James Bond vjen në rolin e babait në filmin e ardhshëm “No Time To Die”

Sipas gazetës “The Mail on Sunday”, personazhi i aktorit Daniel Craig, spiuni më i famshëm në botë, James Bond, do të jetë baba i një vajzë pesë vjeçare, Mathilde, në filmin e ardhshëm “No Time To Die”. Agjenti 007 këtë fëmijë do ta ketë me Dr. Madeleine Swann, e cila në film portretizohet nga aktorja e njohur franceze, Lea Seydoux.

Rrëfimi i filmit të shumëpritur është zbuluar online javën e kaluar, kur orari ditorë i cili u tregon aktorëve ku duhet të shkojnë për të xhiruar, doli në shitje në eBay, transmeton Koha.

Ky orar e përshkroi një skenë ta caktuar të filmit në Itali, që u realizua vitin e kaluar dhe agjentja Nomi vjen përkrah doktoreshës Swann dhe vajzës së saj, Mathilde, e cila në film portretizohet nga aktorja, Lisa-Dorah Sonne.

Një burim i afërt ka raportuar se agjenti Bond vjen si baba në këtë projekt, pasi protagonisti Daniel Craig, i cili e portretizon këtë rol për herë të fundit në karrierën e tij, ka dashur ta befasojë publikun me këtë vazhdim të filmit.

Gjithashtu është bërë e ditur se fakti që producentët dhe regjisori i filmit kanë vendosur ta shndërrojnë agjentin karizmatik në baba të një 5-vjeçareje në këtë film, i ka hapur dyert për krijimin e momenteve të reja dhe të fuqishme për këtë personazh edhe në të ardhmen.

Ngjarja e filmit “No Time To Die” zë vend pesë vjet pas ngjarjeve të zhvilluara në vazhdimin e fundit, Spectre”, dhe e sjellë agjentin 007 duke e shijuar pensionimin në Jamaica, së bashku me doktoreshën Swann, para se të detyrohet ta shpëtojë botën dhe një herë të fundit nga një pandemi biologjike.

Lansimi i filmit nëpër kinema është shtyrë për muajin nëntor për shkak të pandemisë së koronavirusit, dhe pritet ta tërheq një numër të madh të shikuesve, pikërisht për faktin se Daniel Craig do të përshëndetet me këtë personazh ikonik. / KultPlus.com

‘No time to die’ bëhet filmi më i shtrenjt në historinë e filmave Bond

Shfaqja përfundimtare e Daniel Craig si Agjenti 007 i kushtoi rreth 200 milionë funte prodhuesve, sipas llogarive të lëshuara së fundmi nga firma prodhuese e filmit, B25.

Shpenzimet e mëdha do të thotë që “No time to die” i tejkalon lehtësisht kostot e dy filmave të mëparshëm të James Bond, “Specter” (182 milionë funte) dhe “Skyfall” (138 milionë funte), shkruan DailyMail, transmeton KultPlus.

Daniel, luan rolin e spiunit në “No time to die”, ashtu siç bëri ë “Skyfall”, “Casino Royale”, “Quantum Of Solace” dhe “Spectre”.
Raportimet në media bëjnë të ditur se kostoja mund të ketë qenë 47 milionë funte më e shtrenjtë, megjithatë, një skemë e taksave që synonte inkurajimin e krijimit të filmave në studiot me bazë në Mbretërinë e Bashkuar nënkuptonte se projekt-ligji ishte zvogëluar.

Ndërkohë, u zbulua në mars që data e publikimit të filmit “No Time To Die” është shtyrë deri në nëntor, në mes të frikës rreth pandemisë coronavirus.
Filmi do të dalë në treg në muajin prill, por producentët e filmave James Bond, Michael G. ëilson dhe Barbara Brokoli kanë thënë që ‘pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe vlerësimit të plotë të tregut global teatral’ ai duhet të vonohet.

Një datë e re e publikimit është caktuar për 12 nëntor në Mbretërinë e Bashkuar me datat e lëshimit në të gjithë botën, duke përfshirë edhe publikimin në ShBA është vendosur të jetë më 25 nëntor

Lajmet për vonesën u njoftuan përmes llogarisë zyrtare në Twitter të filmit. / KultPlus.com

Shtyhet premiera e James Bondit të ri për në nëntor, shkaku i Koronavirusit

Lansimi global i filmit të ri të James Bondit, “No Time to Die”, do të shtyhet për muajin nëntor, nga prilli kur ishte planifikuar, kanë thënë producentët të mërkurën, dhe arsye për këtë del të jetë frika nga koronavirusi, raporton Reuters.

