Ministria e Arsimit publikon rezultatet e Testit të Arritshmërisë, 52.1 përqind e nxënësve e kaluan

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka publikuar sot rezultatet e Testit të Arritshmërisë, sipas të cilave arritshmëria e përgjithshme në test është 52.1 përqind.

Sipas rezultateve të publikuara në të gjitha shkollat e vendit, arritshmëria sipas lëndëve është: Gjuhë shqipe 68.8 përqind, Gjuhë angleze 62 përqind, Histori 55.2 përqind, Gjeografi  49.2 përqind, Matematikë 44.9 përqind, Informatikë 53.4 përqind, Fizikë 42.9 përqind, Kimi 44.4 përqind, Biologji 51.8 përqind.

Gjatë këtij viti, Testit të Arritshmërisë i janë nënshtruar mbi 23 mijë nxënës të klasëve të nënta, të cilët kanë qenë të sistemuar në 176 qendra të testimit, respektivisht në 1.867 salla të testimit.

Matura Shtetërore, rreth 30 mijë maturantë zhvillojnë sot provimin e parë

Ditën e sotme, rreth 30 mijë maturantë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen provimit të parë të Maturës Shtetërore, ku do të testohen për gjuhën e huaj.

Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit këtë vit provimeve të maturës do t’i nënshtrohen rreth 170 nxënës me aftësi ndryshe, për të cilët janë hartuar teste të veçanta.

Provimi i dytë për maturantët do të jetë ai i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë më 7 qershor dhe provimi i Matematikës më 13 qershor. Lënda me zgjedhje është dhe provimi i fundit, i cili do zhvillohet më datë 19 qershor./KultPlus.com

Ministria e Arsimit: Të shtunën mbahet mësimi

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se këtë të shtunë do të mbahet mësimi për nxënësit e klasave 1-8.

“Në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive MAShTI e ka rishikuar kalendarin e vitit shkollor 2022-2023 dhe i ka njoftuar me kohë të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit në lidhje me këto ndryshime. Bazuar në ndryshimet në kalendarin e rishikuar, ju informojmë se dita e shtunë, datë 15 tetor, do të jetë ditë pune për nxënësit e klasave 1-8, sipas orarit të përcaktuar nga shkollat”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Sipas MAShTI-t, çdo diskutim për mos mbajtje të mësimit, është qëllimkeq dhe tendencioz.

“Muajt në vijim mund të ketë çrregullime potenciale që mund të shkaktohen nga problemet e furnizimit me energji elektrike andaj, çdo diskutim për mos mbajtje të mësimit, është jo vetëm i dëmshëm, por edhe qëllimkeq e tendencioz”.

Gjatë një muaji të grevës, sipas MAShTI-t, janë humbur gjithsej 22 ditë mësimi, apo rreth 12 për qind e ditëve të vitit shkollor, të cilat duhet të zëvendësohen.

“Për shkak të çrregullimeve në pandemi, humbjet në arsim në Kosovë janë shumë të mëdha, derisa këto humbje janë shtuar edhe më shumë për shkak të grevave. MAShTI kërkon që të gjitha shkollat të organizohen sa më mirë për mbajtjen e orëve të humbura për shkak të grevës, ashtu siç e parasheh kalendari i rishikuar”, thuhet tutje.

Inspektorati i Arsimit do të jetë në terren dhe do ta mbikqyrë zbatimin e kalendarit të vitit shkollor.

“Në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive për sigurimin e organizimit dhe mbarëvajtjes së mësimit në arsimin parauniversaitar, presim që komunat të sigurohen për realizimin e kalendarit shkollor duke filluar nga kjo e shtunë”./ KultPlus.com

Ministria: SBASHK-u s’ka të drejtë të mbyllë shkolla, presioni i tyre i dënueshëm – nga nesër fillon mësimi

Ministria e Arsimit ka thënë se nesër më 1 shtator fillon viti i ri shkollor, derisa shton se ky fillimvit “vihet në pikëpyetje për shkak të grevës së deklaruar nga BSPK-ja, së cilës i është bashkëngjitur edhe SBASHK-u”.

Ndër të tjerash, në këtë komunikatë thuhet se askush, përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave.

Siç thuhet në njoftim, “presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme”.

“Kryetari i SBASHK-ut dhe askush tjetër përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave për çfarëdo arsye, as t’i pengojë të punojnë ata që duan të punojnë.  Presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme. Ndërkaq, spekulimet se, me ardhje në shkollë, mund të cenohet siguria e fëmijëve nuk kanë asnjë bazë”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Nesër, më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor për të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë në Republikën e Kosovës.

Të nderuar qytetarë, në dy vitet e kaluara kemi pasur pengesa të fillojmë me kohë vitin shkollor, si pasojë e pandemisë COVID-19, e cila ka ndikuar në çrregullimin e procesit mësimor dhe ka shkaktuar humbje të konsiderueshme mësimore. Edhe ky vit shkollor do të jetë sfidues, për shkak të krizës globale ekonomike dhe asaj të energjisë, të cilat janë jashtë kontrollit tonë. 

