rrethanat e mbijetesës, që e sollën në skenë, veçmas karakteri sakral dhe institucional i zbatueshmërisë, si një e drejtë që buronte nga vendimet e marra në kuvend, është një tekst që fiton vlera emblematike, shpirtërore, gjuhësore dhe historike: “Unte’ paghesont premnenit Atit et’birit et spertit senit.” Në disa burime arkivore gjenden jon pak dëshmi dokumentare, sipas të cilave Kuvendi kishtar është mbajtur në Mat, në kishën  që mban emrin e Shën Trinisë, ndonëse ende nuk është saktësuar përfundimisht vendi dhe kisha, madje pavarësisht të dhënave tërthore që jepen se është mbajtur në njërën nga kisha t e dioqezës së Lisit të Matit, që në shekullin e XV ishte nën juridiksionin e  Arqipeshkopatës së Durrësit. Në rrafshin gjuhësor, që mbase përbën të dhënën më të padiskutueshme në gjithë këtë mjegullsi, të mbajtjes së  kuvendit dhe të përcaktimit të natyrës dhe misionit të formulës së pagëzimit, Eqerem Cabej shkruan: “…në shpirti, do menduar se kemi të bëjmë me një trajtë reale, trajtë e shqiptimit krahinor, sikundër flitet edhe sot në anët e Matit dhe Lurës, ku thonë pikërisht shpert, më duel shperti…”

Të qenët at shpirtëror, përveç bëmave lapidare të kryera në jetën përdëlluese të Pal Engjëllit, plazmohet në tri përmasa të identifikuara në dokumentet arkivore, të cilat shpalohen përmes aktesh të qarta:

Si prelat i paepur dhe vizionar, që përkujdeset për grigjën e vet, për shqiptarët e besimit katolik, duke ndërmarrë herë pas herë udhëtime nëpër krahinat më të thella, për herë të parë me sytë e vet gjendjen, si dhe për të nxitur organizimin e kuvendeve, si nevojë e komunikim dhe mbijetese e qenies shqiptare, në situatën e amullisë së një lufte heroike dhe me shumë sakrifica. Si burrështetas largpamës, këshilltar i pandarë i Skënderbeut, në ndërmjetësimin e marrëdhënieve me Raguzën, Napolin, Venedikun vet Papatin e Vatikanit, e shumë akte të tjera, duke vënë kështu themelet e diplomacisë arbnore, por edhe të një modeli diplomati, që gërshetonte dijen me humanizmin, në dobi të shtetit të arbrit dhe grigjës abnore.

Sipërmarrja e pazakontë për të futur gjuhën shqipe në shërbesat fetare, që kulmon me Formulën e Pagëzimit, si një akt i pashembullt reformator në historinë e Vatikanit, për të shpëtuar njeriun nga konvertimi detyrues, që ndërmorën hordhitë osmane, menjëherë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Tiparet e gdhendura në jetën dhe veprën shembullore të Pal Engjëllit, si at shpirtëror fetar, po kaq si at shpirtëror i qenies arbnore, i fatit të gjuhës dhe kulturës, janë të mjaftueshme për të parë te bëmat e tij prijatarin e priftërinjve katolikë, për t’i shërbyer atdheut dhe fesë, si një union i vlerave shpirtërore, që mbajti gjallë ëndrrën e gjallimit të qenies arbnore. Shenja fillestare e projektuar me ndihmesën e Pal Engjëllit, po në atë devizë, të atdheut dhe fesë, formësohet dhe shqiptohet në veprën e Buzukut, Budit, Bardhit dhe Bogdanit, në letërsinë e hershme shqipe. po me atë vokacion të njëmendtë të atdheut dhe fesë, që përbëjnë shtigjet e mbijetesës së qenies arbnore, formulohet kaq fuqishëm në veprën letrare, fetare dhe atdhetare të rilindëseve, si dhe të mjeshtërve të tjerë të shqipes, që ruajtën shpirtin e kombit, aspiratën për liri dhe përparim./KultPlus.com

“Formula e Pagëzimit”, dokumenti më i vjetër i shkruar shqip

Dorëshkrimi latinisht me “Formulën e Pagëzimit” u gjet më 8 nëntor në bibliotekën “Laurenziana”, të Firences nga historiani rumun Nikolla Jorga dhe u botua prej tij me 1915.

Njihet si dokumenti më i vjetër i shkrimit shqip, që njohim deri sot. Ajo është një fjali e shkurtër shqip (Unte’paghesont premenit Atit et birit et spertit senit) në mes të një shkrimi latinisht, një letër qarkore e kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, bashkëpunëtorit të ngushtë të Skënderbeut.

Është një formulë që duhej të përdornin familjet për të pagëzuar fëmijët e tyre të porsalindur, kur nuk mund t’i çonin në kishë. Formula është shkruar në dialektin e Veriut dhe me alfabet latin, i afërt me atë që ka përdorur Buzuku në veprën e tij.

Me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, në vitin 2008, Muzeu Historik Kombëtar botoi librin me titull “Formula e Pagëzimit”. Në këtë libër u përfshinë kumtesat kushtuar dokumentit të parë të shkruar në gjuhën shqipe./ KultPlus.com