Dumoshi: MKRS-ja përkrahë vlera të artistëve si Rexhepagiqi e Boshnjaku

Me përkrahje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është mundësuar organizimi i koncertit të këngëtarit tonë të mirënjohur Armend Rexhepagiqit nën emërtimin “Edhe një herë”, të cilin e ka përgatitur kompozitori Florent Boshnjaku.

Koncerti do të mbahet të dielën në 20:45 në Klan Arena dhe siç ka paralajmëruar edhe kompozitori Boshnjaku, përgatitjet janë bërë gati të gjitha nga një ekip profesional për të sjellë një performancë të mrekullueshme, vlerëson ai.

Me këtë rast, ministrja Vlora Dumoshi, tha se projekte të këtilla nëpërmjet të cilave përçohen vlerat e mirëfillta, është kënaqësi dhe detyrim i institucionit që t’i përkrah.

“Dua të falënderoj këngëtarin Armend Rexhepagiqi, kompozitorin Florent Boshnjaku dhe tërë ekipin që po mundësojnë realizimin e këtij koncerti i cili është më se i nevojshëm për qytetarët si një lloj relaksimi dhe përmbushjeje artistike duke pasur parasysh pasojat që ka sjellë pandemia. Përmes këtyre vlerave të mirëfillta kulturore, përpos që i ruajmë ato, ne përpiqemi që t’i risjellim në kujtesë edhe për të ringjallur nostalgjinë”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi, duke veçuar faktin se MKRS-ja gjithmonë është afër artistëve që kultivojnë vlerat e mirëfillta të Kosovës. / KultPlus.com

Suksesi i filmit “Zgjoi” është sukses i tërë Kosovës

Pas suksesit të arritur të filmit “Zgjoi” nga Kosova, në “The Sundance Film Festival”, festivalin më të madh të pavarur të filmit në SHBA, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka takuar skenaristen dhe regjisoren e filmit Blerta Basholli.

Ministrja Dumoshi e ka përgëzuar regjisoren Basholli për suksesin e arritur në festivalin “Sundance” duke rrëmbyer tri çmime, atë të jurisë, audiencës dhe për regjinë më të mirë.

“Suksesi i filmit ‘Zgjoi’ është një fitore për tërë Kosovën në arenën ndërkombëtare, ku është treguar cilësia dhe tradita në kinematografi që tashmë është ndërtuar në vendin tonë. Dua t’i përgëzoj tërë ekipin e filmit për këtë rezultat të arritur dhe si ministri ndjehemi të kënaqur tej mase që nëpërmjet Qendrës Kinematografike të Kosovës kemi mbështetur këtë film”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Tematika e filmit është shumë e fuqishme, ka vlerësuar ministrja, duke potencuar faktin se përmes këtij krijimi artistik rrëfehet një ngjarje e vërtetë e një gruaje me zemër të madhe siç është Fahrije Hoti, e cila ka pësuar në luftën e fundit në Kosovë të shkaktuar nga regjimi serb. Ndonëse me dhimbje e pikëllim për tragjedinë që ka përjetuar në familje, znj. Hoti ka arritur të mbledh forcat dhe të bëhet një prej prodhuesve dhe ndërmarrësve serioze për të treguar se sa të fuqishme janë gratë e Kosovës. Nëpërmjet filmit Blera e ka prezantuar me sukses këtë ngjarje, është shprehur ministrja.

Ndërkaq, skenaristja e filmit ‘Zgjoi’, Blerta Basholli, tha se e falënderon ministren Dumoshi dhe MKRS-në për përkrahjen e dhënë për filmin. Ajo tha se këtë sukses ia dedikon znj. Fahrije Hoti nga Krusha e Madhe e Rahovecit.

“I falënderoj të gjithë kastën dhe ekipin tjetër të filmit dhe të gjithë ata që kanë mbështetur prodhimin e tij për të ndriçuar ekranin e madh të kinemasë. Rrëfimi që ka filmin përçon mesazhin e një gruaje nga Kosova që përkundër dhimbjes e mërzisë, paragjykimeve përreth ajo ia del duke u bërë e suksesshme”, tha Basholli.

Filmi ‘Zgjoi’ shënon një prej sukseseve historike dhe është dëshmi e fuqishme që prezanton në arenën ndërkombëtare një të vërtetë nëpër të cilën ka kaluar populli i Kosovës./ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi takoi Këshillin për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës në sport

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në vazhdën e aktiviteteve të saj, takoi anëtarët e Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës në Sport dhe Dukurive të Tjera Negative në Ngjarjet Sportive.

Gjatë takimit, kryetari i Këshillit, Besim Kelmendi, i dorëzoi ministres Dumoshi raportin vjetor të punës ku e njoftoi për takimet e mbajtura të këshillit ku gjatë 2020-tës janë organizuar rreth 30 takime nëpër regjione të ndryshme të vendit dhe për vendimet dhe rezultatet e arritura të Këshillit.

Kelmendi dhe Dumoshi diskutuan rreth ecurive për organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive.

Ndër të tjera, ministrja Dumoshi tha se MKRS-ja do ta mbështesë në vazhdimësi punën e Këshillit dhe se do të angazhohet maksimalisht që të eliminojnë dukuritë negative në sport.

Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive është organ i përhershëm me përfaqësim ndërinstitucional, i përbërë prej pesë anëtarëve dhe ka për qëllim parandalimin dhe sanksionimin e dhunës si dhe dukurive negative në ngjarjet sportive./ KultPlus.com

MKRS licencon Federatën e Golfit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka licencuar Federatën e Golfit.