Kjo shtyrje vjen pasi dy faqe të fansave të agjentit 007, që edhe kësaj radhe do të luhet nga Daniel Craig, kanë kërkuar nga studiot prapa filmit që të vonojnë lansimin nga frika se kinematë do të jenë të mbyllura në prill, transmeton Koha.net.

Themeluesit e franshizës së agjentit të fshehtë James Bond publikuan një letër të hapur ku, veç tjerash, thanë se edhe premiera botërore për “No Time to Die”, e planifikuar për 31 mars në Londër me 5,000 pjesëmarrës, do të ishte problematike.

“Pas marrjes në konsideratë në mënyrë të kujdesshme dhe përmes vlerësimit të tregut global teatral, lansimi i ‘No Time To Die’ do të shtyhet për në nëntor të vitit 2020”, thuhet në një postim në llogarinë zyrtare të James Bondit në Twitter. Aty nuk u përmend virusi specifikisht.

Në postim u tha se filmi do të lansohet në Mbretërinë e Bashkuar më 12 nëntor, ndërkaq në mbarë botën, përfshirë edhe SHBA-në, më 25 nëntor.

Premiera botërore e filmit është pritur të mbahet në “Royal Albert Hall” në Londër në fund të muajit mars.

Franshiza e Bondit është një prej filmave më fitimprurës në botë. Filmi i vitit 2015, “Spectre”, fitoi 880 milionë dollarë në ‘box office’ në mbarë botën, kurse “Skyfall” më 2012 mblodhi mbi 1 miliard dollarë globalisht. /KultPlus.com

Billie Eilish vë rekord historik me temën për James Bondin

Billie Eilish është bërë artistja e parë femër që zë vendin e parë në top-listë për një këngë të realizuar për një film të James Bondit, si dhe muzikantja e dytë në përgjithësi që e arrin këtë sukses.

Në javën e kaluar, 18-vjeçarja e publikoi temën muzikore të filmit të ri me titull “No Time To Die” dhe suksesi ishte i jashtëzakonshëm.

“Writing’s On The Wall” nga Sam Smith ka qenë kënga e parë nga një film për ‘007’ që arrin e para në top-listë, kur u publikua në vitin 2015 për filmin “Spectre”.

Kënga e Adele, “Skyfall”, në vitin 2012 dhe ajo e “Duran Duran”, “A View To A Kill”, e lansuar në vitin 1985, ishin shumë afër që të kryesonin top-listat, mirëpo përfunduan vetëm në vend të dytë.

Ndërsa kënga e Madonnas, “Die Another Day”, që ishte tema e filmit të fundit të James Bondit me Pierce Brosnanin në rolin kryesor, në vitin 2002 kishte zënë vendin e tretë. /KultPlus.com

Kënga e filmit të ri të James Bond iu besua Billie Eilish-it

Këngëtarja e njohur amerikane, Billie Eilish do të këndojë këngën e filmit më të ri të James Bond, “No Time to Die”. Këtë e kanë bërë të ditur producentët e filmit, Michael G. Wilson dhe Barbara Broccoli.

“Jemi të ngazëllyer të njoftojmë se Billie dhe Finneas kanë shkruar një këngë jashtëzakonisht të fuqishme dhe prekëse për filmin ‘No Time To Die” thanë producentët.

Billie, vetëm 18 vjeçe, e njohur për hitin e saj “Bad Guy” – është artistja më e re në histori që ka shkruar dhe kënduar këngë për filmin e James Bond.

“Ndjejnë e çmendur të jesh pjesë e kësaj në çfarëdo mënyre. Që të mund të incizosh këngën e filmit që është pjesë e një serie aq legjendare është nder i madh. James Bond është franshiza më e mirë e filmit që ekziston ndonjëherë. Akoma jam e shokuar“,  tha Billie.