Përkundër faktit se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, fillimi i suksesshëm i vitit shkollor vihet në pikëpyetje për shkak të grevës së deklaruar nga BSPK-ja, së cilës i është bashkëngjitur edhe SBASHK-u. Përderisa legjislacioni ynë e njeh të drejtën e të gjithë punëtorëve për grevë, e njeh edhe të drejtën për të punuar të atyre të cilët nuk janë pjesë e grevës.

Duke marrë parasysh gjendjen në terren, ftojmë prindërit dhe nxënësit që të komunikojnë drejtpërdrejt me mësuesit klasorë, kujdestarët e klasave dhe menaxhmentin e shkollës për të kuptuar nëse do të organizohet procesi mësimor dhe sipas cilit orar.

Kryetari i SBASHK-ut dhe askush tjetër përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave për çfarëdo arsye, as t’i pengojë të punojnë ata që duan të punojnë. Presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme. Ndërkaq, spekulimet se, me ardhje në shkollë, mund të cenohet siguria e fëmijëve nuk kanë asnjë bazë.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kanë qenë të hapura për dialog me sindikatat dhe kanë adresuar kërkesat legjitime, gjithnjë brenda kornizës ligjore dhe mundësive materiale. Jemi të bindur se për secilin problem mund të gjindet zgjidhja, por proceset e tilla nuk duhet t’i dëmtojnë fëmijët dhe të rinjtë që kanë nevojë për arsim cilësor.

Të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve ju dëshirojmë një vit shkollor të mbarë dhe me sa më pak çrregullime. / KultPlus.com

MASHTI: Do të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave është duke i bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor 2022/2023 të nis sipas planit të paraparë.

Krahas investimeve për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, MASHTI është duke i trajtuar me kujdes aspektet ligjore dhe rregullimin e çështjeve të rëndësishme në mënyrën më të mirë të mundshme.

E drejta për shkollim është e garantuar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar, andaj konform përgjegjësive që MASHTI ka, thuhet se do t’i përmbushin të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohen që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore.

Ministria e Arsimit do të angazhohet në avancimin e sistemit arsimor dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, të favorshëm dhe mbështetës për të gjithë ku askush nuk ndihet i përjashtuar dhe cenuar.

Ata njoftojnë se tashmë jemi në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor dhe presim që procesi mësimor të nis sipas planifikimeve. /KultPlus.com

MASHTI harton rregulloren e brendshme për parandalim të konfliktit të interesit

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në Mbështetje të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, ka hartuar Draftin e Rregullores së Brendshme për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Rregullorja ka për qëllim vendosjen e rregullave dhe procedurave të brendshme për parandalimin e konfliktit të interesit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe institucionet vartëse”, thuhet në njoftim.

Ky dokument është hartuar në konsultim të ngushtë me Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe parasheh:

Obligimi për parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit brenda MAShTI;

– Trajtimi i konfliktit të interesit nga autoriteti përgjegjës;

– Veprimet e ndaluara për zyrtarin e MAShTI;

– Angazhimi në punë jashtë institucionit;

-Obligimi, përgjegjësitë për parandalimin dhe zgjidhjen e konfliktit të interesit;

– Identifikimi dhe raportimi i konfliktit të interesit në MAShTI;

– Mënyrat e trajtimit dhe zgjidhjes së konfliktit të interesit;

– Sanksionet në rastet e konfliktit të interesit

Ndryshe, draft-rregullorja është në diskutim publik deri më 27 korrik 2022. /KultPlus.com

Nesër mbahet pjesa e dytë e testit të arritshmërisë

Nesër do të mbahet pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë, të cilit do t’i nënshtrohen mbi 24 mijë nxënës të klasave të nënta, në 176 qendra të testimit. Të angazhuar për mbarëvajtje të këtij procesi janë rreth 1600 administrues.

Siç njofton Ministria e Arsimit, në pjesën e dytë, nxënësit do t’iu nënshtrohen pyetjeve nga matematika, informatika, shkencat natyrore, fizika dhe kimia.

Ndërsa, sa i përket pjesës së parë të testimit, e cila është mbajtur më 4 qershor 2022, MASHTI thotë se ka nxjerrë një raport në të cilin janë evidentuar problemet që e kanë përcjellë procesin e mbajtjes së testimit, e të cilat janë: mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesit e Qendrave të Testimit dhe përdorimi i telefonave celular nga nxënësit.

“Lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë, MASHTI ka marrë të gjitha informatat nga terreni dhe ka marrë masat adekuate në mënyrë që në pjesën e dytë të testimit të eliminohen të gjitha papërgjegjësitë që janë evidentuar në pjesën e parë. MASHTI njofton se, bazuar në legjislacionin në fuqi, janë ndërmarrë masa ndaj gjashtë administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin nuk do t’u lejohet të përsërisin pjesën e parë të testimit, pra atyre do t’u llogariten pikët vetëm nga lëndët në pjesën e dytë të Testit”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, MASHTI kërkon nga drejtoritë komunale të Arsimit që të marrin të gjitha masat e nevojshme, të cilat do të sigurojnë që pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë të organizohet sipas standardeve dhe rregullave të përcaktuara.

“Në mënyrë që pjesa së dytë e testimit të shkojë mirë, MASHTI ka krijuar një Grup Punues i cili do të bëjë monitorimin e procesit, ku janë përfshirë zyrtarë kompetentë nga krimet kibernetike, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe DKA-ve”.

MASHTI, gjithashtu kërkon nga DKA-të që në pjesën e dytë të Testit të sigurohen që: administruesit të arrijnë më kohë në Qendrën e Testimit, të kenë me vete Udhëzuesin me rregullat për administrimin e Testit, të respektojnë rregullat e administrimit të Testit sipas udhëzuesve të shpërndarë nga DVSM-MASHTI, të njoftojnë nxënësit për rregullat që duhet të respektojnë gjatë procesit të testimit, të mos lejojnë nxënësit që të hyjnë me telefon në Qendër të Testimit, të njoftojnë administruesit se do të përjashtohen nga procesi në rast të mos respektimit të përgjegjësive dhe se ndaj tyre do të ndërmerren masa sipas legjislacionit në fuqi. / KultPlus.com

Pas rritjes së rasteve, Nagavci bën thirrje për respektim të masave

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka ripërsëritur thirrjen për respektim të masave për mbrojtje nga pandemia Covid-19 nga ana e të gjithë akterëve të përfshirë në institucionet edukativo-arsimore.

Ministrja ka theksuar se respektimi me përpikëri i masave të rekomanduara nga ekspertët shëndetësorë, përveç që është është domosdoshmëri për mbrojtjen e shëndetin publik, është edhe mundësia më e mirë për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor me prezencë fizike në shkollë.

Ndërsa, sot ministrja Nagavci ka vizituar shkollën fillore të mesme të ulët “Ismail Qemaili” në Prishtinë, pas shqetësimeve që janë pranuar dhe nga menaxhmenti është informuar për situatën pandemike në këtë institucion arsimor.

Me këtë rast, ajo ka theksuar faktin se mbeten në fuqi të gjithë skenarët e përcaktuar me Udhëzimin e rishikuar për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë.

Ministrja rikujtoi se është kompetencë e task forcave të shkollave dhe komunave që të vendosin për organizimin e mësimit sipas skenarëve të përcaktuar në Udhëzues, duke vlerësuar gjithmonë situatën pandemike në institucionin përkatës.

Në rast të kalimit të zhvillimit të procesit mësimor sipas skenarit C (mësim nga distanca), ministrja Nagavci tha se është e domosdoshme të bëhet orari dhe të sigurohemi se mësimi është duke u zhvilluar në ndonjërën nga platformat online.

Ministrja Nagavci tha se në rast nevoje, MAShTI ka bërë të gjitha përgatitjet për zhvillimin e mësimit online, derisa mësimdhënësit janë të lirë të përdorin edhe platforma të ndryshme, thuhet në postimin në Facebook të MASHTI-t. /KultPlus.com

SBASHK uron mësimdhënësit për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka njoftuar se sot ka filluar edhe periudha e dytë shkollore për vitin 2021/22, shkruan KultPlus.

Përkundër paralajmërimeve se mund të ketë shtyrje të procesit mësimor, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës kanë uruar punëtorët e arsimit dhe i përgëzojnë për gatishmërinë dhe angazhimin që gjysmëvjetori i dytë të nis me sukses. 

“Urojmë që të kemi sa më pak telashe e vështirësi me pandeminë dhe të vazhdojmë betejën për dije të reja edhe përkundër mungesës së kushteve për punë dhe të mjeteve bashkëkohore të mësimit. Gatishmëria dhe vullneti juaj në misionin e shenjtë të edukimit e arsimimit të brezave na bën të ndjehemi krenar dhe Ju premtojmë se ne do të vazhdojmë ta ruajmë besimin tuaj duke u angazhuar tani e gjithmonë që të jemi zë i juaji dhe të realizojmë kërkesat tuaja legjitime”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

SBASHK tutje ka bërë apel që të respektohen maksimalisht rekonamdimet e IKSHPKS-së, për të ruajtur shëndetin e nxënësve.

