Zhvirgjërimi i besnikërisë

(G. G. MARQUEZ: Dashuria në kohërat e kolerës, Onufri, Tiranë, Përktheu Mira Meksi)

Shkruan Gentiana Softolli

  1. Autori  

Gabriel García Màrquez (1927-2014) shkrimtar kolumbian, vitet e para të jetës së tij i kaloi në gjendje jo të mirë financiare, duke qenë shumë i lidhur me gjyshërit e tij, vdekja e tyre ndikoi rëndë në gjendjen e tij shpirtërore. Në moshën 20 – vjeçare filloi studimet për drejtësi në “Bogotá”, por që nuk i përfundoi, sepse ishte i mahnitur nga letërsia dhe, kështu, braktisi studimet për t’u marrë me letërsi. Kur kishte shkruar romanin “Gjethurinat nga përgjigja që kishte marrë ndër të tjera shkruhej mund të merreni me çdo gjë përveç se me letërsi. Gjatë jetës së tij bëri punë të ndryshme si: gazetar, redaktor e reporter në gazeta të ndryshme. U martua me Mercedes Barca, me të cilën pati dy fëmijë. Çmimin e parë e fitoi në një konkurs në vitin 1955 me tregimin “Dita pas sështunës. Më 1967 realizoi kryeveprën e krijimtarisë së tij “Njëqind vjet vetmi”, ndërsa më 1982 u vlerësua me çmimin Nobel për Letërsi. Është njëri ndër shkrimtarët më të përkthyer dhe njihet si rrëfimtar i vetmisë. Marquezi shkroi edhe shumë vepra të cilat padyshim që përbëjnë një pjesë mjaft të rëndësishme të Letërsisë Botërore si: “Dashuri në kohërat e kolerës”, “Vjeshta e patriarkut”, “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, “Të jetosh për të treguar”, “Kujtim kurvash të trishta” etj.

2. Romani

Dashuria në kohërat e kolerës është njëra nga kryeveprat e Marquezit, ku trajtohet dashuria e pashpërblyer me pritje prej gjysmëshekulli. Duke mos u mjaftuar me kaq, autori na rrëfen edhe një mori peripecish me të cilat do të ndeshen kryepersonazhet brenda këtij romani. Me kryqëzimet e fateve të protagonistëve, dramaticitetin dhe tensionin, autori arrin që ta shpie lexuesin brenda skenës ku po zhvillohet ngjarja, duke e bërë atë një lloj protagonisti të heshtur, i cili e përcjell me kureshtje çdo hap të lojës, ndonëse ai vetë nuk është lojtar dhe me padurim e pret hapin e radhës. Rrëfimi fillon me shprehjen “Ishte e pashmangshme”, edhe pse në fillim nuk është se na duket të ketë qenë e pashmangshme, mirëpo gjatë rrjedhës së ngjarjeve fillon të bëhet e pashmangshme shkëputja me romanin pa i dalë në fund leximit të tij.

3. Dashuri platonike

Narratori brenda këtij romani është i gjithëdijshëm, i cili me përshkrimin e detajuar na rrëfen për dashurinë platonike të Fermina Dazas dhe Florentino Arzias, martesën me Juvenal Urbinon, doktorin më në zë të qytetit, aventurat e Florentinos me femra të ndryshme, pasurinë e paligjshme dhe kumarin e Lorenzo Dazas (babai i Ferminas) dhe shumë storje të ndryshme për personazhe dytësore të cilat na paraqiten si të ndërfutura në roman, mirëpo që plotësojnë dhe i japin ngjyrim artistik rrëfimit.

Në kuadër të këtij rrëfimi arrijmë të vërejmë se si autori edhe lexuesin në periudha kohore, duke dhënë detaje nga më të ndryshmet për personazhe dhe duke e plotësuar gjithnjë e më shumë mozaikun e ngjarjeve. Së këndejmi kuptojmë që, sa i përket strukturës rrëfimore, ky roman është introspektiv dhe retrospektiv në të njëjtën kohë, duke hetuar kështu edhe përdorimet e analeksës dhe proleksës përkrah njëra-tjetrës.

