Zëvendësministri Beqiri merr zyrtarisht detyrën

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim zëvendësministrin e MKRS-së, Ismet Beqiri, i cili zyrtarisht edhe ka pranuar këtë detyrë.

Ministrja Dumoshi gjatë takimit e njoftoi zëvendësministrin Beqiri për punën dhe programin që do të realizojë ministria për këtë vit si dhe planet e MKRS-së që synohen për t’u arrirë gjatë këtij mandati qeverisës.

Dumoshi e Beqiri diskutuan për bashkërendimin dhe ndarjen e përgjegjësive që pritet t’i kenë në këtë bashkëpunim në kuadër të udhëheqjes së ministrisë.

Ministrja Dumoshi e informoi zëvendësministrin se përkundër sfidave që ka MKRS-ja në avancimin e fushave që mbulon, bashkërisht me një koordinim efikas do të përmbushen të gjitha objektivat, u shpreh mes tjerash ministrja Dumoshi.

Kryeministri Kurti emëron Ismet Beqirin zëvendësministër të Kulturës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot Ismet Beqirin, zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kurti i ka uruar punë të mbarë zëvendësministrit Beqiri.

“Duke i uruar punë të mbarë në detyrën e re, Kryeministri Kurti ka thënë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si një prej sektorëve të rëndësishëm në avancimin e politikave në kulturë, rini dhe sport, do të kenë mbështetjen e duhur të Qeverisë në realizimin e objektivave që ndërlidhen me kulturën, sportin e veçanërisht me rininë”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrit. /KultPlus.com

LDK publikon emrat e zëvendësministrave, Ismet Beqiri në Ministrinë e Kulturës

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka publikuar emrat e zëvendësministrave, të cilët ia ka ofruar kryeministrit Albin Kurti për emërim.

Në një postim në Facebook, ai ka treguar se Agim Krasniqin e ka propozuar për zëvendësministër të Financave, Xhavit Rexhajn për të Arsimit, Fatbardha Eminin për MAPL, Ismet Beqirin për MKRS e Florian Dushin për zëvendësministër të Drejtësisë.

Për zëvendësministrat tjerë ka thënë se do të njoftojnë së shpejti.

Ky është njoftimi i Mustafës:

Të nderuar qytetarë,

Pas trajtimit në Kryesi, të çështjes së zëvendësministrave, ia kam ofruar Kryeministrit Kurti këto kuadra të LDK-së për zëvendësministra:

Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave dhe Transfereve. Ekonomist. Ka punuar një kohë të gjatë si drejtor i Departamentit të Buxhetit, ka qenë Zëvendësministër i Financave dhe Ministër në Detyrë i Financave. Anëtar i Këshillit të Ekspertëve të LDK-së.

Xhavit Rexhaj – zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Profesor. Ka udhëhequr grupin e akspertëve të Lidhjes Dekokratike të Kosovë për hartimin e programit të arsimit të LDK. Ka mbaruar studime master në Varshavë e në Oxford në fushën e studimeve britaneze, në Prishtinë e në Zagreb në fushën e letërsisë angleze dhe pedagogjisë, studimet e doktoratës në Universitetin e Tiranës dhe studimet postdoktorale në Universitetin e Nju Jorkut dhe të Los Angjelosit. Ka mbaruar specializim në fushën e reformave të arsimit të lartë në Budapest. Ka qenë drejtor i departamentit të arsimit në Ministrinë e Arsimit. Është profesor në Kolegjin AAB.

Fatbardha Emini, Zëvendësministre e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Juriste. Anëtare e Këshillit të Drejtorëve në Komunën e Vitisë, Drejtoreshë e Drejtorisë së Kadastrit dhe tani drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit. Ka kryer studimet master. Anëtare e KP të LDK-së.

Ismet Beqiri, Zëvendësministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Jurist. Ka qenë Kryetar i Kuvendit Komunal të Prishtinës, drejtor i Kompanisë publike Sport-marketingu, deputet i Kuvendit në disa mandate. Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së, tani nënkryetar i LDK-së.

Florian Dushi, Zëvendësministër i Drejtësisë. Jurist. Ka qenë Sekretar Permanent i Ministrisë së Drejtësisë, Zëvendësministër i Drejtësisë, anëtar i KQZ-së. Ka ushtruat detyrën e Avokatit. Anëtar i Kryesisë s LDK-së.

Kandidatet dhe kandidatët tjerë do të caktohen në ditët në vijim.