“No Time to Die” paraqet kthimin e aktorit Daniel Craig si spiuni britanik James Bond, i cili thirret nga pensionimi për të shpëtuar një shkencëtar të rrëmbyer. Ekipi i tij i portretizuar nga Ralph Fiennes, Ben Whishaw dhe Naomie Harris të gjithë kthehen, dhe poashtu Lashana Lynch që luan Nomi – agjenten 00, pas pushimit të Bond nga shërbimi aktiv. E sa u përket tipave të këqij, Christoph Waltz kthehet si Blofeld dhe Rami Malek bashkohet si keqbërësi Safin. “No Time To Die” me regjit të regjisorit amerikan Cary Fukunaga do të shfaqet premierë më 8 prill 2020./21Media / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=BIhNsAtPbPI&feature=emb_title

Gjatë xhirimeve të “James Bond” shkaktohet një incident

Një shpërthim në setin e filmit të ri “James Bond”, në studiot “Pinewood”, ka lënduar një pjesëtar të ekuipazhit dhe ka dëmtuar skenën

Shpërthimi i dëmtoi ambientet jashtë studios së famshme të “007”-s, në Buckinghamshire ku po filmohet seria. Askush nga ata që punonin brenda në studio nuk është lënduar, por një pjesëtar i stafit jashtë ka pësuar lëndime të lehta.

E përditshmja “The Sun” shkruante se një shpërthim i trefishtë kishte ndodhur, pasi një skenë shkoi keq.

E gjithë kjo vjen pasi ylli i “James Bond”, Daniel Craig u lëndua muajin e kaluar ndërsa po xhironin në Xhamajka, çka e nënshtroi aktorin 51-vjeçar ndaj një operacioni të lehtë në kyç, që kërkonte dy javë rehabilitim. Filmi i 25-të i serisë “Bond” do të jetë i pesti i Craig në rolin e “007”-s.

Fituesi i çmimit “Oscar”, Rami Malek do të luajë në rolin negativ në filmin e shumëpritur, që do të përcjellë zyrtarisht Craig pas 13 vitesh si “James Bond”. Po ashtu kthehen Ralph Fiennes, Ben Whishaw, Rory Kinnear, Naomie Harris dhe Jeffrey Wright.

Prodhimi i filmit është shtyrë në mënyrë të përsëritur, për shkak të mospajtimeve me “skript”-in, çka ka bërë që të zëvendësohej regjisori Danny Boyle me Cary Fukunagan, në shtator. Filmi pritet të dalë në kinema në SHBA, Britani dhe Francë më 8 prill të vitit 2020.

“Agjenti 007” – kurrë femër

James Bond nuk do të jetë kurrë femër dhe këtë e pohon producentja ekzekutive e serisë së filmave të famshëm.

Barbara Broccoli, që është në krye të kastit të “007”, thotë për the Guardian se “Bond është një mashkull dhe se është një karakter mashkullor, roli është i shkruar për një mashkull dhe unë mendoj se i tillë do të qëndrojë”.

“Nuk kemi përse t’i kthejmë karakteret mashkullore në femra”, thotë ajo.

Ylli aktual i serisë Bond, Daniel Craig ka sugjeruar se filmi i radhës që do të dalë në kinema në 2020-ën, do të jetë i fundit i tij si “007”. Idris Elba është përmendur më parë si një nga pasuesit në rol, pasi vetë ai postoi në Twitter një mesazh që e la të kuptohej një gjë të tillë, transmeton tch.

Të tjerë ndërkohë kanë aluduar se “007” e radhës mund të jetë një grua. Sidoqoftë, 58-vjeçarja Broccoli, thotë se në vend që të bëhet lobim për një James Bond femër, të gjithë ata që punojnë në industrinë e filmit duhet të punojnë për të krijuar më shumë karaktere femërore dhe për t’i bërë historitë të përshtatshme për to.

Babai i saj, Albert Broccoli, ka prodhuar më herët shumë filma të serisë Bond, dhe ka shfaqur më herët mbështetje për femrat që punojnë në industrinë e filmit.

Xhirimi i skenave të Bondit të ri do të nisë më 4 mars dhe filmi do të dalë në kinema në shkurt të 2020. Filmi i fundit i serisë së famshme, “Spectre”, doli në 2015./ KultPlus.com

“James Bondi” bëhet me regjisor të ri

Filmbërësit e James Bond thanë se drejtori i filmit të ardhshëm për agjentin sekret britanik do të jetë amerikani Cary Joji Fukunaga.

Është njoftuar se xhirimi i filmit të 25-të rreth Bond do të fillojë më 4 mars të vitit të ardhshëm dhe do të shfaqet në kinema më 14 shkurt 2020.

Fukunaga do të zëvendësojë britanikun Deny Boyle, largimi i të cilit zhvendosi shfaqjen e planifikuar, transmeton KosovaPress.