  • Tradhti dhe besnikëri

Kodi tematik i këtij romani na ofrohet që në titull dhe nuk do shumë mend që të kuptohet se rrëfimi i Marquezit kësaj radhe flet për një dashuri në kohë pandemie. Fraza e cila pohon se “ku ka dashuri ka edhe tradhti” gjen zbatim në romanin e Marquezit ku rrëfehet se herët apo vonë bashkëshortëve do iu duhet të përballen me tundimin për t’i qëndruar besnik martesës. Kur jemi te besnikëria ndër më interesantet na del ajo e Florentinos, i cili betohet se nuk do të martohet me asnjë femër përveç Fermina Dazas, po që nuk rresht së bëri dashuri me femra të tjera derisa i del emri si një i përdalë që bën dashuri në zyrë të punës me çdo lloj femrash. Që nga “zhvirgjërimi” i tij që ndodh në një anije e deri pas pesëdhjetë vjetëve, ku do t’i shpall sërish dashurinë Ferminas, ai do të ketë mbushur rreth njëzet e pesë fletore me gjashtëqind e njëzet e dy regjistrime lidhjesh dashurie që dalin si emblemë e besnikërisë tij.

4. Pesëdhjetë vjet, nëntë muaj e katër ditë

Fabula e këtij romani trajton kryqëzimet e fatit të tre personazheve kryesore. Kemi dashurinë e Ferminas me Florentinon, dashuri kjo e cila na del si një lloj fiksioni adoleshent ku Florentino krijon per Ferminan. Lidhja e tyre zhvillohet në saje të letrave dhe pusullave të dashurisë të shkruara me pasion nga protagonistët. Si pengesë për dashurinë e tyre është Lorenzo (babai i Ferminas), i cili nuk e miraton dashurinë e tyre dhe rrjedhimisht i vetmi opsion për ta ndaluar të bijën e tij kryeneçe është ta largojë nga aty, kështu edhe vepron. Fermina kalon sfida e aventura nga më të ndryshmet në udhëtim, formësohet goxha si personalitet duke i fituar tiparet tipike të një gruaje. Ajo kthehet sërish në qytet, por, jo për t’u bashkuar me Florentinon, por për t’u martuar me doktor Juvenal Urbinon. Martesa e tyre mund të mbështetej në lloj-lloj interesash, përveçse në dashuri, ata të dy bënin një jetë e cila lakmohej nga të gjithë por vetëm ata e ndjenin boshllëkun dhe mungesën e dashurisë që po e kryesonte në jetën e tyre. Gjithsesi, Fermina i qëndroi besnik bashkëshortit të saj deri në frymën e tij të fundit duke mos e tradhtuar asnjëherë dhe duke u kujdesur për çdo detaj brenda shtëpisë në të cilën ishte ndjerë përherë si e huaj. Jeta e saj pëson një kthesë në momentin kur vdes i shoqi dhe në varrimin e tij shfaqet Florentino që t’i shprehë edhe një herë dashurinë e tij, kishte pritur plot pesëdhjetë vjet për ta ndërmarrë këtë vendim. Rrjedha e ngjarjeve shkon në atë anë sa ata pas pak kohësh bëhen miq goxha të mirë duke kaluar pasditet së bashku e pastaj edhe duke u bërë dashnorë, ndonëse me vonesë, por sërish thonë më mirë vonë se kurrë.

