Përurohet vepra e Gëzim Aliut ‘Proza Shqipe e viteve 1920-1944’, vlerësohet si model studimi për veprat e tjera

Uranik Emini

Ambienti i Institutit Albanologjik gjatë ditës së sotme mirëpriti përurimin e veprës së shkrimitarit Gëzim Aliu me titull “Proza Shqipe e viteve 1920-1944”, shkruan KultPlus.

Të pranishëm në këtë përurim për një fjalë rasti ishin drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi dhe autori Fadil Grajçevci.

Kreu i Institutit, lavdëroi punën e palodhshme të Aliut, derisa konstatoi se autori pas dy monografive të kushtuar romaneve të Ismail Kadaresë, kontribuoi shumë me këtë objekt studimor për një periudhë shumë interesante zhvillimore në letërsinë shqipe.

“Identifikimi i krijimtarisë së njëmbëdhjete prozatorëve te kësaj periudhe, analizat përimtuese e përgjithësimet lidhur me vlerat e saj si dhe përqendrimi te çështjet, sikundër janë autori i nenkuptuar, narratori dhe personazhet, e bëjnë këtë monografi literaturë studimore me prurje risimtare mendimin tonë letrar”, tha ai.

“Gëzim Aliu përfaqëson një simbioze interesante te artistit dhe të dijetarit, ndaj e them me bindje se kontribute të tjera te tijnë fushën e studimeve letrare janë të pritshme. Uroj të këtë shëndetin dhe te ruajë nivelin e përkushtimit e tashmë të dëshmuar”, përmendi në fund Matoshi.

No description available.
Drejtori i Institutit Albanologjik – Hysen Matoshi

Punën pothuajse katër vjeçare të Aliut, e lartësoi edhe profesori Fadil Grajçevci, i cili përmes të tjerash shpjegoi detajisht këtë vepër të autorit.

“Shkrimtari, studiuesi i letërsisë, eseisti e përkthyesi, Gëzim Ali, i cili, përveç si romancier e tregimtar nga më të suksesshmit e brezit të tij letrar/ (Në klubin e të shemtuarve (2009), roman i shpërblyer me Cmimin Kombëtar: Romani më i mirë i vitit 2009; Katedralja pa kryq (2014); Gosti në natën e parë te jeshtës (2017), roman i shpërblyer me Cmimin “Rexhai Surroi” per letërsi; përmbledhja me tregime “Libri i Fundit” , gjithnjë e më shumë po dëshmohet edhe si njëri nga njohësit më të mirë të zhvillimeve tona historiko-letrare, si njëri nga studiuesit më të përkushtuar të letërsisë shqipe, në veçanti të asaj në prozë”, tha ai.

Grajçevci gjithashtu theksoi se Aliu në tre kapitujt, me kriterin vlerësues, pra jo me atë kronologjik, duke mos e ngarkuar tekstin me teorizime e shpjegime të sofistikuara, ka bërë analizimin e tri elementeve qenësore.

Profesori Grajçevci ka thënë se ky studim do të jetë, përveç një kontribut i çmueshëm në studimet historiko-letrare, edhe një model i ri studimi për veprat e tjera të mëvonshme në prozë të letërsisë.

No description available.
Profesori Fadil Grajçevci

Në fund, në një fjalë rasti edhe autori Gëzim Aliu tregoi se përmes kësaj vepre ka synuar t’u jap përgjigje disa pyetjeve që kanë të bëjnë me idetë, mendimet, bindjet, që shfaqën veprat letrare të autorëve të kësaj periudhe.

“Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, kam interpretuar e analizuar autorin e nënkuptuar, narratorin dhe personazhet, por duke prekur shkurtimisht edhe temat, autorin real, historitë, hapësirën referenciale, kohën referenciale dhe kohëzgjatjen narrative të storieve. Këtu, në disa paragrafë, pa ju lodhur me teori, që në monografi u paraprin kapitujve, kam përmbledhur rezultatet e hulumtimit tim”, shpjegoi Aliu.

No description available.
Shkrimtari Gëzim Aliu

Autori i veprës falënderoi gjithë të pranishmit në sallë dhe në fund deklaroi se përmes kësaj vepre mund të ndërtojmë në mendje një mozaik interesant e të këndshëm të njerëzve të asaj kohe.

Studimin monografik “Proza shqipe e viteve 1920 – 1944” e karakterizon zotësia e veçantë interpretuese, analitike e sintetizuese, qartësia e mendimit, terminologjia e saktë shkencore dhe gjuha e pastër dhe e pasur shqipe. /KultPlus.com

No description available.