Ministrja Vlora Dumoshi gjatë takimit me kryetarin e kësaj federate, Blerim Sejdiu diskutoi për aktivitetet sportive që organizon kjo federatë.

“Licencimi i Federatës së Golfit është bërë me qëllim të një organizimi më të mirë të jetës sportive në vend. Me anë të këtij licencimi besojmë që do të ketë aktivitete dhe gara të strukturuara duke pasur parasysh interesimin që keni shprehur ju federata e Golfit. Ministria do ta përkrahë këtë federatë në kuadër të politikave prioritete që ka për sportin”- tha ministrja Dumoshi.

Dumoshi  e Sejdiu diskutuan gjithashtu për hapat konkretë që duhen ndërmarrë në të ardhmen.

Ndërkaq, Kryetari i Federatës së Golfit e informoi ministren lidhur me gjendjen aktuale, planet e federatës dhe aktivitetet të cilat do të mbahen gjatë këtij viti. / KultPlus.com

Dumoshi: MKRS-ja përkrahë në vazhdimësi sportistët e rinj

Në kuadër të mbështetjes së të rinjve që merren me sport, ministrja Vlora Dumoshi, ka takuar sot sportisten e re Elda Zeqiri, kampione e tetëfishtë e Kosovës, në kategori të grupmoshave të ndryshme në Taekwondo.

Taekwondistja Zeqiri e njoftoi ministren Dumoshi për pjesëmarrjen në garat e shumta dhe sukseset që ka korrur ajo brenda dhe jashtë vendit, duke u shpallur kampione në shumë ngjarje sportive, ku mund të veçohen titujt e njëpasnjëshëm në kampionatet e Kosovës në Taekwondo nga viti 2012 deri më 2020 si dhe një titull në Gjermani në garën e Bavaria Open.

Zeqiri pret që institucionet dhe organizatat sportive t’i përkrahin të rinjtë dhe të rejat që merren me sport sepse kanë nevoja të shumta, duke i pasur parasysh edhe pasojat që ka sjellë edhe pandemia.

Ndërkaq, ministrja Dumoshi e përgëzoi sportisten e re për sukseset dhe fitoret e deritashme që ka arritur. Ajo tha se MKRS-ja në vazhdimësi i ka përkrahur të rinjtë që merren me sport por edhe në fusha të tjera.

“Ne si ministri përpos që i përkrahim organizatat sportive, në mënyrë të drejtpërdrejtë i përkrahim edhe sportistët e rinj nëpërmjet bursave dhe formave të tjera, në bazë të kapaciteteve dhe prioriteteve programore që kemi”, u shpreh ndër të tjera ministrja.

Po ashtu, ministrja tha se është e interesit institucional dhe atij shtetëror që të kemi përfaqësim sa më dinjitoz në garat sportive duke treguar për qëllimet e avancimit cilësor dhe masivizimit në sport. / KultPlus.com

Haziri për “Flakën e Janarit”: Heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria

Në Gjilan ka nisur zyrtarisht edicioni jubilar i 30-të i manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit 2021”.

Manifestimin e ka shpallur të hapur kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka theksuar se pikërisht tri dekada më parë nisi rrugëtimin “Flaka e Janarit”, ndërsa nga ky vit ky manifestim hyn në radhën e manifestimeve të kulturës shpirtërore të shqiptarëve dhe vendoset në kalendarin kombëtar të aktiviteteve.

Ai ka thënë se heronjtë na mësuan se si duhet atdheu e si fitohet liria me sakrificë, se si kryengritet për të drejta e për liri. 

“Të vazhdojmë bashkë, pa dallime, për një qëllim, për një atdhe, për një komb e një flamur, sepse edhe hapin e fundit na duhet ta bëjmë bashkë dhe atë hap nuk duhet ndalë për ta çuar vendin përpara”, ka thënë Haziri. 

Ndërsa, Vlora Dumoshi, ministre në detyrë e Kulturës, ka shprehur mirënjohje për familjet e dëshmorëve që sollën lirinë, duke shtuar se ky manifestim mbledh artistë nga të gjitha trevat shqiptare, është manifestim i vlerave, andaj duhet ta ruajmë e ta kultivojmë atë. 

Për jetën dhe veprën e Kadri Zekës, të cilit i është kushtuar manifestimi i sivjetmë, ka folur atdhetari Bejtullah Tahiri, i cili ka thënë se ndër vite kjo datë e ka gjetur në Zagreb, Shqipëri e Zvicër, por gjithnjë është shënuar në mënyrë dinjitoze. Që nga vrasja tinëzare e heronjve, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla shpirtërisht gjenden në zemrat e çdo shqiptari. 

“Kadri Zeka u brumos me ide patriotike që nga rinia, ai bashkëpunoi me Rexhep Malën e Nuhi Berishën, edhe si studentë pati veprimtari në lëvizjen për çlirim, derisa në mërgim pos që publikoi në revista të ndryshme, ai se bashkë me vëllezërit Gërvalla bëri përpjekjet për bashkim të lëvizjes së shkapërderdhur  në mërgim si dhe për pavarësimin e klubeve shqiptare në mërgim”, tha Tahiri, duke shtuar se pas demonstratave të vitit 1981, ai organizoi demonstrata në Evropë, internacionalizoi çështjen e Kosovës në botë. Ai dha shembullin më të mirë për bashkim. 

