Nina Mula: Dashuria për Avniun, muzikën dhe gjuhën shqipe

Një pjesë nga intervista e realizuar në Tiranë në vitin 2000 e cila u botua më vonë me rastin e koncertit të sopranos Inva Mula, në New York

-A mund të na tregoni si u njohët me Avni Mulën, i cili do të bëhej partneri juaj në skenë e në jetë?

-Në vitin 1952, në konservatorin tonë erdhën një grup studentësh shqiptarë. Mes tyre ishte dhe Avni Mula. Në një koncert të madh, i cili edhe u filmua në disa dokumentarë, Avniu këndoi këngën e Simon Gjonit “Luleborë,” e cila u pëlqye shumë nga të gjithë. Djali i pashëm, elegant, i talentuar nga Shqipëria u bë i njohur në të gjitha rrethet brenda një periudhe të shkurtër. Jo vetëm Avniu , por edhe Shqipëria u bë e njohur prej tij, sepse ajo ishte vendlindja e tij. Një ditë pata rastin ta takoja edhe unë djalin që e mbanin në gojë pedagogë e studentë. Pata rastin të interpretoja me Avninë në dy pjesë, në “Palacio” të Leon Cavalos dhe në “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit. Ne këndonim rusisht. Unë fillova ta ndihmoj në transhqiptimin e rusishtes. Miqësia jonë filloi e nuk vonoi të shndërrohej në dashuri. Vendosëm të martoheshim gjatë një rrëshqitjeje me slita. S’ishte një dasmë e kushtueshme, por ishte shumë romantike dhe e bukur. Edhe sot e kujtoj deri në detajet më të vogla atë natë të paharrueshme të jetës sonë.

-Ju hytë përsëri në një ambient të ri e krejt të panjohur. Si e përjetuat këtë ndryshim? Si u pritët nga miqtë e shokët e Avniut?

-Si çifti Mula shkuam në një udhëtim në Republikat Balltike. Aty u njoha me gjithë grupin e studentëve shqiptarë. Njoha Gjon (Xhon) Athanasin, Ibrahim Tukiçin, Zoica Haxhon, Milushe Bebeziqin, Ganimete Vendreshën, Agron Aliajn, Petrit Vorpsin. Shumë shpejt e gjeta veten pjesë përbërëse të këtij grupi. Ata më deshën po aq sa ç’i desha dhe unë. Kënga e parë që mësova pa ditur asnjë fjalë shqip qe “Dashnor t’u bana.”



-Zgjedhje me vend, pa dyshim. Ju dhe Avniu kishit si gjuhë të nënës dy gjuhë krejt të ndryshme nga njëra tjetra. A solli ky diferencim pengesa në fillimin e jetës bashkëshortore?

-Me Avniun s’patëm asnjëherë probleme gjuhe. Gjuha muzikore ishte gjuha më e rëndësishme për ne e për fat të mirë atë e zotëronim të dy në të njëjtën shkallë. Në Festivalin e fundit të Rinisë në Moskë, Avniu fitoi çmimin e dytë. Mua nuk më kujtohet përse nuk konkurrova, por ai konkurs ishte suksesi i parë muzikor për familjen tonë të re.

-Kur erdhët në Shqipëri për herë të parë? Si iu duk vendlindja e bashkëshortit?

-Ne u nisëm për në Shqipëri me vapor më 15 shtator 1957. Në të njëjtin vapor udhëtonte edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve. Pra ishim në një shoqëri të njohur e të mrekullueshme. Porti i Durrësit ishte i vogël dhe tepër i varfër, por unë s’pata kohë të hidhërohesha nga ky zbulim. Disa nga shokët tanë dolën me shpejtësi, para se të zbrisnim unë dhe Avniu dhe filluan të këndonin këngë dasme. Ia nisën me “E bukur na ka dal’ nusja.” Unë nuk i kuptoja fjalët, por ndjeja bukurinë e muzikës e ngrohtësinë e zërave të tyre. Ata më dhuruan edhe një tufë me lule. Në port kishte dalë për të na pritur edhe motra e madhe e Avniut. Ajo na mori në shtëpinë e saj, në Tiranë, se ne s’kishim vendbanim. Në mëngjes u nisëm për në Shkodër. Shtëpia e Mulave ndodhej në lagjen Zdrale. Ende s’e di pse quhej pisllëk. Atje çdo gjë ishte shumë e pastër. Në portën e shtëpisë na priste nëna e Avniut, një grua zonjë, të cilën e desha shumë. Me të s’patëm asnjëherë kontradikta, megjithëse u përkisnim kulturave e brezave të ndryshëm. Ajo më trajtoi gjithnjë mjaft mirë, edhe pse isha e huaj.
-Kur u kthyet në Tiranë?