Qosja: Nga Instituti Albanologjik është bërë rezistencë ndaj Serbisë dhe Jugosllavisë

Në shënimin e rithemelimit të këtij institucioni, organizatorët kanë prezantuar katër drejtuesit e këtij institucioni, nëpër periudha të ndryshme kohore, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Sot Instituti Albanologjik i Kosovës mbajti një Akademi solemne me anë të se cilës u festua pesëdhjetëvjetori i rithemelimit të Institutit Albanologjik të Kosovës, shkruan KultPlus.
Ky institut kishte mbledhur katër drejtues të këtij institucioni gjatë këtij gjysmë shekulli: Rexhep Qosja, Sadri Fetiu, Fazli Syla, ndërsa i pari që mori fjalën në këtë ceremoni ishte drejtuesi i tanishëm i këtij institucioni, Hysen Matoshi.

Ai në fjalën e tij u shpreh se ky takim është mbledhur për të shënuar një jubile të veçantë dhe për të theksuar disa nga shenjat identifikuese të arritjeve të këtij institucioni kërkimor shkencor që janë të lidhura me kontekste specifike, shoqërore dhe kombëtare. Ai në fjalën e tij tha se themelimi i institutit në vitin 1953 dhe mbyllja e tij vetëm pas dy vitesh të funksionimi shënojnë përpjekjen e parë për krijimin e kapaciteteve institucionale në fushën e studimeve shqiptare në Kosovën e atëhershme.

“Rithemelimi i institucionit u përcoll me një intensitet tjetër të funksionalizimit qoftë në planin e strukturimit të tij, qoftë në planin e aktiviteteve dhe të botimeve shkencore”, u shpreh Matoshi sot në fjalën e tij. Ai shtoi se falë punës së palodhshme të 134 punonjësve që shprehin dijen, kreativitetin dhe punën e palodhshme, sot pas pesëdhjetë vitesh mund të flasim për arritje të konsiderueshme në Institutin e studimeve Albanologjike.

Disa nga arritjet e këtij institucioni përfshijnë 610 vëllime me botime albanologjike, revista, monografi, materiale studimore ku përfshin 152 numra të revistës “Gjurmime albanologjike”, 75 numra të revistës “Gjuha shqipe”, 14 vëllime të materialeve të konferencës “Java e albanologjisë”, 27 vëllime me folklor shqiptar, dhjetëra fjalorë të gjuhës shqipe, kompleti akademik i Rexhep Qoses prej 40 veprave, është përgatitur për botim kompleti i Anton Cettës. Pas tij fjalën e mori akademiiku Rexhep Qosja, i cili u shpreh se në këtë pesëdhjetë vjetor theksoi mospraninë e përfaqësuesve të institucioneve në celebrimin e këtij pesëdhjetë vjetori të Institutit Albanologjik.

“Në këtë pesëdhjetëvjetor nuk po shoh asnjë përfaqësues, asnjë financues të Institutit, kjo do të thotë se institucionet shtetërore munden pa Institutin, unë them jo, sepse Instituti mundet pa ta, sepse ata kanë mandat të përkohshëm, por studiuesit ata që punojnë në institut, krijueset e arteve kanë mandat të përjetshme dhe i ftoj të gjithë ata që punojnë në Institut se kontratat e tyre mund të jenë të përhershme nëse ata bëhen krijues të dalluar”, ishin fjalët e Rexhep Qoses në fjalimin e tij sot në Institutin Albanologjik të Kosovës.

Ai tutje u shpreh se ky institut është tejet i rëndësishëm, pasi që ka qenë edhe vendi ku është zhvilluar një pjesë e rezistencës politike, intelektuale dhe ideologjike. “ Pas vitit 1968, dhe veçmas gjatë vitit 1981 në këtë Institut është bërë rezistencë ndaj Serbisë dhe Jugosllavisë”, ai tutje shtoi se shkrimet që janë shkruar në këtë Institut kanë bërë jehonë edhe në botë, ku janë marrë informatat e para për gjendjen e atëhershme në Jugosllavi.

Qosja po ashtu shtoi se ky Institut është i rëndësishëm për Kosovën jo vetëm me punën e tij kërkimore por edhe me jetëshkrimin dhe biografinë e tij institucionale me të cilën ka luajtur rol të madh në emancipimin e Kosovës në atë kohë. Ai tha se ky institucion është i rëndësishëm për krejt popullin shqiptar, jo vetëm për punën kërkimore por edhe për faktin se ka vënë në pah dhe e ka bërë të dukshme thesarin e popullit të shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme.

“Ky institucion ka bërë një punë kolosale me rëndësi të jashtëzakonshme pasi që e ka ruajtur e ka sistemuar, e ka mbrojtur dhe e ka vënë ku duhet në pjesë të madhe të traditës sonë kulturore “, tha Qosja.

