Avokatja kosovare u ofron mbrojtje ligjore gazetarëve pa pagesë

Oda e Avokatëve të Kosovës e cila përbehet nga më shumë se 1080 avokatë është tërhequr nga memorandumi i bashkëpunimit me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës për t’i mbështetur ligjërisht gazetarët gjatë punës që ata e bëjnë.

Por, vullnetare që t’i ndihmojë gazetarët ligjërisht është shprehur e gatshme që të ofrojë avokatja  Teuta Xhema.

Ky është njoftimi i plotë i saj:

Duke u bazuar në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) se gazetarët punojnë në kushte jo të mira dhe me paga shumë të ulta.

E po ashtu duke vlerësuar natyrën e punës, të cilën e kanë mjaft të rëndësishme, shumë të ndjeshme dhe kushtet në të cilat punojnë, e kanë shumë të vështirë ta zhvillojnë profesionin e tyre, ta kryejnë punën e tyre pa pengesa.

 Gazetarët shpesh gjatë ushtrimit të profesionit të tyre kanë pasur kërcënime dhe sulme fizike ku janë  penguar në lirinë e shprehjes, e cila është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

 Gjendja e tyre (gazetarëve) ekonomike,  të ardhurat e tyre jo të mira, shpesh ua pamundësojnë  që t’i mbulojnë kërkesat e tyre për mbrojtje ligjore.

Gjendja e gazetarëve dhe liria e shprehjes duhet të kenë vemendje të veçantë nga institucionet e Kosovës.

Andaj duke parë të gjitha këto jam e gatshme që të mbështes secilin gazetar që ka nevojë për mbrojtje ligjore.

Mbrojtja ligjore nga ana ime për këta gazetarë do të jetë në mënyrë vullnetare,  pa pagesë. / KultPlus.com

NjoftimDuke u bazuar në reagimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) se gazetarët punojnë në kushte…

Gepostet von Teuta Xhema am Montag, 21. September 2020

Gazetarët që përballen me ligjin nga sot nuk do të kenë mbrojtje falas nga avokatët

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se ka pranuar vendimin e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), për shkëputjen e njëanshme të Memorandumit të Bashkëpunimit, i cili iu mundësonte anëtarëve të AGK-së përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas.

“Përkundër se Oda e Avokatëve të Kosovës përbëhet nga më shumë së 1080 avokatë, të cilët pos tjerash kanë obligim ligjor trajtimin e një rasti “pro bono” në vit, pra gjithsej mbi 1080 raste në vit, strukturat e reja udhëheqëse të OAK-ut kanë refuzuar që në këtë numër të përgjithshëm rastesh, t’iu vihen në mbrojtje gazetarëve. Vlen të theksohet se që nga nënshkrimi i Memorandumit, për afro një vit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka deleguar tek Oda e Avokatëve vetëm 2 raste”, shkruhet në njoftimin e AGK’së.

Lexo Edhe:

Tre emrat për Avokat të Popullit dërgohen në Kuvend, Enver Hasani nuk është një nga ta

Nga Asociacioni i Gazetarëve kanë deklaruar se ky memorandum është shkëputur ekskluzivisht për raporte të brendshme personale në mes të strukturës së kaluar udhëheqëse dhe udhëheqësisë së re.

“Në njërin prej e-maileve të brendshëm të strukturave udhëheqëse të OAK-ut, kryetari i degës regjionale në Prishtinë, Nasuf Hasani, këtë memorandum i cili mbronte gazetarët ligjërisht, e quante “qirkuz” dhe “demoagogji” të ish kryetarit të OAK-ut, e që sipas tij ishte nënshkruar në mënyrë klandestine.

AGK i rikujton z. Hasanit që memorandumi në fjalë është nënshkruar në ditën më të rëndësishme për OAK-un, “Dita e Avokatisë” dhe “46 vjetori i themelimit të OAK-ut”, ku pjesëmarrës pos udhëheqësisë, kanë qenë edhe akterë të ndryshëm vendorë e ndërkombëtarë. Për më tepër, ngjarja është mbuluar nga shumica e medieve në vendin tonë.

Shtrohet pyetja se si z. Hasani, përkundër që drejton degën regjionale të Prishtinës, nuk ka qenë në dijeni për marrëveshje të tilla publike dhe se si është informuar vetëm pas ardhjes së udhëheqësisë së re.

Ky Memorandum që ishte nënshkruar më 16 nëntor të vitit 2019, u shkëput nga Këshilli i ri Drejtues i OAK-ut, me arsyetimin se gazetarët nuk i përkasin kategorisë së përfituesve të ndihmës juridike falas, të përcaktuara sipas Ligjit të Avokatisë – neni 42, statuti i OAK-ut – neni 95, par. 1.13”, thuhet në reagim./GazetaExpress/ KultPlus.com

Nga sot gazetarët kosovarë do të kenë përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas

Për herë të parë që nga themelimi, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Oda e Avokatëve të Kosovës kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, i cili u mundëson të gjithë anëtarëve të AGK-së përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas.