“Ju lusim të angazhoheni maksimalisht në respektimin e rekomandimeve të IKSHPK-së duke ruajtur kështu shëndetin e nxënësve tanë dhe shëndetin tuaj. Ju përgëzojmë edhe për gatishmërinë e shprehur vazhdimisht që të angazhoheni e të veproni sipas vendimeve të institucioneve përgjegjëse lidhur me situatat që mund të krijohen, sepse fatkeqësisht numri i të prekurve me Covid edhe në Kosovë sa vjen e shtohet. Besojmë se ndonjë mesazh përgëzimi e mbështetjeje i institucioneve të Kosovës do të na jepte kurajë e forcë shtesë për ta realizuar më lehtë misionin e shenjtë për edukimin dhe arsimimin e brezave. Na priftë e mbara dhe paçim rrjedhë të mbarë gjatë gjithë gjysmëvjetorit të dytë”, thuhet aty. /KultPlus.com

Raportohet për një sulm seksual ndaj një nxënësje të klasës së parë në  Prishtinë - Gazeta Express

Nagavci preferon që mësimi të mbahet me prani fizike në shkolla

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se për cilësi më të mirë mësimi duhet të zhvillohet me prezencë fizike në shkolla.

“Në mënyrë që të kemi cilësi më të mirë, institucionet shkollore duhet të mbesin të hapura e mësimi të zhvillohet me prezencë fizike dhe kjo kërkon punë e përgjegjësi nga të gjithë ne”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nagavci ka kujtuar se mësimi do të vazhdojë të zhvillohet sipas Udhëzuesit i cili parasheh 4 skenarë.

“Nëse në ndonjë prej shkollave ka rritje të rasteve pozitive me Covid-19, procesi mësimor do të vazhdohet sipas skenarëve, përfshirë mësimin nga distanca, apo me numër të kufizuar të nxënësve, varësisht se si përcaktohet nga Task Forcat në nivel komune”.

Video-mësimet po ashtu do të transmetohen në televizionin publik (kanali RTK4), dhe mund të gjenden edhe në kanalin zyrtar të MAShTI.

“Ju ftoj për kujdes të shtuar e respektim të masave mbrojtëse në mënyrë që ta ruajmë shëndetin publik e të kemi mbarëvajtje të procesit mësimor”, ka shkruar ndër të tjera Nagavci./KultPlus.com

Ministria e Arsimit njofton nxënësit: Nesër fillon periudha e dytë e vitit shkollor 2021/2022

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, se nesër, 10 janar 2022, fillon periudha e dytë e vitit shkollor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Task Forcat në nivel komune do të vlerësojnë dhe do të marrin vendime se me cilin skenar do të zhvillohet procesi mësimor bazuar në situatën epidemiologjike me pandeminë në komunat e tyre, si dhe kushtet specifike në shkolla. Drejtoritë Komunale të Arsimit do të kujdesen për respektim të masave të përcaktuara nga IKSHPK, të dezinfektojnë hapësirat e shkollave .

“Përveç mësimit me prani fizike në shkollë, do të jenë në dispozicion edhe mundësitë për organizimin e mësimit online nëse paraqitet nevoja.Video-mësimet do të vazhdojnë të transmetohen në televizionin publik (kanali RTK4), dhe ato mund të gjenden edhe në kanalin zyrtar të MAShTI – https://emesimi.rks-gov.net/shq/. Orari i transmetimeve: https://masht.rks-gov.net/…/oraret-e-transmetimeve-per…Po ashtu, MAShTI, në bashkëpunim me UNICEF, tashmë ka ofruar për të gjitha shkollat mundësinë e qasjes në platformën mësimore https://shkollat.org/, të bazuar në teknologjinë e Microsoft, ku, përveç sistemit për menaxhimin e mësimit në distancë janë publikuar edhe video-mësimet sipas programit mësimor të klasave 1-9″, thuhet në njoftimin e MAShTI-t.

Ministria e Arsimit fton të gjithë akterët e përfshirë në shkollë që të respektojnë masat mbrojtëse të përcaktuara nga IKShPK, në mënyrë që ta ruajmë shëndetin publik dhe të kemi mbarëvajtje të procesit mësimor.

Mësimi në shkolla vazhdon përmes skenarit A dhe B

Ministrja Nagavci përmes konferencës prezanton të arriturat e këtij viti

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci ka mbajtur sot konferencën e fundit me gazetarë për këtë vit, në të cilën ka prezantuar punën, sfidat dhe të arriturat që e kanë përcjellë Ministrinë që nga koha kur mori detyrën më 23 mars 2021 e deri më sot.

Ministrja Nagavci fillimisht ka falenderuar gazetarët të cilët e kanë përcjellë sektorin e arsimit, duke u bërë kështu partnerë shumë të rëndësishëm në të gjitha proceset e zhvilluara në arsim.

Ajo theksoi se, janë bërë përpjekje maksimale për të qenë transparent duke u përgjigjur në çështjet për të cilat gazetarët janë interesuar, por edhe duke mbajtur konferenca të rregullta çdo të dytën të premte, ku secili prej tyre ka pasur mundësinë të informohet për të gjitha proceset në sektorin e arsimit.