“Vrasje e Kadri Zekës dhe e vëllezërve Gërvalla ishte goditje e rëndë, por vepra e këtyre atdhetarëve kishte lëshuar rrënjë tek populli shqiptar, që u kurorëzua me luftën çlirimtare të UÇK-së”, ka thënë Tahiri. 

Në emër të familjes së Kadri Zekës, ka folur Izmi Zeka, që tha se u bënë 39 vjet kur ranë Kadri Zeka e vëllezërit Gërvalla, 37 vjet kur ranë Rexhep Mala e Nuhi Berisha dhe kur vite e vite kur ranë shumë heronj duke dëshmuar se Gjilani dhe Anamorava ishte qendër e veprimtarisë patriotike në Anamoravë. 

“U jemi mirënjohës të gjithë qytetarëve të Kosovës. Gjilani e Anamorava e kanë historinë e vet. Kur nderojmë heronjtë nderojmë vetën tonë, kur nderojmë të kaluarën e nderojmë të ardhmen tonë”, ka thënë Zeka. 

Në manifestimin jubilar, janë nderuar familja e heroit Kadri Zeka për kontributin për lirinë e shqiptarëve, dy nga themeluesit e këtij manifestimi, Sabit Rrustemi e Hasan Bunjaku, post-mortum për kontributin në artin letrar dhe atë dramatik u nderua Beqir Musliu si dhe Filarmonia e Kosovës. /express/ KultPlus.com

Dumoshi takohet me Uta Ibrahimin, i premton mbështetjen e MKRS-së

Ministrja Vlora Dumoshi ka takuar sot Flutura Ibrahimin, më shumë të njohur si Uta e Maleve, vajzën e parë nga Ballkani e cila ka ngjitur 5 majat e Himalajeve.

Ibrahimi e njoftoi ministren më shumë për vazhdimësinë e projektit të saj ‘14 Majat më të larta të tokës’ dhe ekspeditat e radhës në Anapurna, Makalu dhe K2 majën më të rrezikshme në botë.

Ministrja tha se Uta do të ketë mbështetjen e saj si ministre dhe të MKRS-së për rrugëtimet e saja drejtë çative të botës, ku besoj sërish do të valojnë flamuj tonë. / KultPlus.com

Dumoshi: Të rinj si Melisa Ibrahimi duhet të identifikohen dhe të përkrahen nga institucionet

Ministrja Vlora Dumoshi ka pritur në takim sot artisen e re Melisa Ibrahimi, pianiste e cila gjatë vitit 2020 ka fituar shumë çmime në garat ndërkombëtare për piano, që ajo ka marrë pjesë, si në Moskë të Rusisë, në Bavari të Gjermanisë, Itali, Beograd të Serbisë.

Me këtë rast, artistja Ibrahimi e njoftoi për përvojën e saj gjatë vitit që lamë pas, duke treguar për çmimin e parë që ajo ka fituar në muzikë klasike me piano, në Moskë të Rusisë, në garën “International Music Competition Moskow, Russia”, ku ka luajtur për 40 minuta Appassionata të Betovenit në një garë me 25 finalistë, garues nga e tërë bota.

“Gara për shkak të pandemisë është organizuar online, dhe na është dashur të përgatitemi si në aspektin profesional artistik ashtu edhe në atë teknik, por ia kemi dal suksesshëm”, shpjegoi Melisa Ibrahimi, duke folur edhe për dy çmime tjera që ajo ka fituar në Bavari të Gjermanisë, si dhe vendin e dytë në Beograd të Serbisë.

“Si rezultat i pjesëmarrjes dhe sukseseve në këto gara ndërkombëtare, këtë vit do të marrë pjesë në një garë në Spanjë ku do të jemi 20 finalistët më të mirë të botës dhe do të performoj në shtëpinë e Betovenit në Gjermani”, e informoi ministren artistja Ibrahimi.

Ajo tha se e falënderon mësuesen e saj të pianos Alberta Troni për suksesin deri ku ka arritur. Melisa Ibrahimi përmendi se deri tani askush nuk i ka ofruar përkrahje përpos Ministrisë e cila në thirrjen e fundit nga fondi emergjent e ka ndihmuar artisten.

Ndërkaq, ministrja Dumoshi, tha se personalisht ndjehet e lumtur që ka rastin të takojë artisten në fjalë, gjë që tregon se Kosova ka të rinj shumë të talentuar në shumë fusha.

“Është kënaqësi të shohim të rinjtë tanë të tregojnë suksese në ngjarjet dhe garat ndërkombëtare. Dihet që Rusia ka traditë në artin muzikor dhe që ka shumë talente e një artiste nga Kosova të ngadhënjejë atje vërtetë është një ngjarje që meriton vëmendje dhe ju si artiste e re meritoni që të përkraheni edhe më shumë”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

“Shteti duhet të kujdeset për artistët dhe të rinjtë që kanë vullnet dhe afinitet për t’u marrë me art e sport, sepse kur arrihen suksese nga të rinjtë tanë ato nuk janë vetanake sepse çdo përfaqësim është edhe prezantim shtetëror. Identifikimi i të rinjve si ju që kanë prirje në një fushë të caktuar është obligim i institucioneve dhe i shoqërisë dhe duhet të mbështeteni pa mëdyshje, për arsye se ne si Kosovë përfaqësohemi më pas sa më mirë dhe sa më suksesshëm. Si ministri në vazhdimësi jemi munduar të mbështesim të rinjtë e talentuar dhe personalisht unë dua të të uroj për sukseset e tua dhe si një përkrahje morale si ministre kam përgatitur një mirënjohje” i tha ministrja Dumoshi artistes së re Melisa Ibrahimi.