-Në kryeqytet u kthyem shpejt, sepse filloi sezoni. Zumë vend në Hotel “Vjosa.” Jeta në hotel ishte e vështirë e me shumë mungesa, por ne u zhytëm në punë e s’kishim kohë të shihnim vështirësitë e banimit. Punonim me të gjitha energjitë tona për veprën “Jolanda” të Çajkovskit. Jolanda ishte përkthyer e unë duhet ta interpretoja në gjuhën shqipe. Tani ishte radha e Avniut për të më ndihmuar në shqiptim. Punoja shumë, por prapë ndihesha e shqetësuar. Një shoqja ime ruse, balerina e njohur dhe e famshme Biroska, më dërgoi një dhuratë të vogël. Ishte një elefant metalik. Ja, ky që sheh edhe sot në apartamentin tonë. Biroska kishte gdhendur aty dhe datën e premierës, 18-1-1958. Në traditën tonë elefanti është fatsjellës.
-A u vërtetua supersticioni në rastin tuaj?

-Oh, plotësisht!. Shfaqja qe sukses i plotë. E për mua suksesi ishte i dyfishtë; muzikor e gjuhësor. Interpretova një opera të njohur të vendit tim, por në një gjuhë që ende s’e njihja e s’e flisja lirshëm.

-A e mësuat shpejt shqipen? Ç ‘vështirësi hasët në përvetësimin e saj?

-Shqipen e mësova relativisht shpejt. E mësova më shumë përmes interpretimit të operave të ndryshme. S’di për çfarë arsye, por në Shqipëri edhe “Berberi i Seviljes,” “La Boheme,” “Peshkatarët e Perlave,” “Rigoleto” etj s’lejoheshin të interpretoheshin në gjuhët origjinale.

-Ndoshta më mirë për ju. U shtrënguat që në fillim të interpretonit shqip.

-Po , është e vërtetë.

-Në vitet ’50 në Shqipëri kishte mjaft rusë që punonin e banonin në vendin tonë. Gjuha ruse dëgjohej në rrugë, në restorante, radio, etj. Rusisht flisnin edhe shumë të huaj të ardhur nga vende të tjera komuniste. Kishe mundësi të shpreheshe në gjuhën amëtare kudo ku shkoje, apo jo?

-Kisha raste të shumta të flisja rusisht, por unë jetoja tani në Shqipëri e doja të flisja gjuhën e vendit. E quaj veten me fat që interpretova që në fillim në gjuhën shqipe veprat e kompozitorëve të njohur e të dashur për mua. Qe një përgatitje e duhur për të interpretuar edhe në operetën shqiptare “Lulja e Kujtimit” të kompozitorit Kristo Kono. Gjithsesi me Avniun vendosëm të flisnim shqip edhe kur ishim vetëm, në mënyrë që ta mësoja shpejt. Kështu unë flisja shqip në skenë dhe në shtëpi. Unë e mësova edhe shkodranishten për bukuri. Edhe sot e kësaj dite kur dal në pazar shitëset më ftojnë: “Eja shkodrane, bliji zarzavatet tek unë!”

-Pse zgjodhët dialektin e Shkodrës? Apo sepse burri dhe familja e tij vinin prej atij qyteti? Unë ndoshta do të zgjidhja “tironçen” dialektin e qytetit ku jetoja e punoja.

-Të mësosh gjuhë të huaja më duket se duhet talent. Të shqiptosh mirë, duhet të kesh vesh. Mua më pëlqente shkodranishtja me zanoret më të mbyllura, shumë afër belkantos, prandaj më duket se zgjodha këtë dialekt për të folur. Më duket se edhe shënimet që u lija fëmijëve për të kryer detyra të ndryshme, ua lija në gjuhën shqipe, si p.sh. “zbuloni kosin,” “futini ushqimet në frigorifer,” etj. Kur kthehesha i gjeja të korrigjuara fjalët e shkruara me gabime drejtshkrimore. Ishte një shkollë e mirë për mua. Mësova edhe ta shkruaja shqipen pa gabime.

