Jared Leto: Filmat e studios “Marvel” po i mbajnë gjallë kinematë

Aktori i njohur hollywoodian, Jared Leto, mendon se filmat e bazuar në librat komik “Marvel” po i mbajnë gjallë kinematë.

Ylli i filmit “Morbius” i cili e përshkruan veten si person paksa “snob” kur bëhet fjalë për projektet kinematografike, e pranon se është i shqetësuar për faktin se sa shumë mbështetet industria në filmat e superheronjve me buxhet të lartë, veçanërisht në kohë të pandemisë.

“Po të mos ishin filmat e Marvelit, nuk jam i sigurt nëse kinematë do të ekzistonin. Nuk duket se ka vend për të gjithë në këtë industri, prandaj kjo është shndërruar në një situatë paksa zemërthyese”, deklaroi Leto për revistën “Variety”.

Projektet e tilla si, “Spider-Man: No Way Home” dhe “Venom: Let There Be Carnage”, kanë rezultuar të jenë lansime të suksesshme gjatë pandemisë dhe këngëtari i shndërruar në aktor, është mirënjohës që prodhimet e këtilla po i mbajnë në funksion kinematë në një kohë kur platformat digjitale e kanë pushtuar tregun.

“Po ashtu jam falënderues ndaj këtyre filmave, për faktin se po i mbajnë kinematë në funksion”, shtoi Leto.

Vokalisti i grupit “Thirty Seconds to Mars”, duke qenë një adhurues i madh i kinematografisë dhe vizitor i rregullt i kinemave, tutje shpjegoi se si shikimi i filmave ia ka ndryshuar jetën.

“E di sa e rëndësishme ishte për mua si fëmijë, që të ikja nga realiteti përmes filmave. Ajo eksperiencë kulturore ishte goxha informative dhe me ndikim. Në kinema kam parë filma të cilët me të vërtetë ma kanë ndryshuar jetën”.

Aktori i shpërblyer me çmimin “Oscar” shumë shpejt vjen në rolin e Dr. Michael Morbius, një biokimist, i cili provon ta shërojë veten nga një sëmundje e rrallë e gjakut dhe shndërrohet në diçka të errët dhe të frikshme, në filmin e ri të studios “Marvel”. Ai tregoi se është tërhequr nga ky personazh për faktin se nuk është një superhero i zakonshëm. / KultPlus.com

Jared Leto feston ditëlindjen e 50-të

Ylli i njohur i hollywoodit, Jared Leto, vendosi që me postimin e një fotografie ta festojë ditëlindjen e tij të 50-të të dielën më 26 dhjetor.

Duke shënuar ditën e tij të veçantë, aktori ndau një foto pa këmishë të tij, ku shfaqej barku i tij i gdhendur. Në foto, ai po pozon me një copë tortë ylberi dhe po jep gishtin e madh që tregon një trup të tonifikuar mirë.

Fotoja mund të jetë bërë në xhirimet e filmit të tij të ardhshëm nga Sony dhe Marvel, ‘Morbius’, pasi ai ka gjak që i rrjedh nga cepi i gojës dhe një gërvishtje në gjoks.

Aktori dhe vokalisti i grupit “Thirty Seconds to Mars”, si dhe fituesi i çmimit Oscar e ndau fotografinë me ndjekësit e tij në Instagram ku edhe mori shumë pëlqime dhe komente, disa prej së cilëve e pyesnin atë se si është e mundur që nuk po di të plaket.

“Ju falënderojë për të gjitha urimet e ditëlindjes”, me këto fjalë Leto e kishte shoqëruar postimin e tij.

Aktori u pa për herë të fundit në dramën e krimit të Ridley Scott ‘House of Gucci’, në të cilën ai luajti rolin e Paolo Gucci së bashku me Lady Gaga, Adam Driver dhe Al Pacino.

Sa i përket kinematografisë, Leto së shpejti vjen me performancë të shkëlqyer në filmin e ri “Morbius”.

Projekti bazuar në librat komikë dhe i realizuar nga studio “Sony”, fokusohet në personazhin e keq të inspiruar nga filmat “Spider-Man”. Ylli i shpërblyer me “Oscar” e portretizon një biokimist, i cili provon ta shërojë veten nga një sëmundje e rrallë e gjakut, por shndërrohet në diçka të errët dhe të frikshme.

Matt Smith, Adria Arjona, Jared Harris, Al Madrigal, dhe Tyrese Gibson, gjithashtu luajnë në këtë film regjinë e së cilit e ka bërë, Daniel Espinosa.

“Morbius” lansohet për publikun e gjerë në janar të vitit të ardhshëm.