Përfundim  

 Përtej përjetimeve dhe përshkrimeve arrijmë të shohim se në jetë asgjë nuk është e sigurt paralelisht më atë se asgjë nuk është e pamundur. Dashuria është ajo që triumfon gjithmonë dhe me anë të penës së tij magjike Marquezi ka bërë që romani i tij “Dashuria në kohërat e kolerës” të cilësohet si një ndër romanet më të dashura për lexuesit dhe njëkohësisht duke iu dhuruar atyre një perlë nga ato të tij. (Autorja është studente e vitit të dytë në Fakultetin e Filologjisë, dega e Gjuhës shqipe)/ KultPlus.com

Një hypertext në tren

(Adil OLLURI: Bartësi i shpirtrave të përzënë, Onufri, Tiranë, 2020)

Shkruan: Gentiana SOFTOLLI

Autori

Adil Olluri  (1984-), shkrimtar, studiues i letërsisë dhe kritik letrar, studimet universitare (bachelor dhe master) i ndoqi në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë, ku  ka përfunduar edhe studimet e doktoratës me një temë shumë të veçantë: “Proza e Ymër Shkrelit”.  Është ndër autorët më të përkthyer në gjuhë të huaj. Vetëm tregimi “Kthimi i babait” është përkthyer në dhjetë gjuhë të huaj, një tregim-monolog që trajton fatin e të pagjeturve të luftës së fundit.  Olluri është autor që në shkrimet e tij letrare, konkretisht në fushën e kritikës, merret edhe me fenomene letrare si posdmodernizmi te libri “Trilogjia postmoderne”, e deri te kritika tematike, siç bën te libri studimor “Fytyra e Tiranisë: rrëfimi për diktaturën në romane bashkëkohore” (2017). Po ashtu, ai ka botuar: “Romani postmodern shqiptar”, monografi  (2011), “Shumë rrugë dhe një rënie”, tregime (2013), libër ky i përkthyer në gjuhën italiane në vitin 2016 dhe “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, roman (2015), tashmë disa herë i ribotuar. Në fillim të këtij viti që po lëmë pas botoi librin me tregime “Kthimi i profetit”, i cili u cilësua si libër “tematikisht provokues dhe estetitikisht sprovues”.  Në pjesën më të madhe, vlerësohet për qartësinë në të rrëfyer dhe tregime antihimnizuese, të cilat janë të përmbledhura te “Shumë rrugë dhe një rënie”

Romani

“Bartësi i shpirtrave të përzënë”  është i vetmi roman i Adil Ollurit, i cili trajton temën e  luftës së fundit në Kosovë. Ashtu si te tregimet, këtë libër e bën të veçantë pikërisht qasja ndaj kësaj teme, pa bujë dhe himnizime, pra si një rrëfim i vogël i një historie të madhe e të rëndë, siç është dëbimi i shqiptarëve nga Kosova. Kjo shpalohet përmes përjetimeve të llojllojshme të familjarëve të ndryshëm,  brenda një jave të frikshme, ku tragjedia nis me trenin, simbol ky i ikjes  dhe i shpëtimit  nga gjenocidi serb. Kjo është vetëm pamja fabulare që e përshkon trenin e dhimbjes, ndërsa ana e tjetër është mjeshtëria e rrëfimit që na sjell autori me një konsistencë prej autori e regjisori, duke kapur detajet dhe imazhet më të trishta, që vetëm gjuha e letërsisë di t’i shpalojë.

Titulli

“Bartësi i shpirtrave të përzënë” është titull pothuaj konotues. Bartësi është treni, shpirtrat – njerëzit e përzënë nga lufta. Bartësi  personifikohet dhe njëjtësohet me frymët e gjalla, një objekt që bart të gjallë e të vdekur drejt “tokës së premtuar”, për ta shpëtuar shpirtin. Titulli në njëjës, bartësi, pra objekti bëhet shpëtimtar i shpirtrave njerëzorë, një titull që nuk afishon luftën, por dhimbjen biblike e mitike, një titull që nuk shënjon identifikim nacional, etnik, një gjetje autoriale tipike për eksodin biblik.