-Pak vite pas ardhjes suaj në Shqipëri marrëdhëniet e ngushta të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik u acaruan e më vonë u ndërprenë plotësisht. Si e përjetuat ju prishjen e miqësisë me vendin tuaj të lindjes?

-Në vitet ‘60, kur po prisheshin marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, unë ndodhesha në atdheun tim, në qytetin e lindjes, ku po përgatitej një koncert i madh. Më vjen një letër nga Avniu, në të cilën më shkruante të kthehesha sa më shpejt. Nuk kuptoja dot arsyen e këtij nxitimi. Bisedova me vëllain e vogël dhe ai më shpjegoi situatën. Më këshilloi të mendohesha mirë e më tha se nëse dëshiroja mund të qëndroja aty e të mos kthehesha më në Shqipëri. Ishte një ngjarje tronditëse. Unë e lashë koncertin e u ktheva me vaporin e parë që udhëtonte nga Odesa për në Shqipëri. Atje ishte Avniu, aty ishte familja ime, atdheu i fëmijëve të mi e tashmë edhe atdheu im.

-A jeni penduar ndonjëherë për zgjedhjen tuaj?

-Jo!. Edhe sikur ta rijetoja jetën time përsëri, atë zgjedhje do bëja sërishmi pa më të voglin hezitim. Më rëndoi ndarja me vëllezërit e motrën, po unë s’mund të jetoja pa fëmijët e Avniun. Kur u ktheva në Shqipëri fillova të punoj për sezonin e ri. Më dërguan bashkë me disa artistë të tjerë në Republikën Çekosllovake. Interpretuam pjesë operistike në Pragë, Bërno, Luhashevicë, etj. Ky ishte turneu ynë i parë operistik. Lavdërime, vlerësime nga kritikë e artdashës të shumtë. Disa madje shprehnin një lloj habie. “S’e dinim se opera e Tiranës ishte kaq e mirë,” ishte një refren që dëgjohej ngado. Disa herë kënduam edhe shqip dhe suksesi qe i njëjtë.

-U kujtohet vënia në skenë e operës “Lulja e Kujtimit”?

-Pa tjetër. Provat i filluam menjëherë pas kthimit nga Çekosllovakia. Unë isha e emocionuar të interpretoja në një opera të kompozuar nga një shqiptar. Dhamë shfaqje në Tiranë e pastaj edhe në Korçë, në vendlindjen e autorit. Më mbahet mend mjaft mirë se pas kthimit nga Korça marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik u prishën përfundimisht. Në fillim mendova se kjo shkëputje do të ishte e përkohshme. U dëshpërova dhe u bëra pesimiste. S’kishte asnjë mundësi për të vizituar vendin e lindjes e për të parë e takuar vëllezërit e motrat e mia, nipërit e mbesat e shumta. Edhe letrat ishin tepër të rralla, por gjithsesi ishte një gëzim i madh sa herë arrinin në shtëpinë tonë. Unë isha shumë e lidhur me familjen, me operën, me kolektivin. Unë s’mund të shkoja ndërmend të shkatërroja familjen. Vuaja vetë shpirtërisht, por pa u ankuar tek askush.

-Pas koncertit në Çekosllovaki a patët raste të tjera të jepnit koncerte jashtë vendit?

Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik mua s’më nxorën më jashtë shtetit për koncerte.

-Kështu sukseset tuaja u kufizuan vetëm brenda vendit.
-Jo vetëm u ndërprenë vajtjet jashtë shtetit, por më 1966 u hoqën nga repertori i operas të gjitha veprat e huaja. Interpretimet e mia u kufizuan shumë. Ky ishte dëshpërimi im i dytë. Më vonë na detyruan të shkonim të jepnim koncerte në qytete e fshatra. Opera, ushqimi ynë kryesor, mori fund. Të gjitha veprat u hoqën. Tani duhet të interpretonim këngë e pjesë që shoqëroheshin me fizarmonikë, jo me orkestër. Avniu hoqi dorë nga opera dhe iu kushtua kompozimit gjithnjë e më seriozisht.