Pas tij fjalën e mori, Xhavit Jashari – përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta, tha se Instituti Albanologjik gjatë gjithë veprimtarisë së tij shkencore dhe kombëtare është dëshmuar në lidhjen e tij parimore të projekteve në mbrojtjen e identitetit shqiptar, duke shtuar se ka qenë institucion ku janë afirmuar idetë e luftës për liri. Me këtë rast Jashari po ashtu ndau një mirënjohje për Institutin Albanologjik të Kosovës, Hysen Matoshit.

Ai me të pranuar këtë mirënjohje u shpreh se kjo mirënjohje e obligon edhe më tutje punën e këtij Institucioni./ KultPlus.com

Dëshmi të veprimtarisë së Mërgatës Shqiptare në Suedi

Fjalë në përurimin e dy vëllimeve të revistës ‘Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi’ 7 dhe 8, organ i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe të Artistëve Shqiptarë në Suedi.

Shkruan Hysen Matoshi

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Roli i mërgatës shqiptare në procesin kombformues dhe shtetformues është i madh. Që nga Rilindja Kombëtare Shqiptare e këtej mërgata ka dhënë ndihmesë të çmueshme për ndërgjegjësimin kombëtar dhe për krijimin e institucioneve funksionale shtetërore. Një punë të madhe e ka bërë edhe sa i përket prezantimit të shqiptarëve në botë, të çështjes shqiptare, të kërkesave legjitime duke i shtruar ato pranë institucioneve shtetërore të vendeve të tyre pritëse dhe gjithashtu edhe duke i paraqitur ato para institucioneve relevante ndërkombëtare. Tashmë është e njohur gjithandej se pa mërgatën tonë nuk do të mund të sigurohej madje as ekzistenca fizike e shqiptarëve në trojet etnike.

Ndonëse mërgata është pjesë e shkëputur fizikisht nga Atdheu, ajo ka qenë pjesa më e lidhur shpirtërisht me Atdheun. Kundërshtimi i robërisë, projekti i pavarësisë dhe i ngritjes së institucioneve vetjake, luftërat çlirimtare në Kosovë dhe në viset e tjera etnike shqiptare do të ishin të pamundshme pa mbështetjen jetike të mërgatës sonë.
Mërgata jonë, veç tjerash, ka vijuar të jetë pjesë e pandashme e korpusit kulturor shqiptar dhe një faktor kreativ në zhvillimet që kanë të bëjnë me vlerat tona të përgjithshme identitare kombëtare. Këtu duhet shtuar gjithsesi edhe faktin se mërgata shqiptare njëkohësisht ka qenë një urë lidhëse ndërmjet kulturës e vlerave tona identitare me ato të kombeve të ndryshme të botës. Në saje të kësaj mërgate bota na njeh më mirë dhe, pa asnjë dyshim, botën e njohim më mirë.

Të nderuar të pranishëm

Në këtë kontekst duhet të trajtohet edhe kontributi i mërgatës shqiptare në Skandinavi, me theks të veçantë të asaj në Suedi. Sot ne kemi para vetes njërën ndër dëshmitë e punës së palodhshme të vëllezërve tanë, të realizuar gjatë vitit të fundit, përkatësisht veprimtarinë botuese të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe të Artistëve Shqiptarë në Suedi, që mban emrin e Papa Klimentit XI. Botimi i dy vëllimeve, të titulluara si Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, është dëshmi e dyfishtë e punës së mërgatës sonë, si rezultat vjetor i punës për përgatitjen e tyre dhe, edhe më tepër si dëshmi e dokumentimit të veprimtarisë shtetndërtuese e çlirimtare, duke nisur që nga vitet 90 e për të vijuar deri në ditët e sotme. Këto vëllime, që po e shohin dritën e botimit, janë treguese të kapaciteteve aktuale kreative e intelektuale të shqiptarëve në Suedi, por edhe një faktografi relevante për rolin historik të kësaj pjese të kombit tonë në vitet vendimtare të ndryshimit të rrjedhës historike.

Në pika të shkurtra dua të vë në pah vetëm disa nga vlerat e shumta të këtyre vëllimeve. Vëllimi i shtatë ka më shumë në përmbajtjen e tij aspekte kulturore, vlerësuese dhe pothuajse edhe shteruese informative lidhur me veprimtarinë e Shoqatës, sikundër që gjejmë aty edhe shkrime letrare, historiografike, recensione, fjalë rasti, intervista etj., të cilat e formësojnë një mozaik llojesh shkrimore, temash dhe çështjesh që preokupojnë shqiptarët kudo ndodhen ata. Pavarësisht karakterit heterogjen të vëllimit, duhet pohuar se lexuesi ynë do të mund të mësojë më shumë dhe gjithsesi edhe të krijojë një perceptim objektiv lidhur me kapacitetet organizative, kulturore, shkencore e përgjithësisht intelektuale, të shqiptarëve në Suedi.

