Çantat që po pushtojnë Prishtinën dhe historia prapa tyre

Alberina Haxhijaj

Të gjithë dëshirojmë që të kemi nga një çantë unike e funksionale, diçka që na prezanton, disa elemente që i duam e që kompletojnë veshjen tonë. Në kërkim të çantave të tilla kanë qenë edhe Loreta Ukshini së bashku më bashkëshortin e saj Isah Mustafa, deri në themelimin e “I’m LU”, shkruan KultPlus .

Si rrjedhoje e kësaj Isah Mustafa dhe Loreta Ukshini krijuan idenë për I’m Lu në vitin 2011, duke vazhduar më pas më dizajnimin e çantave të para, blerjen e aparaturës dhe gjetja e një hapësirë ku ata do ushtronin aktivitetin e tyre.

Titulli I’M LU është menduar në fillim të nënkuptojë, unë jam Loreta Ukshini, por gjatë dizajnit të llogos është vërejtur se të i’m janë edhe inicialet e Isah Mustafas. Kështu që në titull tregohet se kush fshihet prapa dizajnimit të çantave të shumta që tashmë qarkullojnë nëpër Kosovë, e sidomos në Prishtinë. Ajo që i bën këto çanta unike janë elementet që i përbëjnë, element këto që ndryshojnë dhe janë të lidhura me emocionet dhe çdo gjë që i rrethon dizajnuesit e tyre.

“Idetë vinë nga gjithçka, nga diçka e mirë, nga diçka që na provokon, ndoshta edhe nga një këngë ose edhe nga pluhuri i Prishtinës apo betoni. Shpesh edhe nga një copë materiali, që kur e vendosim në tavolinën për punë, na çon të një dizajnë i caktuar…por ideja gjithmonë është të jetë diçka unike dhe jo imitim!”, tregojnë themeluesit e I’m LU për KultPlus. Ndërsa fakti se Loreta Ukshini është edhe artiste bënë që gjithçka prapa punimeve të jetë art, në të kundërtën sipas tyre puna e tyre nuk do të kishte jetë të gjatë dhe s’do ishte as I’M LU.

Në dyqanin e tyre ku edhe dizajnohen, punohen dhe shiten çantat, çdo kush mund të gjejë diçka të veçantë për vetën e tij. Gjithë kjo pasi që aty ka çanta për mosha dhe gjini të ndryshme.

“Kemi çanta të moshave dhe gjinive të ndryshme, ato i ndërtojmë në bazë të nevojës për moshat, qëllimi i këtyre moshave apo gjinive, ku rrjedhimisht dhe elementet ndryshojnë, p.sh të një vajzë e vogël që shkon në kopsht një flutur e vogël në çantë apo një mollëkuqe do ta bënte të ndjehet e lumtur e kështu me radhë”, thanë ata, duke shtuar se me fillimin e I’M LU ka filluar edhe krijimi i familjes së tyre.

“Pasi që nga fillimi i I’m LU-se ne kemi pas fatin që të fillojmë edhe familjen tonë ku tani kemi dy fëmijë në familjen tonë, një vajzë dhe një djalë që janë duke u rritur së bashku me I’M LU-në dhe kjo na ka lehtësuar pjesën e dizjanimit dhe ndërtimit të çantave për këtë moshë” tregojnë ata.

Mirëpo tek I’m LU përveç çantave punohen edhe jastëk si dhe dekorime të ndryshme për dhoma të fëmijëve apo raste tjera. Po ashtu ka pasur raste kur ata kanë punuar diçka për dyqanin e tyre apo për veten e tyre por që klientëve ju ka pëlqyer. Kështu Loreta Ukshini dhe Isah Mustafa i janë përveshur punës për të sjellë këto punime edhe për klientët e tyre.

I filluar si një biznes familjarë dhe më shumë dashuri në fillim dizajni është bërë pikërisht nga Loreta dhe qepja është bërë nga Isah. Mirëpo duke parë nevojën që produktet të jenë sa më profesionalisht të qepura në mënyrë që edhe të kenë një jetëgjatësi më të madhe ata kanë angazhuar edhe punëtor të tjerë që merren me rrobaqepësi. Duke bashkuar kështu idetë dhe përvojat më të vetmin qëllim, të sjellin punime të bukura dhe të qëndrueshme. Një ekip që përdor materiale të ndryshme sipas nevojës dhe qëndron i hapur ndaj ideve që mund të kenë klientët.

“Jemi të hapur ndaj ideve që klientët mund të kenë sigurisht kur për bazë është dizajni i jonë, që do të thotë , klienti duhet të marrë për bazë një çantë që I’M LU e ka punuar më herët apo gjendet në stock dhe pastaj ti përshtatet, madhësisë që do klienti, ngjyrës, apo ndonjë detaj shtesë e të tjera”, tregojnë për KultPlus Loreta Ukshini dhe Isah Mustafa duke shpalosur edhe synimet e para të këtij brendi.

“Synimet kanë qenë, të ndërtojmë diçka që është e fuqishme për neve, në kuptimin e emocionit gjë të cilën e kemi arritur dhe na jep emocion të papërshkrueshme. Këto emocione i përjetojmë çdo herë kur shohim produktet tona tek të tjerët. P.sh kur jemi duke pirë kafe në shesh të Prishtinës shohim njerëz të cilët kalojnë andej dhe mbajnë çantat tona. Ne kemi ëndrra edhe më të mëdha për I’M LU dhe synimi jonë mbetet që ti realizojmë ato ëndrra”, thanë ata duke shtuar se risi përveç dizajnëve dhe punës se tyre të përditshme do të jetë edhe hapja e një dyqani tjetër, më hapësirë më të madhe dhe me më shumë zgjedhje për çanta.

Lexuesit tanë të cilët interesohen për këto produkte mund të përcjellin produktet e “I’M LU” në rrjetet sociale: www.facebook.com/imlustore/ , www.imlubags.com , http://imlubags.com/. /KultPlus.com