Human Rights Watch: Azerbajxhani po i trajton çnjerëzisht të burgosurit e luftës

Organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” ka thënë se trupat etnike armene që janë zënë gjatë luftimeve në Nagorno-Karabak janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore në shumë raste nga forcat azere.

Në videot që po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale shihen ushtarët azerë duke i goditur me shuplaka dhe shqelma të burgosurit e luftës, tha kjo organizatë në një raport të ri.

Të burgosurit armenë shihet se janë të detyruar që ta puthin flamurin e Azerbajxhanit, ta lavdërojnë presidentin azer, Ilham Aliyev, ta shajnë kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, dhe të deklarojnë se rajoni i Nagorno-Karabakut i takon Azerbajxhanit, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Ndonëse me ligjin humanitar ndërkombëtar dhe legjislacionin përkatës për konfliktet e armatosura kërkohet nga të gjitha palët që të burgosurit e luftës t’i trajtojnë në mënyrë njerëzore në të gjitha rrethanat, në videot që po qarkullojnë, fytyrat e personave që përdorin dhunë janë të dukshme, duke lënë të kuptohet se ata nuk kanë frikë se do të japin përgjegjësi, thuhet në raportin e organizatës “HRW”.

Të burgosurit e luftës mbrohen me Konventën e Tretë të Gjenevës, sidomos kundër akteve të dhunës, frikësimit, fyerjeve dhe paraqitjes publike.

“Nuk mund të ketë justifikim për trajtimin e dhunshëm dhe dëmtues të të burgosurve të luftës”, tha Hugh Williamson, drejtor i kësaj organizate për Evropë dhe Azi Qendrore.

“Ligji humanitar është absolutisht i qartë për detyrimin për t’i mbrojtur të burgosurit e luftës. Autoritetet e Azerbajxhanit duhet të sigurohen që ky trajtim të përfundojë menjëherë”, shtoi ai.

Ndonëse numri i saktë nuk dihet, zyrtarët armenë i kanë thënë organizatës “Humans Rights Watch” se Azerbajxhani është duke mbajtur dhjetëra të burgosur të luftës të përkatësisë etnike armene. / KultPlus.com

Human Rights Watch: Të ndalohen robotët vrasës

Robotët marrin në kontroll botën dhe vrasin të gjithë njerëzimin. Sipas organizatës së të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, robotët vrasës nuk janë edhe aq shumë fantazi. Organizata bën thirrje për të përpiluar legjislacionin e duhur kundër “robotëve vrasës” duke ndaluar me ligj armët plotësisht të automatizuara.

“Heqja e kontrollit njerëzor nga përdorimi i forcës konsiderohet gjerësisht si kërcënim i madh i njerëzimit, që, sikurse ndryshimet klimatike, meriton të ndërmerren masa të shumta”, tha Mary Wareham, pjesëtare e Human Rights Watch, në një deklaratë për mediat.

Raporti i cili analizon politikat e mbrojtjes në 97 vende të ndryshme, thekson rrezikon që përbën robotika vdekjeprurëse dhe gjithashtu përcjell se pjesa më e madhe e ligjvënësve mendojnë që ndërhyrja njerëzore është thelbësore për të ruajtur etikën e sistemit të armatimeve.

Sekretari i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, António Guterres, i ka quajtur nismat për automatizimin e armëve si “moralisht të pështira dhe politikisht të papranueshme.” / KultPlus.com