Duke bërë prezantimin e aktiviteteve të realizuara këtë vit, ministrja Nagavci ka folur për vështirësitë që ka sjellë pandemia COVID-19 në realizimin e procesit mësimor, krijimin e hapësirave të reja shkollore dhe renovimin e atyre ekzistuese, edukimin e fëmijëve nga gupe të margjinalizuara, fuqizimin e Arsimit dhe Aftësimi Profesional, ndarjen e bursave për të gjitha nivelet, përmirësimin e infrastruktrurës ligjore dhe arsimin e lartë publik falas, duke përmbushur kështu një nga zotimet e Qeverisë.

Nagavci theksoi se, Ministria mbetet e përkushtuar në realizimin e planeve, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në arsim në të gjitha aspektet, ndërsa i ftoi gazetarët që edhe në vitin e ardhshëm të përcjellin punën në këtë dikaster ashtu siç e kanë përcjellë këtë vit.Ministrja po ashtu falënderoi partnerët zhvillimor për mbështetjen e ofruar në realizmin e politikave në arsim që synojnë gjithëpërfshirje dhe cilësi.

Rreth të arriturave dhe projekteve që ka realizuar Nagavci, është shkruar më shumë në postimin e saj të plotë në “Facebook”. /KultPlus.com

Nagavci: Punësimi i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta është prioritet i Qeverisë Kurti

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se punësimi i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta është prioritet për Qeverinë Kurti dhe atë si ministre, andaj edhe po realizohet.

Nagavci ka shkruar në Facebook se qenka ngritur si temë punësimi i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe sa për t’ua kujtuar, në vitin 2017 si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pata propozuar një amandament për punësimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Amandamenti nuk u miratua pasi nuk kishte marrë përkrahjen e deputetëve të disa partive përfshirë atyre të Partisë Demokratike të Kosovës që tek tani po e ngrisin këtë çështje. Më vjen mirë që tashmë paskan reflektuar dhe kanë kuptuar rëndësinë dhe nevojën për punësimin e asistentëve. Në programin qeverisës ne kemi paraparë që çdo vit të qeverisjes sonë të punësojmë nga 100 asistentë për këta fëmijë, andaj dhe i kemi planifikuar edhe në buxhet. Aktulisht janë të punësuar 86 asistentë në shkolla dhe 5 në Qendrat Burimore. Shumë shpejtë do të punësojmë 3 asistent ë komunitetit që nuk dëgjojnë. Punësimi i asistentëve bëhet krahas kualifikimit të tyre, aktualisht vetëm 70 asistentë janë të diplomuar dhe të papunë, andaj dhe paralelisht me buxhetimin, po pregatisim dhe kuadrot e nevojshme dhe sivjet kemi filluar me përgatitjet e grupeve të reja të kandidatëve. Si Ministri do ta përcjellim me kujdes procesin e punësimit të asistentëve nga komunat dhe do të sigurohemi që deri në fund të mandatit tonë t’i kemi së paku 500 asistentë në shkolla. Përtej kësaj, Qeveria ka marrë vendim që vitin 2022 ta shpallë “Vit të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës” që tregon përkushtimin tonë në këtë drejtim. Në kuadër të aktiviteteve përveç tjerash, është paraparë ndërtimi i pjerrinave në 10 shkolla të mesme të ulëta dhe 5 shkolla të mesme të larta në 15 komuna. Po ashtu, është paraparë trajnimi i drejtorëve dhe mësimdhënësve të arsimit të mesëm të lartë për qasjen dhe arsimimin e nxënësve me nevoja të veçanta dhe shumë e shumë aktivitete tjera”, ka shkruar ajo duke siguruar se nuk do të ndalen vetëm me asistentë, por do të angazhohen edhe në punësimin e stafit tjetër mbështetës në shkolla.

Përndryshe, dje në seancën plenare ku votohej buxheti i Kosovës, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka propozuar që të rritet buxheti për arsimimin e fëmijëve në nevojë, në mënyrë që të rritet numri i asistentëve për këta fëmijë. /KultPlus.com

MASHT publikon vendimin, pushimi dimëror fillon më 31 dhjetor

Minsitria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka njoftuar përfundimisht se periudha e parë e vitit shkollor përfundon me 30 dhjetor 2021, ndërsa e dyta fillon me 10 janar 2022, përcjell KultPlus.

Përmes një njoftimi zyrtar, MAShTi ka njoftuar se pushimi dimëror, pra, do të fillojë më 31 dhjetor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.

Ndërkaq, periudha e dytë e këtij viti shkollor fillon më 10 janar 2022.

