Hakerat misteriozë në rolin e ‘Robin Hood’, dhurojnë në internet paratë e vjedhura

Një grup hakerësh, po cilësohen si Robin Hood të teknologjisë, pasi po dhurojnë paratë e vjedhura për bamirësi. Hakerët e “Darkside” pretendojnë se kanë zhvatur miliona dollarë nga kompanitë, por tani duan të “bëjnë botën një vend më të mirë”.

Në një postim në “rrjetin e zi”, ata postuan fatura 10.000 dollarëshe në donacione Bitcoin për dy organizata bamirësie. Njëra prej tyre, Children International, deklaroi se nuk do t’i mbajë paratë.

Kjo lëvizje po shihet si një zhvillim i çuditshëm, si moralisht ashtu dhe ligjërisht.

Në postimin e datës 13 tetor, në blog, hakerët pretendojnë se ata sulmojnë vetëm kompanitë e mëdha fitimprurëse, që do të thotë se sulmet mbajnë peng sistemet e Teknologjisë Informative (TI) të organizatave, derisa të paguhet një shpërblim.

“Ne mendojmë se është e drejtë që disa nga paratë që kompanitë kanë paguar do të shkojnë për bamirësi. Pavarësisht sa keq mendoni për punën tonë, ne jemi të kënaqur të dimë që ndihmuam për të ndryshuar jetën e dikujt. Sot ne dërguam donacionet e para”, thuhet në postimin e hakërreve.

Kriminelët kibernetikë postuan donacionin së bashku me faturat e taksave që morën në këmbim të 0.88 Bitcoin, që u kishin dërguar dy organizatave bamirëse, The Water Project dhe Children International.

Por ndërsa, Save the Children nuk pranoi ndihmë, Water Project, e cila punon për të përmirësuar aksesin në ujë të pastër në Afrikë, nuk u është përgjigjur kërkesave për komente.

Grupi i hakerëve Darkside është relativisht i ri në skenë, por në mënyrë aktive po zhvasin fonde nga “viktimat e tyre kibernetike” dhe ka prova se mund të kenë lidhje edhe me grupe të tjera, përgjegjëse për sulmet e profilit të lartë ndaj disa kompanive./ KultPlus.com

Hakerët vënë në shitje mbi 73 milionë të dhëna të përdoruesve

Një grup hakerësh, të quajtur “ShinyHunters”, pretendojnë se kanë hakuar dhjetë kompani dhe se tashmë janë duke shitur bazën e të dhënave të përdoruesve të tyre në një treg të zi në internet për produktet ilegale.

Këta hakerë janë grupi i njëjtë që kanë hakuar javën e kaluar “Tokopedian”, dyqanin online më të madh në Indonezi, transmeton Koha. Hakerët fillimisht kanë publikuar falas 15 milionë të dhëna të përdoruesve, por më vonë kanë vendosur në shitje tërë bazën e të dhënave të 91 milionë përdoruesve të kësaj kompanie për 50,000 dollarë.

I inkurajuar nga fitimi i marrë nga “Tokopedia”, i njëjti grup gjatë kësaj jave ka radhitur bazat e të dhënave të dhjetë kompanive tjera, shkruan zdnet.

Këtu përfshihen bazat e të dhënave të përdoruesve që pretendohet se janë vjedhur nga organizatat e tilla si:

  • Aplikacioni për takime online – Zoosk (30 milionë të dhëna të përdoruesve)
  • Shërbimi për printim – Chatbooks (15 milionë të dhëna të përdoruesve)
  • Platforma jug-koreane për modë – SocialShare (6 milionë të dhëna të përdoruesve)
  • Shërbimi për shpërndarje të ushqimit – Home Chef (8 milionë të dhëna të përdoruesve)
  • Tregu online – Minted (5 milionë të dhëna të përdoruesve)
  • Gazeta online – Chronicle of Higher Education (3 milionë të dhëna të përdoruesve)
  • Revista jug-koreane për mobilieri – GguMim (2 milionë të dhëna të përdoruesve)
  • Revista për shëndet – Mindful (2 milionë të dhëna të përdoruesve)
  • Dyqani online indonezian – Bhinneka (1.2 milion të dhëna të përdoruesve)
  • Gazeta amerikane – StarTribune (1 milion të dhëna të përdoruesve)

Bazat e të dhënave të listuara arrijnë në total prej 73.2 milionë të dhëna të përdoruesve, të cilat hakerët po i shesin për rreth 18,000 dollarë për secilën bazë të të dhënave.Foto: ZDNet

Gjithashtu, ky grup hakerësh ka publikuar disa mostra nga disa bazat e të dhënave të vjedhura, të cilat ZDNet i ka verifikuar se përfshijnë të dhëna legjitime të përdoruesve – për mostrat ku janë dhënë detajet e përdoruesve.

Por autenticiteti i disa bazave të të dhënave nuk mund të verifikohet për momentin, sidoqoftë, burimet nga komuniteti i ekspertëve për kërcënime të tilla si Cyble, Nightlion Security, Under the Breach dhe ZeroFOX besojnë se “ShinyHunters” është një aktor kërcënues legjitim.

Disa besojnë se grupi “ShinyHunters” ka lidhje me “Gnosticplayers”, një grup hakerësh që ishte aktiv vitin e kaluar dhe i cili ka shitur më shumë se një miliard kredenciale në tregun e zi në internet, pasi operojnë në mënyrë gati të njëjtë. /KultPlus.com