11 tetor 1913, At Gjergj Fishta botonte numrin e parë të revistës ‘Hylli i Dritës’

Më 11 tetor të vitit 1913, në Shkodër u botua nga At Gjergj Fishta, revista “Hylli i Dritës”. E botuar dhe e qarkulluar nga “Nikaj Press”, revista u mbështet nga një figurë e shquar si Luigj Gurakuqi. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, botimi dhe qarkullimi i saj u ndalua nga austriakët, sepse revista promovonte interesat shqiptare.

“Hylli i Dritës” ka qenë e para revistë e botuar në Shqipëri, me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor, dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provincës Françeskane në Shqipërí, përfaqësuesit e së cilës qenë jo vetëm drejtori i saj  Át Gjergj Fishta, por një plejadë e tërë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh të nderuar.

Revista u bë shprehësja kryesore e aspiratave të elitës shqiptare për pavarësi, demokraci e kulturë perëndimore. Kjo revistë ka në themel veprën e përkushtimin e paharrueshëm të françeskanëve shqiptarë ndër të cilët ndrin emri i Atë Gjergj Fishtës.

Që në editorialet e para, ai  u drejtohej bashkëkombësve “se kur flasim për ekzistencën e Shqipnisë na e nënkuptojmë gjithmonë si Shtet të qytetnuem dhe europian”.

Te historia e “Hyllit të Dritës” janë të shprehura të gjitha shpresat dhe zhgënjimet, ulje-ngritjet shqiptare dhe shumëçka tjetër që ka lënë gjurmë të kundërtash përgjatë një shekulli.

Sot mund ta themi që te kjo revistë e konfirmuar si institucion kulturor, shqiptarët kanë shprehur maksimumin e energjive të veta mendore, si asnjëherë tjetër, si askund tjetër.

“Hylli” vuri bazat për një sërë studimesh, si ato albanologjike, letrare, etnografike, folklorike, pedagogjike e nxorri në pah gjithë atë pasuri shpirtërore që kishte mbetur e pacenuar nga nata otomane.

Në vitin 1944 fillon heshtja e gjatë. Një nga aktet e para të qeverisë së Tiranës ishte mbyllja e kësaj reviste si “përfaqësuese e reaksionit”, si dhe dënimi me vdekje e burg i drejtuesve të saj, si At Gjon Shllaku, At Anton Harapi, At Benardin Palaj, At Donat Kurti e shumë të tjerë, si dhe vjedhja e trashëgimisë së saj arkivore nga shteti komunist.

Periudha e rilindjes së Hyllit fillon pak vite pas rënies së diktaturës, pikërisht në vitin 1993. Këto vite kanë shenjën e “fratit të kujtimeve” Atë Zef Pllumi “ideologut shqiptar të lirisë kundër tiranisë”.

Qasja ndaj lirisë, edukata demokratike, gjuha e komunikimit me Europën, rreziku i tribalizmit dhe autoritarizmit, por edhe plotësimi i sistemit të gjymtuar kulturor, “ringjallja së vdekurish”, qasjet moderne e pa ngarkesa ideologjike që e shihnin letërsinë dhe historinë “si të tillë”, ishin disa prej motiveve të grupit themelues që rilindën “Hyllin”.

Në metropolin postkomunist plot me kioska, që i ngjante një ngrehine pa shpirt në çoroditje e rendje pas fitimit të shpejtë, do të gjindej kjo çetë intelektualësh që do të grumbulloheshin rreth “Hyllit” në kërkim rrënjësh, në pasqyrim tradite, në rizbulim të identitetit europian të mbuluar nga ideologji e trashëgimi të tjera qytetërimore..

“Hylli”, në sintoni me traditën e vet të hershme, u shfaq gjatë tranzicionit si zëdhënëse e mendimit demokratik perëndimor në Shqipëri.

Numrin e parë të revistës mund ta lexoni në linkun më poshtë. / KultPlus.com

http://bibliotekashkoder.com/digital/hylli_i_drites/vjeti_I_1913_1/

Numrat e revistës “Hylli i Dritës” ekspozohen në kalanë e Tiranës

Me rastin e 106-vjetorit të botimit të parë të revistës “Hylli i Dritës”, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ekspozoi pasditen e djeshme në mjediset e Kalasë së Tiranës një pjesë të numrave të revistës së themeluar nga At Gjergj Fishta në tetor të vitit 1913.