Memorandumi i bashkëpunimit është nënshkruar nga kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina dhe kryetari i OAK-së, Osman Havolli.

“OAK do të ju ofrojë përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas anëtarëve gazetarë të AGK-së në raste kur ata bëhen pjesë e proceseve gjyqësore për çështjet që kanë të bëjnë me punën e tyre, përfshirë edhe konsultat ligjore për anëtarët e AGK-së, të cilat i ndihmojnë gazetarët ta mbrojnë punën e tyre.”, thuhet në memorandumin e nënshkruar.

Palët nënshkruese, përmes këtij akti, janë zotuar për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme.

Kryetarja e AGK-së, tha se kjo është ndër marrëveshjet më domethënëse për AGK-në, marrë parasysh që shumica prej kolegëve tanë, për shkak të pagave të ulëta, privohen që ta ndjekin të drejtën e tyre ligjore për shkak të kostos së lartë financiare të mbrojtjes ligjore.

“Në një klimë të këtillë ku kemi dhjetëra raste të kërcënimeve, privimit të së drejtës së gazetarëve për ta ushtruar profesionin e tyre, mbrojtja ligjore falas ka qenë më shumë se e domosdoshme. Falënderoj kreun e OAK-ut, z.Osman Havolli i cili pati gatishmëri që në 46 vjetorin e themelimit të OAK-ut ta nënshkruajmë këtë Memorandum Bashkëpunimi.”, ka thënë pos tjerash Begolli-Pustina.

Nga AGK thonë se ky është një hap më shumë në përpjekjet e tyre për t’ju dalë në ndihmë anëtarëve të vet me qëllim të krijimit të një ambienti më të lehtë të punës së tyre. Klan Kosova / KultPlus.com

CPJ: Gjatë një dekade në botë janë vrarë 318 gazetarë

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve tha të martën se mosndëshkimi për vrasjen e gazetarëve është edhe më tej, në masë të madhe, normë në më shumë se një duzinë vendesh me shkallë të lartë të krimit, me konflikte ose korrupsion.

Studimi i organizatës me titullin “Si t’ia hedhësh me vrasjen”, u publikua të martën në prag të ditës ndërkombëtare për dhënien fund të mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, që shënohet me 2 nëntor.

Raporti thekson se gjatë dekadës së fundit, 318 gazetarë janë shënjestëruar dhe vrarë për shkak të punës së tyre gjithandej botës. Rreth 243 autorë krimesh ia hodhën pa u dënuar, raporton VOA.

“Mosndëshkimi në shkallë të gjerë, dërgon mesazhin tek ata që synojnë të vrasin gazetarët se mund t’ia hedhin”, tha se Elana Beiser, nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve. “Kjo dërgon edhe një mesazh frikësues te gazetarët dhe mund t’i çojë ata drejt vetë censurës, për shkak të drojës për jetën e tyre, gjë që do të lerë publikun në errësirë”.

Trembëdhjetë vende përfshijnë më shumë se tre të katërtat e të gjitha vrasjeve të pazgjidhura të gazetarëve në nivel global. Lista kryesohet nga Somalia për të pestin vit me radhë. Vendi, i cili po lufton terroristët e grupit militant al-Shabaab, ka 25 vrasje të pazgjidhura të gazetarëve.

Siria, Iraku, Sudani Jugor dhe Filipinet rrumbullakojnë pesë vendet e para ku këto krime kalojnë të pandëshkuara.

“Në shumicën e rasteve, mungojnë hetimet e mirëfillta”, tha Beiser. “Korrupsioni, institucionet e dobëta dhe mungesa e vullnetit politik janë faktorët që çojnë në mosndëshkim”.

Komiteti përmendi pritën vdekjeprurëse për një grup prej 58 personash që përfshinin 32 gazetarë dhe punonjës të mediave në Ampatuan, Maguindanao në nëntor 2009, si arsye për përfshirjen e Filipineve në indeksin e mosndëshkimit. Masakra e motivuar politikisht çoi në numrin më të madh të vrasjes së gazetarëve në një incident të vetëm në botë.

Nga 197 personat e akuzuar për vrasjet brutale, 97 janë në burg, nëntë janë lënë të lirë dhe 80 veta janë në arrati. Procesi gjyqësor përfundoi në korrik dhe portali Rappler në Filipine citoi sekretarin e Drejtësisë të ketë thënë në muajin gusht se vendimi mund të dalë para 23 nëntorit, kur mbushen dhjetë vjet nga vrasjet.

Meksikoja që është vendi më vdekjeprurës për gazetarët gjatë këtij viti kur janë vrarë pesë gazetarë, ka shënuar rritje të shkallës së mosndëshkimit çdo vit. Ajo mban vendin e shtatë në treguesin e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Raporti ngre shqetësimet se rajonet që dikur konsideroheshin të sigurta për mediet, tash po shohin dhunë ndaj gazetarëve. Raporti përmend vrasjen e gazetares në Maltë në vitin 2017 dhe atë të gazetarit sllovak më 2018. Askush nuk është dënuar për këto raste. /KultPlus.com