IKSHP: Varianti Omicron rrezikon përhapjen edhe në Kosovë, respektoni masat, vaksionohuni

IKSHP-ja në një reagim të publikuar në faqen zyrtare në “facebook” ka bërë thirrje për respektimin e masave anti-covid, meqë shfaqja e variantit të ri të  SARS CoV-2 Omicron (B.1.1.529) e rrezikon edhe Kosovën.

Nga IKSHP thonë se situata pandemike në vend mbetet stabile, megjithatë përmendin faktin se në botë dhe rajon gjendja është përkeqësuar javëve të fundit dhe se duhet respektuar masat anti-covid dhe duhet vaksinuar.

Reagimi i plotë:

Të nderuar qytetarë!

IKSHPK është duke e përcjellur në vazhdimësi situatën epidemiologjike në vend,  në rajon dhe në botë.

Situata epidemiologjike në Kosovë aktualisht është stabile,  por në rajon, Evropë dhe botë është rënduar javët e fundit me shfaqjen e variantit të ri të virusit SARS CoV-2 Omicron (B.1.1.529) i cili është raportuar tashmë në shumë shtete të botës dhe rrezikon përhapjen e këtij varianti edhe në Republikën e Kosovës.

Ne jemi duke vazhduar pandërprerë me gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik.

Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet në rast të rritjes së rasteve të reja, dhe kjo do të mund të paraqesë mbingarkesë të re për sistemin shëndetësor dhe për profesionistët shëndetësor.

Andaj, IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.

Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës.Prej sot Ministria e Shëndetësisë ka filluar vaksinimin me dozën pērforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare.

Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet  6 muaj pas  marrjes së dozës së dytë.

Doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.

Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen.

Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin.

Të gjithë pa dallim dhe domosdoshmërisht duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor!

Prandaj, në vazhdimësi vlen për secilin person dhe më tej vazhdojmë të bëjmë thirrje:

Mbulo gojën dhe hundën me maskë!

Mbaj higjienën!

Respekto distancën!

VAKSINOHU! / KultPlus.com

Nagavci: Vendimi përfundimtar për fillimin e vitit të ri shkollor do të vendoset në mbledhjen e radhës së Qeverisë

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci në takimin e fundit me Ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues kompetent, është njoftuar se rekomandimet e fundit të profesionistëve shëndetësor, sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin e situatës me pandeminë dhe rivlerësimin e masave, andaj do të respektohen rekomandimet e profesionistëve shëndetësor dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje, do të vendoset në mbledhjen e radhës së Qeverisë, përcjellë KultPlus.

“Si ministre e Arsimit përgëzoj të gjithë mësimdhënësit dhe stafin tjetër të shkollave, që janë vaksinuar tashmë dhe u bëj thirrje për vaksinim jo vetëm atyre punëtorëve të arsimit të cilët deri tash nuk janë vaksinuar, por edhe prindërve, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sepse vetëm kështu ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve”, ka shkruar Nagavci.

KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:

Të dashur punëtorë të arsimit, të nderuar prindër.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit bashkë me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave, i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor.
Është rishikuar dhe publikuar “Udhëzuesi për organizimin e mësimit për vitin shkollor 2021/2022 në kushtet e Pandemisë COVID-19” dhe i njëjti është dërguar edhe në drejtoritë komunale të arsimit.
Udhëzuesi, mundëson organizimin e mësimit sipas kushteve epidemiologjike në vend duke përfshirë edhe kushtet e rihapjes së institucioneve edukativo-arsimore me masa të shtuara për shëndetin publik, kushte të mbylljes së pjesshme apo kushte të mbylljes së plotë për shkak të rrezikshmërisë së shëndetit nga COVID-19.
Po ashtu, janë shpërndarë tekstet shkollore si dhe janë përgatitur shkollat për fillimin e procesit mësimor. Siç e kemi thënë edhe më herët, synimi ynë është që institucionet shkollore të hapen sa më parë dhe mësimi të realizohet me prezencë fizike.
Megjithatë, në takimin e fundit me Ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues kompetent, u njoftova se rekomandimet e fundit të profesionistëve shëndetësor, sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin e situatës me pandeminë dhe rivlerësimin e masave. Natyrisht se ne do të respektojmë rekomandimet e profesionistëve shëndetësor dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje, do të vendoset në mbledhjen e rradhës së Qeverisë.
Të gjithë jemi dëshmitarë se varianti Delta po shpërndahet shumë më shpejt sesa versionet e mëhershme dhe po transmetohet e po prek edhe moshat e hershme, andaj duhet të respektojmë në përpikmëri të gjitha rekomandimet e masat dhe të sigurohemi se rikthimi i fëmijëve në shkolla të jetë i sigurtë.
Si ministre e Arsimit përgëzoj të gjithë mësimdhënësit dhe stafin tjetër të shkollave, që janë vaksinuar tashmë dhe u bëj thirrje për vaksinim jo vetëm atyre punëtorëve të arsimit të cilët deri tash nuk janë vaksinuar, por edhe prindërve, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sepse vetëm kështu ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve. / KultPlus.com