Bartësi, treni është krejt fusha, mejdani ku ndodh gjithë ngjarja, është teatri ku ndodh drama dhe tragjedia njerëzore, është monitori prej nga shfaqen lufta për jetë a vdekje, është pikëshikimi prej nga shpirtrat vrojtojnë, vuajnë, luftojnë për mbijetesë. Duke qenë se romani i takon epikës, titulli edhe pse tregon një situatë, më shumë është lirik, sesa epik. Narracioni i këtij romani në pjesën më të madhe është retrospektiv, me narrator të gjithëdijshëm, i cili si temë trajton jetën e një familjeje treanëtarëshe që, në kohë lufte,  jetojnë të ngujuar në një banesë në Prishtinë.

Inovacioni

Vepra në fjalë mund cilësohet si një inovacion në kulturën e shkrimit pasi që, ndryshe nga autorë të tjerë, Olluri  romanin e tij  e shkroi në vetën e dytë, duke e bërë të mundur kështu një komunikim më ndryshe të autorit narrator me personazhet dhe autorit me lexuesit, përmes të cilës vetë  rrëfen sprovat, frikën dhe gjykimin ndaj vetvetes deri në imtësitë më të vogla, çka nuk ndodh zakonisht në romanet klasike.  Kjo është një frymë dhe tendencë që, përveç rrëfimit,  të na bëjë edhe vrojtues më të thellë të ngjarjes.

Dihet veta e tretë është normë për romanët klasike, ndërsa veta e dytë është tipike për tekstet funksionale, siç janë letrat, apo edhe për tekstet letrare që kanë model letërkëmbimi. Prandaj, një inovacion i tillë, në romanin e Adil Ollurit, vjen lehtë, pa përthyerje të mëdha gjuhësore, por rrëfimi e shkrimi rrjedhin natyrshëm, sa që lexuesi shpesh i rrëmbyer nga fragmentet herë-herë tragjike, herë-herë tragjike-komike, harron  vetën e dytë si referencë, duke  u bë një me përjetimet e personazheve. Në mënyrë të veçantë, kjo përhumbet kur bëhet përshkrimi i përjetimeve të familjes, e cila është boshti i rrëfimit të romanit, një përshkrim në formën më të kulluar nga autori, i cili vë në pah anën humane të njerëzve të rëndomtë përballë situatave të vërteta në luftë,  e cila shpeshherë është mitizuar në forma të ndryshme, duke kaluar deri në patetizëm dhe përmes epiteteve të ndryshme, në emër të rrëfimeve të mëdha. Prandaj mund të themi se këtu, pra në këtë roman, inovacion është edhe mënyra  se si ndërron  diskursi në një rrëfim për luftën, nga ai heroik e gati mitik, në një diskurs ‘të thjeshtë’ demitizues e antiheroik deri te formulimi motivues:Çka t’bahet me krejt, edhe me neve”.

Megjithëse, te “Bartësit të shpirtrave të përzënë”, dominues është diskursi social dhe historik në radhë të parë pasi që në qendër të romanit vihet një periudhë lufte, e cila ka vetëm dy dekada që ka përfunduar dhe për një pjesë goxha të madhe, plagët e saj ashtu si edhe kujtimet e trishta për të  janë ende të freskëta. Sado që janë të kundërta me njëra tjetrën, figura përfaqësuese të këtij romani janë analeksa dhe proleksa. Periodizimi i ndodhive gjatë kohës së luftës duke i kujtuar netët e gjata me britma, të shara e rrahje, që dukeshin se s’kanë fund, për të vazhduar me trenin dhe ndodhitë jo më pak të dhimbshme, na bëjnë të ditur një funksioanlizim të rrëfimit analektik. Mirëpo, në anën tjetër kemi lutjen dhe shpresën e vetme të protagonistëve, po edhe të gjithë atyre shpirtrave të përzënë “me pshtu pa therrë n’kambë”, çfarë vë në pah funksionalizimin edhe të rrëfimit prolektik, e cila artikulohet si dëshirë, ëndërr e secilit që gjendet në trenin luftës.

