Luigj Gurakuqi, përkujtohet me ekspozitë në Bari në 100-vjetorin e ndarjes nga jeta

Në kuadër të 100-vjetorit të ndarjes nga jeta të Luigj Gurakuqit, një prej figurave më të ndritura të historisë shqiptare, Arkivi i Shtetit në Bari, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, hapi një ekspozitë të veçantë kushtuar jetës dhe veprimtarisë së tij.

Ekspozita paraqet një ndërthurje të dokumenteve origjinale dhe materialeve të digjitalizuara, që hedhin dritë mbi kontributin e Gurakuqit në formësimin e shtetit shqiptar, nga Rilindja Kombëtare deri në përfshirjen e tij në jetën politike, kulturore dhe institucionale të vendit.

Ky aktivitet është pjesë e një serie të ngjeshur ngjarjesh që DPA ka zhvilluar në Itali, përfshirë Konferencën IX Mbarëkombëtare të Arkivistikës në Shën Mitër, vizitën në komunitete arbëreshe në Kalabri dhe Pulja, si dhe bashkëpunime me institucione si Universiteti i Kalabrisë, Dioqeza e Rosanos dhe Arkivi i Barit.

Përmes kësaj ekspozite, Gurakuqi nuk përkujtohet vetëm si një figurë historike, por si një simbol i lidhjes së fortë kulturore e historike midis Shqipërisë dhe Italisë./atsh/ KultPlus.com

‘Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue’

Poezi nga Luigj Gurakuqi 

Me gusht shkon vapa e me djelmni kalojnë
Gjith prrallat e kohës s’re;
Si n’dimën bora dhenë, kryet na zbardhojnë
Vjetët e kujdeset ne!

Me lule t’ershme e larca m’dukej shtrue
Bota sa ishe i ri;
N’gaz shkonte jeta, s’m’epej kurr m’u ankue,
Kurr zemra s’m’ndjellte zi.

Andrra t’kandshme m’livrojshin nëpër mend
Si flutra pa ia da!
T’lum si vedin nuk njifshe tjetër kend,
Nuk dijshe kurr me kja.

Zanat tek unë shpesh zdrypshin e n’Mal Shejt
M’flakrojshin me mendim;
E vetë, sa niste Apolli me dridhë pejt,
Ia thojshe kangës me gzim.

Shum herë te bregu i prronit mbulue prej barit
Ku, rrokun dorë për dorë,
Valles ia krisshin nymfat me flokë arit,
E mblidheshin kunorë.

Shkojshe prej nadjes, e nën t’kandshmen hije
T’njij lisi veshun n’gjeth,
Për t’gjatë e shtrijshe, e t’etshëm bukurije,
Syt sillshe rreth e rreth.

Rrjedha e ujit përcillë me fyell t’barisë,
Me delet tue kullotë,
M’thirrte gjumin, un’ ndejë në prehën t’gjithsisë
Nisshe ngapak m’u kotë.

Era, tue shkelë mbi lule pa lanë gjurmë,
Me flokët e mij tue luejtë
Shkonte: vetë flejshe… Engjujt, pa ba zhurmë,
Zhdrypshin nën krahë m’ m’ruejtë!

Por! andrrat sot kaluen, prrallat djelmnore
Janë zhdukun e kanë tretë;
Ideve t’bukra, shpresavet lulzore
Veç emni u ka mbetë.

Oh! jeta përnjimend me rrena e vaj
Plot qenka n’kët botë t’lashtë!
U shueka tepër shpejt lakmimi i saj,
Si zjarmi i bam’ me kashtë.

Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
Mjer’ ai qi nuk qindron! /KultPlus.com