Adem Shkreli – tregoi aftësi të fuqishme të mendimit duke ndikuar ndjeshëm në kulturën shqiptare si poet dhe gazetar

Uranik Emini

Adem Shkreli, përveçse ishte një njeri që krijoi poezi të ndryshme, duke treguar fuqinë imagjinative dhe bukurinë e mendimit, gjuhës etj., ai ishte edhe një gazetar, i cili kontribuoi shumë në atë që konsiderohet si “periudha e artë” e gazetarisë, në kohëra shumë të vështira, dha kontribut të madh, duke lëshuar “dritë” në terr informativ, shkruan KultPlus.

Ademi vdiq më 27 shtator, duke lënë pas një krijimtari artistike, një kontribut të jashtëzakonshëm në gazetari dhe së bashku me vëllain e tij, Azemin, një kontribut tjetër të madh për kulturën shqiptare.

Sot në Institutin Albanalogjik është mbajtur një ceremoni përkujtimore për veprën dhe kontributin e Ademit nëpër etapa të ndryshme të kohës.

Shemsedin Dreshaj në emër të klubit të intelektualëve “Rugova”, tha se Ademi për 50 vite kontribuoj dhe qëndrojë stoik dhe drejtë në sfidat e kohës

“Veçori e shkrimeve të tij ishin humori, ironia e sarkazma për dukuritë e ndryshme në vend. Përkundër faktit se kishte qindra shkrime e vetëm një përmbledhje, Ademi arsyetohej se donte të kurrsente letrën e bardhë dhe lexuesin. Si malësor i zbritur nga shkrepat e Shkrelit, të cilat kurrë nuk i harrojë, Ademi, për 50 vite kontribuoj dhe qëndrojë stoik dhe drejtë në sfidat e kohës.

Tutje, Dreshaj e konsideroi Ademin si një burrë të qetë, të urtë por gjithmonë i prerë kur e kërkonte momenti.

“Burrë i qetë, i dijshëm, i urtë, por i prerë kur e kërkonte momenti, tërë jetën qëndrojë vertikal, promovojë individin cilësor dhe me vlera pozitive, të përgatitur që t’u rezistojë sfidave të kohës dhe kontribuoj për një të nesërme premtuese. Patëm privilegj ta njohim dhe bashkëjetojmë me Ademin. Kujtimi mbi veprat, qëndrimet dhe kontributet për vendin do ta bëjnë të përjetshëm veprën dhe kontributin e tij”, përfundoi ai.

Në anën tjetër, i pranishëm për të thënë një fjalë rasti ishte edhe diplomati Avni Spahiu, njëherit edhe mik i Adem Shkrelit.

“Është e vështirë të flitet në këtë çast pikëllimi për familjarin tuaj, mikun dhe kolegun tonë të nderuar Adem Shkreli. Kjo vjen nga dhembja që ndjejmë për të dhe nga nderimi e respekti i thellë në këtë çaste. Ai për ne ishte një mik, koleg dhe profesionist i shkëlqyer. Ishte një njeri i mirë, që me zemërgjerësinë e tij fitonte admirimin e të gjithëve, ndërkaq që me punën e tij vetëmohuese i krijoi vetes një emër që do të mbahet në mend përgjithnjë, si gazetar, si poet, si profesionist”.

Spahiu tha se Adem Shkreli ka dhënë një kontribut të madh në gazetarinë kosovare, duke qenë i përkushtuar për dekada në gazetari, ka qenë njëri ndër gazetarët më të njohur të brezit të vjetër të gazetarëve të “Rilindjes”

“Përmes kontributit të tij në traditën e gjatë të “Rilindjes”, ai shërbeu si shembull i gazetarit të angazhuar në një kohë të oscilimeve të shumta e të rënda dhe luhatjeve të kohës nëpër të cilat ka kaluar edhe Kosova dhe shoqëria e saj. Ai ishte njëri ndër gazetarët e shquar, që dallohej për nga mënyra e të shkruarit që e bënte atë një stilist të veçantë”.

“Emri i Ademit do të jetë i lidhur gjithnjë me “Rilindjen” dhe periudhën e artë të gazetarisë”

“Emri i tij lidhet me “Rilindjen”, bashkë me emra të njohur të “periudhës së artë” të gazetës me traditën më të gjatë në Kosovë, që kishte edhe një rol emancipues për shoqërinë kosovare. Në dekadën e viteve 90′, Adem Shkreli, bashkë me kolegët e tij të kohës kishte përjetuar trysninë e madhe ndaj fjalës së shkruar dhe të folur shqipe në Kosovë. Ai nuk u dha por ishte pjesë e luftimit të territ informativ që na u imponua nga pushtimi dhe punoi për të vërtetën e Kosovës. Në këtë aspekt, emri i Adem Shkrelit mbetet i paharruar”, tha Avniu.

Në fund, diplomati Spahiu shtoi se në këto çaste pikëllimi duhet të shprehim krenarinë tonë që kishim një mik e koleg sikurse Ademi, që kishte të gjitha tiparet e një njeriu të mirë, me kulturë pune e komunikimi, një njeriu që bëri të gjithë ta donin e ta respektonin.

Bashkëshortja e Ademit, Serbeze Shkreli, falënderoi të gjithë ata që kontribuan në këtë ditë përkujtimore për më të dashurin e tyre.

“E vogël jam”, tha Serbezja me lot në fytyrë dhe shumë emocione.