Kult dhe frikë

Për të balancuar ngjarjen, autori vë në përballje dy kulte, atë të vdekjes dhe të lindjes. Kulti i vdekjes së dy vëllezërve pranë njëri-tjetrit, ku nga dhembja dhe pikëllimi për vëllain e vrarë, tjetri revoltohet kundrejt pushtuesit, dhe që të dy vriten  dhe bien kokë me kokë, shënon një simbolikë trishtuese, por që e ngrit lart kultin e vdekjes, sepse nuk ndahen deri në vdekje, madje edhe në vdekje janë bashkë.

Në fund të romanit, autori rrëfen për  lindjen e një fëmije, e që simbolizon shpresën dhe aspiratat për një jetë më të mirë, por njëkohësisht ngrit lart kultin e lindjes, por edhe të lirisë.

Përgjithësisht,  ku roman përmbledh në vete dy luftëra: lufta nga pushtuesit, që i përzënë “shpirtrat” nga vatrat e tyre, dhe, në anën tjetër kemi luftën psikologjike që është edhe më e vështirë,  ku e vetmja simbolikë heroike është që vdekjen ta presësh qetësisht dhe të jesh  i gatshëm për orën tënde dhe deri atëherë të përballesh dhe ta dominosh frikën. Në të gjithë rrugëtimin me tren,  frika është mbizotëruesja më e madhe e gjithë veprës e cila na bën të kujtojmë një frazë të popullit “nuk ka ma t’ambël se shpirti yt”, e cila me raste na duket edhe si pjesë komike e një ngjarjeje tragjike, e cila del krejtësisht njerëzore. Personazhet gjatë gjithë kohës bëjnë orvatje të vazhdueshme për të shpëtuar veten dhe të afërmit e tyre, duke harruar shpesh se kjo dhimbje i ka pllakosur qindra mijëra të tjerë nëpër fusha e male, nën qiell të hapur.  

Hypertext në tren

Romani bartësi i shpirtrave të përzënë është një hypertext që ka bazë e ndërtohet mbi një ngjarje të vërtetë, së cilës autori i është qasur në një formë krejtësisht ndryshe nga çfarë jemi mësuar të lexojmë më parë, duke ndryshuar kështu tërësisht formatin. Në vend të heroit trim e tejet burrëror, ai vë në qendër një hero frikacak, si Bardhylin, me profesion mësues. Mozaikun e personazheve e plotësojnë Valdetja dhe Jeta, duke u pasuar edhe nga Selmani, vëllai i Bardhylit, i cili mendohet të jetë një përfitues i luftës në krahasim me vëllain e Valdetes, që  ka një karakter më luftarak, sepse u bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare  të Kosovës.  Protagonistët  Bardhyli, Valdetja dhe Jeta marrin përsipër shumë sfida të cilat edhe mund të shihen si të gjeneralizuara, nëse duam të zgjerohemi edhe më shumë në situata të tjera të familjeve shqiptare gjatë lufte.  Ndërsa, përveç ushtarëve serbë,  si antagonist, në një farë mënyre  shfaqet  edhe vëllai i Bardhylit, Selmani, i cili  i bën më të ndjeshme dhe më dramatike situatat. Në këtë kontekst,  historia e kësaj familjeje është shkruar në tri akte, duke vazhduar më tutje klasifikimin e saj në kapituj për të na njoftuar kështu për një strukturë kompozicionale prej nga rrëfimin e ndërton në disa nivele, por asnjëherë  pa humbur vijën dhe linjën kryesore fabulative, eksodin e shqiptarëve.

Po ashtu, duhetë thënë se ky roman përmban edhe elemente filmike, përfshirë këtu trenin dhe enterierin e tij, i cili po bartte shpirtra të përzënë, ku në mesin e asaj turme njerëzish, e cila po gumëzhinte sa nga të qarat, e sa nga rënkimet, po qëndronte edhe një i  pafrymë, duke mos i lënë për asnjë çast të harrojnë makthin që mund t’i zë. Ky enterier, brenda të cilit bëhet një lojë e dyfishtë psikologjike, është e përshkruar me finesa të cilat të duket se nga secili kend është vënë një objektiv i kamerës. Në anën tjetër, eksterieri përshkruhet duke vënë në fokus fshatrat e braktisura, pamje me shtëpi të djegura, që deri dje kishin kryer ritualet e përditshme njerëzore banorët jorezidentë të trenit. 