Deri tani, producenti amerikan ka punuar në serinë televizive “True Detective” dhe në filmin e luftës “Beasts of No Nation”, ku Idris Elba interpretoi rolin udhëheqës, ndërkohë që referohej si emri më i mundshëm për rolin e agjentit 007./KultPlus.com

Rikthehet makina legjendare e James Bond

Aston Martin planifikon të rivendosë prodhimin e modelit origjinal DB5 që u përvetësua në filma rreth agjentit sekret britanik 007 më shumë se gjysmë shekulli më parë.

Aston Martin DB5 debutoi në ekran në vitin 1964 në “Goldfinger” me Sean Conery, dhe ri-performoi rolin e makinës zyrtare James Bond një vit më vonë në film Thunderball.

Prodhimi i versionit të ardhshëm të DB5 do të jetë i kufizuar në vetëm 25 kopje dhe çmimi i kësaj makine në Britani do të jetë 2,75 milionë funta, duke përjashtuar taksat.

Dorëzimi i parë i automjeteve për blerësit dhe kolektorët e pasur është planifikuar për vitin 2020, por pronarët e ardhshëm të këtij Aston Martini nuk do të jenë në gjendje të vozitin atë në rrugët e qyteteve të tyre, pasi makina nuk do të regjistrohet për ngasje në rrugë publike./KultPlus.com

Idris Elba në rolin e James Bond, përgënjeshtrohet lajmi

Zërat e ditëve të fundit se Idris Elba do të interpretonte rolin e James Bond në kapitullin e ri të sagës rezultuan tërësisht të pavërteta.

Përgënjeshtrimi vjen nga vet regjisori Antoine Fuqua, i cili, sipas “Daily Star”, ka pasur edhe një debat të fortë me producenten Barbara Broccoli, mbi mundësinë për t’ia dhënë rolin e 007 një aktori me ngjye, pas Daniel Craig.

Edhe menaxherët e Idris Elba mohuan të kenë pasur ndonjëherë dijeni apo bisedime mbi këtë çështje dhe se gjithë ketë çështje spekulative e kanë mësuar përmes tabloidëve.
Idris Elba në fakt përflitej prej kohësh për të marrë rolin e James Bond, së bashku me Tom Hiddleston, Henry Cavill dhe Tom Hardy.

Nga kapitulli i ri i sagës mungon titulli dhe kasti përbërës, por fakti i vetëm i sigurt është data e publikimit; 8 nëntor 2019./KultPlus.com

Zbulohet emri i James Bondit të ri

007 i ardhshëm, mund të jetë Idris Elba. Është vetë aktori që ka postuar në “Twitter” një mesazh të koduar, që gjithsesi, lë të mendosh se ai mund të jetë James Bondi i ri.

Ditë pas raporteve se një prodhues i serisë i ka propozuar atij të bëhet 007 i ri, Irdis Elba shkruan në “Twitter”: Emri im është Elba, Idris Elba…Fansat e konsiderojnë këtë si një sinjal se ai mund të jetë James Bondi i ri pasi Daniel Craig të largohet, vitin e ardhshëm.

Ka pasur në fakt zëra që e lidhnin Idris Elbën me rolin e Bondit që në 2014, zëra këto që ai as nuk i ka konfirmuar dhe as nuk i ka mohuar. Aktori 45-vjecar është bërë i njohur për rolet e tij në “Star Trek, Luther dhe Thë Wire dhe në të shkuarën ai ka thënë se është shumë i moshuar për të marrë rolin e të famshmit 007.

Por, ai asnjëherë nuk i ka shpëtuar spekulimeve dhe ka thënë se i duket sikur një thesar kombëtar është i lidhur me Bondin. Më herët këtë javë, kishte raporte se bosja e filmave Bond, Barbara Broccoli, ka thënë se ka ardhur koha që një aktor me ngjyrë të veshë kostumin e 007.

Seria e famshme ka nisur në vitet 1960 me Sean Connery në rol. Filmi i ri Bond do të dalë në kinema në tetor 2019, drejtuar nga Danny Boyle dhe pritet të jetë i fundit për Daniel Craig, pas përmbushjes së kontratës së tij 5-vjeçare.

Craig ishte aktori i gjashtë që e merrte rolin pas Sean Connery, George Lazenby, Roger Moore, Timoti Dalton dhe Pierce Brosnan./ KultPlus.com