“1970”, albumi luksoz që sjell edhe bashkëpunimet e rralla të Dylanit e Harrisonit

New York, 21 dhjetor (Variety.com) – Bashkëpunime të rralla mes Bob Dylanit dhe George Harrisonit do të përfshihen në një ripublikim luksoz të titulluar “Bob Dylan – 1970” që pritet të dalë më 26 shkurt, ka bërë me dije “Legacy Recording” nga “Sony Music Entertainment”.

Përmbledhja do të përfshijë edhe skena të mëparshme të papublikuara në albumet e Dylanit “Self Portrait” dhe “New Morning”, që erdhën njëri pas tjetrit më 1970.

Kolonat e Harrisonit, që u publikuan javën e kaluar në një sasi të paktë me qëllim që Dylani të ruante të drejtat autoriale, përfshijnë një sesion të plotë studioje që përkap çiftin performues në nëntë kolona, përfshirë origjinalet e Dylanit (të tilla si “One Too Many Mornings,” “Gates of Eden,” “Mama, You Been On My Mind”), coverë (“All I Have to Do Is Dream,” Carl Perkins’ “Matchbox” të Everly Brothers) si dhe shumë të tjera. Asokohe dyshja kishte bashkëpunuar shpesh; kolona “I’d Have You Anytime” me të cilën hapet debutimi mjeshtëror i Harrisonit më 1970, është një kompozim i përbashkët, ani pse Dylani nuk luan në versionin e publikuar.

Sesioni vjen nga një kohë kur Dylani tashmë ishte lodhur nga trillet e famës dhe veçmas nga humbja e privatësisë, dhe rrjedhimisht realizoi kastile një album për të cilin kishte thënë se e dinte që adhuruesit do ta urrenin, e që përfundoi me një përmbledhje gjithë rrëmujë të quajtur “Self Portrait”.

Vetë Dylani e kishte shpjeguar motivimin për një gjë të tillë në një intervistë të vitit 1984 për “Rolling Stone”. Pasi foli për mungesën e privatësisë, Dylani tha: “Do të ketë turma jashtë shtëpisë sime. Dhe thashë, ‘Paj, në djall gjithçka. Do të doja që këta njerëz thjesht të më harronin. Dua të bëj diçka që ata me gjasë nuk do ta pëlqejnë. Ata do ta shohin atë, do ta dëgjojnë e do të thonë: ‘Eh, le të shkojmë te dikush tjetër. Ai s’po ia thotë më. Ai nuk po na e jep atë që duam’ Ata do të shkojnë te dikush tjetër. Por e gjithë ideja pësoi keqazi. Për shkak se albumi doli atje, njerëzit thanë: ‘Kjo nuk është ajo çfarë duam’ e u bënë edhe më të pezmatuar”.

“Self Portrait” mori pranimin që ai e priste, dhe vetëm katër muaj më vonë, ai e pasoi me “New Morning”, që ishte incizuar në të njëjtën kohë.

Sipas lajmeve më të fundit, Dylani shiti katalogun e tij të plotë të publikimeve, që përfshin pothuajse të gjitha kompozimet e tij te “Universal Music Publishing” në një marrëveshje që, sipas burimeve, ishte mes 300 dhe 400 milionë dollarësh. / Koha.net / KultPlus.com