Melisa Ibrahimi, është artiste nga Mitrovica. Po ashtu, ajo është edhe basketbolliste e cila luan për përfaqësuesen e Kosovës U20. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi i ndau mirënjohje alpinistes Mrika Nikçi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti në takim alpinisten Mrika Nikçin.

Ministrja Vlora Dumoshi gjatë këtij takimi e përgëzoi alpinisten Mrika Nikçi për sukseset e saj duke thënë se “është kënaqësi e veçantë për mua si Ministre që t’i ndaj mirënjohje një alpinistje të suksesshme siç jeni ju, vajza e parë në botë e cila i ka pushtuar 7 majat më të larta në 7 kontinente ende pa i mbushur 18 vite”.

“Puna dhe angazhimi juaj është një motivim i madh për rininë e vendit tonë sepse ju keni arritur të dëshmoni se me punë dhe angazhim gjithçka arrihet. Andaj unë po ju dorëzoj këtë mirënjohje si shenjë motivimi shtesë për ju që të vazhdoni tutje dhe të arrini suksese tjera të njëpasnjëshme në të ardhmen”–tha ministrja Dumoshi.

Ndërkaq alpinistja Mrika Nikçi u shpreh e lumtur për marrjen e mirënjohjes dhe tha se: “Vlerësimi i punës dhe angazhimit tim nga ana e Ministrisë për mua do të thotë shumë, kjo mirënjohje është një motivim shtesë e cila me shtyn të vazhdoj më tutje”- tha alpinistja Nikçi. / KultPlus.com

Dumoshi për vdekjen e dirigjentit Lekaj: Humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare

Pasditen e sotme ka ndërruar jetë kompozitori dhe dirigjenti i mirënjohur, Kristë Lekaj. Mesazhet e ngushëllimit kanë qenë të shumta nga personalitete të shumta të kulturës e politikës, shkruan KultPlus.

Ministrja në detyrë Vlora Dumoshi ka shkruar në Facebook se ndarja nga jeta e Kristë Lekaj është një humbje e madhe për kulturën shqiptare.

Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:

Më preku lajmi për ndarjen nga jeta të kompozitorit dhe dirigjentit, Kristë Lekaj.

Ndarja nga jeta e Kristë Lekajt është një humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare.

Ai dha kontribut të madh në produksionin e Radiotelevizionit të Prishtinës dhe për disa vjet në Korin e Filharmonisë së Kosovës.

Veprat e tij kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në fushën e muzikës.

I shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të kompozitorit, Kristë Lekajt.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!/ KultPlus.com

Veprat e 121 artistëve të shquar të kohës kthehen në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi së bashku me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti morën pjesë në ceremoninë e bartjes së aseteve dhe vepra pamore të artit të 121 autorëve nga Hoteli “Grand” në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Me këtë rast ministrja Dumoshi tha se këto punime po kthehen në vendin ku i përkasin pra Galerisë Kombëtare të Kosovës.

“Sot është një ditë historike për vendin tonë, disa nga veprat artistike të artistëve më të shquar të kohës sonë po i kthehen institucionit më të lartë të artit pamor në vend – Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Ministrja Dumoshi e vlerësoi punën e menaxhmentit dhe punëtorëve të Hotel “Grandit”, Prishtina duke theksuar që këto punime kanë qëndruar për 30 vjet në këtë hapësirë dhe kanë pasur një kujdes të veçantë duke u ruajtur me shumë zili. Po ashtu ministrja Dumoshi ka falënderuar të gjithë ata që punuan deri në këtë ditë, në veçanti ka falënderuar AKP-në për bashkëpunimin.

Ndërkaq Kryeministri Avdullah Hoti tha që këto vepra janë pasuri shtetërore dhe pjesë e kulturës së vendit tonë. Ai shtoi që këto vepra janë ruajtur me përkushtim.

“Është moment i mirë që këto bëhen pjesë e Galerisë sonë, dhe njerëzit munden me i shiju këto asete”, tha ndër të tjerash z. Hoti. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi ndau shpërblimet shtetërore për sportistët

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka pritur në takim ekipin e xhudos së Kosovës në krye me trajnerin Driton Kuka, me ç’rast ka bërë ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që kanë arritur rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.

Trajneri i xhudos, Driton Kuka së bashku me xhudistën Distria Krasniqi, Loriana Kuka, Laura Fazliu janë fituesit e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.

Ministrja Dumoshi uroj ekipin e xhudos për sukseset e arritura gjatë këtij viti duke theksuar se si ministre është munduar të punojë që të ofrojë kushte sa më të mira për sportistët që Kosovës po i sjellin suksese në arenën ndërkombëtare.

Gjithashtu ministrja gjatë takimit theksoi se Qendra Kombëtare e Xhudos pritet të përfundohet gjatë vitit të ardhshëm.

“Qendra Kombëtare e Xhudos që ka nisur të ndërtohet është një nga të arriturat, që si ministre e vlerësoj dhe kjo qendër pritet të ndërtohet gjatë vitit të ardhshëm. Kosova mund të merret shembull në rajon se si bashkëpunohet me federata sportive,”- tha ministrja Dumoshi.

Ndërkaq, trajneri Driton Kuka  falënderoj ministrinë për mbështetjen dhe të gjitha institucionet duke e vlerësuar bashkëpunimin me ta.

