Grupi “Queen” do të jetë subjekt i pullës së re postare britanike

Posta Mbretërore Britanike njoftoi për planet për ta shënuar 50-vjetorin e formimit të “Queen”, duke e vendosur bendin në një pullë postare më 9 korrik, njofton Linns.

Detajet nuk janë konfirmuar ende, por kjo do të jetë hera e dytë që bendi është nderuar, pasi që këngëtari Freddie Mercury është vendosur në një pullë në vitin 1999.

Në vitet e tij të hershme, Mercury ishte një koleksionist i zjarrtë i pullave, dhe koleksioni i tij u hodh në ankand dy vjet pas vdekjes së tij në vitin 1991, me fitimet që shkonin në Mercury Phoenix Trust, shkruan KOHA Ditore. “Bomi, babai i Fredit, fillimisht e frymëzoi koleksionin e tij të pullave dhe besohet se Fredi e ndërtoi koleksionin e tij midis moshës nëntë dhe 12 vjeç”, tha Muzeu Postar në vitin 2011.

Ai e mblodhi koleksionin e tij sipas gjeografisë, madhësisë dhe ngjyrës, duke i mbledhur ato në mënyrë të kujdesshme në një libër të zi. Një grup i pullave ishte vendosur në formën e shkronjës F. “Freddie” ishte pseudonimi i ri i Farrokh Bulsara dhe ai shtoi “Mercury” rreth kohës kur u formua “Queen”.

“Koleksioni i Fredi Mercury përfshin pulla nga një gamë e gjerë e vendeve në të gjithë botën”, thekson muzeu. “Shumica prej tyre janë nga Perandoria Britanike, dhe ato me interes të veçantë filatelik janë nga Zanzibari, vendlindja e Mercuryt.

Albumi gjithashtu përmban një përzgjedhje të gjerë të pullave nga Evropa Lindore dhe vendet e Commonwealthit. Si relikte e popit dhe për referencë kulturore, koleksioni i Fredi Mercuryt është shumë i vlefshëm”.

Publikimi i vitit 1999 shkaktoi polemikë, sepse bateristi i “Queen”, Roger Taylor mund të shihej në prapavijë. Rregullat e Royal Mail thonë se njerëzit e vetëm të gjallë që mund të ilustrohen në pulla duhet të jenë anëtarët e familjes mbretërore.

Shërbimi postar u përgjigj se “si ‘Queen’ po ashtu edhe familja e Fredi Mercury e kishin miratuar modelin e saj përfundimtar”./ KultPlus.com

E konfirmojnë shkencëtarët: Freddie Mercury është këngëtari me vokalin më të mirë në histori

Një grup shkencëtarësh austriakë, çekë dhe suedezë kanë bërë një hulumtim, të cilin e kanë publikuar në Logopedics Phoniatrics Vocology, duke e shpallur Freddie Mercuryn këngëtarin me vokalin më të mirë në histori.

Derisa nuk e kanë konfirmuar mitin se ai ka kënduar në katër oktava të plota, ata kanë zbuluar disa fakte magjepsëse rreth zërit të këngëtarit.

Edhe pse është njohur kryesisht si tenor, në fakt, ai ka qenë shumë më pranë baritonit. Këtë zbulim, shkencëtarët e kanë bazuar duke i dëgjuar gjashtë intervista të tij, ku është shfaqur një frekuencë mesatare prej 117.3 Hz.

Edhe sa ishte gjallë, Freddie kishte refuzuar të bënte një duet në opera, sepse kishte frikë se fansat do ta kuptonin zërin e tij bariton – ndërsa kjo është një tjetër dëshmi se këngëtari ka qenë aq i talentuar saqë ka mundur ta tejkalojë bazën e tij vokale.

Ekipi i shkencëtarëve më pas e angazhoi rokerin Daniel Zangger Borch për ta imituar zërin e Mercuryt. Ata e xhiruan laringun e tij në 4.132 korniza për sekondë, në mënyrë që të shikonin me saktësisë se si ka arritur Freddie ta bënte atë që ka bërë.

Ekspertët e kuptuan se ai ka përdorur subharmoninë – një mënyrë e të kënduarit ku flegrat ventrikulare (flegra të mukozës membranore që e mbështjellin ligamentin vestibular që njihen edhe si korda të rrejshme vokale) vibrojnë njëkohësisht me flegrat vokale.

Hulumtimi ka treguar se kordat vokale të Mercuryt kanë lëvizur shumë më shpejt në krahasim me njerëzit tjerë. Derisa një vibrato tipike do të lëvizte ndërmjet 5.4 Hz dhe 6.9 Hz, te frontmeni i “Queen” kjo vlerë ka qenë 7.04 Hz.

Në studimin e tyre kishin shkuar:

Analizat sasiore duke shfrytëzuar një parametër të sapo futur për të vlerësuar rregullsinë e vibratos së vokalit, konfirmoi natyrën e tij të parregullt, duke sugjeruar se (pa)rregullsia e vibratos është një tipar dallues i zërit këndues.

Imitimi i mostrave subharmonice të fonacionit nga një këngëtar profesionist i muzikës rok, i dokumentuar nga një xhirim me shpejtësi të lartë endoskopik në 4.132 korniza për sekondë, zbuloi një frekuencë 3:1 të flegrave vokale dhe flegrave ventrikulare./KultPlus.com