Ndërkaq në një intervistë të fundit, aktori dhe këngëtari i dashur për publikun e bëri të ditur lajmin se, gjatë pandemisë i ka shkruar më shumë se 264 këngë të reja. Albumi i fundit i incizuar në studio i grupit të shumëshpërblyer “Thirty Seconds to Mars”, e mban titullin “America” dhe u lansua në vitin 2018. Ai u mirëprit nga fansat anembanë botës dhe shënoi suksese të mëdha në toplistat muzikore, duke u pozicionuar në vendin e dytë të toplistës së 200 albumeve më të mira “”Billboard”. / KultPlus.com

(Photo by Amy Sussman/Getty Images)

Lady Gaga merr gjithë vëmendjen në premierën e “House of Gucci”

Në Londër u shtrua qilimi i kuq glamuroz me rastin e premierës së filmit, “The House of Gucci”. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin aktorët e filmit dhe yje të shumtë të showbizit.

Para gazetarëve të pranishëm, këngëtarja e shndërruar në aktore, Lady Gaga, tha se përgatitjet e gjata për ta portretizuar Patrizia Reggianin në këtë film, mund të kenë lënë efekt të përhershëm tek ajo.

Me regji të Ridley Scottit, “The House of Gucci” bazohet në librin e vitit 1995 që flet për vrasjen me pagesë të nipit të Guccit, Maurizio, dhe gjykimin dhe dënimin e ish-bashkëshortes së tij, Patrizia Reggiani, e cila kreu 16 vjet burg për kontraktimin e vrasësit të burrit të saj.

“Në fakt kam qëndruar në rol për gjatë apo nëntë muaj, pra duke e ruajtur aksentin gjatë gjithë kohës, përfshirë këtu edhe gjatë intervistave. Njerëzit thonë që kam qëndruar në rol gjatë gjithë kohës dhe ndoshta ende vazhdoj të jem në personazh. Nuk e di kur do të largohet Patricia nga unë, por i njoh pjesët e saj të cilat më çdo kusht dua t’i lë pas dhe cilat dua mbaj pasi ishin të bukura dhe fuqizuese. Por, ajo ishte një grua e fuqishme e cila besonte se mund të depërtonte në një sistem patriarkal italian. Gjë të cilën edhe e kishte bërë, por kur ajo u përjashtua, të gjithë u përqendruan te paratë dhe jo te fatkeqësia e vërtetë, që ishte ajo”.

Filmi e përmban një kastë aktorësh yje të tillë si: Adam Driver, Jared Leto, Al Pacino, Salama Hayek, Jeremy Irons, Jack Huston, Camille Cottin dhe Madalina Ghenea.

Driver, i cili e portretizon Maurizion tha se ishte e emocionuar që e pati rastin të punojë me disa prej idhujve të tij.

“Unë gjithmonë e kam adhuruar aktorin Jeremy Irons dhe kam dashur të punoj me të. Kam punuar me Alin një herë në një film të kaluar, por isha i mpirë nga emocionet për ta shijuar dhe përjetuar atë eksperiencë. Prandaj, isha i lumtur që do të punoja sërish me të. Bashkëpunimi me Lady Gagan ishte po ashtu i mrekullueshëm. Isha shumë i emocionuar për këtë. Të gjithë pjesëtarët e ekipit të filmit i kam admiruar dhe anasjelltas. Kjo ishte një punë e ëndrrave. Të gjithë ishim të përgatitur shfaqeshim me kohë në punë, dhe kishim ide të mira”.

Jared Leto pësoi transformim të madh për ta luajtur rolin e Paolo Guccit, nipi i Guccio Gucci dhe drejtori menaxhues i markës së njohur të modës në vitin 1953, duke u bërë pothuajse i panjohur për publikun.

“E vlerësoj shumë këtë. Për mua është një kompliment të jesh tërësisht i panjohur nga publiku, për mënyrën si e ke portretizuar rolin. Më vjen mirë që njerëzit do ta shohin një personazh të cilin nuk e kanë njohur më parë. Kemi punuar vërtet shumë për të hulumtuar thellë dhe për ta sjell në jetë këtë artist të mrekullueshëm, siç është Paolo Gucci”.

Leto po ashtu tha se ky është një film i cili flet për familjen, dashurinë, tradhtinë dhe pasionin.

“Mendoj se është një film për fuqinë, tradhtinë, familjen, dashurinë, pasionin. Pra është një histori komplekse, shokuese dhe befasuese. Shumë njerëz nuk e njohin historinë e vërtetë të Guccit, por kur ta shohin filmin, do ta kuptojnë se është një histori jo e zakonshme dhe goxha e çmendur”.

Jeremy Irons, i cili e portretizon Rodolfo Guccin, më të voglin nga pesë djemtë e Guccio Guccit, para gazetarëve të pranishëm tha:

“Dua të them, historia dhe tragjedia e saj është shekspiriane në madhështinë e saj, dhe sigurisht, gjëja më e mirë e të pasurit Ridley Scottin si regjisor është se ai është mësuar të bëjë filma të mëdhenj epikë. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe më të tregim në veçanti”.

“House of Gucci” debuton në kinematë e Shteteve të Bashkuara më 24 nëntor, ndërsa në Britani të Madhe fillon së shfaquri nga 26 nëntori i këtij viti. / KultPlus.com