Pse njerëzit bërtasin?

Një ditë, një mendimtar indian pyeti dishepujt: “Pse njerëzit bërtasin kur ata janë të zemëruar?”. “Bërtasin për shkak se e humbasin qetësinë e tyre”, tha njëri prej tyre. “Por pse të bërtasësh nëse personin e ke pranë?”, pyeti sërish mendimatri.

“Epo, ne bërtasim sepse duam që personi tjetër të na dëgjojë”, u përgjigj një tjetër dishepull. Dhe mësuesi u kthye me pyetjen: “A nuk mund të flisni me të me zë të ulët?. U dhanë përgjigje të tjera të ndryshme, por asnjëri nuk e ka bindur mendimtarin.

Pastaj ai shpjegoi: “A e dini pse i bërtisni një personi tjetër kur jeni të zemëruar? Fakti është se kur dy njerëz janë të zemëruar, zemrat e tyre largohen shumë. Për të mbuluar këtë distancë duhet të bërtisni për të dëgjuar. Sa më shumë të zemërohen ata, aq më fort do të duhet të bërtasin për të ndjerë njëri-tjetrin.

Nga ana tjetër, çfarë ndodh kur dy njerëz janë në dashuri? Ata nuk bërtasin, flasin me zë të ulët. Dhe pse? Sepse zemrat e tyre janë shumë afër. Distanca ndërmjet tyre është e vogël. Ndonjëherë zemrat e tyre janë aq afër sa që as nuk flasin, thjesht pëshpërisin.

Dhe kur dashuria është më intensive, nuk është e nevojshme të pëshpëritësh, thjesht shikohesh në sy. Zemrat e tyre janë bërë një e vetme. Kjo është ajo që ndodh kur dy njerëz që e duan njëri-tjetrin afrohen”.

Së fundmi, mendimtari përfundoi duke thënë: “Kur debatoni apo diskutoni, mos lejoni që zemrat tuaja të largohen, mos thoni fjalë që mund t’i ndalni, sepse do të vijë një ditë kur distanca do të jetë kaq e madhe saqë ata kurrë nuk do ta gjejnë më rrugën e kthimit”. (Gandhi) / KultPlus.com

Syzet e Gandhit shiten për gati 300 mijë euro

Një palë syza, që besohet se i takonin liderit politik indian, Mahatma Gandhit janë shitur për gati 300 mijë euro në një ankand publik, të premten.

Syzet janë blerë nga një koleksionues amerikan, me ankandin që zgjati vetëm gjashtë minuta. Syzet ishin gjetur pasi pronari i tyre i kishte lënë në një zarf të bardhë në kutinë e postës së shtëpisë së ankandeve në Bristol të Britanisë së Madhe.

Ato fillimisht ishte pritur që të shiteshin në një çmim deri në rreth 20 mijë euro, ndërsa në fund u shitën për 288 mijë euro.

Nga shtëpia e ankandeve kanë thënë se pronar i syzeve ka qenë një person i moshuar që kishte thënë se do t’i ndante paratë me të bijat e tij. Ato ishin bartur brez pas brezi në familjen e tij, qysh kur një i afërm kishte takuar Gandhin në një vizitë në Afrikën e Jugut në vitet e ’20-a, shkruan BBC.

Pronari i tyre i kishte lënë syzet në një të premten në mbrëmje, ndërsa kutia e postës nuk ishte hapur deri të hënën. Nga ankandi kanë thënë se ato lehtë kanë mundur të përfundonin në kopsht mbeturinash. / KultPlus.com

72 vjet nga vdekja e Mahatma Ghandit, njeriut të paqes

Mahatma Ghandi një udhëheqës i shquar politik dhe ideologjik i Indisë gjatë “lëvizjes indiane për pavarësi”. Ishte i pari i lëvizjes që kishte për bazë fuqinë e shpirtit (Satyagraha ), shkruan KultPlus.

Sot, në 72 vjetorin e vdekjes së njërës prej figurave më të shquara të historisë botërore të paqes, KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të fuqishme të tij.

-Jeta ime është mesazhi im.

-Lumturia është kur ajo që mendon, ajo që thua dhe ajo që bën janë në harmoni mes tyre.

-Në fillim të injorojnë, pastaj qeshin me ty, pastaj të luftojnë, dhe pastaj ti fiton.

-Jo-dhuna është forca më e madhe në dispozicion të njeriut. AJo është më e fuqishme edhe se arma më e fuqishme e shkatërrimit që njeriu ka krijuar ndonjëherë.

-Urre mëkatin, duaje mëkatarin.

-Njeriu i mirë është mik i të gjithë gjërave të gjalla.

-Unë e kundërshtoj dhunën, sepse kur ajo duket se po bën mirë, e mira është vetëm e përkohshme; ndërsa e keqja që ajo shkakton, është e përjetshme.

-Cfarë është e vërteta? Pyetje e vështirë, por unë për vete e kam zgjidhur, duke thënë se ajo është “ajo që zëri i brendshëm të thotë”.

-Të dobëtit nuk mund të falin asnjëherë. Falja është virtyt i të fortit.

-Asgjë nuk më ka trishtuar më shumë në jetë, se sa ngurtësia e zemrës së njerëzve të arsimuar.

-Ti duhet të jesh ndryshimi që dëshiron të shohësh në botë.

-Shëndeti është pasuria e vërtetë, dhe jo copat e floririt dhe argjendit.

-Mënyra më e mirë për të gjetur veten, është ta humbasësh veten në shërbim të të tjerëve.

-Nuk duhet të humbasësh besimin tek njerëzimi. Njerëzimi është një oqean; nëse disa pika në oqean janë të pista, vetë oqean nuk bëhet i pistë.

-E ardhmja varet nga ajo që bën sot.

-Kur admiroj bukurinë e perëndimit të diellit apo bukurinë e Hënës, shpirti im zgjerohet në adhurim të krijuesit.

-Dallimi mes asaj që bëjmë dhe asaj që jemi në gjendje të bëjmë, do të mjaftonte për të zgjidhur problemet e botës.

-Mund të mos dish asnjëherë se cfarë rezultatesh do të kenë veprimet e tua, por nëse nuk bën asgjë, nuk do të kesh rezultate.

-Paqja është arma më e fuqishme e njerëzimit.

-Të humbasësh durimin është të humbasësh betejën.

-Jeto sikur do të vdesësh nesër. Mëso sikur do të jetosh përgjithmonë.

-Intoleranca është në vetvete një formë dhune dhe një pengesë për rritjen e një shpirti të vërtetë demokratik.

-Mosmarrëveshja e ndershme është shpesh herë një shenjë e mirë progresi.

-Në botë ka mjaftueshëm për nevojat e njeriut, por jo për babëzinë e njeriut. / KultPlus.com