Vëllimi vijues është një përpjekje serioze për të qartësuar rolin jetik të mërgatës sonë në Suedi për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Fjala është për një vëllim sui generis, krahasuar me vëllimet pararendëse dhe përgjithësisht me botimet e mërgatës sonë, ngaqë synimi i tij është dokumentariteti, nxjerrja në dritë e fakteve deri tani jo aq të njohura për opinionin e gjerë lidhur me kontributet konkrete materiale e morale të shqiptarëve të Suedisë dhënë krijimit të mekanizmave të pavarur shtetërorë të Kosovës dhe lidhur me çlirimin e saj.

Vëllimi i tetë i Thesarit, me dëshmitë dokumentare do t’i vërë në udhë të së vërtetës përpjekjet, ndonjëherë mohuese, por jo rrallë edhe glorifikuese e përvetësuese, lidhur me kontributin e mërgatës sonë. Ata që shpërfillin djersën e vëllezërve tanë, që për dekada i dhanë gjak jetës sonë dhe përpjekjeve për mbijetesë e liri, kanë para vetes një monument të çmueshëm dokumentar që flet vetë, por edhe ata që rrahin gjoks se kinse kanë ofruar një mal kontributesh do të duhej që më parë ta gjenin emrin e tyre në këtë regjistër lapidar të jetëdhënësve të Kosovës. Ndryshe fjalët lavdëruese nuk kanë asnjë kuptim. Ky është një hap i vogël në drejtim të njohjes së një të vërtete të madhe, sikundër është kontributi faktik i mërgatës sonë për çlirim kombëtar dhe për përparimin e vendit tonë.

Shoqata, kryetari i saj, z. Hysen Ibrahimi dhe i gjithë ekipi redaktorial, me botimin e të dhënave faktografike për fondin e trepërqindëshit në Suedi për vitet 1996, 1997 dhe 1998, fondin për ndihmë Drenicës për vitin 1998, fondin për pavarësinë e Kosovës më 1998, fondin për ndihma në raste të jashtëzakonshme dhe fondin për shkollën e mesme të Shalës së Bajgorës, kanë bërë një punë jashtëzakonisht të qëlluar, e cila shpresoj se do të jetë model edhe për të gjithë pjesëtarët e mërgatës sonë kudo ndodhet ajo. E vërteta duhet të thuhet, djersa e vëllezërve tanë nuk bën të thahet e harruar dhe e shpërfillur, ajo duhet të marrë trajtën e një monumenti shkrimor e dokumentar të cilin do t’ua lëmë amanet brezave që do të vijnë, ajo do të jetë një përmendore mirënjohjeje për familjet shqiptare që ndanë kafshatën e bukës për të ushqyer aspiratat çlirimtare të Atdheut.

Sjellja në këtë format e dy vëllimeve të Thesareve, por edhe e botimeve të tjera të kësaj Shoqate, janë një provë e fuqishme se shqiptarët, kudo që jetojnë në vendet evropiane, gjithnjë e më shumë po identifikohen si një komunitet i vyeshëm dhe kreativ në aspektin kulturor, qoftë nëpërmjet integrimit të tyre në jetën e shoqërive pritëse, qoftë duke i prezantuar vlerat tona kombëtare në shtetet përkatëse. Mbase interesi do të ishte edhe më i madh nëse në faqet e vëllimeve të Thesarit do të kishte më shumë tekste në gjuhën suedeze, veçmas për aspekte të historisë sonë kombëtare dhe shtetërore, për zhvillime të rëndësishme aktuale, sidomos nëse marrim parasysh faktin se hëpërhë ka vetëm një fond modest të këtillë faqesh.

Të nderuar kolegë,

Fjala thesar, që është kryefjalë e organit kulturor të Shoqatës së krijuesve tanë në Suedi, përveç domethënies së parë, që konsiston në gjëra të çmuara, në gjëra me vlerë materiale e kryesisht monetare, ka edhe domethënien figurative të identifikimit të vlerave kulturore, materiale e shpirtërore, por ka edhe domethënien e diçkaje që është shumë e shtrenjtë e shumë e dashur për dikë. Duke përgëzuar të gjithë stafin redaktorial dhe sidomos mbështetësit e këtij projekti, pa të cilët nuk do të ishte i mundshëm botimi i vëllimeve të Thesarit…, dua të vë në dukje se ne, si Institut Albanologjik, kontributet e këtilla të mërgatës sonë kanë një vlerë të paçmuar, janë një sihariq dhe një shenjë shprese se kultura, gjuha dhe vlerat identitare shqiptare mbijetojnë, zhvillohen dhe prezantohen në kontekstin e gjerë të hapësirës evropiane. / KultPlus.com