-Si e keni ndjerë veten gjatë këtyre pesë dekadave të qëndrimit në Shqipëri.

-Mirë, shumë mirë. Shqiptarët i respektojnë të huajt. E kam ndjerë gjithnjë në qenien time respektin e përkujdesjen e tyre. Kudo më jepnin pa radhë, më zgjidhnin perimet apo frutat më të mira. Kur jetonim me tallona, më jepnin diçka më shumë dhe më pyesnin cilën pjesë të mishit të therur preferoja.

-Ju ishit soprano e pas disa vitesh u bëtë edhe mëmë. Si mundët t’i pajtonit dy detyrat e rëndësishme të jetës suaj?

-Kur linda vajzën e parë, Adelinën, kërkova një dado, por ishte e pamundur të gjendej dikush që të punonte në orët e vona të pasdites e deri natën vonë, kur mbaronin shfaqjet tona. Kështu fëmijët tanë, Adelina në fillim e Inva më pas, u rritën skenave të operas dhe të teatrove , ku ne shkonim për turne të ndryshme.

-Çfarë kujtoni më me dhimbje nga periudha hoxhiste?

-Një merak më ka mbetur nga ajo kohë, dalja në pension në moshën 45 vjeçare, tamam atëherë kur isha në kulmin e arritjeve të mia. Po socializmi kështu e kishte. Mbushje moshën, dilje në pension…/illyriapress.com/ KultPlus.com

Uta Ibrahimi: Të prezantoj Kosovën sa më mirë ka qenë dhe vazhdon të jetë misioni im i ngjitjeve në 14 majat më të larta në tokë

Uranik Emini

Për shekuj me radhë, njerëzit janë magjepsur nga malet e shumë prej tyre madje edhe janë tmerruar nga ta. Sporti i alpinizmit përfshin në vete ngjitjen e majave të ndryshme të botës, gjë që mund të jetë e rrezikshme e jo edhe shumë e preferueshme për shumë njerëz, megjithatë një rast i tillë nuk është Uta Ibrahimi, e cila hoqi dorë nga “jeta” e saj e kaluar për të filluar sportin e alpinizmit, e madje për të hyrë edhe në librat e rekordeve, shkruan KultPlus.

Thënia “Bëni një karrierë të asaj që ju pëlqen të bëni. Suksesi do të vijojë”, doli të jetë e vërtetë për alpinisten Uta Ibrahimi ,e cila në të kaluarën ka qenë drejtoreshë e marketingut nëpër kompani të ndryshme të Kosovës, por lidhja e madhe me natyrën rezultoi që ajo të ndjek zemrën e saj dhe realisht të pushtojë majat më të larta të botës.

Si filloi të merrej me sportin e alpinizmit, si ishte jeta e saj në të kaluarën, cilat janë vështirësit më të mëdha që ajo ka hasur, arritjet e jashtëzakonshme dhe jeta personale, Uta Ibrahimi në një intervistë për KultPlus rrëfen shumëçka për karrierën e saj të bujshme, duke mos harruar edhe misionet e së ardhmes.

E ke përmendur që karrierën profesionale e ke filluar në 2011, mirëpo përpara saj çfarë ka qenë duke bërë Uta realisht? Si lindi pasioni për të filluar me “Hiking”?

Uta Ibrahimi: E vërtetë. Ju edhe shumë të tjerë mundeni me mendu që është shumë vonë me fillu diçka të re në atë moshë. Në vitin 2011 kam qenë 28 vjeç. Ecjet ditore, të shkurtëra, nëpër male dhe natyrë kam bërë edhe para vitit 2022, me familje po edhe me shoqëri. Ndërkaq, me klube bjeshkatare, më saktësisht me Arben Islamin apo “Hiking Njeri” ka qenë po ashtu ky vit.