Përfundim

Që nga titulli e gjer në faqen e fundit të këtij romani, autori ka arritur që të shfaqë një anë tjetër të medaljes së luftës, të cilën e kemi njohur, por që pakkush e ka rrëfyer në frymën reale, tipike njerëzore, duke bërë që një temë e madhe, siç është lufta e fundit në Kosovë, të shtrohet  me një lirizëm të ndjeshëm dhe rrëfim tejet racional./ KultPlus.com

Një telefonatë dhe dy paradokse

(Gabriel Garsia Marquez: Erdha vetëm për të folur në telefon)

Shkruan: Gentiana Softolli

Një ndër tregimet, pothuaj gati në nivel novele, e cila është cilësuar si tekst antologjik, si për nga zhvillimi tematik, drama e personazheve, thyerjeve narrative, përmbysjet fabulare deri në paradokse është “Erdha vetëm për të folur në telefon”, të cilin provojmë t’i bëjmë një analizë tekstuale, nga niveli tematik, diskursi, modeli narrativ, tipi i narratorit dhe çështje të tjera si perspektivat e ndryshme prej nga rrëfen autori.

Tregimi “Erdha vetëm për të folur në telefon” është pjesë e librit “Dymbëdhjetë tregime pelegrine” të Marquezit dhe në gjuhën shqipe është përkthyer nga Bajram Karabolli.

Në fokus të këtij tregimi vihen përjetimet e Marias, një zonjë 27 vjeçare, e cila di prej nga niset, por jo kur përfundon. Në bazë të dhënave kontekstuale, ky tregim duket se është një hipertekst  mbi një ngjarje reale në Spanjën diktatoriale.

Udhëtimi pasionant drejt izolimit

Tregimi “Erdha për të bërë një telefonatë” nis si një udhëtim pasionant, argëtues e surprizues, e përfundon në një udhëtim dhe izolim tragjik. Ndodh diçka e paparashikuar nga lexuesi, meqë është e papritur edhe nga personazhi, autori narrator bën kthesa të mëdha fabulare, ku fati i personazhit merr udhë tjetër. 

Narratori në këtë tregim është narrator- autor, madje herë-  herë i gjithëdijshëm, i cili arrin që personazhin kryesor ta vendosë nga një situatë, në një tjetër krejtësisht të papritur për lexuesin. Protagoniste në këtë tregim është Maria, kurse antagonistë janë gardianet e spitalit (Herkulina) dhe burri i saj, i cili në fillim na paraqitet si protagonist, por që shpërfytyrohet gjatë rrjedhës së tregimit dhe në fund ndodh paradoksi i madh.

Tregimi në fjalë për nga modeli zhanror, duke qenë i gjatë, me një linjë narrative dhe një fokus fabular, mund të cilësohet edhe si një novelë, sepse ka strukturën, kompozicionin, shumësinë e personazheve anësorë.

 Struktura rrëfimore e këtij tregimi është retrospektive. Situatat dramatike janë ato që nuk na lejojnë të shkëputemi për asnjë çast nga leximi. Nëpërmjet detajeve dhe ndërhyrjeve të kohëpaskohshme narratori na rrëfen përjetime dhe afera intime të protagonistes që na adresojnë drejt një motivi (të dhunshëm) erotik.

 

Diskursi, figura dhe dy paradokse

Diskursi i këtij tregimi fillimisht është psikologjik, por lind pyetja: pse Maria u gjend pikërisht në një spital mendor dhe jo diku tjetër? Kishte ajo, vërtet, nevojë për një trajtim psikologjik?