Adem (Ujkan) Shkreli u lind më 15/08/1936 në Shkrel (Rugovë e Pejës), bashkë me vëllaun Azemin, ishin ndër të parët Rugovas që u lidhen me shkronjat. Mësimet e para i mori nga i ati, Ujkani, dhe nga Xhevat Shkreli, kur u njoh edhe me abetaren e parë shqipe dhe me rrënjët e prejardhjes së Rugovës. Më vonë filloi shkollimin fillor në Nabërgjan në shkollën “Ali Kelmendi” e më vonë për të vazhduar shkollën financiare në Pejë, Drejtësinë e Prishtinës e më pas Gazetarinë në Beograd. Si i përkushutuar për arsim, ishte ndër mesuesit e parë nëpër oda e stane, hije e mrizë të Rugovës, duke promovuar shkrimin e leximin.

Shkrimet e para i botoi në revistën “Pionier”, në vitin 1950, për të vazhduar më vonë me “Zërin e Rinisë”, “Botën e Re” dhe revista tjera. Ademi ishte mësues edhe i të tjerëve, ndër ta edhe i vëllzerëve Azemit dhe Ymerit.

Nga viti 1958, Ademin e gjejmë si gazetar në “Rilindje”, ku do të kontribouj deri në vitet 80-ta, gjegjësisht deri në përmbysjen e saj nga pushteti okupues serb. I përkushtuar për shkrim e lexim, shkriemt e tij, prozë e poezi u publikuan në tërë trojet etnike, ë vend dhe jashtë. Përmbledhja “Zemra e verbët” e vitit 1972, përbën një aset të veçantë në krijmtarinë e tij. /KultPlus.com

Refleksione mbi rrugëtimin historik e metodologjik të folkloristikës e etnomuzikologjisë

Në kuadër të aktivitetit të përvitshëm “Java e albanologjisë” që e zhvillon Instituti Albanologjik, sivjet për të 13-tin vit me radhë, të enjtën që shkoi u organizua sesioni i Degës së Folklorit.

Tema e këtij viti ishte “Folkloristika dhe Etnomuzikologjia në Kosovë, 70 vjet pas botimit të parë”, e cila mori shkas nga përvjetori i librit “Kangë popullore shqiptare të Kosovë Metohis” që ishte botuar nën përkujdesjen e atdhetarit studiuesit të shkolluar në Toulouse të Francës, profesor Zekeria Rexhës (1910 – 1972),  në vitin 1951. Duke i dhënë rast këtij rrugëtimi 70-vjeçar, me ecejaket e vështirësitë jo të vogla që e përcollën disiplinën e folkloristikës, studiuesit folklorit e të etnomuzikologjisë në këtë sesion shpalosën rezultatet e hulumtimeve të veta, duke sjellë risi në studimet e kësaj fushe.

Sesioni ishte i organizuar në dy drejtime: 1. kontribute të studiuesve të shqiptarë për zhvillimin e folkloristikës dhe të etnomuzikologjisë në këto vite si dhe 2. tema të tjera problemore që vunë në spikamë sfidat teorike e metodologjike me të cilat përballen këto shkenca sot. Për konceptet e studiuesit Sadri Fetiut mbi baladën shqiptare dhe ndjeshmërinë etike që e karakterizon këtë zhanër, prezantoi studiuesja nga Tirana, Olimbi Velaj. Për veprimtarinë e bujshme dhe origjinale të këngëtarit krijues Qamili i vogël, prezantoi etnomuzikologu Krenar Doli.

Për metodologjinë hulumtuese të mbledhjes dhe sistemimit të folklorit sipas Demush Shalës, u paraqit Vlorë Fetaj Berisha, përderisa për konceptet teorike mbi përrallën, të studiueses Myzafere Mustafa, prezantoi Ylberza Halili. Mbi rëndësinë historike dhe rrugëtimin e librit të parë nga folkloristika të Zekeria Rexhës, kumtoi Arbnora Dushi, e për veprimtarinë folkloristike të shkrimtarit Abdulaziz Islami në Maqedoni ishte kumtesa e Izaim Murtezanit nga Shkupi. Mbi rëndësinë etnomuzikologjike të veprës së Gjon Kujxhisë kumtoi muzikologu nga Gjakova, Behar Arllati.

Përveç temave kontributdhënëse, ishin edhe ato problemore siç ishte kumtesa e Mikaela Mingës nga Tirana me titull “Etnomuzikologjia, artefakti dhe njeriu”, apo ajo e etnomuzikologut nga Tetova, Bekim Ramadani, me titull “ Sfidat e muzikës popullore përballë paradigmave të globalizmit”. Gjithashtu të kësaj natyre qenë edhe kumtesat e etnomuzokolëge nga Instituti Albanologjik, të cilat sollën në pah probleme nga etnomuzikologjia e aplikuar me autor Visar Munishin, e ajo nga metodologjia e hulumtimit etnomuzikor të krijimtarisë së fëmijëve, me autor Albin Sadikun. Mbi metodat notografike të materialit muzikor folklorik kumtoi Liburn Jupolli.

Ky sesion, duke nxjerrë në dritë të dhëna të reja mbi veprimtarinë folkloristike dhe etnomuzikologjike, krahas reflektimit për veprimtarinë e kaluar në një kontekst të ri kohor, zgjoi interesim tek të pranishmit në sallë duke nxitur diskutime dhe një frymë bashkëpunuese midis profesionistëve të këtyre fushave.

Punimet nga kjo konferencë do të bëhen pjesë e vëllimeve nga aktet e konferencës, nën emrin “Albanologji”, e cila është bërë tashmë traditë e veprimtarisë botuese të Institutit Albanologjik në Prishtinë. /KultPlus.com