Siç njofton kjo ministri, aktualisht është duke u zbatuar vendimi për komepnzimin e 18 ditëve të humbura mësimore si pasojë e gjendjes me pandeminë, ku edhe datat 28, 29 dhe 30 dhjetor (ditë të pushimit dimëror sipas Kalendarit shkollor), do të jenë ditë mësimi.

Ky kompenzimi i ditëve të humbura të mësimit po bëhet sipas rekomandimeve nga Task-forca në nivel të MAShTI-t, ku përfaqësohen të gjitha institucionet relevante si: IKShPK, SBAShK, Këshilli i Prindërve dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit.

Vendimin për kompensimin e ditëve të humbura për shkak të gjendjes me pandeminë COVID-19 mund ta shikoni duke klikuar këtu. /KultPlus.com

Ministria e Arsimit po bashkëpunon me RTK-në për transmetimin e mësimit  online - Gazeta Express

Federata e Sportit Shkollor mbështetet me 100 mijë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Ardian Telaku, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetjen e aktiviteteve të Federatës së Sportit Shkollor, për organizimin e garave shkollore për vitin 2021/2022.

Federata e Sportit Shkollor që drejtohet nga kryetari Ardian Telaku, është mbështetur nga MKRS-ja me 100 mijë euro për promovimin e sportit dhe organizimin e aktiviteteve në shkolla.

Në përkrahje të Federatës së Sportit Shkollor ka qenë edhe ministrja e MAShT-it, Nagavci, që ka shprehur gatishmërinë për t’i përkrahur nxënësit në aktivitete të ndryshme sportive.

“Bashkë në mbështetje të sportit shkollor. E lumtur që sot së bashku me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku dhe me kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Adrian Telaku nënshkruam Memorandum Bashkëpunimi i cili ka për qëllim promovimin e sportit tek nxënësit”.

“Shuma prej 100 mijë eurosh e cila është ndarë nga Ministria e Kulturës do të jetë në funksion të realizimit të aktiviteteve nga ana e Federatës së Sportit Shkollor dhe për organizimin e garave për vitin shkollor 2021/2022”.

Dy javë pas fillimit të mësimit, nxënësit nuk kanë tekste shkollore

Pas dy javë të fillimit të mësimit ende nxënësit nuk kanë tekste shkollore. Librat mungojnë edhe në arsimin fillor edhe në atë të mesëm të ulët.

Për këtë çështje në Ministrinë e Arsimit edhe pse kanë deklaruar se librat do të jenë falas për klasat 1 deri në të 9 vazhdojnë të dhënë deklarata kontradiktore. Nga e gjithë kjo, ata që po pësojnë janë nxënësit dhe prindërit. Me gjasë, si zgjidhje do të kenë blerjen e librave për fëmijët e tyre.

Në shumë shkolla ka mungesë të teksteve shkollore. Arsimtarja e fizikës, Mendohie Lekaj-Rexhaj në Ferizaj vë në dukje se mungojnë librat e kësaj lënde për klasat 8 dhe 9.

“Për klasën e 6 i kemi nga viti i kaluar, për klasën e 7 kemi komplet mungesë. Na kanë ardhur fletoret e punës e jo librat e nxënësve”, tha ajo për RTK-në.

Tekstet e gjuhës angleze për klasat 6 e deri në 9 mungojnë edhe në shkollën “Ahmet Hoxha” në Ferizaj.

“Ende kemi mungesë të teksteve siç është teksti i gjuhës angleze për klasën e 6,7,8”, tha Ganimete Konjufca, drejtoreshë e kësaj shkolle.

Shqetësimi për mungesën e teksteve shkollore u publikua në faqen e Këshillit të Prindërve të Prishtinës.

Përgjegjësia për mungesën e teksteve shkollore për shkolla, në veçanti për klasat 6, 7 dhe 9 sipas Ministrisë së Arsimit bie mbi Drejtoritë Komunale të Arsimit.

E gjithë kjo situatë po përcillet me deklarata kontradiktore të zyrtarëve publikë brenda Ministrisë së Arsimit.

Mungesë e teksteve shkollore përveç në shkollat publike është edhe në shkollat private./ KultPlus.com

Nagavci: Orët e humbura do të kompensohen

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci për lirimin nga pagesa për vijimin e mësimit në arsimin e lartë, tha se kjo do të krijojë lehtësira për universitetet.

Ajo tha se po shmangin diskriminimin e pabarazinë sociale, duke sqaruar se për këtë vit nga buxheti do të ndahen 1.7 milionë euro për universitetet.

“Studimet pa pagesë për arsimin e lartë ka qenë një nga zotimet tona, me këtë zotim ata lirohen nga pagesa e tarifave me rastin e regjistrimit dhe po shmangim diskriminimin për shkak të pa barazisë sociale”.

“Në hyrje në fuqi shfuqizohet udhëzimi administrativ i mëparshëm. Në lidhje ne shumën e bursave do të vlejnë të njëjta vlera dhe ne kemi hapur thirrje edhe për 1 000 bursa për vajzat, dhe përtej kësaj kemi ofruar mbështetje për studentët e cila do të vazhdojë edhe për vitin e ardhshëm”.

