Qindra botime të Institutit i dhurohen Ministrisë për Sistem Politik

Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Skender Asani, zhvilloi një vizitë në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, me ç’rast u prit nga ministri i saj dhe njëherësh zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.
Drejtori Asani, i dhuroi afër 100 tituj – botime të Institutit, të cilat do të mbushin raftet e bibliotekës së objektit të ri të Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.

Përmes këtyre librave, Asani njëkohësisht prezantoi edhe punën e ITSHKSH-së gjatë këtij viti kalendarik, i cili ndonëse në kushte të jashtëzakonshme pandemie, megjithatë ishte mjaft produktiv në shumë segmente, e posaçërisht në atë të botimit.
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Artan Grubi, falënderoi drejtorin Asani për këtë dhuratë të çmuar, dhe njëkohësisht uroi për punën e palodhshme në drejtim të promovimit të vlerave kulturore e shpirtërore të shqiptarëve, si dhe zbardhjes së të vërtetave të cilat deri më tani kanë qenë të panjohura për opinionin shkencor.
Njëkohësisht iu dhurua edhe një CD nga filmi dokumentar kushtuar figurës emblematike të botës shqiptare, Parashqevi Qiriazi, një prodhim i Institutit i mbështetur nga Ministria e Kulturës, i cili më 17 dhjetor u emitua në UNESCO. /itshksh/ KultPlus.com

Përkujtimi i ndritshëm për zonjën e parë të Alfabetit, Parashqevi Qiriazi

Dita finale e manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit” në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, kur shënohet edhe përvjetori i themelimit të Institutit, iu kushtua Zonjës së Parët të Alfabetit – Parashqevi Qiriazi, e cila këtë vit e ka 50 vjetorin e vdekjes.

Në nderim të këtyre datave të rëndësishme për historinë kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm, gjatë aktivitetit të sotëm morën pjesë ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Kejt Bërns dhe ministrja e Kulturës, Irena Stefoska.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, në fjalën e tij tha se pikërisht në ditën kur 112 vjet më parë i mbylli punimet Kongresi i Manastirit, përkujtojmë njërën nga figurat kryesore të kohës, iluministen shqiptare Parashqevi Qiriazi, të cilën e kemi quajtur Zonja e Parët të Alfabetit.

Përkunëdër vështirësive që patëm me pandeminë, megjithatë manifestimi kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, i dha një shije të veçantë gjithë këtyre ditëve, duke përkujtuar figura të shquara iluministe, që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në emancipimin tonë, nënvizoi Asani.

Ministrja e Kulturës, Irena Stefoska, duke uruar për manifestimin, tha se gjuha është mjet komunikimi, por gjuha amtare është amanet – ajo është fjala e parë që e dëgjojmë në ardhje në këtë botë, dhe e fundit derisa ikim nga kjo botë. “Në gjuhën shqipe, për mua është shumë e ëmbël dhe melodike fjala “Faleminderit”, tha Stefoska.

Ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Kejt Bërns, theksoi rëndësinë e respektit të ndërsjellë të kulturave të ndryshme që jetojnë në  Maqedoninë e Veriut. Ajo uroi shqiptarët për Ditën e Alfabetit dhe Institutin për patronazhin, duke inkurajuar vazhdimin e kultivimit të vlerave të përbashkëta, mirëkuptimit dhe tolerancës.

Femi Cakolli, kryetar i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, u ndal në rëndësinë e misionarëve protestantë në përhapjen e dritës së diturisë diturisë, ku spikaste figura e Parshqevisë.

David Hosaflook, drejtor i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, foli lidhur me rolin e madh që patën misionaret protestante në përhapjen e shkrim-leximit në mesin e popullatës.

Njëra nga autoret e librit me dokumente “Ditari i Parashqevi Qiriazi”, Nora Maliqi-Zylali, theksoi rëndësinë e zbardhjes së këtyre dokumenteve, që flasin për një segment shumë të rëndësishëm të jetës së Parashqevisë, si njëra nga pjesëmarrëset e Konferencës së Parisit në vitin 1919.

Në fund u shfaq filmi dokumentar kushtuar Parshqevi Qiriazit, me kontributin e Jasmina Shopova, Merita Maksuti e Jasna Susha, i cili film do të paraqitet edhe në UNESCO. / ITShKSh/ KultPlus.com

Akademi shkencore në 112-vjetorin e Kongresit të Manastirit

Me një Akademi shkencore, sot vazhduan aktivitetet e manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit” në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Drejtori i Institutit, Skender Asani tha se jam shumë i nderuar që sot po ju drejtohem për t’ju dëshiruar mirëseardhje në Shtëpinë e Dytë të Alfabetit, pra në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.

“Mund të jetë koincidencë, por bukuria qëndron pikërisht në këso koincidence. Alfabeti i shqipes, që u ndihmua aq shumë prej misionarëve amerikanë, u vulos më 22 nëntor 1908, ndërsa Instituti ynë u themelua pikërisht më 22 nëntor dhe tash është i vendosur në objektin e ish Ambasadës Amerikane në Shkup”, u shpreh Asani.

Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke uruar për Festën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, theksoi nevojën që në të gjitha institucionet të shtohet vëmendja dhe vetëdija ndaj përdorimit korrekt të gjuhës standarde shqipe.

Arafat Shabani, zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, përgëzoi Institutin për zhvillimin e këtyre veprimarive, si shembull mjaft i mirë se si duhet të edukohen gjeneratat e reja në frymën e respektit ndaj ngjarjeve dhe figurave të rëndësishme kombëtare. Ai shfaqi shpresën që nga shtatori i ardhshëm, Abetarja e unifikuar të bëhet realitet në të gjitha shkollat e trevave shqiptare.

Ardit Bido, drejtor i Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar, theksoi se Kongresi i Manastirit është një ngjarje e madhe unifikuese kombëtare, dhe për të janë duke u zhvilluar një sërë manifestimesh edhe në Tiranë, Prishtinë, Preshevë, Ulqin e gjetiu. Ai u shpreh i lumtur që ITShKSh këto ditë e botoi përmbledhjen me dokumente të Parashqevi Qiriazit, të cilat ndodheshin në AQSH-Tiranë.

Ylber Sela, drejtor i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhëve, tha se të gjitha zhvillimet mua personalisht më bëjnë jashtëzakonisht krenar si shqiptar, por aq më tepër edhe si drejtor që kam fatin ta udhëheq Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës Shqipe, e cila çdo ditë e më tepër jep ndihmesën e vet në zbatimin zyrtar të kësaj gjuhe, e cila shkruhet pikërisht me ato shkronja që u zgjodhën si model në Kongresin e Alfabetit më 1908 në Manastir.

David Hosaflook, drejtor i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, u ndal sidomos në çështjen e varrezave protestante, dhe veçanërisht lidhur me varrin e Gjerasim Qiriazit në Strumicë.

Studiuesi Xhevat Lloshi, paraqiti një kumtesë lidhur me problemet gjuhësore te shqiptarët në të shkruar, në kohën kur po brumosej Alfabeti i Gjuhës Shqipe.

Ditën e nesërme aktivitetet e manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”, kulmojnë me përkujtimin e Zonjës së Parët të Alfabetit – Parashqevi Qiriazi. Me atë rast, do të promovohet libri me dokumente “Ditari i Parashqevi Qiriazi”, si dhe filmi dokumentar për në UNESCO. /ITShKSh/ KultPlus.com