Kanali francez: Shqipëria, destinacion pushimesh për t’u zgjedhur

Shqipëria është një destinacion larg turizmit në masë, por që tërheq dashamirësit e peizazheve dhe trashëgimisë së pacënuar, sipas një reportazhi të prezantuar nga France 3.

”Shqipëria është një nga shtetet më të vogla në Evropë.

Me vendet e saj ende të pashkelura, ajo ofron mundësi të shumta për amatorët e aventurave në natyrë dhe udhëtarët kuriozë për zbulime.

Në brigjet e lumit Osum, ndodhet Berati, i ashtuquajtur qyteti i një mbi një dritareve, aluzion për grumbullin e shtëpive me gurë të bardhë të vendosura njëra mbi tjetrën.

E listuar si një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, qendra e tij historike mund të eksplorohet më këmbë.

Nëpërmjet rrugëve me kalldrëm, të stilit bizantin dhe osman, mund të zbulosh hap pas hapi tërë qytetin.

Shumë i çmuar nga shqiptarët dhe turistët, rajoni i Përmetit njihet për burimet e tij me ujë të ngrohtë.

Pushime për t’u çlodhur për disa, paksa më sportive për disa të tjerë. Në programin e tyre, kanioni i Langaricës, që ngrihet në 30-50 metra lartësi dhe ofron pamje të mrekullueshme.

Për të përfituar nga peizazhet, disa turistë zgjedhin të akomodohen në natyrë.

Pas një bllokimi të shkurtër për shkak të krizës shëndetësore, Shqipëria shpreson në rikthimin e tërë turistëve të saj, që ishin rreth 6,5 milionë para pandemisë. /atsh/ KultPlus.com

France 3: Shqipëria, një destinacion i panjohur

“Shqipëria, një prej vendeve më pak të njohur në periferi të Mesdheut, hapet ndaj turizmit. Avantazhet e saj: plazhe ende të virgjra, një vend i mbushur plot histori dhe çmime të lira”, kështu e prezanton vendin tonë televizioni francez “France 3” në një dokumentar të shkurtër ku i bën thirrje turistëve francezë që të vijnë të vizitojnë Shqipërinë.

Rreth 2 orë e 30 minuta larg nga Parisi, një vend pak i njohur, i madh sa Belgjika, Shqipëria, prej shumë kohësh e mbyllur me misteret e saj, prej disa vitesh i është hapur për turizmin. Fqinjët italianë apo grekë e njohin shumë mirë, ndërsa francezët ende shumë pak.

Denise, 85 vjeç dhe shoqja e saj Jeanne, e zgjodhën si destinacion për një javë, pasi kishin eksploruar gjithë Mesdheun për shumë vite.

“Kishim përshtypjen se ky ishte çasti, që çmimet do të rriteshin ndërkohë që njerëzit do të njihnin më shumë Shqipërinë”, thotë Denise Million. Por një prej surprizave për dy pensionistet ishte që mund të diskutonin me shqiptarët, sepse vendi është shumë frankofil.

Peizazhe të mrekullueshme

Berenger e ka pëlqyer aq shumë Shqipërinë sa që ka vendosur të qëndrojë dhe po bën gati 10 vite. Në fillim ai erdhi të hapur një uzinë. Më pas, ai ngriti një agjenci udhëtimesh për të sjellë francezë që e imagjinojnë si një vend të mbytur nga mafja.

“Shqipëria ka një reputacion. Shqipëria është ajo që është. Në të kundërt, Shqipërinë e do kur jeton këtu”, garanton ai.

Një vend ende i virgjër, peizazhe të mrekullueshme dhe qytete që ndodhen në trashëgiminë botërore të UNESCO-s.

Shqipëria, me pamjen e saj si të Greqisë në vitet 1950, tërheq vetëm 45 000 francezë, por frekuentimi është duke u rritur ndjeshëm. Vetëm këtë vit është rritur me 30%./ KultPlus.com