“Po synojmë që të kemi pesë cikle për në olimpiadë dhe të sjellim tituj sa më shumë dhe për këtë na nevojitet edhe mbështetja”,-tha Kuka. / KultPlus.com

Kthehen veprat e 121 artistëve kosovarë në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se në Galerinë e Arteve janë kthyer veprat e 121 autorëve të Kosovës, shkruan KultPlus.

‘Lajm i mirë për artin në këtë fundvit
Me propzimin tim si ministre sot është votuar Evidentimi dhe kthimi aty ku e kanë vendin – në Galerinë e arteve – 121 veprat e autorëve që Kosovës i kanë dhënë identitet, në fushën e arteve pamore, dhe shpronësimi i tyre ishte një ndër prioritetet e mia si ministre.

MKRS konsideron se rikthimi i veprave të artit që ne i vlerësojmë si asete kombëtare – të ekspozuara në “Grand Hotel-Prishtina”, tek thesaret e popullit, aty ku ruhen dhe ku ka qasje publiku i gjerë, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, është një ndër aktet madhore të kësaj Qeverie!

Falenderoj Drejtorin e AKP-së, z. Valon Tolaj dhe stafin e MKRS-së, që punuan me ngulm që të përmbushen kërkesat ligjore’, ka shkruar Dumoshi në Facebook. / KultPlus.com

Hapet ekspozita vjetore e Asociacionit të Artistëve Vizuel të Kosovës

Është hapur ekspozita vjetore e anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizuel të Kosovës për vitin 2020 në Muzeun Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Muret e Muzeut u mbushën me pikturat, skulpturat, grafikat, dizajnet grafike, fotografi artistike dhe vizatime të artistëve të shumtë, teksa e pranishme ishte edhe ministrja në detyrë për kulturë, Vlora Dumoshi.

“Pata nderin të jem e pranishme në hapjen e ekspozitës vjetore të anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës, për vitin 2020”, ka shkruar Dumoshi në profilin e saj.

Ajo tutje ka theksuar se nëpërmjet krijimtarisë së tyre, artistët sollën frymën e introduktit real, ekspresiv, surreal, abstrakt, e deri te trendet më aktuale të artit konceptual përpara syrit të publikut kosovar.

Me këtë rast u ndanë edhe tri çmime për artistët Luan Mulliqi, Agim Salihu dhe Haxhi Kastrati. / KultPlus.com

Hapet ekspozita që dëshmon rezistencën shqiptare nga themelimi i LDK-së

Medina Pasoma

Në 31 vjetorin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shënoi hapjen e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999” në Muzeun Shtëpia e pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”, shkruan KultPlus.

Nën kurimin e Shkumbin Brestovcit, përmes kësaj ekspozite u shfaqën para publikut fotografitë, dëshmitë historike, botimet dhe pjesë nga librat vendorë e ndërkombëtarë nga periudha përgjatë së cilës një parti politike simbolizonte unifikimin dhe rezistencën mbarëpopullore të kombit shqiptarë.

Në hapjen e kësaj ekspozite i pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, i cili e cilësoi këtë ekspozitë që flet me pak fjalë nëpërmjet fotografisë dhe fakteve nga përpjekjet historike të shqiptarëve.

“Një ekspozitë e jashtëzakonshme që për 10 minuta ti e ke para syve komplet historinë e popullit të Kosovës deri në ditën e sotme”, tha Hoti.

Në anën tjetër, ministrja në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi për KultPlus u shpreh se qëllimi i kësaj ekspozite qëndron në edukimin dhe shpërfaqjen nëpërmjet arkivave të realitetit historik.

“Kjo ekspozitë për mua është një pjesë e mallëngjimit e shumë njerëzve që kanë qenë pjesëmarrës dhe sot nuk i kemi në mesin tonë, por kontributi i tyre ka qenë shumë i madh, mbase ndonjëherë i harrojmë për këtë kontribut”, u shpreh ministrja Dumoshi.

Tutje ajo theksoi se ky bashkim historik i dokumentacioneve në një ekspozitë, është një dhuratë shumë e rëndësishme për ditëlindjen e 31-të të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kuratori i cili ka sjellur finalizimin e kësaj ekspozite për një periudhë 3 vjeçare, Shkumbin Brestovci detajoi për KultPlus burimet që i ka përdorur.

“Aspekti kuratorial është bazuar kryesisht në libra, natyrisht se ka pasur edhe burime narrative, që kam folur me njerëz, ka burime gazetareske, por shumica janë të bazuara në libra”, ka thënë Brestovci.

Nga të gjitha pjesët të cilat sjellin kontribute në fusha të ndryshme, kuratori veçoi shëndetësinë dhe shkollimin, gjë për të cilat tha se edhe publiku janë mahnitur me këtë aspekt të rezistencës.

“Mënyra se si është organizuar shëndetësia, si janë hapur ato 96 klinika, si janë mbajtur nëpërmjet punës vullnetare të mjekëve, është rast unik në botë, ka pasur edhe në vende tjera por jo në këso përmasash”, vlerësoi Shkumbini.

Ai përmendi edhe shkollat paralele, për të cilat tha se nga 10.000 interesime të qytetarëve për kthimin e shtëpive të tyre në shkolla, 3.000 prej tyre u shndërruan në shtëpi-shkolla.

