Historia e Voskopojës rikthehet përmes botimit ‘Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan’

Historia komplekse e Voskopojës është rikthyer edhe njëherë në vëmendjen e Akademisë së Shkencave nëpërmjet botimit  “Qytetërimi i Voskopojës dhe shekulli i iluminizmit në Ballkan”

Sipas studiuesve kjo histori duhet pare përtej paragjykimeve nacionaliste dhe fetare rajonale që kanë penguar studimin e vërtetë të origjinës së qytetërimit të Voskopojës, ku edhe Kodiku i Voskopojës është mohuar sistematikisht nga studiues të ndryshëm për qëllime nacionaliste .

 “ A ka qenë Voskopoja shqiptare, arumune, greke apo bullgare? Kjo ishte çështja, ky ishte shqetësimi? Në ligjëratën e tij imzot Joan Pelushi, mitropolit i Korçës, sjell në vëmendje kodikun e Manastirit të Shën Podhromit. Ai flet thjesht për banorë të Voskopojës, që jetonin në paqe dhe dashuri me njëri tjetrin, që e donin qytetin e tyre , e bënin gjithçka për të ndërtuar, zbukuruar e qytetëruar atë.

Depërtimi në dokumentet veneciane ka bërë që studiuesit të depërtojnë në historinë e vërtetë të Voskopojës, tha Xhufi dhe vlerësoi tezat e autorëve të këtij botimi   për nga nga karakteri gjithëpërfshirës e reptësisht shkencor i materialeve të paraqitura”, tha historiani Pëllumb Xhufi.

“Prof. Shaban Sinani evidenton lidhjet e varësisë dhe ndërvarësisë që ekzistonin mbi Voskopojë dhe qendrave të tilla, si Kostandinopja, Ohri, Berati, Vlora, e më tej Roma apo Venecia. Lidhjet që për një kohë i shkuan mbroth shkëlqimit kulturor dhe ekonomik të qytetit. Por që me vonë ndikuan për të shkaktuar rënien e tij”, tha Xhufi.

Voskopoja e këtij shekullit (XVIII) është dhe mbetet një shembull rrezatues i përhapjes të dijes, kulturës, jetesës dhe bashkëjetesës së etnive të ndryshme në harmoni dhe progres unik.

 “Voskopja është një simbol i bashkëjetesës paqësore të popujve. Ajo arriti të shkrijë dhe harmonizojë identitetet e popujve që ishin  mësuar të jetonin në një simbiozë të përkryer antropologjike. Ndoshta pikërisht këtu e kemi shpjegimin e fenomenit Voskopojë”, tha studiues Matteo Mandala.

Pikërisht ky komunikim, ky bashkëveprim dhe këmbim i lirë i kulturave, ideve, mendimeve, filozofive dhe gjuhëve diverse i dha shtysë atij zhvillimi ekonomik, kulturor, arsimor, tregtar, etj., duke e kthyer shumë shpejt këtë qytezë, në një prej qendrave urbane më të lulëzuara dhe rrezatuese në Ballkan./Top Channel/ KultPlus.com