Çka kam qenë duke bërë përpara? Shumë përpara, unë kam lind e jam rrit në Gjilan. Shkollën fillore dhe të mesme e kam përfundu atje. Gjithashtu, kam qenë bashketbolliste e Klubit “Drita” për 7-8 vite. Sporti gjithmonë më ka pëlqy shumë. Ëndrra ime ka qenë me vazhdu me u marrë me basketboll edhe profesionalisht, mirëpo në atë kohë, nuk kam pas shumë mundësi me e zgjedh një rrugë të tillë. Kështu, pasi përfundova shkollimin e mesëm, erdha në Prishtinë dhe fillova fakultetin ekonomik, ofertën me fillu punën si asistente e lëndëve të Makroekonomisë dhe Marketikungut për dy vite ma ofruan vetë universiteti. Më pas nëpër kompani kogja të njohura si drejtoreshë e departamenteve të marketingut. Kam punuar punë shumë të mira dhe lezetshme, deri në vitin 2015 kur e ngjita Malin e Bardhë apo Mount Blanc dhe vendosa t’i lë të gjitha punët dhe t’i përkushtohem një profesioni të ri të punës, atë si guide dhe ngjitjes nëpër malet e vendit, rajonit dhe pse jo edhe botës. 

Pasioni – gjithmonë më ka pëlqy me u marrë me sport. Çfarëdo. Edhe futboll shpesh. E gjithashtu natyra dhe dashnia për drunjtë e lumejtë, ka ardh qysh në moshën e vogël, kur me prindërit, motrat e vëllaun, pushimet verore gjithmonë i kemi kalu nëpër tenta dhe kampe të ndryshme. E Hiking, ka qenë vetëm vazhdimësi e asaj që e kam fillu që e vogël, vetëm se deri në atë kohë, nuk kam pas shumë informacione se si mundem me fillu diçka të tillë.

Të bëhesh personi i parë që arrin të ngjitet në majën më të lartë në botë nga Kosova, është diçka e jashtëzakonshme. Si u ndjeve kur ndodhi kjo gjë?

Uta Ibrahimi: Jam ndje njeri më i lumtur në botë. Kurrë as edhe një ndjenjë tjetër deri më tani nuk e ka zëvendësu ndjenjen e arritjes në çatinë e botës, e lindjen e diellit me pa prej atje. Thjesht, zemrën në kuptimin e plotë të fjalës e kam pas plotë e përplotë.

Fakti që ti je një grua, e bën karrierën tënde edhe më të jashtëzakonshme. Kjo pasi gruaja në Kosovë është në diskriminim e sipër dhe arritjet “vëhen në hije”, cili është mesazhi i juaj për të gjithë gratë?

Kohë të ndryshme, kam dhënë mesazhe të ndryshme për gratë. Ndoshta edhe duke kalu nëpër faza të jetës, e gjithashtu duke punu shumë që me ndryshu këtë mentalitet.

Mendoj qe në Kosove për çka ne mburremi më së shumti është për gratë e Kosovës. Kur ndalem me mendu se cilët janë emrat e njerëzve që nime kanë bë dicka për këtë vend, as edhe nje burrë nuk më bjen në mend.

Me këtë fakt, mendoj qe diskriminimu na ka ba ma të forta. Nime na kanë dhanë krah.

Une personalisht para tentimit për në ngjitjen e Majës Everest, kam pas marrë komente prej më të ndryshmëve, e tani mendoj që ato veç më kanë bë më të fort, edhe më kanë ndihmu me arrit qëllime të medha.

Mesazhi per grate:

Gratë duhen me i përkrah gratë. Vetëm atëherë diskrimini s’ka me ekzistu.

Ushtrimet për një sport sikurse futbolli ndodhin në një fushë ose diku tjetër. Por, çfarë përfshijnë ushtrimet e një personi që merret me “Hiking”, pra, si ushtrojnë alpinistët?

Uta Ibrahimi: Ushtrimet që unë i bëj janë shumë të laramanishme. Bëj vrapim malor gati çdo mengjes me grupin “X Trailers” në Germi. Kur nuk jam në Kosovë, vrapoj kudo tjeter. Gjithmonë, kah do që shkoj, e kam një çantë me veshje të vrapit.

Pastaj, CrossFit – me Crossfit Prishtina. Verës bëj biçikletë, e rock climbing, dimrit bëj ski edhe ice climbing, edhe normalisht seanca e tretë e ditës është yoga, para gjumit.

Zakonisht flej në orën 21.30 edhe zgjohem në orën 5.30. Ushqehem shumë mirë, edhe tentoj me pas disipline.

Normalisht gjatë ditës punoj me Fondacionin Utalaya edhe gjatë fundjavës punoj si guide për Butterfly Outdoor Adventure. Shumë shpesh edhe bëj punë vullnetare – përmes prezantimeve nëpër shkolla dhe çerdhe, etj.

