Berisha: Kur Sevdije Ahmeti foli para 15 viteve për gratë e dhunuara, u kërcënua dhe u poshtërua

Publicisti Ibrahim Berisha, përmes një statusi në Facebook ka shpalosur dhimbjen dhe vuajtjet e humanistes Sevdije Ahmeti e cila para 15 viteve kur hapi temën e dhunimeve të femrave shqiptare në luftën e fundit në Kosovë, ajo u poshtërua, u kërcënua e u izolua, përcjellë KultPlus.

Postimi i plotë i publicistit Ibrahim Berisha:

“Sevdije Ahmeti, humanistja me kreative dhe më këmbëngulëse shqiptare e Kosovës për të drejtat e fëmijëve dhe grave, veçmas të grave të dhunuara në luftë, kur hapi para 15 vjete temën e dhunimeve të vajzave dhe grave shqiptare si mjet luftë nga ushtarët dhe milicët serbë, u fy, u poshtërua, u kërcënua, u izolua… Disa muaj para vdekjes në ëmbëltoren Elida e ftova për kafe. Më ka mbet në mendje dhembja me të cilin tregonte çfarë kishe vuajtur (nga shqiptaret) pas hapjes së kësaj teme. Më dhuroi dy librat për dhunën dhe krimet e regjimit serb, në fokus dhuna ndaj grave shqiptare.
Ajo ka vdekur, shpirti i saj u prehtë në paqe, por tema e saj e hapur për të cilën pësoi dhe me aq ngulm u synua të dememorizohet, sa ka filluar të rihapet, madje pikërisht atje ku ajo e filloi. Me grumbullimin e dëshmive nga viktimat që mbase, nuk do të lejohet të bëhen viktimë e madhe e përfitimeve të fondacioneve mashtruese…”, ka shkruar Berisha.

Sevdije Ahmeti ishte aktiviste shumëvjeçare e çështjeve të grave dhe të drejtave të njeriut. vdiq më 20 nëntor 2016 në Prishtinë.

Ajo njihet si njëra ndër aktivistet e para për të drejtat e grave në Kosovë, lëvizje që nisi në Kosovë në vitet e ’90-a krahas kërkesës për liri e pavarësi.

Një kohë ka punuar edhe në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, si dhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Pasi u shkarkua nga puna më 23 korrik 1989, ajo filloi të punojë për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe ka përgatitur shumë raporte mbi shkeljet e të drejtave të grave për Amnesty International.
Në vitin 1993, bashkë me Vjosa Dobrunën themeluan Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, një organizatë që pos ndihmës për nënat dhe fëmijët, ndihmoi shumë edhe në dokumentimin e torturave që pushteti serb bënte ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e grave dhe fëmijëve në veçanti. Kjo përfshinte edhe dorëzimin e provave në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për dhunën seksuale dhe keqtrajtimin e kryer kundër grave të Bosnjës dhe të Kroacisë, kur ato u strehuan si refugjate në Kosovë.

Pas luftës, Ahmeti ishte ndër të parat që inicioi çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. / KultPlus.com