Serbia nuk po gjen qetësi nga “goditja” pro NATO e nobelistes Müller

E gjithë kjo pasi Müller ka marrë guximin të thotë në Beograd atë që tashmë e kanë thënë ose mbështetur shumë intelektualë e shkrimtarë të rangut botëror: bombardimet e Nato-s kanë ardhur si rezultat logjik i luftërave që ka ndezur Millosheviçi.
Fituesja e çmimit Nobel për letërsi, Herta Müller, që është pjesëtare e pakicës gjermane të Rumanisë, me deklaratën e saj në favor të bombardimit të Serbisë nga ana e Natos ka shkaktuar “dridhje tektonike” të llojit të vet në Serbi. Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga kjo deklaratë, mediet në gjuhën gjermane vazhdojnë t`i japin hapësirë kësaj “stuhie” në miniaturë që ka shkaktuar në Beograd shkrimtarja e shquar.

Porosia e gjithë deklaratës së shkrimtares Müller me pak fjalë është kjo: “Serbia ende nuk është ballafaquar asnjëherë me historinë e saj” dhe këtë duhet ta bëjë sa më parë, transmeton albinfo.ch meddiet gjermane, zvicerane e austriake. Prezantimi i saj në panairin e librit në Beograd përfundoi me reagime nervoze dhe me klithma proteste, duke e bërë brenda pak çastesh shkrimtaren rumuno-gjermane “armikun numër një” të Serbisë. E gjithë kjo pasi Müller ka marrë guximin të thotë në Beograd atë që tashmë e kanë thënë ose mbështetur shumë intelektualë e shkrimtarë të rangut botëror: bombardimet e Nato-s kanë ardhur si rezultat logjik i luftërave që ka ndezur Millosheviçi. Për krtë arsye, ajo i ka rekomanduar shoqërisë serbe që të bëjë një përpunim kritik të përgjegjësisë së vet historike.

Kjo ka bërë që shtypi i afërm me pushtetin të shpërthejë në akuza ndaj shkrimtares, ndërsa një gazetë bulevardeske madje e ka quajtur shkrimtaren “mbeturinë”. Dhe, shqetësimi në Serbi po vazhdon, në vendin që e identifkon veten si viktimë të konspiracionit botëror nën udhëheqjen e SHBA-së, me pjesëmarjen e Gjermanisë, Austrisë dhe Vatikanit.

Mediat në gjuhën gjermane paraqesin reagimet e shkrimtarëve dhe artsitëve të shumtë serbë ndaj deklaratës bombë të shkrimtares Müller. Ndër ta nuk bën të mungojë regjisori kontrovers, boshnjaku i konvertuar në serb dhe adhuruesi i dëshmuar i Millosheviçit, Emir Kusturica. Ai citohet të ketë thënë se “do të ishte më mirë që Müller të ishte ftuar në ndonjë paradë ushtarake ose panair automobilësh dhe jo në një panair libri”. Kusturica madje ka thënë se po të ishte e drejtë juria e Nobelit, ajo në vitin 2009 këtë çmim do t`ia ndante “shkrimtarit më të madh të gjallë austriak, Peter Handke-s e jo Herta Müllerit”, transmeton albinfo.ch. Të kujtojmë: Handke është një shkrimtar jo vetëm proserb por edhe pro Millosheviçian, ashtu sikurse edhe Kusturica.

Shkrimtarë tjerë madje ia mohojnë edhe talentin, duke thënë se Müller është një shkrimtare fare e rëndomtë dhe më shumë se shkrimtare është aktiviste politike që ndjell frikë e urrejtje.

Shfryrja e qarshisë serbe kundër shkrimtares me rrënjë gjermane po vazhdon ndërkohë që zëra të arsyeshëm të shoqërisë së atjeshme përpiqen të argumentojnë drejtësinë e deklaratës së saj.

Nobelistja gjermane në Beograd: Serbia ia ka sjellë të keqen vetës, qytetarët e Serbisë duhet të mësohen të jetojnë me të vërtetën

Shkrimtarja gjermane, nobelistja Herta Müller, e cila ka marë pjesë në diskutimin e saj në “Logika 29”, nw Beograd, bashkë me Ivan Invanjijem dhe shkrimtarin gjerman Mihaelom Martensom ka diskutuar mbi zhvillimet në ish Jugosllavi, përcjellë KultPlus.

Ajo me këtë rast, duke iu referuar luftërave të fundit në ish Jugosllavi, duke potencuar edhe Kosovën dhe Bosnjën, ka thënë se Serbia ia ka sjellë të keqen vetës, dhe se qytetarët e Serbisë duhet të mësohen që të jetojnë më të vërtetën.

“Kanë ndodhë shumë gjëra”, ka thënë shkrimtarja nobeliste, duke iu referuar vuajtjeve të Kosovës dhe Bosnjës, dhe sipas saj, ishte një nacionalizëm i tmerrshëm. “Isha e frikësuar, ishte një nacionalizëm i tmerrshëm. Unë nuk kam prit nga një vend sikurse ishte Jugosllavia të shpërthente nacionalizmi në të. Serbët vet kanë shkaktuar të keqen në vetvete”, ka thënë mes të tjerash ajo, e cila në këtë debat ka diskutuar edhe për Millosheviqin e Putinin./KultPlus.com