Nagavci tha se 18 ditët e humbura të vitit shkollor do të kompensohen, pasi që mësimi është shtyrë deri më 26 shtator me rekomandim të IKShPK-së.

“Sa i përket zhvillimit të mësimit ka qenë rekomandim i IKSHPK-së që të pezullohet deri me 26 të këtij muaji dhe janë 18 ditë të humbura dhe të gjitha do të kompensohen”.

“Sa i përket zhvillimit të mësimit ka disa shkolla që kanë filluar aktivitetet që janë kompensim. Janë të paraparë 4 skenar, i cili do të zbatohet nëse vlerësohet nga Task-Forca”. / KultPlus.com

Nagavci: Vendimi përfundimtar për fillimin e vitit të ri shkollor do të vendoset në mbledhjen e radhës së Qeverisë

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci në takimin e fundit me Ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues kompetent, është njoftuar se rekomandimet e fundit të profesionistëve shëndetësor, sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin e situatës me pandeminë dhe rivlerësimin e masave, andaj do të respektohen rekomandimet e profesionistëve shëndetësor dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje, do të vendoset në mbledhjen e radhës së Qeverisë, përcjellë KultPlus.

“Si ministre e Arsimit përgëzoj të gjithë mësimdhënësit dhe stafin tjetër të shkollave, që janë vaksinuar tashmë dhe u bëj thirrje për vaksinim jo vetëm atyre punëtorëve të arsimit të cilët deri tash nuk janë vaksinuar, por edhe prindërve, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sepse vetëm kështu ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve”, ka shkruar Nagavci.

KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:

Të dashur punëtorë të arsimit, të nderuar prindër.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit bashkë me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave, i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor.
Është rishikuar dhe publikuar “Udhëzuesi për organizimin e mësimit për vitin shkollor 2021/2022 në kushtet e Pandemisë COVID-19” dhe i njëjti është dërguar edhe në drejtoritë komunale të arsimit.
Udhëzuesi, mundëson organizimin e mësimit sipas kushteve epidemiologjike në vend duke përfshirë edhe kushtet e rihapjes së institucioneve edukativo-arsimore me masa të shtuara për shëndetin publik, kushte të mbylljes së pjesshme apo kushte të mbylljes së plotë për shkak të rrezikshmërisë së shëndetit nga COVID-19.
Po ashtu, janë shpërndarë tekstet shkollore si dhe janë përgatitur shkollat për fillimin e procesit mësimor. Siç e kemi thënë edhe më herët, synimi ynë është që institucionet shkollore të hapen sa më parë dhe mësimi të realizohet me prezencë fizike.
Megjithatë, në takimin e fundit me Ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues kompetent, u njoftova se rekomandimet e fundit të profesionistëve shëndetësor, sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin e situatës me pandeminë dhe rivlerësimin e masave. Natyrisht se ne do të respektojmë rekomandimet e profesionistëve shëndetësor dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje, do të vendoset në mbledhjen e rradhës së Qeverisë.
Të gjithë jemi dëshmitarë se varianti Delta po shpërndahet shumë më shpejt sesa versionet e mëhershme dhe po transmetohet e po prek edhe moshat e hershme, andaj duhet të respektojmë në përpikmëri të gjitha rekomandimet e masat dhe të sigurohemi se rikthimi i fëmijëve në shkolla të jetë i sigurtë.
Si ministre e Arsimit përgëzoj të gjithë mësimdhënësit dhe stafin tjetër të shkollave, që janë vaksinuar tashmë dhe u bëj thirrje për vaksinim jo vetëm atyre punëtorëve të arsimit të cilët deri tash nuk janë vaksinuar, por edhe prindërve, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sepse vetëm kështu ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve. / KultPlus.com

Nagavci: Jemi gati për fillimin e vitit të ri shkollor, por presim rekomandimet e IKSHPK-së

Përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2021/2022 kanë qenë temë kryesore e diskutimit në një takim virtual në të cilin kanë marrë pjesë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përfaqësues të Drejtorive Komunale të Arsimit, përfaqësues të SBAShK-ut dhe ata të Këshillit të Prindërve në Prishtinë.

Sipas njoftimit të MASHTI-t, Nagavci, citohet të ketë thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, megjithatë bazuar në situatën epidemiologjike çdo vendim do të merret duke i respektuar rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë.

Ministrja bëri të ditur se është rishikuar udhëzuesi dhe protokollet për mësim në situatë pandemie derisa shtoi se në vizitat që ka zhvilluar në shkolla është informuar se janë të gatshme për fillimin e vitit shkollor.