Eksperiencat e vazhdueshme me “Hiking” kanë ndikuar që ju të përjetoni aventura të ndryshme, por cilën e veçoni ju më së shumti?

Uta Ibrahimi: Eksperiencat nëpër male e maja të nalta qesin në pah vetëm vlerat e mira e të bukura që i ke. Ato te cilat ti nuk je krenar që i ke, ngadal ngadal ju vazhdoni t’i eliminoni. Kështu gjithmonë kam thënë që malet të tjetërsojnë, e sidomos “Himalayat” më kanë ba me kuptu se sa te vegjël jem, e sa të pa rëndësishme janë gjërat e pa rëndesishme, zënkat, inatet, xhelozitë, etj. Malet per mu nuk janë vetëm sfida fizike, po shumë sfida psiqike. E kjo, të transformon si njeri. Te bon njeri ma të lumtun. E të bon me ju dijtë rëndësinë edhe gjerave shumë të vogla në jetë.

Ke hapur librin e rekordeve dhe historisë disa herë për Kosovën, a ka qenë ky një synim i menduar qysh kur ke filluar karrierën?

Uta Ibrahimi: Jo asnjëherë nuk e kam nis ecjen në mal për me shënu rekorde apo histori per vendin. Ecjen e kam fillu vetëm për me jetu ma ndryshe, më shëndetshem. Me qenë ma afer ma natyrën e malet, me vetën. 

Po sikur idea të kishte qenë më shënu rekorde, atëherë edhe kur e kam përfundu Everestin, kam mundur edhe me u ndal, sikurse plotë alpinistë nepër botë. Por unë e kam vazhdu, dhe jo vetëm në ngjitjet në Himalaya, por secili njeri që më percjell pak në rrjete sociale e dinë që unë malet e sportin e bëj në baza ditore, dhe jo vetëm për rekorde.

Viti 2020 dhe 2021 ka qenë shumë ndryshe për të gjithë njerëzit, si ishte për ty viti me COVID-19? Si shkuan ngjitjet, a u anulua gjithçka? Pra, eksperiencat e juaja gjatë dy viteve të fundit?

Uta Ibrahimi: Në vitin e parë të pandemisë gjithcka është anuluar për mua. Pavarësisht që ka pas ngjitesa që kanë vazhdu ekspeditat, mirëpo unë kam dasht me i respektu rregullat e udhëtimeve, edhe kërkesën e nanës natyrë, e me e lanë me marrë pak frymë.

Mendoj që ka qenë nje pazuë e domosdoshme për tokën. Mendoj që secilit prej neve, na ka bë mirë ajo kohë, ku secili kemi pas kohë me reflektu, me pushu prej intensitetit, prej zhurmave, etj.

Personalisht kam qëndruar kryesisht në Kosovë, duke bërë vrapime çdo ditë, kam be rekorde në vrapime, kam bërë gara në vrapime ultra 100 më shumë kilometra, etj.

Ndërsa, në vitin e dytë, kur filloi gjithçka me u kthy si ma parë, edhe unë u ktheva në ekspedita dhe e ngjita Majën Annapurna 8091 metra, si maja me vdekjet me te medhaja në historinë e Himalayave, e më pas edhe Majën Lenin 7134 metra, etj.

E gjithashtu në vitin 2021, gjatë kohës sa isha në ekspedita në Himalaya, në kampin bazë të. Dhalagirise, në mes të akullnajave në 4600 metër lartësi mbidetare, e mora lajmin e humbjes së babait, njerit ma të dashtun të jetës, shokut ma te mirë në jetë, e përkrahësit ma te madh të jetës time. Ky lajm përveç që mka trondit, e m’ka mërzit jashtëzakonisht shumë, m’ka ndryshu ne përceptimin e jetës, e planeve për të ardhmen.

Ke marrë pjesë dhe je ftuar në shumë vende të botës dhe rrjedhimisht ke bërë edhe promovimin e Kosovës në shumë vende, madje në mënyrën më dinjitoze të mundshme. Si e vlerëson këtë?