Mënyra se si autori i ka dhënë kahje tregimit është goxha mistike dhe sigurisht se na bën kurioz. Përveç diskursit psikologjik, ky tregim ka edhe diskurs social, meqë shtjellohet tema e keqtrajtimit dhe abuzimit të femrës dhe e gjithë kjo ndodh në një vend si Spanja, e cili atë kohë udhëhiqej nga një sistem diktatorial, që na bën të dyshojmë edhe për diskurs ideologjik.

Figurat mbizotëruese të këtij tregimi janë metonimia dhe paradoksi. Personazhi kryesor në këtë rast niset për një shfaqje interesante, por që përfundon në çmendinë.

Prandaj, ky tregim në nivel novele strukturohet mbi kërkesën e një telefonate, e cila përmbyset në dy paradokse. Paradoksi i parë, njeriu normal përfundon në godinën e çmendisë. Paradoksi i dytë dhe, pothuaj më i rëndë është neglizhenca dhe heqja dorë e njeriut më të dashur nga personazhja fatkeqe, viktimë e një sistemi totalisht të padrejtë dhe neglizhent.

Mirëpo, më paradoksale janë copëzat për të cilat autori na lë ne që t’i plotësojmë e që mund t’i japin një kahje krejtësisht tjetër tregimit p.sh.; përse Maria hipi në një autobus pa e ditur se ku po e dërgonte? Pse ajo nuk e pyeti askënd se për ku po udhëtonin? Si ajo mundi të flinte në autobus me gjithë problemet që ajo ishte duke i kaluar, dhe a ekzistonte mundësia që gruaja me të cilën Maria ishte ulur në autobus të kishte informacione në lidhje me situatën të cilën ishte futur Maria? Të gjitha këto janë pyetje që ngjallin vërtet dilema në interpretim, por duke qenë Marquezi një mjeshtër i mirë i situatave, lë hapësirë për shumëkuptimësi, dilema dhe madje kah të nisesh dhe ku ta përfundosh interpretimin. 

Kulmi dramatik

Ajo që është diskutuar nëpër rrjete të ndryshme sociale, madje edhe nga kritika akademike, mund të konkludojmë se,  “Erdha vetëm për të folur në telefon” është një hipertekst mbi një ngjarje reale, një novelë në të cilën rrëfehen ndodhitë e Marias, një femër 27 vjeçare me origjinë meksikane, e cila duke u kthyer në shtëpi pas një vizite që i kishte bërë disa familjarëve të saj pëson një dëmtim të makinës ku edhe fillon e gjithë ngjarja.

Situata merr tjetër drejtim kur Maria përfundon në çmendinë vend të cilin as që do ta kishte imagjinuar. Ngjarja bëhet edhe më dramatike kur ndaj saj fillojnë keqtrajtime nga gardianet e spitalit. Pas shumë përpjekjeve arrin që ta njoftojë burrin e saj për gjendjen në të cilën ndodhej, pikë kjo e cila shënon kulminacionin dramatik në tregim kur ai fillon të dyshojë që Maria është vërtet një e çmendur. Me kalimin e kohës thuhet se ajo ishte adaptuar me jetën në çmendinë çka na njofton për fundin tragjik të protagonistes, kështu që edhe njeriu më i afërt i saj, për habi, bindet dhe heq dorë nga mikja e tij e jetës.

Në fund

Me gjithë kthesat dhe misteret e këtij tregimi autori na ka dhuruar një përvojë tejet interesante edhe përkundër fundit tragjik. Njëri prej mesazheve që na ofrohet është mënyra e trajtimit të një femre po prej femrave. Jo të gjithë na duan pa kushte, ndonjëherë egoja mund ndjenjat dhe dashurinë dhe udhëtimet jo gjithmonë përfundojnë ashtu siç ne parashikojmë. Mund të dimë për ku nisemi, por nuk mund të dimë se ku do të përfundojmë. (Autorja është studente e vitit të dytë në Fakultetin e Filologjisë, dega e Gjuhës shqipe