“Unë kam takuar arsimtarë dhe profesorë që kanë thënë se nxënësit e studentët e mi të viteve të 90-ta janë më të mirë se të viteve të 80-ta, dukshëm më mirë se të 2000-tat”, tha kuratori Brestovci, duke treguar rëndësinë që kishin këto iniciativa në atë kohë.

Përveç restrospektivës të atyre që e kanë përjetuar këtë periudhë, Brestovci thekson edhe qëllimin e kësaj ekspozite për të rinjtë.

“Ideja është tua prezantojmë si dromca të ngjarjeve që ua ngacmon kureshtjen, në mënyrë që ta hulumtojnë duke ju dukur interesante”, u shpreh Shkumbin Brustovci.

“Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999” në Muzeun Shtëpia e pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova” do të qëndroj e hapur për kureshtjen e publikut. / KultPlus.com

Skulptura e grave “Hasjane” vendohet në sheshin ‘Zahir Pajaziti’

Kompozicioni skulptural “Hasjanet” të akademik Luan Mulliqit, është vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.

Në këtë ngjarje ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi e cila tha se pavarësisht se ky vit ka qenë sfidues për ministrinë që ajo drejton, artistë si Luan Mulliqi e bëjnë të ndjehet krenare.

Ajo tha se është e lumtur që vepra të tilla që tregojnë historinë e gruas hasjane në etapa të ndryshme, po vendoset në hapësira publike në kryeqytet.

“Ky vit ka qenë shumë sfidues në pjesën e kulturës dhe artit, por artistët s’ka që i ndalon, shpirti i tyre gjithmonë punon dhe na sjellin artin më të bukur dhe më fisnik. unë jam sot e nderuar që jam mysafire e akademik Luan Mulliqit i cili na ka bërë krenar jo vetëm në vendin tonë por edhe jashtë vendit me skulpturat e tij, më emrat më eminent të historisë sonë, por edhe të fytyrave ndërkombëtare të cilat kanë dhënë kontribut të madh. Si ministre e Kulturës ndihem më e fuqishme si grua dhe si bijë e këtij vendi, që mbas meje janë skulpturat e gruas hasjane e cila jo për veç që i shohim, por tregojnë historinë e gruas dhe rëndësinë që e ka pasur nëpër etapa të ndryshme. Kjo është edhe një falënderim i madh që dua të ia bëjë akademik Luan Mulliqit i cili edhe fuqizimin e femrës gjithmonë e ka parësor”, tha ajo.

Ndërsa skulptori Luan Mulliqi tha se koncepti i kësaj vepre ka të bëjë me një amanet që i lihet trashëgimtarëve.

“Është kënaqësi e veçantë që tashmë në hapësirat publike kemi një vepër të artit me një temë të veçantë të hasjanëve e cila është trashëgimia më autoktone që e kemi dhe më vjen mirë që sonte po i kremtojmë dy ditëlindje. Njëra është ditëlindje familjare që ka të bëjë me mbesën time dhe të njëjtën kohë është një ditëlindje e një monumenti i cili si një monument pasqyron trashëgiminë familjare. Vet koncepti i kësaj vepre ka të bëjë me një amanet që i lihet trashëgimtarëve që atë që ne nuk kemi mund të arrijmë që ata të punojnë që të jenë më të avancuar në pikëpamje edhe shoqërore edhe kombëtare më shumë se ne”, tha ai./gazetaexpress/ KultPlus.com

Dumoshi prezanton planet e menaxhimit të Qendrës Historike dhe Kalasë së Prizrenit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dhe Kryetarin e Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, ka bërë prezantimin e planeve të menaxhimit të Qendrës historike në Prizren dhe Kalasë së Prizrenit.

Me këtë rast Ministrja Vlora Dumoshi tha se Muzeu Kombëtar i Kosovës edhe në këtë kohë pandemie mbetet nga institucionet që po na bën bashkë për aktivitete të ndryshme.

“Sot jemi së bashku për të miratuar dy planet e para të menaxhimit të aseteve të trashëgimisë kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit dhe për Kalanë e Prizrenit.” tha ministrja Dumoshi.

“E veçantë e këtij procesi është gjithëpërfshirja dhe transparenca e bartësve të këtyre proceseve që të dyja të hartuara nga organizatat jo qeveritare më përvojë në fushën e trashëgimisë kulturore Organizata Ec më ndryshe dhe Organizata e CHwB Kosova të kombinuara e mbështetura edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe institucionet varëse të saj. Pavarësisht sfidave kanë bërë një punë të shkëlqyer.” – tha ministrja Dumoshi.

Gjithashtu ministrja Dumoshi shprehu mirënjohje edhe për Ambasadën e Amerikës në Kosovë dhe misionin e OSBE-së në Kosovë të e cilat po përkrahin vazhdimisht projektet e MKRS-së.

“Qendra historike e Prizrenit vazhdon të mbetet prioritet i Qeverisë. Është hartuar projekti për ndërtesën e ish-burgut në Prizren dhe jemi në procedurë përfundimtare për disa projekte në Prizren. Ne do të angazhohemi edhe në finalizimin e memorandumit për ndërtimin e muzeut të filigranit,” tha ministrja ndër të tjerash ministrja Dumoshi.

 Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me këtë rast tha është gjithmonë kënaqësi pjesëmarrja në aktivitete kulturore, sportive të organizuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Sot është ngjarje e veçantë meqë me anë të këtyre dy planeve ë menaxhimit, atij të Qendrës historike të Prizrenit dhe atij të Kalasë së Prizrenit po mundësohet ruajtja e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm” – tha Kryeministri. / KultPlus.com

Ministrja Vlora Dumoshi priti në takim Ministrin e Mbrojtjes Anton Quni

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti në takim Ministrin e Mbrojtjes Anton Quni me të cilin kanë biseduar për bashkëpunim në projekte të përbashkëta mes dy ministrive.