Uta Ibrahimi: Jam e ftuar, vizitoj vende të ndryshme – kryesisht aty ku ka male, bej prezantime për Kosovën, për historinë, kulturën, jetën e njerëzve këtu. Shumë shpesh përceptimet e njerëzve kanë ndryshu tepër shumë në momentet që kemi diskutu. Edhe mendoj që kjo është një punë që e bëj për vendin tem, sepse me të vertetë besoj që Kosova është vend shumë i bukur, me shumë potencial, me shumë njerëz të mirë, dhe njerëzit rreth e rreth botes duhen me e kuptu.

Kjo, ka qenë dhe vazhdon të jetë një mision i imi i ngjitjeve në 14 majat më të larta të tokës, ku nëpërmjet ngjitjeve, une dua të promovoj vendin dhe në të njejtën kohë t’i inspiroj gjeneratat e reja në Kosovë për ta parë jetën më ndryshe, me më shumë ngjyra.

Komiteti Olimpik i Kosovës nuk ka të përfshirë “alpinistët” si pjesë të tyre, e së fundmi ke zhvilluar një takim me ta. Për çfarë biseduat?

Uta Ibrahimi: Ka qenë hera e parë që jam taku me Kryetarin e Komitetit Olimpik, Ismet Krasniqi dhe sekretarin e përgjithshëm, Besim Aliti. Pas sa viteve ngjitje nepër majat e botës.

Më kanë prit shumë mire. Jam njoftu më detajisht me procedurat dhe punën e Komitetit Olimpik. E kam kuptu që alpinizmin në formën që unë e bëj ( pasi që nuk është garë), nuk hyn në listën e sporteve garuese dhe nuk është pjesë e garave olimpike. Por prapë, nuk duhet me u anashkalu mundësia e takimeve më të shpeshta, apo edhe ndihmesave në përkrahje financiare të ekspeditave të mia etj. Por pavarësisht kësaj, se çka unë kam postu në rrjtete em ia sociale, me të vërtet nuk ka pas kurrëfar prapavije mbrapa, krejt çka kam dasht është të sjellë debat në mes të KOK apo edhe Federatës Bjeshkatare të Kosovës. 

Së fundmi ke qenë pjesë e Festivalit “Erzurum”, e fillove këtë vit me një vend shumë të ftohtë. Por, cila do të jetë e ardhmja e juaj, apo maja e re që do ta ngjitësh?

Uta Ibrahimi: Çdo vit, gjatë dimrit tentoj me gjetë një vend më të afërt edhe me ushtru në ngjitje në akull – sikurse kjo e Erzurumit.

Këto ngjitje më ndihmojnë në përgratitjet e mia drejt Majave 8000 metra, e përveç tjerash atje takoj njerëz nga bota e profesionit të njejte dhe normalisht ndajmë eksperienca të ngjitjeve, ideve peër projekte të përbashkëta, etj. kështu që këto ekspedita janë gjithmonë të mirëseardhura.

E ardhmja është Maja Makalu 8643 metra, Maja e 5 me e nalta në botë. Dhe tani jam në fazën e parë të gjetjës së fondeve.

Fondet janë gjithmone problematike. Une nëpër secilën ekspeditë kam punu shumë që me i siguru financat për ekspedita. Së fundi jam në një fushatë për shtijen e kapelave dhe bandave me brendin Utalaya 14×8000 , ku secili qe po e blen kapelen po e ndihmon ngjitjen në Makalu.

Si një eksperte dhe profesioniste e jashtëzakonshme në fushën e alpinizmit, cilat janë këshillat e juaja për të rinjtë ose njerëzit që aktualisht merren me këtë fushë?

Uta Ibrahimi: Mos me harru sigurinë për vetën, me shpërnda sa ma shumë te të tjerët dhe me bo maksimumin që me e rujt natyrën.

Majat e botës janë bërë diçka e zakonshme për ty, por a ke menduar (ose a ka pasur momente) që ndonjëherë të largohesh nga ky profesion?

Uta Ibrahimi: Ka pas momente, sidomos kur e kam humb babain. Kur flas për sakrificë, shpesh njerëzit nuk e kuptojnë se për çka e kam fjalën. Eh, nuk po flas që mungoj nëpër evente të tjera në jetë, por edhe kur nuk je afër atëherë kur njerin ma të dashtun të jetës nuk kam arrit me e taku, edhe një herë përpara se me shku në botën tjetër. /KultPlus.com