Djali shqiptar

Poezi nga Hil Mosi

Unë jam nji bir shqiptari
e Shqipninë e due.
Kujdes na la i pari
m’e dashtë e m’e nderue.

Se ne atë e kemi nanë,
prandaj s’do lodhem kurr’ tue thanë:
Un’ jam nji bir shqiptari
e Shqipninë e due.

Un’ jam nji bir iliri
e i lirë un’due me mbetë;
për çfardo xhevahiri
Shqipnin’ s’e jap përjetë.

Un’ kombin kurr s’kam m’e mohue,
gjithmonë, gjithkund ka m’u diftue:
Un’ jam nji bir arbnori,
shqiptar besnik i mirë.


Kanga e të vorfnit

Poezi nga Hil Mosi

Prind nuk kam
I vorfën jam
E rroben kam të vjetër,
Me buk’ e krypë,
Që rri tue lypë,
Kaloj prej ditës m’nji tjetër.

Nuk kam shtëpi,
As se ku rri:
Ndër rruga un’ kam mbetun!
Pothuej gjith’ herë,
Se nën nji derë
Un’ natën shkoj me fjetun.

Gjith’ bota lot
E kush s’ma thot’
Nji fjalë që me m’gushlluemun.
Njerzi pse m’qeshë,
Pa buk’ e veshë,
Që kurr nuk jam i gzuemun?!/KultPlus.com