Gjatë këtij takimi ministrja Dumoshi e njoftoi ministrin Quni për veprimtarinë, planet dhe programin e MKRS-së për vitin e ardhshëm si dhe për sfidat me të cilat është përballur ministria këtë vit për shkak të rrethanave të pandemisë.

“Ka ardhur koha që vlerat heroike të heronjve tonë të përkujtohen edhe me aktivitete tjera me kreative dhe inovative. Si dy ministri duhet të gjejmë iniciativa inovative dhe t’i mbështesin ato me qëllim që gjeneratat e reja të përfshihen edhe më shumë dhe të mësojnë më shumë për vlerat historike dhe patriotike të vendit tone,” u tha në këtë takim.

Në  ditët në vijim do të përpilohet një koncept dokument i cili do t’i paraprijë një memorandumi të bashkëpunimit i cili do të nënshkruhet mes dy ministrave.

Ndërkaq Ministri Quni falënderoi ministren Dumoshi për gatishmërinë që ajo e tregoi për të filluar bashkëpunimin për projektet që janë në interes të dyanshëm./ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi ndau mirënjohje për vullnetarët e vitit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi së bashku me shefin e UNICEF-it në Kosovë Murat Sahin, kanë ndarë sot mirënjohje për vullnetarët e vitit.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi u shpreh e lumtur që sot së bashku me shefin e zyrës së UNICEF-it z.Murat Sahin po ndajnë mirënjohje për vullnetarët e vitit. Ajo gjithashtu tha se me UNICEF-in ka një bashkëpunim të shkëlqyer dhe e falënderoi z.Sahin që po i ndihmon të rinjtë me anë të programeve të shkëlqyera të cilat i dedikohen rinisë së vendit tonë.

Tutje ministrja Dumoshi tha se “Sot është ditë e veçantë sepse ju kemi juve vullnetarët këtu. Për të pasur emrin vullnetar është një humanitet i cili buron nga shpirti për t’i ndihmuar të tjerët. Kosova  së bashku me UNICEF-in  dhe organizatat e tjera e ka instaluar me udhëzim administrativ këtë rregull për shpërblimin e punës tuaj. Shpërblimi është mbase vetëm një kujdes ndaj punës tuaj por shpirti dhe humanizmi që e tregoni dhe e shpërfaqni ndaj njerëzve që kanë nevojë e sidomos këtë vit në këtë kohë pandemie kur jeni angazhuar për t’i ndihmuar të tjerët kjo do të thotë shume për ju.”

Ministrja Dumoshi i inkurajoi të rinjtë që të bëjnë punë vullnetare dhe tha se e ka nënshkruar projektligjin për rini dhe se beson që ky ligj do të kalojë në Qeveri dhe pastaj edhe në Kuvend dhe me anë të tij puna vullnetare do të njihet si përvojë e punës.

Ndërkaq shefi i UNICEF-it në Kosovë, z. Murat Sahin e përgëzoj ministren Dumoshi për punën dhe angazhimin e saj në fushën e rinisë. Ai tha se kanë të regjistruar 10 mijë vullnetarë, duke shquar se rinia duhet të jetë lidere për të bërë ndryshime në shoqëri. “Ju përgëzoj për punën që po e bëni si ministre sidomos në agjendën rinore. Ka qenë kënaqësi me qenë pjesë e këtij rrugëtimi. Po ashtu për faktin që kemi rreth 10 mijë vullnetarë të regjistruar. Unë konsideroj që rinia sot ka vullnetin të jetë pjesë e komunitetit dhe lidere për të bërë ndryshimin në shoqëri”.

Vullnetarëve që u ndanë mirënjohje janë: Elsa Haxhija, Lea Noberdaliu, Anida Gjurgjiali, Agon Goqi. / KultPlus.com

Telegram ngushëllimi i ministres Dumoshi me rastin e vdekjes së gazetarit Avni Shabani

E nderuara familja Shabani, 

Me pikëllim të thellë e mora lajmin se është ndarë nga jeta i dashuri i juaj, gazetari i shquar sportiv Avni Shabani.

Jo vetëm ju si familje, por ne si Kosovë, humbëm një prej njerëzve më të dashur e më të vlerësuar, një gazetar të shquar i cili ka dhënë kontribut të madh në gazetarinë sportive të vendit tonë. 

Avni Shabani, do të kujtohet për përkushtimin dhe kontributin që ka dhënë për gazetarinë sportive sepse ai vazhdimisht me profesionalizmin e tij solli energji dhe pozitivitet në secilin angazhim. Ikja e tij nga kjo botë ka lënë një boshllëk të madh në gazetarinë sportive të vendit. 

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës. 

Ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe dashamirëve të Avni Shabanit. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi: Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore një institucion i rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar sot Rregulloren për Kompetencat, Autorizimet dhe Procedurat e Inspektimit dhe të Ankesave të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore (ITK), në kuadër të plotësimit të infrastrukturës ligjore të këtij institucioni të trashëgimisë kulturore.

