Sot bëhen 112 vjet nga Kongresi i Manastirit

Me 14 nëntor të vitit 1908 në Manastir filloi punimet Kongresi i Alfabetit dhe Kongresi i Manastritit, që për qëllim kishin krijimin e një alfabeti të njehsuar, që pritej të shënonte edhe fillimin e letërsisë mbarë shqiptare.

Në këtë kongres kanë qenë të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. Poashtu edhe nga komunitetet tjera shqiptare nëpër botë, si nga Rumania, Italia, Greqia, Turqia, Amerika, Egjipti etj.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, ai ishte në atë kohë redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik “Liria” dhe “Dituria”. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së Vashave në Korçë.

Kumtesa e mbajtur nga prifti katolik Gjergj Fishta, preku të gjithë pjesëmarrësit sa një hoxhë rendi ta përqafonte para të gjithëve. Kërkesa ishte që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin.

Kongresi vendosi me votë unanime për të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe të shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, alfabet që përdoret në ditët tona.

Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë, në Janinë, për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njehsuar shqipe.

Kongresi vendosi ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave shqipe.

Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe fliste 13 gjuhë, mbi gjuhën shqipe ai nuk vinte gjë tjetër.

Dom Ndre Mjeda i thuri vargjet, ndoshta më të bukura gjuhës shqipe në atë kohë :

Përmbi za, që lëshon bylbyli,

gjuha shqipe m’shungullon,

Përmbi erë, qi nep zymbyli,

pa ‘da zemrën ma ngushëllon.                                                                   

Gegë e toskë, malësi, jallia,

jan nji komb, m’u ‘da s’duron,

fundë e majë nji asht’ Shqipnia, e nji gjuhë t’gjith na bashkon…./ KultPlus.com