Kjo ekspozitë sjell për publikun kopje origjinale të revistës e cila ka pasur një program të qartë atdhetar, politik e kulturor dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve.

Ekspozita vjen në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare dhe Kalanë e Tiranës. Të pranishëm në prezantimin e saj ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido, zëvendësdrejtorja e Bibliotekës Kombëtare Etleva Domi, Frati Françeskan At Vitor Demaj dhe administratorja e Kalasë së Tiranës Klodiana Toptani.

Pjesëmarrësit panë me interes koleksionin që ruhet në Bibliotekën e DPA-së dhe në Bibliotekën Kombëtare. Publiku do ketë mundësi dhe gjatë gjithë ditës të sotme të shoh nga afër revistën e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin kulturor të Shqipërisë. /atsh/ KultPlus.com

“Hylli i Dritës”, revista e themeluar nga At Gjergj Fishta dhe e ringjallur nga At Zef Pllumi (FOTO)

“Hylli i Dritës”, revistë kulturore – letrare, u themelua nga Át Gjergj Fishta, në vitin 1913, pikërisht në kohën e pavarësisë kombëtare, kur shtetit të ri, duhej t’ i jepej shpirt dhe orientim, përcjell KultPlus.

“Dijetarët dhe patriotët e bashkuar rreth idesë së kësaj reviste, punonin me shumë dashuri e përkushtim për një përlindje shpirtërore e kulturore. Punonin që shtetit t’i jepej shpirt dhe orientim të qartë perëndimor. Prej asaj kohe, revista luajti rol të jashtëzakonshëm në formimin kulturor të Shqipërisë, duke u bërë një lloj institucioni, që arriti t’ i bashkoi mendjet më të ndritura të kohës, rreth idesë së emancipimit kulturor dhe lartësimit kombëtar”, shkruan Ndue Ukaj në një postim të tij në Facebook, pasi ka marrë në dorë numrin e fundit të kësaj reviste.

Át Zef Pllumi, i cili e ringjalli “Hyllin e Dritës” pas disa dekadave, e quajti atë “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë.”

Kjo revistë, lindi “nëper ag të qytetnisë së Shqypnisë”, dhe u bë shenja më domethënëse e qytetnisë dhe kulturës kombëtare.
“Revista vazhdon edhe sot të botohet nga Provinca Françeskane e Shqipërisë. Ky është numri i fundit”, përfundon Ukaj./ KultPlus.com

104 vjet nga botimi i revistës së parë në Shqipëri “Hylli i Dritës”

“Hylli i Dritës” ka qenë e para revistë e botuar në Shqipëri, me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor, dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provinçes Françeskane në Shqipërí, përfaqësuesit e së cilës qenë jo vetëm drejtori i saj Át Gjergj Fishta, por madjè një plejadë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh që nderuan jo vetëm Provinçën Françeskane por edhe Kombin, shkruan KultPlus.

Më 11 tetor 1913, nën drejtimin e Gjergj Fishtës, u botua në Shkodër, botimi i parë i revistës “Hylli i Dritës”. Sot, shënohem plot 104 vjet që nga botimi i parë i kësaj reviste.

Duke i hedhur një sy përmbajtjes, të pasqyruar në 20 vjetët e jetës së tij, kemi me pasë një shëmbëlltyrë të larmisë së shkrimeve, studimeve e bashkëpunimeve të ndryshme që mbushin faqet e kësaj reviste.

Prej veprimtarisë botuese shumëvjeçare mendojmë se duhen ndjerrur në pah jo aq arsyet dhe argumentet që i dhanë shkas këtij botimi, sepse për këtë flet mjaft qartë me shkrimet që përmban, por më fort shkaqet që sollën bukur mirë dy herë pezullimin e tij dhe herën e tretë ndalimin, rreth gjysmë shekulli, nga ana e regjimit komunist, antishqiptar, antikatolik, në mos shprehje e një antikulturësie të posaçme e të skajshme. / KultPlus.com