Rregullorja në fjalë përpos që përcakton kompetencat dhe autorizimit e Inspektoratit, ajo rregullon edhe të drejtën e ankimit në rast të vendimeve të caktuara të institucionit në fjalë. Ndër të tjera rregullorja përcakton përbërjen dhe funksionimin e Inspektoratit si shërbim përbrenda MKRS-së, kompetencat e drejtorit të ITK-së, detyrat dhe përgjegjësitë e inspektorëve të trashëgimisë, procedurat dhe veprimet e ITK-së në zonat e mbrojtura të aseteve, inicimin e procedurave të inspektimit, caktimin e inspektorit, vizitat inspektuese, procesverbalin e inspektimit, zbatimin e vendimit, të drejtën e ankimit dhe një varg çështjes tjera.

Me këtë rast ministrja Dumoshi, tha se që nga themelimin e këtij institucioni në vitin 2018, ka pasur mangësi të kornizës ligjore dhe me nënshkrimin e këtij akti normativ po definohen saktë kompetencat e ITK-së.

“Paqartësia e kompetencave ndërmjet institucioneve të trashëgimisë kulturore, Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtorive të Inspektoratit dhe të Urbanizmit në Komuna tash e tutje do të jenë të qarta pasi rregullorja që është nënshkruar i saktëson këto aspekte. Si ministre ndjehem mirë që një institucioni kaq të rëndësishëm si ITK-ja po ia plotësojmë rregullativën ligjore sepse në mungesë të ligjit sekondar ka pasur mungesë të kryerjes së inspektimeve në teren. Madje, me kjo rregullore do të mundësojë edhe një koordinim më të madh ndërinstitucional”, u shpreh ndër të tjera ministrja. 

Ministrja Dumoshi tha se si ministre gjatë mandatit do të angazhohet maksimalisht në ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të Trashëgimisë Kulturore në Republikën e Kosovës. / KultPlus.com

Dumoshi në vdekjen e shkrimtarit Hasani: Përfaqësues i denjë i kulturës dhe artit në përgjithësi

Ka vdekur sot shkrimtari dhe kryeredaktori i shquar të Revistës “Pionieri”, Hasan Hasani, shkruan KultPlus.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka shprehur ngushëllimet e saj duke potencuar që Hasani ka lënë prapa një krijimtari të bujshme letrare për fëmijë e të rritur.

“E nderuar familje Hasani, me pikëllim mora lajmin për ikjen nga jeta të familjarit tuaj, shkrimtarit dhe kryeredaktorit të shquar të Revistës “Pionieri”, Hasan Hasani. Hasani ka lënë prapa një krijimtari të bujshme letrare për fëmijë e të rritur si dhe ka kontribuar në përgatitjen e shumë teksteve dhe veprave letrare. Vlen të spikatet kontributi i tij i çmuar në revistën “Jeta e Re”, “Fjala”, “Shkëndija” dhe në Revistën “Pionieri” ku shërbeu si kryeredaktor”, ka shkruar Dumoshi.

Tutje ministrja ka theksuar se me mbi 60 vepra letrare, Hasan Hasani do të mbahet mend si shkrimtar i talentuar e produktiv si në poezi ashtu edhe në prozë.

“I laureuar me shumë çmime në Kosovë e në Shqipëri, me veprën e tij do të njihet si përfaqësues i denjë i kulturës dhe artit në përgjithësi. Ngushëlloj sinqerisht familjen, Karvanin e Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva” ku ishte anëtar si dhe të gjithë dashamirët dhe bashkëpunëtorët e tij”, përfundon kështu telegram ngushëllimin ministrja Dumoshi. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi priti në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim, ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Gjermanisë, në vendin tonë.

 Ministrja Dumoshi falënderoi ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme, duke e vlerësuar lart ndihmën e pakursyer që ka dhënë Ambasada Gjermane për Kosovën.

 Po ashtu, ministrja Dumoshi e njoftoi ambasadorin Rohde për politikat dhe planet MKRS-së për zhvillimin e kulturës në vend, mbështetjen e rinisë përmes projekteve të ndryshme si dhe promovimin e diversitetit kulturor.

 “Ambasada gjermane në Kosovë dhe Zyra e GIZ-it në kanë qenë dhe mbeten partnerë strategjikë të ministrisë tonë për të shtyrë përpara objektivat të cilat i mbulojnë dikasteret e MKRS-së e që i kontribuojnë Kosovës, në përgjithësi” – theksoi ministrja.

 Ambasadori Rohde fillimisht spikati gatishmërinë për projektet në fushën e rinisë duke shprehur gatishmërinë e tij për të mbështetur rininë e vendit tonë përmes projekteve të ndryshme. Ai po ashtu tha se do të mbështesë MKRS-në edhe në realizimin e projekteve konkrete në kulturë, trashëgimi si dhe do të ndihmojë avancimin e sportit në vendin tonë. / KultPlus.com

Kupolat e Bibliotekës Kombëtare në nder të 28 Nëntorit marrin pamje të zjarrtë

Në nder të 28 nëntorit kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës kanë marrë një pamje të zjarrtë, duke shfaqur ngjyrat e flamurit kombëtar, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një postimi në Facebook nga ana e ministres së kulturës, Vlora Dumoshi e cila ka shkruar se plisat e objektit me simbolikën arkitekturale për nder të 28 Nëntorit vishen me ngjyrën e flamurit.

“Në zemër të Prishtinës, disa nga kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, plisat e objektit me simbolikën e veçantë arkitekturale, sot për 28 Nëntor vishen me ngjyrën e flamurit të shqiptarëve”, ka shkruar ajo./KultPlus.com