TKK në 7 vjetorin e vdekjes kujton ish drejtorin Hazir Myftari: Vepra e tij është monumentale

Teatri Kombëtar i Kosovës ka kujtuar sot në 7 vjetorin e vdekjes, ish drejtorin e këtij teatri dhe njëherësh aktorin e njohur, Hazir Myftari, shkruan KultPlus.

“Janë bërë 7 vite që kur ka ndërruar adresë – për të marrë adresën e përjetësisë, aktori i Teatrit Kombëtar, emër i përveçëm i skenës, i filmit artistik dhe i Kulturës Nacionale të Kosovës – Hazir Myftari”, shkruhet ndër të tjera në përkujtimin e TKK-së.

Ata tutje kanë shkruar se veprat e Myftarit janë monumentale, kurse rolet e tij, të interpretuara ndër vite dhe dekada, e bëjnë atë të veçuar, të nderuar dhe të respektuar në kronologjinë e fakteve historike dhe kulturore.

“Andaj, në shenjë të kontributit jetik, ne, si pasthirrmë e jehut të tyre, do ta kujtojmë Hazir Myftarin, për peshën e fjalës skenike dhe për këmbënguljen e Tij, që emri i Teatrit Kombëtar, sot e për mot, të marrë formë dhe përmbajtje kombëtare.”, shkruhet tutje.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë: 

Duke e kujtuar ish Drejtorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës – aktorin Hazir Myftari!

Janë bërë 7 vite që kur ka ndërruar adresë – për të marrë adresën e përjetësisë, aktori i Teatrit Kombëtar, emër i përveçëm i skenës, i filmit artistik dhe i Kulturës Nacionale të Kosovës – Hazir Myftari.

Vepra e tij në relacion me të bëmat e Tij, është monumentale, ndërsa rolet e Tij, të interpretuara ndër vite e dekada, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dhe përtej saj, atë, e bëjnë të veçuar, të nderuar dhe të respektuar në kronologjinë e fakteve historike – kulturore.

Teatri Kombëtar i Kosovës, sipas dëshmive dhe dëshmitarëve konkret, ka lulëzuar, është ngritur dhe fuqizuar në shkallë profesionalizimi, duke u bërë konkurent serioz me festivalet e njohura të kohës, brenda luksit të hapësirave gjeografike rajonale.

Andaj, në shenjë të kontributit jetik, ne, si pasthirrmë e jehut të tyre, do ta kujtojmë Hazir Myftarin, për peshën e fjalës skenike dhe për këmbënguljen e Tij, që emri i Teatrit Kombëtar, sot e për mot, të marrë formë dhe përmbajtje kombëtare.  

Menaxhmenti i Teatrit Kombëtar të Kosovës/ KultPlus.com