Nagavci shtoi se, situata epidemiologjike në javët e fundit ka qenë e rënduar dhe vazhdon të mbetet e tillë, derisa ka përmendur rëndësinë e vaksinimit të mësimdhënësve dhe prindërve.

Besim Avdimetaj, kryetar i Kolegjiumit të DKA-ve, u pajtua që janë bërë përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, ndërsa tha se vaksinimi i mësimdhënësve tashmë është në një përqindje të lartë, por do të merren për bazë rekomandimet e IKShP-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Arsimit.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, u shpreh se apeli i kësaj sindikate dhe MASHTI-t për vaksinim ka ndikuar pozitivisht te mësimdhënësit, të cilët janë të gatshëm për të filluar vitin e ri shkollor, me dëshirën që të krijohen kushte për mësim në shkolla, por nëse e imponon situata atëherë do të japin kontributin e tyre të plotë edhe në skenarin online.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Prindërve në Prishtinë, Jeton Demi theksoi se presin që Udhëzuesi të jetë në harmoni me skenarët./KultPlus.com

Drejtorët e Arsimit takohen sot me ministren Nagavci, diskutohet për vitin e ri shkollor

Drejtorët komunalë të Arsimit do të takohen sot me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Takimi pritet të mbahet në orën 11:00.

Në takim pritet të diskutohet për fillimin e vitit të ri shkollor.

Kujtojmë që Ministria e Arsimit kishte vendosur që të shtyjë fillimin e vitit të ri shkollor deri më 13 shtator për shkak të situatës së krijuar me pandeminë.

Andaj mësimdhënësve u është kërkuar që të vaksinohen para se të fillojë viti i ri shkollor në mënyrë që të mbrojnë veten dhe nxënësit./KultPlus.com

Vendoset data për provimin e Maturës Shtetërore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka caktuar datën 26 qershor për mbajtjen e Maturës Shtetërore.

MASHTI ka njoftuar se si do të organizohet mbajtja e provimit për maturantët.

“Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka realizuar të gjitha përgatitjet e duhura për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë”, thuhet në njoftim.

Tutje, MASHTI ka kërkuar të raportohen parregullsitë gjatë provimit të maturës.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit mbetet i përkushtuar për organizimin dhe zhvillimin e një procesi të mirëfilltë e të besueshëm, prandaj kërkon që çfarëdo parregullsi eventuale në qendrën e testimit, të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI. Ndërsa, ndaj të gjithë personave të angazhuar në proces, të cilët nuk i realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, do të kërkohet përgjegjësi”, thuhet në njoftim.

“Bazuar në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit. Kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga mbajtja e provimit. Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës”, bën të ditur MASHTI.

Rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 5 korrik. / Gazeta Express / KultPlus.com

Merret vendimi, me këtë datë përfundon viti shkollor

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka ndryshuar datat e përfundimit të vitit shkollor për këtë vit.

Sipas një vendimi të MASHT-it, që e ka nënshkruar sot ministrja Arbërie Nagavci, parashkollorët, klasat e para dhe të teta do të përfundojnë mësimin më 2 korrik.

Ndërsa klasat e 9,10,11 e përfundojnë mësimin me 21 qershor.

Në ndërkohë sipas vendimit paraprak, pushimi veror për nxënësit maturantë pushimi do të fillonte me 03.06.2021, për klasat 9,10,11 me 25.06.2021 ndërsa për klasat parafillor dhe 1-8 pushimi  me 08.07.2021.

“Bazuar në Udhëzimin Administrativ, “Kalendari Shkollor 2020-2021” dhe vendimin 01B/02 të datës 31.03.2021, “Për ndryshimin e Kalendarit të vitit Shkollor 2020-2021 në Arsimin Parauniversitar”, pushimi veror për nxënësit maturantë ka filluar me 03.06.2021, për klasat 9,10,11 pushimi fillon me 25.06.2021 ndërsa për klasat parafillor dhe 1-8 pushimi fillon me 08.07.2021”, thuhet për përgjigjen e MASh-it./Express / KultPlus.com

Vendimi i plotë:

MAShT njofton se të hënën dhe të martën nuk do të mbahet mësim

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se të hënë me 3 maj dhe të martën me 4 maj nuk do të mbahet mësim.

Sipas njoftimit të MAShT-it këto ditë do të jenë pushim për nder të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve dhe për nderë të Pashkëve Ortodokse.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) njofton drejtoritë komunale të arsimit dhe të gjitha institucionet arsimore se, në pajtim me nenin 2 të Ligjit Nr.03/L-064 për Festat Zyrtare të Republikës së Kosovës, të hënën më 3 maj, për nderë të Ditës ndërkombëtare të punës dhe të martën më 4 maj, për nderë të Pashkëve Ortodokse do të jetë festë zyrtare.

Gjatë këtyre dy ditëve institucionet arsimore nuk do të punojnë dhe procesi mësimor do të vazhdojë të mërkurën nga data 5 maj. / KultPlus.com