99 vite nga lindja e Loro Boriçit, futbollisti shqiptar me famë ndërkombëtare

Loro Boriçi ishte një nga futbollistët më të njohur shqiptarë. Lindi në Shkodër, ku me Vllazninë luajti vitet e para për të provuar më pas Serinë A italiane me ekipin e Lacios.

Aventura italiane nuk zgjati shumë, pasi pas dy vjetësh kthehet përsëri në “fushën” shqiptare. Suksesi më i madh i tij ka qenë Kupa Ballkanit me kombëtaren e Shqipërisë në 1946. Gjatë 20 viteve të karrierës, Boriçi do të luante për Partizanin, Vllazninë dhe Spartakun e Tiranës.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist do fillonte atë të trajnerit. Drejtoi kombëtaren e Shqipërisë, Spartakun e Tiranës, Partizanin, Lokomotivën e Durrësit e për disa vite edhe kombëtaren e RP të Kinës.

Vendlindja e kujton në stadiumin e saj, ndërsa në këtë foto të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ai është midis nxënësve të tjerë në kolegjin françeskan, në Shkodër. / KultPlus.com

U përjashtua nga klubi grek vetëm se bëri ‘shqiponjën’, futbollisti shqiptar fiton gjyqin në vlerë prej 150 mijë eurosh

Futbollisti shqiptar, Idriz Batha, e ka fituar gjyqin ndaj klubit grek AEK Larissa.

Batha ishte afër për t’u transferuar tek ky ekip në vitin 2018-të, por kjo u anulua nga kryetari i atëhershëm i klubit, Sotiris Marku, i cili kishte thënë se ky transferim nuk do të realizohej për shkak se futbollisti kishte fotografi duke bërë “shqiponjën” me duar.

“Arsyeja më kryesore që u anulua kjo marrëveshje është se pamë në internet një foto të lojtarit që bënte me dorë simbolin e Shqipërisë së Madhe(shqiponjën). Kjo është diçka jo e mirë sepse ne kemi shumë lojtarë serbë në ekip dhe gjithashtu Shqipëria e Madhe përfshin vende brenda Maqedonisë, gjithashtu edhe Greqisë. Gjithashtu shumë tifozë do të mbetnin të zhgënjyer”.

Menaxheri i futbollistit shqiptar e kishte dërguar në UEFA çështjen, kurse sot kreu i AEK Larrisa-s, Alexis Kougias, njoftoi sot se klubi e ka humbur gjyqin.

Kështu tani detyrohet t’i paguajë futbollistit 240 mijë dollarë (rreth 150 mijë euro), një pjesë e së cilës i kanë kaluar tashmë në llogari, njofton Supersport.al.

“Është një gabim i CEO-s së atëhershëm, Sotiris Marku, i cili në vend të një propozimi, i ka dorëzuar Bathës kontratën finale me kohëzgjatje tre vjeçare. Nga 240 mijë euro të parashikuara në kontratë, gjykata ka vendosur që ne t’i paguajmë 150 mijë euro. Deri tani kemi shlyer 1/3-ën e shifrës dhe kemi kohë deri në fund të vitit për pjesën tjetër, ndaj nuk na rrezikohet bllokimi i merkatos”. / KultPlus.com